Në Kosovë mbrohen paqja, qendrueshmëria dhe siguria e rajonit dhe më gjerë
Shoqëria LËVIZJA kërkon nga Tirana zyrtare (e vetmja pronare legjitime e çdo pëllëmbe të tokës shqiptare) të jetë më serioze, më aktive, më e pranishme dhe më këmbëngulëse për çështjen e pazgjidhur shqiptare, përgjithësisht, dhe për Kosovën, posaçërisht!
Xhavat Gjini
01/06/2023 - 11:51
Shoqëria LËVIZJA
Për opinionin publik, për qendrat botërore të vendosjes dhe për mediat
REAGIM për ngjarjet e fundit në Veri të Republikës
Dhuna dhe terrori që po ushtrojnë grupet e organizuara dhe të orkestruara nga shteti fqinj, Serbia shoviniste e Vuçiçit, ka shqetësuar dhe indinjuar, si gjithë shqiptarët, edhe drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët e Shoqërisë LËVIZJA. Kjo dhunë e nxitur dhe drejtuar drejtëpërdrejt nga Vuçiçi dhe shteti i tij ka për synim arritjen e njërit prej dy qëllimeve: Qëllimi i parë, i menjëhershëm, është shkëputja e Veriut të Republikës së Kosovës (aneksimi i tij Serbisë). Nëse nuk mund të arrihet ky qëllim, Serbia me të gjitha mjetet dhe rrugët, angazhohet për krijimin e një entiteti të posaçëm serb në 30% të territorit (“zajednicën”) dhe në kohën që do të krijoheshin rrethana të favorshme ta përdor për destabilizim e konflikte dhe shkëputje të këtij territori nga Republika e Kosovës.
Bashkëkombës shqiptarë! Qeveri dhe diplomatë të Fuqive të Mëdha! Media dhe rrjete sociale!
Lirinë e fituar të kësaj Republike, që nuk përbën më shumë se një të tretën e Kosovës, kombi shqiptar e ka paguar me lumenj gjaku. Po bëhet gati një çerek shekulli qysh se u tërhoqën të mundura forcat pushtuese serbe, kurse Republika e Kosovës ende ka mbetur peng i “dialogut” me Serbinë!!
Në shek. XIX paqja midis Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit ishte arritur kryekëput në kurriz të tokave të Shqipërisë!! Kjo histori tragjike për popullin shqiptar dhe për Shqipërinë e tij u përsërit edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), kur tokat e Shqipërisë iu dhuruan shteteve fqinje si të ishin fituar në bixhoz! Edhe pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore tokat e Shqipërisë mbetën të pushtuara (dy të tretat e saj!), kurse shumica e popullit shqiptar në ato troje ishin vrarë, masakruar e dëbuar si “muhaxhirë”. Dhuna, terrori dhe gjenocidi i orkestruar nga Serbia, Greqia dhe Mali i Zi, vashduan edhe midis dy luftërave botërore mbi popullin e pambrojtur shqiptar! Qeveritë dhe diplomatët e Fuqive të Mëdha, të kënaqura me “paqen” e arritur, fërkonin duart me një gjakftohtësi dhe indiferencë makabre!
Gjatë Luftës së Dytë Botërore (kasaphanës së madhe njerëzore!) Fuqitë e Aleancës Antifashiste kishin proklamuar me propagandë e tam – tame “të drejtën e popujve për VETËVENDOSJE” pas përfundimit të Luftës, fitores mbi aleancën e shteteve nazifashiste... Populli shqiptar, në përpjestim me fuqinë që kishte, dha kontribut të çmuar për mposhtjen e bllokut nazifashist. Mirëpo, pas mbarimit të luftës iu mohua e drejta për të vetëvendosur, ashtu siç ishte edhe Rezoluta e Bujanit, e miratuar në frymën e dokumenteve dhe proklamatave të Fuqive antifashiste...Dy të tretat e Shqipërisë mbetën të pushtuara dhe, për turpin e tyre, e kërcënonin me copëtim e zhbërje edhe atë copë shtet shqiptar që ishte krijuar pas pazarllëqeve të bëra në Konferencën e Londrës!
Pas gati një shekulli përpjekjesh, kryengritjesh e sakrificash kombi shqiptar ia doli ta çlironte një pjesë të tokave të tij të pushtuara, Kosovën me kufijtë aktual. Ndërhyrja e Fuqive të Mëdha i dha fund Luftës shqiptaro – serbe dhe pengoi edhe një herë ose nuk i dha përkrahje të drejtës së popullit të pushtuar shqiptar për t’u çliruar plotësisht nga fqinjët pushtues dhe për t’u bashkuar me shtetin e tij!
Pas shumë “fërkimesh” e pazarllëqesh, prapa krahve të popullit shqiptar, Kosova e rreth 11 000 km katrore u shpallë “shtet i pavarur e sovran”. Mirëpo, pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës u kufizuan dhe shantazhuan me lloj – lloj projektesh, marrëveshjesh e ndërhyrjesh nga prania ndërkombëtare dhe qendrat e vendosjes!
Kufizimi dhe shantazhimi më brutal Republikës së Kosovës dhe sovranitetit të saj iu bë me shpikjen e “Veriut serb”! Kjo pjesë e patjetërsueshme e territorit të Republikës së Kosovës dhe pakica serbe u përdor dhe po përdoret si pretekst nga Serbia shoviniste dhe nga miqtë e saj (të deklaruar e të padeklaruar!) për ta tensionuar e destabilizuar Republikën e Kosovës dhe rajonin! Më e interesuara për konflikt në këtë rajon është Rusia e Putinit...
Dhuna, terrori dhe dëbimi i popullsisë shqiptare të atij rajoni nga bandat e organizuara shtetërore të Serbisë (nën ombrellën e pranisë ndërkombëtare!) paralajmëronin vështirësi afatgjate për shtrirjen e sovranitetit, të ligjshmërisë dhe rendit demokratik në Veriun e Republikës së Kosovës. Prania e pauniformuar e Serbisë në territorin e Kosovës shqiptare dhe tolerimi i saj nga prania ndërkombëtare do të duhej të kishin qenë sinjale të mjaftueshme për klasën politike dhe shtetërore të Kosovës, e cila, konform mandatit dhe detyrimeve kushtetuese e kombëtare, krahas “dialogut” me Serbinë duhet të kishte marrë masat për mbrojtjen e Republikës, të rendit të saj kushtetues dhe të territorit të saj...
Shumë politikanë, përgjegjës për konçesionet dhe marrëveshjet e turpshme kapitulluese, edhe sot kanë fytyrë e “guxim” të radhiten në anën e gabuar, duke bërë deklarata, intervista e duke propaganduar shfrenueshëm në favor të një “zgjidhjeje” të pranuar nga të dyja palët, në dëm të Republikës së Kosovës! Kësaj politike konçesioniste e disfatiste ua mbajnë “ison” mediat dhe opinionistët e mercenarizuar, duke u bërë shpeshherë tellallë e altoparlantë të politikave antishqiptare!
Zonja dhe zotërinj!
Shoqëria LËVIZJA kërkon nga forcat politike, nga mediat, nga shoqatat autoktone dhe nga inteligjencia që t’i lënë anash interesat e ngushta dhe të bashkohen rreth interesave të Republikës së Kosovës dhe të kombit shqiptar. Deklarimi, propagandimi dhe artikulimi i qartë e pa ekuivok për pavarësimin - shkëputjen e plotë të Kosovës nga Serbia, për sovranitet, integritet dhe kontroll të plotë të territorit të Republikës së Kosovës është sine que non për stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Kosovë e rajon...
Shoqëria LËVIZJA i ka të qarta rrethanat në botë dhe rreziqet që po e kërcënojnë paqen dhe sigurinë globale. Prandaj, u bëjmë thirrje qendrave të vendosjes, kryesisht Fuqive Perëndimore, që të heqin dorë nga angazhimi për ruajtjen e “paqes” në kurriz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës! Përkëdhelja e Serbisë, nga njëra anë, dhe trysnia e shantazhimi i Republikës së Kosovës, në anën tjetër, nuk garantojnë paqen në rajon...
Shoqëria LËVIZJA është e ndërgjegjshme se prania ndërkombëtare në Kosovë nuk është vendosur për ngjyrën e syve tanë. SHBA – ja dhe Fuqitë evropiane e kanë të qartë më mirë se kushdo tjetër se në Kosovë mbrohet stabiliteti, paqja dhe siguria rajonale e më gjerë. Prandaj, kërkojmë që Republika e Kosovës të pranohet urgjentisht në aleancën e madhe ushtarake – NATO, kurse pesë vendet e BE – së ta njohin një ditë e më parë Republikën e Kosovës! Kjo është zgjidhja e duhur, e menjëhershme dhe e domosdoshme për Kosovën që s’e keni lejuar t’i bashkohet shtetit të saj...
Shoqëria LËVIZJA u bënë thirrje krerëve të Republikës së Kosovës që politikat dhe veprimet e tyre për pavarësi, sovranitet dhe integritet të plotë t’i bashkërendojnë domosdoshmërisht me shtetin tonë AMË (sidomos), me SHBA – në, me Britaninë e Madhe, me vendet e BE – së dhe me të gjitha vendet tjera që njohin dhe respektojnë, sovranitetin dhe pavarësinë e plotë të Republikës së Kosovës nga Serbia! Në rrethanat e sotme rajonale dhe botërore bashkëpunimi dhe bashkërendimi i ngushtë me miqtë e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës shqiptare nga Serbia është pa alternativë...
Shoqëria LËVIZJA kërkon nga Tirana zyrtare (e vetmja pronare legjitime e çdo pëllëmbe të tokës shqiptare) të jetë më serioze, më aktive, më e pranishme dhe më këmbëngulëse për çështjen e pazgjidhur shqiptare, përgjithësisht, dhe për Kosovën, posaçërisht!
Shoqëria LËVIZJA e kupton se “miku i mirë duhet për kohë të vështira”, prandaj u bënë thirrje miqësore Qeverisë dhe diplomacisë amerikane t’i marrin parasysh dhe t’i përkrahin kërkesat e popullit shqiptar në Kosovën Lindore, të cilit Serbia e vuçiçve i mohon me dhunë e terror të organizuar shtetëror të drejtat dhe liritë themelore kombëtare, njerëzore, politike dhe ekonomike. Ata nuk po kërkojnë asgjë më shumë se të drejtat që ka pakica serbe në Republikën e Kosovës...
Prishtinë, më 30 maj 2023
Me konsideratë dhe nderime!
Kryetari i Shoqërisë LËVIZJA
Xhevat Gjini
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 27 reads