Praktikat moderne të bujqësisë shqiptare
Bujqësia është cilësuar si shtëpia pa çati. Fermerët në Shqipëri kanë sfida të shumta. Sot ata e kanë të vështirë të konkurrojnë në rajon dhe të përfitojnë nga ekonomia e shkallës, megjithatë, të paktë në numër, disa prej tyre po orientohen drejt praktikave moderne të bujqësisë. Duke vënë në shfrytëzim biodiversitetin natyror, synojnë zhvillimin e qëndrueshëm
Ledina Loga (Monitor)
05/08/2018 - 20:18
Vetëm 20 kilometra larg nga Tirana, 17 kilometra nga Durrësi, me afërsi prej 9 kilometrash nga aeroporti, Hajdar Kuçi ka ngritur në tokat e të parëve një fermë të rrallë në llojin e saj. Agronom me profesion, fillimisht ferma kishte sipërfaqe modeste prej 1 dynym serë. Sot vetëm sipërfaqja e serës është 15 dynymë. Ferma e tij sot përfaqëson një model se si mund të funksionojë biodiversiteti natyror.
Në fermë gjen praktikisht çdo gjë. Nga serat me perime organike, të cilat vijnë prej farave të zgjedhura me kujdes dhe jo të modifikuara gjenetikisht, te vreshtat, ullishta, pemëtari, mbarështim të dhive franceze, rritje të pulave dhe patave, rritje të bletëve dhe, për më tepër, shfrytëzimi i një liqeni artificial janë pjesë e fermës.
Aktualisht, ai numëron 2 hektarë sipërfaqe në kodër, ku ka mbjellë ullinj. Me afrimin e sezonit ai mbledh ullinjtë dhe prej tyre nxjerr sasi vaji, ku synim kryesor ka cilësinë dhe jo sasinë. Hajdar Kuçi ka përfituar prej trashëgimisë rreth 90 rrënjë ulliri, kurse vetë ka mbjellë edhe 500 rrënjë të tjera. Aty pranë, falë terrenit ku ndodhet fshati Marikaj, ka mbjellë edhe vreshta. Tre janë varietetet që ai kultivon: merlot, kabernet dhe syrah, por shpreson që shumë shpejt të mbjellë dhe varietetin autokton të sheshit, i cili përshtatet mjaft mirë edhe me mikroklimën e fermës. Për sa u përket pemëve, ka mbjellë 7 dynymë sipërfaqe të kodrave me pjeshkë.
Hajdari ka gërshetuar bujqësinë me blegtorinë. Në fermën e tij po rrit 100 dhi franceze, të cilat i ka vendosur në regjim gjysmë stallor. Edhe pse në fillim pati mëdyshje për përshtatjen e dhive me mikroklimën në fermë, vendimmarrja rezultoi me sukses. Dhitë u përshtatën mirë. Prej tyre ai prodhon produkte bulmeti, kryesisht djathë dhe gjalpë.
Më herët ka mbarështuar edhe lopë, ku numri maksimal i krerëve të lopëve ka arritur deri në 40, po më vonë nuk e pa me interes. Ferma Kuçi prodhon edhe mjaltë, por nëse doni të blini duhet të rezervoni shumë më parë. 50 koshere bletë të fermës, fermeri thotë se i kullot shpesh në zona si Shëngjergji apo Kopliku. Edhe pse vizitorët kërkojnë që të blejnë mjaltë, duhet të kesh “mik” të fortë për të marrë një kavanoz prej mjaltit të fermës.
Qershia mbi tortë e Fermës
Kuçi është liqeni në zemër të tij. Gjeneza e liqenit fillon me ndërtimin e autostradës Tiranë – Durrës. Kompania italiane që ndërtonte rrugën atëherë kishte nevojë për një vend ku të vendoste mjetet e punës, dhe Hajdar Kuçi ofroi një sipërfaqe trualli të fermës së tij, me kusht që italianët ta ndihmonin me ngritjen e një dige të përshtatshme për liqenin, në atë kohë të vogël. Sot liqeni ka pasuruar më shumë biodiversitetin e fermës. Në të kultivon disa lloje peshqish që mund t’i përshtaten ujërave të ëmbla të liqenit, si krap, ballëgjerë, qefull, koc. Në liqen ka ndërtuar mole të vegjël, ku ka dhe varka për të shëtitur vizitorët, të cilët nuk janë të pakët.
Ferma vetëm këtë sezon është vizituar nga të paktën 35 grupe, me 25 anëtarë. Hajdari thotë për “Monitor” se vizitorët janë kryesisht amerikanë dhe gjermanë. Ata që vizitojnë fermën, bëjnë shëtitje në liqen dhe konsumojnë produkte që janë mbi 80% të rasteve të fermës. Fermeri ka në plan ta zgjerojë fermën, të cilën e nisi me sipërfaqe dhe kultura modeste në vitin 1995. Fshati Marikaj, ku ndodhet ferma është bërë pjesë e projektit “100 fshatrat”.
Hajdari po shqyrton mundësinë për të aplikuar për subvencionet në agroturizëm, por i druhet burokracive dhe kërkesave pa limit. Rreth 5 familje të zonës janë angazhuar me punë në fermë dhe sigurojnë të ardhurat për shtëpitë e tyre, të gjithë të rinj të moshës nga 16-25 vjeç. Edhe anëtarët e familjes Kuçi janë të angazhuar në këtë biznes.
Ferma, si një praktikë agropylltarie
Këto praktika të agropylltarisë, fermeri agronom Hajdar Kuçi i ka mënyrë prodhimi dhe jetese dhe përftimi është maksimal. Pyjet, shkurret, kulturat, bimësia e larmishme e bëjnë këtë terren të përshtatshëm për bletët dhe insektet e tjera të dobishme. Fermerët e tjerë përqark që përdorin spërkatje me pesticide për prodhimet e tyre dëmtojnë bletët dhe insektet pa të cilat nuk do të kishim fruta.
Agronomi thotë se me rritjen e pemëve dhe pyllit, të cilat i gjeti të prera dhe që i ka ruajtur të mos priten përreth liqenit ka rregulluar regjimin e ujërave. Nëse më parë, ujërat e shiut vërshonin drejt e në liqen ose në përrenj, tani edhe kur ka shira të rrëmbyeshëm duhen disa ditë që uji të shkojë në liqen. Madje niveli rritet ngadalë, shton ai. Shtresa organike e krijuar në tokë e thith ujin dhe e lëshon atë ngadalë. Erozioni shmanget jo vetëm sepse rrënjët e lidhin tokën, por edhe sepse forca e shiut zbutet nga gjethet dhe degët.
“Cilësia e ujit në liqen është përmirësuar dhe po ashtu, rritja e peshkut është më e lehtë”, -shprehet Kuçi. Ai shfrytëzon edhe masën e gjetheve të rëna të pyllit për plehërim organik të arave dhe pemëtoreve, si dhe zbaton teknika të bujqësisë së qëndrueshme. Në vreshtat, në shpatet e kodrave, ai mbjell fasule, bishtaja si bashkëshoqërues të rrushit. Jo vetëm merr prodhim, por bishtajoret bëjnë edhe plehërimin azotik të tokës. Në të njëjtën kohë ato ruajnë tokën e pjerrët nga erozioni dhe varfërimi e shpëlarja e lëndëve organike nga shirat.
Fermeri Kuçi përdor metoda bio për vreshtën si ferromonet për të luftuar dëmtuesit dhe ndalimin e përhapjes dhe spërkatje organike. Kuçi shton se i jep më shumë rëndësi parandalimit të sëmundjeve e dëmtuesve se sa luftimit të tyre.
Për këtë e ndihmojnë predatorët biologjikë të dëmtuesve në bujqësi të cilët ia siguron natyra e paprekur përqark fermës, por që ai ndihmon dhe punon pa pushim të ruhet.
Ai thotë se gjithmonë duhen llogaritur kostot: sa kushtojnë spërkatjet, çfarë pasojash kanë, sa prodhim më shumë do të merrnim me spërkatje e plehra kimike. Këto janë një pjesë e rëndësishme e kostos.
“Kurse unë marr prodhim natyral ndoshta më pak në sasi, por bima nuk stresohet, toka nuk helmohet, dëmtuesit nuk fitojnë rezistencë, pra që herës tjetër të më duhet edhe një dozë më e madhe helmesh me efekt ndaj tyre më të vogël. Prodhimi shitet me çmim më të lartë, është i kërkuar gjithmonë nga tregu, madje kërkesa është shumë e madhe”-argumenton Kuçi.
Prodhimi organik në Shqipëri
Sipas të dhënave të MBZHR, vitin e kaluar, sipërfaqja e mbjellë e certifikuar si organike, ishte rreth 380 hektarë, ndërsa si sasi e prodhuar e kulturave organike ishin mbi 5 mijë tonë. E krahasuar me një vit më parë, pra më 2016-n, prodhimi ishte me rritje me rreth 15%. Të dhënat tregojnë se sipërfaqja më e madhe e mbjellë, si dhe sasia e prodhuar ka qenë në vitin 2015. Në 2016, prodhimi u përgjysmua, i cili përkon edhe me vitin që disa operatorë tregu u pezulluan nga certifikimi i konsideruar organik për mospërmbushje kriteresh.
Nga 5,223 tonë të prodhuara si produkte organike në 2017, vetëm 1,395 tonë janë dërguar për eksport. Prodhimi i dërguar për eksport është rritur në dy vitet e fundit, me rreth 25% dhe kulturat që eksportohen më shumë janë bimët aromatike, erëzat, vaji i ullirit etj. Italia kryeson në vitin 2016 në listën e shteteve ku eksportojmë, me rreth 56% (sipas peshës në ton), ndjekur nga Gjermania me 25%, Spanja e Belgjika me 11%.
Agropylltaria, si model i qëndrueshëm zhvillimi
AFTD, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural organizoi Konferencën e parë Kombëtare për Agropylltarinë. Për z. Fatos Fico, drejtor ekzekutiv i AFTD, dhe koordinator lokal i projektit Agrof-MM, agropylltaria është një praktikë tradicionale, madje mënyrë jetese për shumë fermerë në Shqipëri dhe në vendet mesdhetare, por njëkohësisht si praktikë është edhe bashkëkohore dhe me të ardhme.
Agropylltaria është kombinimi i qëllimshëm i pemëve, shkurreve, me kulturat bujqësore ose/dhe kafshë në sisteme prodhuese që krijojnë më shumë të mira ekonomike, mjedisore dhe sociale. Ajo njihet ndryshe, ose është sinonim edhe me Agroecology, të cilat janë sisteme edhe më komplekse të qëndrueshmërisë, shpjegon Fico. Ai thotë se Franca, vendi që financon projektin Agrof-MM, do të japë për Agropylltarinë 1 miliard euro deri në vitin 2025, kjo përveç fondeve të CAP e fondeve të tjera.
Fermerët, specialistët, politikëbërësit, njerëzit duhet të fillojnë të familjarizohet me këto praktika dhe t’i zbatojnë ato lidhur me përfitimet shumëplanëshe dhe me kosto të ulët investimi. Këto praktika ndihmojnë natyrën, minimizojnë efektet e ndryshimeve klimatike, japin produkte të sigurta me çmim të lartë, produkte tipike, pra të pakonkurrueshme nga importi, sigurojnë të ardhura të vazhdueshme dhe të ndryshme, rrisin veçanërisht biomasën përkundrejt ruajtjes së potencialeve prodhuese të tokës, shërbejnë kundër erozionit, pastërtisë së ujërave nëntokësore e sipërfaqësore, krijojnë peizazhin tipik mesdhetar, pra e lidhur me turizmin.
Shembulli më praktik i përdorimit të pemëve në Shqipëri janë brezat erëpritës në fushën e Korçës, të cilët ende ekzistojnë pjesërisht, bashkëshoqërimi i kulturave me pemë, si dhe silvipastoralizmi në male. Sipas Ficos, vendi po vuan gjithmonë e më shumë nga përmbytjet dhe thatësira. Pemët në bujqësi janë një përgjigje. Biomasa më e madhe, toka më pasur me lëndë organike është më e aftë të përthithë sasi më të mëdha uji, i cili përndryshe do të rrëshqasë drejtpërdrejt në formë përmbytje. Thatësirat do të ndihen më pak, sepse toka e pasur me lëndë organike ruan më shumë ujë të cilin e çliron më ngadalë. Përsëri pemët me rrënjë më të thella e përballojnë më lehtë thatësirën dhe të nxehtin duke ofruar hije e ruajtje më të gjatë të lagështisë në tokë.
Mundësi për subvencione
Për fermerët, agropylltaria është një mundësi që të marrin subvencione jo për të konkurruar në treg me prodhimet e tyre, por për të ndihmuar në rigjenerimin e ruajtjen e natyrës, tokës, pastërtisë së ujërave, biodiversitetin, peizazhin dhe në të njëjtën kohë duke marrë prodhime cilësore, të sigurta dhe të përhershme.
Pra mund të aksesohen nga fermerët dhe bujqësia fonde të lidhura me mjedisin, natyrën si nga EU ashtu dhe donatorë të tjerë, jashtë atyre të konkurrueshmërisë që shpesh janë problematike për bujqit shqiptarë.
Një ndër organizatat që po merret me trajnimin e fermerëve është AFTD (Albanian Foundation for Training & Development), e cila është një organizatë shqiptare e themeluar në vitin 1998 dhe që vepron kryesisht në fusha që përfshijnë zhvillimin rural, bujqësinë dhe formimin profesional. AFTD ka punuar për të ndihmuar fermerët në shitjen e prodhimeve dhe forcimin e lidhjeve direkte me konsumatorët. Për shumë vite dhe për herë të parë në Shkodër organizoi panaire e tregje prodhimesh bujqësore për festat e fundvitit dhe të tjera.
Një përpjekje tjetër ishte ajo në ndihmë të artizanatit rural, ku prodhimet e tezgjahut dhe punimet e dorës të grave të Zadrimës u ridizenjuan me ndihmën e një disenjatore holandeze, u gjet lënda e parë cilësore dhe u endën sipas porosive specifike për tregun holandez, por edhe atë shqiptar. U arrit një produkt cilësor për tregun europian, duke ruajtur karakterin lokal.
Agropylltaria në zonat malore e mesdhetare është një projekt Erasmus + dhe i Bashkimit Europian, i financuar nga Agjencia Franceze. Drejtues i programit është Instituti AgroSup në Dijon, Francë, dhe drejtohet nga profesori i njohur Charles Burriel. Marrin pjesë universitete nga Italia, Hungaria, Bullgaria, Greqia, Libani dhe organizata e shkolla profesionale nga Franca, Shqipëria. Projekti do të trajnojë personelin e shërbimeve këshillimore, studentë, fermerë e të rinj në fushën e agropylltarisë. Një kurrikul e përbashkët akademike e profesionale për agropylltarinë, por me veçoritë lokale, do të krijohet në kuadrin e projektit.
Korça si shembull
Korça është ndër rajonet pioniere që ka praktikuar agropylltarinë në vend. E gjithë fusha e Korçës ka sipërfaqe 22 mijë e 300 hektarë Korçë. Në ish-kënetën e Maliqit, aty ku sot fermerët e zonës kanë mbjellë parcelat me kultura të ndryshme, mund të shikosh gjurmë të agropylltarisë së aplikuar vite më parë. Parcelat janë të ndara nga njëra-tjetra me breza pyjorë, plepa mbi 20 metër të lartë. Vendasit i kanë ruajtur brezat, pavarësisht se të deformuar sot. Ndërsa kanali ujitës është prishur dhe ka dalë jashtë funksionit. Brezat e plepave kanë shërbyer për vite me radhë si erëpritës, duke ndihmuar në eliminimin e dëmtimit të kulturave.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 152 reads