“Emante Group” vlerësohet me çmimin e “sigurisë dhe shëndetit”
“Emante Group” u vlerësua këtë vit nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë (në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës) me çmimin “Standard CE”.
SHJ
27/01/2023 - 06:56
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë zhvillon çdo vit një veprimtari përmes së cilës vlerësohen sipërmarrësit më të mirë të vitit, në të gjitha fushat, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.
Veprimtarinë në fjalë ajo e quan “mbrëmje gala CCIT Awards”. Fjala “gala” vjen nga gjuha franceze dhe ka kuptimin e “festës ose ceremonisë së madhe zyrtare” ndërsa shkronjat “CCIT” burojnë nga togfjalëshi i “Kumtimit, Kulturës, Informacionit & Teknologjisë”.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë është një institucion që i shërben ndërmarrjeve private ose siç njihet ndryshe “biznesit privat”. Ajo i ka fillesat e saj shekullin e 19 dhe është trashëguar nga socializmi kur ishte pjesë e ndërmarrjeve shtetërore dhe kontribonte në mbarëvajtjen e tij. Me braktisjen e socializmit dhe orientimin e vendit tonë në tregun e lirë dhoma u përputh me kushtet e reja: t`i shërbente ndërmarrjeve private. Ajo mbështetet në ligjin “Për dhomat e tregtisë dhe të industrisë” nr. 7804 i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në 10 mars 1994.
Për çmimet “CCIT” nuk ka ndonjë historik se kur kanë filluar nga institucioni përkatës; as ka ndonjë sqarim. Por nëse gjykojmë nga njoftimet, veprimtaria ka filluar vitet e fundit dhe me siguri ndjek logjikën e universiteteve: të nxisë zhvillimin e kumtesave, kulturës, të dhënave dhe teknologjisë mes ndërmarrjeve private.
Ne si qendër studimore dhe mediatike kemi vite që kemi çelur një rubrikë për ndërmarrjet private: por për të gjitha ato që janë risi ose inovative. Qëllimi ynë është të nxisim risitë dhe t`i spikasim ato meqënse kjo nxitje mungon nga qeveritë. Kuptimi i risive në fjalë sqarohet në rubrikën në fjalë.
Deri tani kemi qëmtuar disa ndërmarrje. Njëra prej tyre është “Emante Group”. Ajo u vlerësua këtë vit nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë (në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës) me çmimin “Standard CE”.
Drejtuesi i ndërmarrjes, Hekuran Brahimi, falenderoi së pari organizatorët e mbrëmjes dhe së dyti punëtorët dhe familjen e tij ndërsa uroi gjithë sipërmarrjen shqiptare që të ngrejmë “lartë e më lartë brandin made in Albania”.
Ky është një çmim i krijuar në zonën ekonomike të BE-së dhe vendoset mbi prodhimet si shenjë dalluese dhe tregon se prodhuesi ka verifikuar se prodhimet e tij përputhen me kërkesat e BE-së mbi sigurinë dhe shëndetin dhe mund të tregtohen lirshën atje. Shkurtesa “CE” vjen nga fjalët franceze “conformité européenne” ose “përputhshmëri evropiane”.
Kujtojmë se ndërmarrja përkatëse prodhon prodhime për sektorin e ndërtimit. Prodhimet e saj janë panele. Ajo është një teknologji e zhvilluar dekadat e fundit dhe mund të përdoret si për banesat ashtu dhe për ndërmarrjet dhe institucionet publike.
Shpresojmë dhe urojmë që edhe ndërmarrjet e tjera të ndjekin shembullin e saj.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 63 reads



