...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjermania ndërpret bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha

Kosova nuk ka përfituar nga grantet e bllokut evropian, pasi BE-ja në fund të qershorit vendosi masa ndëshkuese ndaj Prishtinës

SHJ

04/07/2023 - 16:47

Shqipëria nënshkruan 13 marrëveshje me Kosovën ndërsa Rama i kujton Kanunin, Kurtit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Kosovës i janë dërguar 13 marrëveshjet të nënshkruara dhe pas kësaj, ai pret që homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti, të konfirmojë takimin e paraparë të mbahet më vonë gjatë ditës.

Rama iu referua 13 marrëveshjeve që do të duhej të nënshkruheshin gjatë mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë më 14 qershor, por që u anulua nga Rama për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

“Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga kryeministri Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, shkroi Rama në Twitter.

Rama do të qëndrojë në Kosovë të enjten në kuadër të një turi dyditor ballkanik që synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.

Gjatë ndalesës së parë të këtij turi, Rama deklaroi në Shkup që "unë kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar Kanunin që kur të vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera. Është e ndaluar ta nxjerrësh deri kur ai të mbarojë fjalën".

Opozita kritikon Kurtin për mostakimin me Ramën

Partitë opozitare në Kosovë kanë reaguar lidhur me mostakimin mes Kurtit dhe Ramës.

Nënkryetari i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se me vendimin për të mos e takuar Ramën, kryeministri Kurti ka shfaqur “hipokrizi politike”.

Hipokrizia politike e Albin Kurtit shpërfaqet në sjelljen e tij si të një feudali mesjetar dhe autokrati inatçor, që deri sa ishte në opozitë fliste për bashkim kombëtar me Shqipërinë dhe sot nuk mund të bashkohet në takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama”, shkroi ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, Besnik Tahiri, ka kërkuar që Kurti të takohet me Ramën dhe të mos vë kushte për takime të tilla.

“Kryeministri i Shqipërisë, cilido që është ai, në këtë rast është Edi Rama, vjen në shtëpinë e vet, vjen te vëllezërit dhe motrat e veta dhe mospranimi që të takohet me kryeministrin e Shqipërisë nga zoti Albin Kurti, është ndër skandalet më të mëdha, një ndër momentet që me të vërtetë e bën të turpshëm secilin shqiptarë që frymën dhe mendon shqip. Edi Rama është kryeministër, nuk vjen si person privat”, tha Tahiri gjatë një konference për media më 6 korrik.

Sipas tij, Rama bëri një hap tutje duke nënshkruar 13 marrëveshjet dhe në këtë mënyrë duke plotësuar “kushtin” e Kurtit për takim.

“Këto kushtëzime, jo që bien ndesh me synimet tona politike, por në fakt e zbardhin një agjendë mashtruese, hipokrite që e ka pasur Kurti gjatë gjithë kohës duke nisur nga platforma e bashkimit kombëtar, e valëvitjes së flamurit shqiptar në Kuvend, të cilat i ka harruar të gjitha dhe të cilat tani po i trajton krejt në një formë tjetër”, theksoi Tahiri.

Sipas agjendës së publikuar, Rama fillimisht do të qëndrojë në Shkup, ku do të takohet me krerët shtetërorë. Më pas ai do të niset drejt Prishtinës për t’u takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Ndërkaq, të premten ai do të vizitojë Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë.

Vuçiçi do të kërkojë seancë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 6 korrik se do të kërkojë një bisedë me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe pas kësaj, një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.

Ai tha se do të kërkojë që Këshilli i Sigurimit të urdhërojë KFOR-in që, bazuar në detyrimet e Rezolutës 12 44, të parandalojë çdo veprim të mëtejshëm nga strukturat e sigurisë së Kosovës, që "kërcënon jetën, lirinë, sigurinë dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë", për të kryer "çmilitarizimin e të gjitha formacioneve të armatosura".

Vuçiq tha se Serbia bëri gjithçka që mundi për të shtensionuar situatën në Kosovë, por se në Kosovë po kryhet një "aksion i pogromit, persekutimit dhe spastrimit etnik" të serbëve, i cili është "mirë i organizuar dhe i mbështetur nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar”.

Sipas tij, në Kosovë po bëhet “kriminalizimi i popullit serb”.

Gjermania ndërpret bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha të caktuara, shkaku i mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Nga kjo masë – të cilën Gjermania thotë se e mori në përputhje me veprimet e Brukselit – nuk preken “projektet me sektorin e shoqërisë civile, si dhe projektet që kemi filluar t'i zbatojmë”.

“Masat përfshijnë shtyrjen e konsultimeve qeveritare për bashkëpunimin për zhvillim, pezullimin e një partneriteti të parashikuar dypalësh rreth klimës dhe dorëzimin e pajisjeve specifike për ofruesit e sigurisë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë për REL-in.

Si BE-ja, ashtu edhe Gjermania, kanë theksuar se këto masa janë të përkohshme dhe mund të hiqen nëse Kosova ndërmerr hapat e kërkuar për shtensionim të situatës.

“Ne dëshirojmë të theksojmë se të gjitha projektet e prekura [nga këto masa] mund të rifillojnë në çdo moment. Për këtë kërkohet zbatimi urgjent i masave të nevojshme për de-përshkallëzim të situatës në komunat në veri”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë.

Shpallja e dy organizatave në veri si terroriste, hap i njëanshëm - BE

Bashkimi Evropian tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” si organizata terroriste, është “hap i njëanshëm” që sipas bllokut, nuk i kontribuon uljes së tensioneve.

“Ky cilësim [shpallja si organizata terroriste] është hap i njëanshëm dhe nuk i kontribuon shtensionimit të situatës dhe gjetjes së rrugës për të adresuar problemet ekzistuese në një mënyrë të qëndrueshme”, tha zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Stano shtoi se liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së gjatë një takimi të mbajtur javën e kaluar bënë thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës.

“Ne përsërisim thirrjen për të dyja palët që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritjen e mëtejme të tensioneve dhe që urgjentisht të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën aktuale në veri të Kosovës në linjë me propozimin e bërë nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, më 22 qershor dhe deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, tha Stano.

Serbët e veriut dhe Beogradi kërkonjë të shpallin policinë e Kosovës “organizatë terroriste”

Për Kosovën është “absurd”, për Serbinë është “mesazh politik që kërkon përgjigje nga shteti”.

Këto janë reagimet e deritashme të zyrtarëve të dy shteteve ndaj kërkesës së Listës Serbe, partisë udhëheqëse të serbëve të Kosovës, që Qeveria e Serbisë ta shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste.

Kërkesa e Listës Serbe u publikua pak ditë pasi Qeveria e Kosovës, më 29 qershor, shpalli terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, dy organizata për të cilat besohet se veprojnë në veri të Kosovës.

Akuzat për terrorizëm u bënë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, por edhe në kohën kur bashkësia ndërkombëtare pret zbatimin e marrëveshjes dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë kanë thënë zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur “absurde” kërkesën e Listës Serbe, më 5 korrik. Për ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, kjo kërkesë është mesazh politik që kërkon reagimin e shtetit të Serbisë.

Më 3 korrik, Daçiç tha për televizionin B92 se qëllimi i Prishtinës është që organizatat e caktuara nga veriu i Kosovës të shpallen “terroriste”, për të shkaktuar frikë dhe zhvendosje të serbëve nga ajo hapësirë.

Daçiç pyeti nëse Beogradi duhet t’i publikojë emrat e të gjithë shqiptarëve që, sipas tij, “përgjatë viteve demonstruan kundër Serbisë”, si dhe se “serbët kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre politike".

Naim Leo Beshiri, nga Instituti joqeveritar për Çështje Evropiane në Beograd, vlerëson për Radion Evropa e Lirë (REL) se pas deklaratave të ministrit Daçiç nuk qëndron strategjia e qartë e politikës së jashtme të Serbisë dhe se ato u shërbejnë “qëllimeve të politikës ditore”.

“Daçiç po i dërgon mesazh komunitetit ndërkombëtar se mënyra se si Kurti (kryeministri i Kosovës) po e udhëheqë politikën gjatë muajve të fundit, po e rrezikon dialogun”, thotë ai.

Kërkesa e Listës Serbe, “oportunizëm politik”

Lista Serbe, më 3 korrik, ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që “njësitë speciale” të Policisë së Kosovës, strukturat e inteligjencës dhe të gjithë “bashkëpunëtorët e atyre strukturave” t’i shpallë “organizata terroriste sepse kërcënojnë paqen në këto hapësira”.

Lista Serbe nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se a ka marrë nga Qeveria e Serbisë përgjigje lidhur me kërkesën e saj.

Ndryshe, tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës është një nga kërkesat e serbëve të Kosovës, me qëllim që, siç theksojnë ata, të ulen tensionet.

Por, Bojan Elek nga Qendra joqeveritare për Politikë të Sigurisë në Beograd, beson se Lista Serbe, me veprime të tilla, po përpiqet të përfitojë nga situata dhe të përshkallëzojë edhe më tej situatën, kur Kosova është “nën presion të madh ndërkombëtar”.

“Është oportunizëm politik që nuk ka asnjë efekt. Madje, edhe nëse Qeveria e Serbisë pajtohet, Serbia nuk ka asnjë pushtet ekzekutiv në Kosovë”, tha Elek për Radion Evropa e Lirë.

Naim Leo Beshiri, nga Instituti për Çështje Evropiane në Beograd, thotë se nuk ka bazë për një kërkesë të tillë të Listës Serbe, parti politike që funksionon në kuadër të “kornizës kushtetuese të Kosovës”.

“Kjo është përgjigja e tyre populiste ndaj shpalljes së organizatave në veri të Kosovës si terroriste. Nuk është asgjë e papritur, por sigurisht që nuk kontribuon në qetësimin e tensioneve”, thotë ai.

Beshiri, po ashtu, thekson se Serbia, në mënyrë “teknike” mund t’i shpallë njësitë speciale të Kosovës organizatë terroriste, por kjo do të shkaktonte tallje nga organizatat ndërkombëtare.

“Çfarë efekti do të kishte kjo në forcat e Kosovës? Pothuajse kurrfarë efekti”, thotë ai.

Edhe vendimi i Kosovës “pa efekt”

Beshiri shton se edhe vendimi i Kosovës për t’i shpallur organizatat në veri të Kosovës si terroriste, nuk prodhon efekt të veçantë në Serbi.

“Ato grupe njerëzish marrin mbështetjen nga Beogradi, jo vetëm politikisht, por me siguri edhe nga shërbimet e sigurisë”, thotë ai..

“Mbrojtja civile” është shpërbërë zyrtarisht në veri të Kosovës në vitin 2015/16, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Punëtorët e asaj organizate më pas u integruan në institucionet e Kosovës. Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, “Mbrojtja Civile” në Kosovë përbëhej nga pjesëtarë, të cilët kishin kaluar trajnime ushtarake, si dhe konsiderohej shumë e rrezikshme për sigurinë e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të konfirmojë nëse pas shpërbërjes zyrtare, “Mbrojtja Civile” ka funksionuar fshehurazi apo është ripërtërirë.

“Brigada e Veriut”, që nga fundi i vitit të kaluar, ka nënshkruar grafite në veri të Kosovës. Disa prej tyre janë: “Mos u shqetëso! Jemi këtu! Po presim!”. Në disa raste vendosi firmën edhe si “Brigada Veri”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se këto organizata kanë kryer aksione “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe ushtarëve të Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR).

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vlerësuan se Qeveria në Prishtinë, vendimin për organizatat terroriste nuk e ka koordinuar me ta dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Çfarë është terrorizmi në rregulloret serbe?

Vepra penale e terrorizmit, në Kodin Penal të Serbisë, i referohet “frikësimit të popullatës” dhe kërcënimit të “strukturave themelore kushtetuese, politike, ekonomike apo sociale të Serbisë, vendeve të huaja apo organizatës ndërkombëtare”.

Përfshin disa akte kriminale si rrëmbimi, shkatërrimi i një objekti shtetëror ose publik, përdorimi i armëve bërthamore, biologjike ose kimike. Në Kodin Penal të Serbisë është përmendur edhe bashkimi terrorist si vepër penale.

Masa e dënimit është e ndryshme, në varësi të llojit të veprës penale të kryer.

Bojan Elek nga Qendra për Politikë të Sigurisë në Beograd thotë se duhet të ekzistojë një aktakuzë për vepër penale, para se Serbia të cilësojë ndonjë organizatë si terroriste.

Eleku thotë se Serbia i përmbahet listës së organizatave terroriste të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Këto janë organizata si ISIS (grupi ekstremist Shteti Islamik), të cilat, siç thotë ai, janë nën goditjen e sanksioneve të bashkësisë ndërkombëtare.

Akuzat në rrugën e dialogut Kosovë-Serbi

Naim Leo Beshiri beson se zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë po sillen në kundërshtim me atë që Bashkimi Evropian pret aktualisht.

“Ekziston presioni i madh mbi Beogradin dhe Prishtinën për të arritur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme deri në fund të vitit dhe duket se Beogradi dhe Prishtina po përpiqen të bëjnë gjithçka për ta paraqitur si antagoniste palën tjetër, në mënyrë që të ruajnë tensionet që do ta pamundësonin nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë”, thotë Beshiri.

Ai thekson se duket se dy palët duan të hyjnë në vitin e ardhshëm, që është “viti i zgjedhjeve në BE dhe SHBA”.

“Kjo do të thoshte se edhe për dy vjet të tjera nuk do të ketë përparim të dukshëm në dialog, sepse do të pritet formimi i shumicës politike në BE, por edhe të shihet se kush do t’i fitojë zgjedhjet për president të SHBA-së”, thekson Beshiri.

Kosova dhe Serbia kanë më shumë se dhjetë vjet që bëjnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së, në kuadër të të cilit janë nënshkruar më shumë se 30 marrëveshje. Megjithatë, shumica e tyre nuk u zbatuan në terren.

Kurti refuzon Ramën për takim ndërsa LDK-ja kërkon dalje nga kriza

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi të mërkuren qeverinë e Kosovës duke thënë se po ndjek rrugë të gabuar lidhur me veprimet për situatën në veri të Kosovës. Ai i bëri këto komente pas takimit që zhvilloi me një numër opinionistësh e gazetarësh, ku u diskutua mbi një plan të Lidhjes Demokratike për dalje nga kriza aktuale në veri.

“Sot e kemi nisur një ide se si duhet të dilet nga kjo krizë, duke përfshirë krizën e sigurisë në veri, çështjet e obligimeve ndërkombëtare dhe në fund ankorimin e Kosovës në familjen euroatlantike”, tha ai.

Zoti Abdixhiku tha se takime të ngjashme do të vazhdojnë edhe me përfaqësues të shoqërisë civile e të biznesit si dhe presidenten Vjosa Osmani.

“Gjendja e tanishme është e rëndë, e zymtë, e paprecedent për Kosovën. LDK-ja si forca më e vjetër politike nuk mund të qëndrojë duarkryq në këtë përballje prandaj kërkon edhe mobilizim më të madh përtej vetes, përtej politik, për të gjetur rrugën e drejtë dhe të vërtetë të Kosovës në këtë moment tensionues dhe të rëndë”, tha zoti Abdixhiku.

Nisma e Lidhjes Demokratike të Kosovës është një ndër hapat që opozita në Kosovë ka paralajmëruar se do t’i ndërmarrë për të kundërshtuar qasjen e qeverisë ndaj krizës në veri.

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se që nga e hëna ka shkëputur çdo komunikim zyrtar me kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani, ndërsa ka bërë thirrje për organizim të zgjedhjeve të parakohshme. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ndërkaq sërish ka kërkuar mbështetjen e të gjitha partive politike në Kosovë për shkarkimin e kryeministrit Kurti.

Zoti Abdixhiku tha sot se tregues i krizës në të cilën ndodhet Kosova me aleatët janë edhe diskutimet për refuzim të takimeve dypalëshe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se nuk do ta pres kryeministrin Rama në takim dypalësh në Prishtinë nëse nuk mbahet fillimisht mbledhja e përbashkët e qeverive, që u anulua nga kryeministri Rama në muajin qershor.

Kryeministri Rama pritet të qëndrojë në Kosovë këtë javë në kuadër të një vizite në rajon e cila siç është thënë ka për qëllim përgatitjen e takimit të radhës të procesit të Berlinit që pritet të mbahet në muajin tetor në Tiranë.

“Shumë mirë që po bëhen këto përgatitje kaq herët, mirëpo ndërsa i bëjmë këto përgatitje kaq herët të mos vonohemi edhe më tutje me një anulim të paarsyeshëm të mbledhjes së dy qeverive. Andaj për mua është e nevojshme që të kemi mbledhjen e dy qeverive. Nëse kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama këmbëngul në anulimin e mbledhjes së dy qeverive atëherë unë ngelem te qëndrimi që ia kam dhënë”, tha kryeministri Kurti.

Njoftimin për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive kryeministri Rama e pati bërë një ditë para se të nisnin punimet e saj, duke nxitur edhe reagimin e qeverisë së Kosovës e cila ka theksuar se kjo është hera e parë që një mbledhje e tillë anulohet në mënyrë të njëanshme.

Kryeministri Rama tha atë kohë se mbledhja e përbashkët nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar për shkak të kushteve të reja që ka krijuar kriza e Kosovës në marrëdhëniet e saj me aleatët perëndimorë, pas tensioneve në veri të vendit.

Ai nuk pranoi të komentonte sot mbi qëndrimin e kryeministrit Kurti, për çka tha se do të flasë nesër gjatë vizitës në Prishtinë.

Disa arsye se pse përfundoi Ballkani` Hapur

Me kundërshtime nisi dhe ashtu përfundoi. Pas njoftimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për përfundimin e Ballkanit të Hapur, pushteti dhe opozita në Shqipëri, por edhe ish-diplomatë, kanë qëndrime të ndryshme për arritjet dhe për arsyet e mbylljes së nismës rajonale, ku, pos Shqipërisë, bën pjesë edhe Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Për pushtetin, nisma e arriti qëllimin përse u krijua si një shtysë për Procesin e Berlinit, ndërkaq, për opozitën, nuk pati asnjë arritje, por shkaktoi vetëm dëme në marrëdhëniet me Kosovën dhe i shërbeu Serbisë.

Nisma, që fillimisht u quajt Mini-Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Më 29 korrik 2021, ajo u pagëzua me emrin Ballkani i Hapur. Nisma u kundërshtua nga opozita në Shqipëri, dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Ballkani i Hapur, mbivendosje apo shtysë e Procesit të Berlinit?

Kryeministri shqiptar, Rama, deklaroi mbylljen e Ballkanit të Hapur, një nismë që hapi debate të forta në Shqipëri, por edhe përplasje në marrëdhëniet me Kosovën. Ai, më 1 korrik, tha për Euronews Albania, se kjo nismë lindi për të çuar përpara Procesin e Berlinit, dhe, sipas tij, ky mision është kryer.

Lidhur me këtë deklaratë të Ramës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se "nuk mund të besojë se ai [Rama] ka thënë një gjë të tillë".

Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur reagime për këtë deklaratë të Ramës.

Procesi i Berlinit

Procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014 me nismën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.

Samiti i nëntorit në Berlin përfaqëson, gjithashtu, ringjalljen e procesit, që kur kancelari Olaf Scholz drejton Qeverinë në Berlin. Sipas njoftimit, samiti i ardhshëm do të organizohet në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Përfundimin e Ballkanit të Hapur, Rama e kishte paralajmëruar që më 23 qershor, kur në një konferencë për media, deklaroi “ngrirje” të marrëdhënieve me Serbinë, për shkak të arrestimit të tre policëve të Kosovës.

Rama tha se nuk do të takohej dhe nuk do të fliste me presidentin e Serbisë, Vuçiç, për asgjë tjetër, veçse për këtë çështje, që i tensionoi më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Policët ndërkohë u liruan më 26 qershor.

Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ish-ministra dhe ish-ambasadorë, kanë mendime të ndryshme sa i përket Ballkanit të Hapur, pse u nis dhe çfarë u arrit.

Për deputetin e Partisë Socialiste, dikur zëvendësministër i Jashtëm, Etjen Xhafaj, nisma ishte një nivel paralel me atë të Procesit të Berlinit, ku vendet e rajonit synonin integrimin ekonomik dhe social, duke u përgatitur për integrim evropian.

"Duke qenë se lista e prioriteteve të Bashkimit Evropian kishte nisur të ndryshonte, duke ikur pak nga fokusi i rajonit dhe për rajonin, në drejtim të disa prioriteteve më të gjera, siç ishte menaxhimi i krizës së emigrantëve, rrjedhimisht vendet e Ballkanit Perëndimor panë mënyrën për të ndryshuar statos quo-në, panë mundësinë për të pasur një mënyrë alternative, që të kishin një integrim më të shpejtë ekonomik. Ishte një shtysë për Procesin e Berlinit", thotë Xhafaj për Radio Evropën e Lirë.

Ndryshe e sheh nismën deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku. Sipas ish-kryediplomatit shqiptar, nisma synoi vetëm sigurimin e udhëheqjes së Serbisë në Ballkan.

"Në themelimin e saj, në Novi Sad, Vuçiç referoi frazën ‘Ballkani i ballkanasve’. Kjo është strategji e Serbisë për ta kthyer këtë rajon në një hapësirë të mbyllur mes Lindjes dhe Perëndimit, kjo nuk është frazë e re. Ambasadorë rusë, shekuj më parë e kanë përdorur këtë fjalë kur kanë ndarë Ballkanin dhe kur kanë copëtuar tokat e shqiptarëve. Nisma ka synuar sigurimin e udhëheqjes së Serbisë në Ballkan, por ka qenë edhe një lloj mburoje për ta parë Ballkanin si një bunker, sepse një Ballkan pa praninë e Perëndimit është krejtësisht i kontrolluar nga rusët dhe nga Lindja”, thotë Çollaku për REL-in.

A pati arritje Ballkani i Hapur?

Gjatë takimeve në kuadër të Ballkanit të Hapur, u nënshkruan disa marrëveshje, mes tri vendeve pjesëmarrëse – Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Për pushtetin në Shqipëri, arritjet ishin të mëdha, ndërsa për opozitën nisma nuk arriti asgjë më shumë se sa t'i jepte Serbisë një rol dominues në Ballkan, dhe, sipas saj, rikuperoi imazhin e Vuçiçit dhe të Serbisë në arenën ndërkombëtare.

"Ndër arritjet e mëdha është bashkëpunimi ekonomik, lëvizja e lirë e njerëzve në kufi, liberalizimi i shkëmbimeve tregtare, i njohjes së licencave profesionale, apo deri diku edhe i diplomave, pra afrimi i tregut të Ballkanit Perëndimor. Edhe ata që ishin anëtarë të kësaj nisme, edhe ata që nuk ishin, janë të vetëdijshëm se madhësia e tregjeve tona është e vogël për të tërhequr investime të mëdha", pohon Etjen Xhafaj.

Për deputetin demokrat, Çollaku, nisma shënon "një nga majat e suksesit të diplomacisë serbe".

"Ballkani i Hapur ishte një përpjekje e mirëmenduar për të rikthyer rolin hegjemon të Serbisë, udhëheqjen e saj në aspektin politik, ekonomik e ushtarak. Nisma arriti një nivel të lartë, kur arriti të futej në Marrëveshjen e Uashingtonit, në formatin e Mini-Shengenit në atë kohë, dhe Kosova u detyrua ta pranonte prej ofensivës serbe. Kështu, Serbia, nga vend që shkaktoi katër lufta gjenocidale në Ballkan, projektohej si vend që frymëzonte paqe dhe bashkëpunim në hapësirën ballkanike", shprehet Çollaku.

Socialisti Xhafaj thotë se përfundimi i Ballkanit të Hapur erdhi si pasojë e zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës.

"Avancimet e bëra u tërhoqën përpara krizës në veri [të Kosovës]. Incidenti më i rëndë ishte arrestimi i tre policëve brenda territorit të Kosovës, që është thyerje e integritetit dhe është kujtesë e konfliktit të vitit '99. Dhe, rrjedhimisht Rama mori vendimin që të kemi një platformë ku të mos jemi më vetëm gjashtë vendet duke diskutuar me njëra-tjetrën, duke gjykuar se në këtë moment ka nevojë për një arbitër që angazhohet për një projekt të përbashkët, fokusi do të jetë te Procesi i Berlinit", shprehet Xhafaj.

Tensionet në veri të Kosovës nisën në fund të majit, kur serbët nisën protestat kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut. Serbët po kërkojnë tërheqjen e kryetarëve dhe njësive speciale të Policisë së Kosovës. Nga bashkësia ndërkombëtare, Kosovës po i kërkohet të tërheqë policinë dhe kryetarët e rinj nga ndërtesat komunale dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Ndërkaq, Serbisë po i kërkohet që t’i bindë serbët të marrin pjesë, pa kushte, në zgjedhjet e reja.

Për Çollakun, përfundimi i kësaj nisme është lajm i mirë për shqiptarët.

"Nuk kishte më asnjë mundësi mbijetese. Është lajm i mirë, por i vonuar. Prodhoi vetëm një ndarje të thellë në qasjen e politikës së jashtme brenda vendit, pasi opozita e ka kundërshtuar që prej fillimit të saj. Shkaktoi gjithashtu një konflikt të madh mes Tiranës dhe Prishtinës, kështu që mbyllja krijon mundësi të re të rigjejmë një kohezion të brendshëm, të paktën sa i përket temave delikate të politikës së jashtme, por edhe në raportet me Kosovën", thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Çollaku shton se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithnjë kanë kërkuar gjithëpërfshirje.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, sheh si arsye të përfundimit të kësaj nisme faktin se në tetor Tirana mirëpret samitin e Procesit të Berlinit.

"Shqipëria është vendi mikpritës i samitit të Procesit të Berlinit në tetor të këtij viti, do të vijnë kryetarë shtetesh dhe qeverish të Evropës, dhe nuk mund të jetë njëkohësisht edhe iniciuese e një nisme rajonale, që krijon mbivendosje me Procesin e Berlinit. Kjo është arsyeja që kryeministri Rama shpalli, madje pa dijeninë e presidentit serb, Vuçiq, që misioni i Ballkanit të Hapur u mbyll. Një tjetër arsye e fundit të kësaj nisme është edhe fakti se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk u përmirësuan – gjë që ishte një nga synimet e kësaj nisme – por u përkeqësuan. Tensionet në veri të Kosovës i dhanë një goditje nismës", thekson Milo për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Agim Nesho, thotë se nisma u cilësua nga Rama si projekti i shekullit, por përfundoi duke mos arritur asgjë.

"Ishte një vizion qesharak i Ramës, që donte të bënte diçka, por nuk bëri asgjë. E përdori Vuçiqi. Dhe, në një moment krize, kur nuk i dha as minimalen, lirimin e tre policëve [të Kosovës] – këtë meritë ia dha [kryeministrit të Hungarisë, Viktor] Orbanit, duke ditur peshën e tij në politikën e jashtme – Rama hoqi dorë. Unë mendoj se ishte një aventurë me pasoja për politikën e Shqipërisë, për besueshmërinë e vendit tonë", thotë Nesho për REL-in.

Shqipëria pret këtë vit për herë të parë një samit të Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë liderë të Bashkimit Evropian. Më 6 dhe 7 korrik, Rama pritet të zhvillojë një turne ballkanik në kuadër të këtij procesi. Ai pritet të vizitojë Prishtinën, Beogradin, Shkupin, Sarajevën dhe Podgoricën.

BE-ja përjashton Kosovën, Malinezi dhe entitetin e Republikës Sërpska nga grantet

Kosova, Mali i Zi dhe entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, kanë mbetur jashtë granteve që Bashkimi Evropian ka miratuar për projektet në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.

Nga këto investime përfituan Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht Federata boshnjako-kroate.

Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vlera e përgjithshme e kornizës është 2.1 miliardë euro.

Kosova nuk ka përfituar nga grantet e bllokut evropian, pasi BE-ja në fund të qershorit vendosi masa ndëshkuese ndaj Prishtinës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Brukselit për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Në mesin e masave ndëshkuese është edhe pezullimi i të gjitha programeve financiare të BE-së.

Në shkurt të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte thënë se kishte aplikuar edhe për dy grante investuese dhe katër grante të asistencës teknike në Kornizën Investuese, por nuk kishte specifikuar më shumë në lidhje me to.

Kosova ka përfituar nga ky mekanizëm që nga viti 2009. Deri më 2021, kjo kornizë ka mbështetur 30 projekte në Kosovë në vlerë prej 1.8 miliard eurosh.

Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.

Për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë paraparë edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë - Nish, rruga hekurudhore Beograd - Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera.

Mali i Zi me projekte "të papërshtatshme"

As Mali i Zi nuk ka përfituar grantet e bllokut, pasi projektet e paraqitura nga Podgorica, nga Komisioni Evropian janë parë si të “parakohshme dhe të papërshtatshme”.

“Mali i Zi ka paraqitur projekte investimi në fushën e energjisë, mjedisit dhe transportit që janë vlerësuar nga Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor si të parakohshme për financim ose të papërshtatshme për financim”, konfirmoi zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për mediat.

Ajo shtoi se shpreson që Podgorica të vazhdojë me përgatitjen dhe maturimin e këtyre propozimeve për investime për paraqitjen e serishme të tyre në thirrjet e reja në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.

Pisonero konfirmoi gjithashtu se Mali i Zi përfiton nga tri projekte të asistencës teknike, në vlerë prej 3.5 milionë eurosh, në kuadër të kësaj thirrjeje për përgatitjen e investimeve në sektorët e transportit dhe energjisë.

Më 30 qershor, KE-ja kishte njoftuar për miratimin e 14 projekteve kryesore investuese në fushën e transportit, energjisë, mjedisit, kapitalit njerëzor dhe mbështetjes për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor.

Entiteti serb s'përfiton asnjë grant

Grante në vlerë prej 303 milionë eurosh janë miratuar edhe për projektet infrastrukturore në Bosnje e Hercegovinë. Por, të gjitha grantet do të përqendrohen në Federatën boshnjake-kroate dhe jo në entitetin e Republikës Sërpska.

Grantet, pjesë e paketës së investimeve prej 2.1 miliardë dollarësh të BE-së për Ballkanin Perëndimor, do të ndihmojnë disa projekte, përfshirë ndërtimin e dy seksioneve të autostradës panevropiane që lidh Budapestin me portin kroat të Plloçes.

Projektet e tjera në Bosnje, që do të mbështeten nga këto grante, kanë të bëjnë me përmirësimin e furnizimit me ujë në Sarajevë dhe rehabilitimin e një pompe depozituese në një hidrocentral në jug të shtetit.

Bashkimi Evropian e kishte paralajmëruar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, që të ndalë retorikën secensioniste dhe lëvizjet që minojnë shtetin e Bosnjës.

Delegacioni i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se pse nuk janë mbështetur projektet në Republikën Sërpska.

Fondet e miratuara janë mbi gjysma e 528 milionë eurove që janë miratuar për rajonin në formë të granteve nga Instrumentet e Para-Anëtarësimit (IPA), së bashku me disa kontribute të shteteve të bllokut dhe Norvegjisë, por edhe kreditë nga institucionet ndërkombëtare financiare.

Në këtë raport i përditësuar ka kontribuar REL-i dhe Voa  

Kriza në veri po shkon drejt shpërshkallëzimit pavarësisht mospajtimeve

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA