...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kriza në veri po shkon drejt shpërshkallëzimit pavarësisht mospajtimeve

Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës; qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës dhe monitorimi i proceseve nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut; zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 për qind të elektoratit

SHJ

27/06/2023 - 07:57

Këshilli i BE-së: Pasoja për palët nëse dështojnë të ulin tensionet në veri të Kosovës

Udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian bënë thirrje të premten për shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës, ndërsa paralajmëruan pasoja në rast të dështimit.

Në përfundim të takimit dy ditor në Bruksel, Këshilli Evropian thekson se zgjidhja e problemeve duhet bërë në bazë të rekomandimeve të 3 qershorit të Bashkimit Evropian, që përfshijnë pezullimin e operacionece policore, që kryetarët e komunave t'i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe pjesëmarrjen e serbët e Kosovës në to.

Këshilli Evropian, thekson se palët duhet të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, zbatimin e shpejtë të marrëveshjes së normalizimit dhe zbatimit të saj. Kjo përfshin edhe "themelimin e Asociacionit, apo Bashkësisë, të komunave me shumicë serbe”, thuhet në tekstin përfundimtar.

Liderët e BE-së kërkojnë shtensionim në Kosovë, ndryshe do të ketë pasoja

Udhëheqësit e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian në samitin që u mbajt në Bruksel, të premten kërkuan shtensionim të menjëhershëm të situatës në Kosovë dhe paralajmëruan “pasoja negative” nëse nuk bëhet një gjë e tillë.

Në konkluzionet e miratuara në fund të samitit dyditor në Bruksel, një version të të cilit Radio Evropa e Lirë e kishte parë më herët, liderët përsëritën "përkushtimin e tyre të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE”.

Më tej u ritheksua "mbështetja për përshpejtimin e procesit të pranimit të bazuar në merita dhe reforma përkatëse".

Një paragraf i veçantë i konkluzioneve u kushtohet tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në samit raporti iu dorëzua liderëve të BE-së nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

“Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe bën thirrje për një shtensionim të menjëhershëm të situatës, bazuar në elementet kyçe që Bashkimi Evropian i ka theksuar tashmë më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat e veriut të Kosovës. Dështimi i shtensionimit të tensioneve do të ketë pasoja negative”, theksuan liderët në konkluzionet e miratuara.

Ata theksuan se është thelbësor vazhdimi i dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit të saj.

Në konkluzione, shtohet se këtu përfshihet edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Edhe pse konkluzionet u përgatitën me kohë dhe nuk u kontestua përmbajtja e tyre, miratimi ishte i pasigurt deri në momentin e fundit, sepse ishte një paketë konkluzionesh me të gjitha temat që ishin në rend dite gjatë dy ditëve sa u zhvillua samiti.

Nga burimet e BE-së mësohet se gjatë debatit rreth Kosovës dhe Serbisë, disa liderë të vendeve anëtare kanë kërkuar që institucionet e bllokut të kenë qasje të balancuar ndaj Prishtinës dhe Beogradit, sepse, siç thanë burimet, nga diskursi publik si dhe masat ndëshkuese është krijuar përshtypja se po sanksionohet vetëm Kosova.

Këto burime thanë se “pak a shumë ka pajtim që autoritetet e Kosovës e kanë përgjegjësinë kryesore për nxitjen e incidenteve dhe është e qartë se përgjegjësi për dhunën dhe tensionet e ka edhe pala serbe”. Për këtë gjë publikisht ka folur kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, si dhe ai i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, por brenda në takimin e mbyllur për këtë gjë kanë folur edhe liderë të shteteve të tjera.

Një diskutim dinamik për Kosovën

Siç ka njoftuar më parë Radio Evropa e Lirë, liderët e BE-së patën një “diskutim dinamik” për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë në ditën e parë të samitit në Bruksel, më 29 qershor.

Në ditën e parë, liderët trajtuan situatën në veri të Kosovës dhe tensionet e shkaktuara në dy raste: në fillim të samitit, kur në takim mori pjesë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe më vonë gjatë ditës, në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.

"Mesazhi kryesor gjatë gjithë diskutimit ishte se duhet të ndërmerren veprime të shpejta për të shtensionuar situatën dhe kjo duhet të bëhet nga të dyja palët", tha një zyrtar i BE-së duke folur para gazetarëve të premten, më 30 qershor.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borell, shkroi në Twitter:

"Dje rikonfirmuam mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën dhe gatishmërinë tonë për të garantuar angazhimin e ardhshëm të sigurisë. Sot një diskutim i rëndësishëm për Kinën dhe sigurinë ekonomike. Unë do t'u raportoj liderëve për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës".

Mbrëmjen e së enjtes dhe të premtes, në pjesën e përfundimeve u zhvillua një debat i ashpër për migracionin dhe Hungaria e Polonia bllokuan miratimin e paragrafit që lidhet me menaxhimin e migracionit në BE.

Hovenier: Qeveria e Kosovës po na habit me refuzimin e kërkesave të miqve të saj

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të shqetësuara me faktin se Qeveria e Kosovës nuk është duke ndërmarrë hapa konkretë për shtensionimin e situatës në veri të shtetit.

Duke folur në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, Hovenier, tha se kryeministri kosovar, Albin Kurti, duhet të nisë zbatimin e planit trepikësh të propozuar nga Bashkimi Evropian për dalje nga situata e tensionuar në veri.

Ky plan, sipas ambasadorit Hovenier, është ajo çfarë përveç SHBA-së, kërkon BE-ja si dhe Mbretëria e Bashkuar.

“Miqtë e Kosovës, vendet dhe institucionet që më së shumti kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po kërkojnë nga Kosova, nga kjo Qeveri që të ndërmarrë disa veprime specifike dhe që të zbatojë planin trepikësh të BE-së”, tha Hovenier.

Plani trepikësh i kërkon Kosovës shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Hovenier tha se është e habitshme se pse nuk ka një përgjigje pozitive nga Qeveria e Kosovës.

“Jemi të habitur. Është e vështirë për neve ta kuptojmë se përse kjo kërkesë nuk merr përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë”, tha ambasadori Hovenier.

Hovenier nuk përjashtoi pasoja të tjera për Kosovën në rast se Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë.

“Është e qartë se do të ketë disa pasoja të tjera nëse vazhdojmë në këtë rrugë ku Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të të gjithë miqve të saj, nga të gjitha shtetet, që kanë treguar një apo dy dekada përkushtim që të shohin Kosovën duke zëne vendin e saj në Evropë dhe në strukturat euroatlantike”, tha Hovenier.

Ai mohoi zërat kritik se SHBA-ja është duke u treguar më e ashpër me Kosovën se me Serbinë, duke thënë se edhe nga Serbia është duke u kërkuar zbatimi i planit trepikësh.

Duke komentuar dërgimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në komunat veriore, Hovenier, tha se ajo nuk është mënyra më e mirë për të mbajtur situatën në kontroll si dhe përmendi, siç tha ai, shqetësimet e shfaqura nga qytetarë të pjesës veriore për praninë e madhe të zyrtarëve policorë të njësive speciale të Kosovës.

Përkundër mospajtimeve, Hovenier, tha se SHBA-ja e konsideron kryeministrin Kurti partner porse siç tha ai, Kurti duhet të punojë drejt shtensionimit të situatës dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Hovenier tha se kryetarët aktualë duhet të ushtrojnë detyrën në vende të tjera alternative deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Kjo sipas tij do t'i kontribuonte shtensionimit të gjendjes atje.

Hovenier tha se në zgjedhjet e ardhshme lokale në komunat veriore, të banuara me shumicës serbe, SHBA-ja pret dalje në zgjedhje të qytetarëve të këtyre katër komunaleve dhe se për këtë janë në diskutime me serbët lokalë në Kosovë si dhe me Beogradin zyrtar.

Ambasadori Hovenier tha se duhet të shihet me shqetësim letra e tetë senatorëve amerikanë që iu drejtua presidentit amerikan, Joe Biden, për të shprehur shqetësimin e tyre për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

DASH: Qeveria Kurti duhej të ishte koordinuar për shpalljen e dy organizatave në veri terroriste

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të shpallur dy entitete serbe në veri, si organizata terroriste nuk është bërë në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, i tha të enjten Zërit të Amerikës një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Një vendim i tillë duhej të ishte koordinuar me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës. Departamenti i Shtetit i bën thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa “punojmë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale”.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë të papranushem dhe e dënojnë dhunën kundër trupave të KFOR-it, si dhe kërkojnë nxjerrjen para përgjegjësisë, në bazë të një procesi të drejtë ligjor dhe transparent të autorëve të dhunës, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.

Michel: Mbështesim idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha të enjten se mbështet idenë për të organizuar një konferencë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai i bëri këto komente para fillimit të samitit dy ditorë të Bashkimit Evropian, ku pritet të diskutohet edhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Dua të them se mbështesim edhe idenë sa më shpejt të jetë e mundur për të organizuar një konferencë me disa vende anëtare shumë aktive të Bashkimit Evropian për të mbështetur të gjitha përpjekjet e ndërmjetësimit në bashkërendim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, sepse kohët e fundit kemi parë disa vështirësi duke u bërë arsye për përshkallëzim dhe mendoj se ka ardhur koha për të pasur një qasje globale, ka ardhur koha për të bërë hapa të qartë në normalizim”, tha zoti Michel.

Idenë për një konferencë të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ka përmendur edhe kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë takimeve të fundit të tij me zyrtarët evropianë në Bruksel. Zoti Rama ka thënë se kjo konferencë do t’i bënte palët bashkë “dhe të mos lejohen të dalin nga dhoma pa zgjidhje, apo në të kundërtën të përballen me pasojat”.

Shefi i diplomacisë evropiane Josef Borrell tha sot se do të kërkoje nga udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian mbështetjen e tyre për të vazhduar trysninë ndaj palëve për të shmangur përshkallëzimin dhe për t’u kthyer në normalitet.

“Shtetet anëtare kanë vendosur që masat duhet të ndërmerren, ekonomikisht dhe politikisht në mënyrë që t’u bëhet e qartë se nëse nuk kontribuojnë për shtensionim do të vjen me kosto”, tha ai.

Kurti paraqet plan me tetë pikë për shtensionimin e gjendjes në veri të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paraqiti të enjten një plan tetë pikësh për shtensionimin e situatës në veri të vendit, ndërkaq në një vendim më herët gjatë ditës qeveria e tij shpalli si terroriste dy organizata serbe në veri “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

Kryeministri Kurti tha se Kosova është e gatshme të hedh hapa drejt shtensionimit të situatës në veri të vendit, duke theksuar nevojën për ndërmarrje të veprimeve urgjente drejt këtij qëllimi.

“Hapat që ne i konsiderojmë të nevojshëm dhe jemi të gatshëm të angazhohemi janë si në vijim: reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës; qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës dhe monitorimi i proceseve nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut; zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 për qind të elektoratit”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje të kryetarëve aktual, data e zgjedhjeve do të shpallet nga presidentja, ndërkaq katër kryetarët e komunave veriore do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj pas çertifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve.

Në këmbim, kryeministri Kurti kërkoi ndër të tjera angazhimin e Serbisë në tërheqjen e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre dhe zotimin për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë.

“Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura (të Serbisë) në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 bazave operative që ndodhen përgjatë kufirit. Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”, tha ai.

Më herët, të enjten qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, dy grupe që, sipas institucioneve të sigurisë, zhvillojnë veprimtari kërcënuese për rendin kushtetues të Kosovës, në pjesën veriore të vendit, me banorë kryesisht të pakicës serbe.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se këto organizata përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë në vend.

“Për më shumë se dy vite të mandatit tonë vendimet tona tërësisht të ligjshme janë sfiduar me barrikada, sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të policisë së Kosovës, sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të misionit EULEX dhe KFOR, sulme ndaj infrastrukturës kritike, sulme ndaj objekteve shtetërore, sulme dhe kërcënime ndaj qytetarëve tanë të të gjitha etnive, sulme ndaj kundërshtarëve politik, sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave, zjarrëvënie të pronave publike dhe private dhe të ngjashme”, tha ai.

Shuarja e strukturave të tilla dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës ishte paraparë me një marrëveshje të vitit 2015 ndërmjet Prishtinës e Beogradit në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por autoritetet në Kosovë thonë se ato kanë vazhduar të funksionojnë pavarësisht marrëveshjes.

Ministri Sveçla tha se vendimi i sotëm “nuk prek personat të cilët deri në momentin e shpalljes së organizatave si terroriste kanë qenë pjesën e tyre por nuk kanë kryer vepra penale”.

“Nuk vihen në rrezik pjesëtarët e këtyre organizatave të cilët janë integruar apo janë amnistuar më herët, pra nuk ka prapaveprueshmëri në këto vendime. Pas këtij momenti cilido që është pjesë e këtyre organizatave është subjekt i hetimit e përndjekjes nga organet e drejtësisë. Janë organet adekuate të cilat bëjnë vlerësimet e nevojshme pastaj për secilin akt për secilin pjesëtarë të këtyre organizatave”, tha ai.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç nga radhët e komunitetit serb, votoi kundër vendimit duke e cilësuar atë si të hershëm dhe me mundësi të lërë pasoja të rënda në marrëdhëniet e Kosovës me qytetarët serbë në veri.

“Është shumë e vështirë që serbët në veri të binden se veprimet e qeverisë së Kosovës janë në interesin e tyre”, theksoi zoti Rashiç.

Vendimi u mor në një kohë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat filluan në fund të muajit maj kur autoritetet nisën zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.

Serbia paralajmëron fundin e Ballkanit të Hapur

Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe, rajonit gjysmë autonom në Bosnjë votoi për bllokimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes në Ballkanin Perëndimor, duke pamundësuar heqjen e regjimit të vizave midis Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës.

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor u pajtuan në tetor të vitit të kaluar dhe nënshkruan më 3 nëntor marrëveshjet për njohjen e ndërsjellë të dokumenteve të identifikimit, të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale. Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të Procesit të Berlinit dhe qytetarët e Bosnjës dhe Kosovës llogariteshin si përfituesit kryesor.

Procesi i Berlinit, i cili u ringjall nga Kancelari Olaf Scholz, u propozua në vitin 2014 nga ish-Kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të kundërshtimit nga Republika Serbe.

Anëtarja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviç, tha se heqja e regjimit të vizave me Kosovën “do të ishte e dëmshme për interesat jetike të Republikës Serbe”.

Pas luftës së viteve 90, që la mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republikën Serbe dhe Federatën e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri qendrore në Sarajevë.

BE-ja paralajmëroi masa ndëshkuese për Kosovën gjatë kësaj jave

Pezullimi i të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të Kosovës me Bashkimin Evropian, pezullimi i financimit të programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike, janë disa nga masat ndëshkuese për Kosovën që pritet të shpallen gjatë javës nga Bashkimi Evropian.

Drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për zgjerim, Gert Jan Koopman, tha se masat janë rrjedhojë e mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Ai e bëri këtë paralajmërim gjatë një debati në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Evropian së bashku me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Zoti Koopman tha se vendimi për masat nuk është marrë “me lehtësi”, ndërsa nënvizoi se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen sapo të hidhen hapat për shtensionimin e situatës.

Kriza në veri të Kosovës pasoi vendimin e autoriteteve për zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.

Zoti Lajçak tha se kërkesat e Bashkimit Evropian të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara për uljen e tensioneve përfshijnë tërheqjen njësive të posaçme të policisë së Kosovës dhe protestuesve nga ndërtesat komunale. Kryetarët e komunave të punojnë nga zyra alternative, thonë ata. Po ashtu kërkohet shpallja e zgjedhjeve të reja me pjesëmarrjen e serbëve pa kushte.

Ai tha se janë dy mundësi për shpalljen e zgjedhjeve. Mundësia e parë është përmes dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri, ndërsa mundësia e dytë është largimi i kryetarëve përmes një referendumi lokal.

“Ky është proces më i gjatë por me gjasë politikisht më i lehtë dhe ne po punojmë për të nxitur këtë zgjidhje”, tha zoti Lajçak.

Ai ritheksoi shqetësimet për mundësinë e ripërtëritjes së veprimeve të dhunshme, të ngjashme me ato të 29 majit kur dhjetëra pjesëtarë të forcave të NATO-s u plagosën në përleshje me protestuesit serbë. Zoti Lajçak tha se përgjegjësit për dhunën në veri duhet të dalin para drejtësisë dhe misioni evropian për Sundimin e Ligjit është i gatshëm të vëzhgojë proceset ndaj tyre.

I kritikuar nga një numër anëtarësh të Komisionit, për siç u tha “përkëdhelje” të Beogradit dhe qasje të ashpër ndaj Kosovës, zoti Lajçak tha se kritikohet nga të dyja palët.

“Unë jam mjaft i drejtpërdrejtë në takime me ta. Por, qortimi publik dhe fajësimi do të ishte rrugë drejt katastrofës në dialog”, tha ai.

Zoti Lajçak dhe zoti Kopman shmangën përgjigjen në kërkesat e deputetëve që të përcaktohen masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë, duke theksuar se “nga të dyja palët kërkohen veprime dhe hapa konkretë”.

BE-ja po e humbet durimin me tensionet Kosovë - Serbi

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borell, tha të martën se vendet anëtare të bllokut po e humbin durimin me situatën në veri të Kosovës dhe kërkojnë nga palët hapa për shtensionimin e saj.

“E kam bërë të qartë edhe pas takimit të djeshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së se, palët duhet t’i ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje sipas planit që u është paraqitur atyre javën e kaluar në Bruksel. Situata kërkon hapa të shpejtë, shtensionim dhe zgjidhje të shpejtë, dhe mund t’ju them që vendet anëtare janë duke e humbur durimin me situatën që po përkeqësohet, prandaj kërkojnë veprime të shpejta”, tha zoti Borrell në Bruksel në një konferencë më gazetarë së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama, të cilin e falënderoi për përpjekjet e tij për të ndihmuar shtensionimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Rama, ritheksoi angazhimin e Shqipërisë për uljen e tensioneve Kosovë – Serbi të cilat i cilësoi shumë shqetësuese.

“Ne jemi pjesë e rajonit i cili ka vuajtur shumë në të kaluarën dhe nuk mund të jetojmë me kthim prapa. Zhvillimet nuk janë të ndara nga njëra-tjetra dhe nuk mund ta shikojmë vetëm shtëpinë dhe detyrat tona, pa u shqetësuar se çfarë ndodh rreth nesh”, tha kryeministri Rama.

Ai tha se lirimi një ditë më parë i tre policëve të Kosovës që po mbaheshin në Serbi është lajm i mirë dhe tani është koha për shtensionim urgjent.

Kryeministri Rama përsëriti idenë e tij për një konference të nivelit të lartë që do t’i bënte palët bashkë “dhe të mos lejohen të dalin nga dhoma pa zgjidhje, apo në të kundërtën të përballen me pasojat”, sepse, shtoi ai, nuk duhet lejuar që gjithçka që është arritur në rajon “të shembet si një kullë prej rëre“.

Nga Kosova kërkohet pezullimi i operacioneve policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Nga Serbia ndërkaq të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës. Pjesë e kërkesave është edhe organizimi i zgjedhjeve të reja në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Asnjëra palë nuk dha shenja gatishmërie për të lëshuar pe dhe zoti Borrell paralajmëroi masa të reja nëse palët nuk i ulin tensionet.

Serbët nxjerrin "Deklaratën e Vidovdanit"

Qytetarë serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku u paraqit një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.

Në deklaratën, që e lexuan zyrtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë - Lista Serbe - thuhet se komuniteti serb në Kosovë është “i ekspozuar ndaj dhunës”.

Si shembull i kësaj përmendet, mes tjerash, arrestimi i disa qytetarëve serbë, të cilët autoritetet në Kosovë i akuzojnë për “shkelje të rendit kushtetues”, si dhe për sulme ndaj misionit të NATO-s, KFOR, policisë dhe gazetarëve.

Në “Deklaratën e Vidovdanit” thuhet po ashtu se, nëse Prishtina vazhdon me aktivitetet dhe arrestimet e saj, serbët në Kosovë do të detyrohen t’u përgjigjen “të gjithë atyre që na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes”.

“Ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për të qëndruar dhe mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, thuhet në dokument.

Në tubimin në Graçanicë foli kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiq, i cili i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “t'i mbrojë serbët nga autoritetet e Kosovës”, por nuk specifikoi se për çfarë rreziku potencial bëhet fjalë.

“Ne nuk kemi problem me popullin shqiptar, ne kemi problem me një njeri, kemi problem me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti dhe regjimin e tij”, tha Jevtiq.

Dragisha Milloviq, ish-kryetar i komunës së Zveçanit, foli në tubimin në Mitrovicë të Veriut, ku tha se serbët e Kosovës jetojnë në “kushte dramatikisht të vështira”, por se ata duan që kriza në veri të zgjidhet në mënyrë paqësore.

“Fakti që policët e Kosovës janë liruar, është shenjë se Serbia dëshiron ta zgjidhë këtë krizë në mënyrë paqësore. Është një shenjë dhe një gjest i mirë që shkon në drejtim të shtensionimit. Është një gjest i vullnetit të mirë. Ashtu siç u liruan ata për t'u mbrojtur nga liria, të njëjtën gjë e duam edhe për vëllezërit tanë të arrestuar, që edhe ata të mbrohen nga liria”, tha Milloviq.

Në “Deklaratën e Vidovdanit” përmendet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd dhe i cili duhet t’u sigurojë autonomi më të madhe serbëve në Kosovë.

“Ka ardhur koha që të zbardhet e vërteta dhe të thuhet qartë në këtë Vidovdan: a do të kemi Asociacion? Ndryshe, e dimë çfarë të bëjmë”, thekson deklarata, pa specifikuar më shumë.

Pse është i rëndësishëm Vidovdani për serbët?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi më herët se në Vidovdan, serbët do të “ndërmarrin hapa aktivë në rrugën drejt lirisë, në përputhje me normat juridike ndërkombëtare”.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan - rreth 10 kilometra larg Prishtinës. Në dy vitet e fundit atje kishte edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

Vidovdani është gjithashtu një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.

Këtë vit, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe njoftoi se më 28 qershor - për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë - përkujtimet për Vidovdanin do të mbahen në Manastirin e Graçanicës, dhe jo në Gazimestan.

Nga ky institucion thanë se nuk i besojnë Policisë së Kosovës dhe se do të kërkojnë që grumbullimi i serbëve të sigurohet nga misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Gazimestani dhe fjalimi i Millosheviçit

Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, i cili, më 28 qershor 1989, nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”. Ai fjalim u pa nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

Lexo, për më shumë, analizën e Ylli Përmetit: 

Plani i Vuçiçit për shkëputjen e veriut të Kosovës dhe kontributi i vyer i Kurtit

Kosova përgatitet të shpallë dy organizata serbe, terroriste

Kosova planifikon t’i shpallë organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada) - organizata këto që veprojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe - duke thënë se ato janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë zonë.

Tensionet atje i ka rritur instalimi i kryetarëve shqiptarë të komunave qysh në fund të majit. Protestat e komunitetit serb kundër tyre - që në disa raste kanë kulmuar edhe në dhunë - vazhdojnë ende.

“Ditëve në vijim, unë do të kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës që organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Severna Brigada’ të shpallen organizata terroriste - me çka lufta ndaj këtyre organizatave do të jetë edhe më efikase”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, më 25 qershor.

Në atë konferencë u fol, po ashtu, për disa armë të konfiskuara në një makinë me targa të Beogradit, një ditë më herët në komunën e Zveçanit. Aty u gjetën edhe disa letra ngjitëse të “Brigadës së Veriut”.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it nëse vendimi për t'i shpallur terroriste dy organizatat, ka shkuar në Qeveri.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se nëse Kosova ka dëshmi se “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” ushtrojnë veprimtari me qëllim të cenimit të rendit kushtetues dhe juridik, atëherë i takon shtetit që t’i shpallë këto organizata terroriste.

“Vendime të tilla duhet të jenë të bazuara, të arsyetuara mirë dhe të dëshmuara. Kur një organizatë shpallet terroriste, atëherë vetëm pjesëmarrja në të konsiderohet vepër penale, dhe kushdo që bën pjesë në të, duhet të përballet me ligjin”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Por, një vendim i tillë, sipas Miftarajt, duhet të merret vetëm në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, në mënyrë që, siç thotë ai, vendimi ta ketë edhe legjitimitetin dhe besimin e tyre.

Çka bën “Mbrojtja Civile”?

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, në territorin e Kosovës operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga shteti i Serbisë. Një nga to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht në vitin 2011.

Atëbotë, disa njerëz me uniforma të zeza, me mbishkrimin “Civillna zashtita” (Mbrojtja Civile), janë parë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, duke shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë.

Në nëntor të vitit 2012, dhjetëra pjesëtarë të këtij formacioni kanë kryer ushtrime në sheshet kryesore të Mitrovicës së Veriut - komunë e banuar me shumicë serbe.

Një vit më vonë, pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” janë parë edhe para qendrave të votimit në Mitrovicë të Veriut, por janë larguar nga Policia e Kosovës.

“Mbrojtja civile” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente të rrezikut, siç janë përmbytjet, tërmetet e të ngjashme.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka vlerësuar se “Mbrojtja Civile” është e rrezikshme për sigurinë e Kosovës, pasi që përbëhet nga pjesëtarë që kanë kryer trajnime ushtarake.

Në fillim, organizata ka pasur rreth 500 anëtarë, por ky numër është rritur në mbi 750, më 2013 dhe 2014.

Ani pse është organizatë ilegale dhe e paregjistruar, Kosova ka qenë e pafuqishme ta shuajë atë, për shkak se nuk ka pasur autoritet të plotë në komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Shuarja e “Mbrojtjes Civile” është paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në Bruksel në vitin 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Deri në vitin 2016, rreth 500 pjesëtarë të saj janë integruar në institucionet e Kosovës. Por këto të fundit kanë shprehur vazhdimisht dyshime për vazhdimin e funksionimit të këtij formacioni.

Më 29 maj të këtij viti, tensionet në veri, përkatësisht në Zveçan, kanë kulmuar në dhunë midis protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar në të dyja anët.

Më 13 qershor, si i dyshuar për ushtrim të dhunës ndaj KFOR-it dhe vepra të tjera kriminale është arrestuar serbi Millun Millenkoviç, në Mitrovicë të Veriut.

Sveçla ka thënë se ai është udhëheqës i “formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijës i bandave kriminale” në veri.

Çka bën "Brigada e Veriut"?

“Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Po presim!”

Në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar, në pjesën veriore të Kosovës janë shfaqur disa grafite, ku është parë një logo me mbishkrimin “Brigada e Veriut” në serbisht. Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, për “Brigadën e Veriut” dihet shumë më pak.

Përveç grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet se kush qëndron pas saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre.

Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, “Brigada e Veriut” ka më shumë prani në rrjetet sociale. Për këtë formacion, gushtin e vitit të kaluar, ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në një konferencë për media, Vuçiç ka thënë se gazetarët dhe opinioni po i referoheshin gabimisht organizatës me emërtimin “Brigada e Veriut”, pasi, sipas tij, emërtimi i saktë është “Brigada Veriu”.

“Unë jam një person i saktë. ‘Brigada e Veriut’ janë tifozët e Zvezdës [klub futbolli në Beograd]”, ka thënë Vuçiçi.

Pas kësaj deklarate, grafitet në pjesën veriore të Kosovës kanë filluar të shkruhen me emërtimin “Brigada Veriu”.

Me kalimin e muajve dhe me rritjen e tensioneve në veri janë shpeshtuar edhe thirrjet e kësaj organizate kundër institucioneve të Kosovës.

Ndërkohë, në veri janë shkruar edhe mbishkrime që tregojnë se ky formacion ka mbështetës të rinj: “Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”.

Pas kësaj organizate nuk dihet se kush qëndron.

Ajo çfarë dihet është se në rrjete sociale, përfshirë platformën e komunikimit “Telegram”, “Brigada e Veriut” ka një llogari, në të cilën publikon vazhdimisht informacione për situatën në pjesën veriore të Kosovës.

Si i trajton ligji i Kosovës organizatat terroriste?

Me ligjin në Kosovë, në rast se organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

Kodi Penal i Kosovës e cilëson “terrorizëm” ekzekutimin e një apo më shumë akteve të përgjakshme “me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, kushtëzimit të paligjshëm të institucioneve, qeverisë apo organizatave ndërkombëtare, destabilizimit apo shkatërrimit të strukturës politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Kosovës”.

Këtu përfshihen një sërë veprash: vrasja, marrja e pengjeve apo rrëmbimi, furnizimi, transportimi dhe përdorimi i armëve, eksplozivit ose armëve kimike, biologjike e të tjera.

Kryerja e veprave terroriste është e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burgim, por kur vepra terroriste rezulton me lëndime të rënda trupore të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, kur vepra terroriste rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me së paku 15 vjet burgim.

Ndërsa, për ofrimin e ndihmës në kryerjen e veprave terroriste, dënimi shkon deri në 10 vjet burgim.

Rekrutimi për terrorizëm dënohet deri në 15 vjet burgim, njësoj siç dënohet edhe trajnimi për kryerjen e veprave terroriste.

Kushdo që shpallet fajtor se ka organizuar apo drejtuar një grup terrorist, dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim deri në 20 vjet.   

Lirohen tre policët e Kosovës që mbaheshin në Serbi

Një gjykatë në Serbi urdhëroi lirimin nga paraburgimi të tre policëve të Kosovës që po mbaheshin në paraburgim nga 14 qershori.

Në një deklaratë të gjykatës në Kralevë, një qytet në jugperëndim të Serbisë “konfirmohet aktakuza kundër të pandehurve dhe mori vendimin me të cilin të pandehurve u ndërpritet paraburgimi”.

Tre policët e Kosovës akuzohen për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese”. Arrestimi i policëve më 14 qershor shtoi tensionet midis dy vendeve.

Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës.

Beogradi thotë ndërkaq se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë. Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e vendeve euro-perëndimore kërkuan lirimin e pakusht të policëve dhe hedhjen e hapave për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani falënderoi Shtetet e Bashkuara “për gjithë punën që kanë bërë për lirimin e tre policëve të Republikës së Kosovës që po mbaheshin të kidnapuar pas aktit të agresionit që Serbia kishte kryer ndaj Republikës së Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një postim në rrjetet sociale shkroi se “edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mire. Ai shkroi në rrjetet sociale se “kjo i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës”, shkroi ai duke uruar që të nisë menjëherë shtensionimi i situatës nga të gjithë.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, shkroi se presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka njoftuar “se në përputhje me kërkesën e bërë në takimin tonë javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t'i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më pare”.

Ai tha se e vlerëson shumë hapin e presidentit Vuçiç, “të cilën ai e mori në një periudhë sfidash serioze dhe vendim i cili është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit strategjik mes vendeve tona dhe e përkushtimit tonë të ndërsjellë për paqen dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit”. Voa

Përshkallëzimi i krizës në Kosovë nuk e ka arritur kulmin - Vuçiçi

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA