Kemi mjekët dhe popullin me më pak etikë social-ligjore në rajon
Monitor
16/12/2016 - 15:01
Në një studim të Bankës Botërore konkludohet se shqiptarët kryejnë pagesat më të larta nga xhepat e tyre për shërbimet shëndetësore se në të gjitha vendet e Europës.
Sipas Bankës Botërore shqiptarët paguajnë me cash nga të ardhurat e tyre rreth 49.9 për qind të kostove totale për kujdesin shëndetësor. Në vende TË tjera të rajonit dhe Europës këto pagesa janë më të ulëta.
Në Turqi pagesat cash nga xhepi për shëndetin janë 17.8% e kostove totale, në Greqi janë 34.9 për qind.
Në Maqedoni këto pagesa janë 36.7% në Malin e Zi janë 42.8%, në Serbi 36.6% dhe në Bosnje 27.9 %.
Në vendet Europiane këto pagesa janë shumë të ulëta mesatarisht nën 15 për qind e të gjithë kostos.
Në këto matje, Shqipëria ofron përqindjet më të larta në rang europian dhe është e krahasueshme me vendet e Lindjes së Mesme dhe të Azisë.
Në shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme ku përfshihet edhe Shqipëria shpenzimet nga xhepi për kujdesin shëndetësor janë të larta dhe mund të jenë një rrezik i madh financiar për të varfrit, – lajmëron Banka Botërore.
Edhe pse me shpenzime të larta, shqiptarët kanë barrën e sëmundshmërisë më të lartën në rajon.
Sipas statistikave vendase vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës në Shqipëri është më e larta në rajonin e Europës Juglindore.
Gjithashtu, Shqipëria është vendi i vetëm në rajon i cili ka pësuar një rritje të nivelit të vdekshmërisë, nga sëmundja ishemike e zemrës dhe sëmundjet cerebrovaskulare gjatë dy dekadave të fundit, duke dëshmuar për një fazë të hershme në evolucionin e epidemisë koronare, e cila ka qenë e pranishme shumë dekada më parë në vendet Perëndimore – raporton Monitor

Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 32 reads



