...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përshkallëzimi i krizës në Kosovë nuk e ka arritur kulmin - Vuçiçi

Kosova menjëherë të pezullojë operacionet policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Serbia të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës

SHJ

20/06/2023 - 19:32

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se përshkallëzimi i situatës në Kosovë nuk e ka arritur pikun dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron luftë.

“Ai dëshiron të ndodhë gjithçka që unë dua të shmang. Ne nuk e kemi arritur pikun e përshkallëzimit të krizës në Kosovë, siç mendojnë disa, mirëpo Kurti dëshiron luftë. Ai lutet për diçka të tillë”, ka thënë presidenti serb për Televizionin Pink në Beograd.

Ai ka thënë se Kurti nuk do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse duhet të formohet “në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara”.

Sipas Vuçiçit, Forca e Sigurisë së Kosovës është “më shumë e pajisur” me armë serioze turke. Ai ka thënë se Kosova është duke ndërtuar një ushtri, e cila nuk i lejohet me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Turqit u kanë dhënë atyre armë shumë të fuqishme anti-tank, mortaja, obusë”.

Ai ka thënë se për këtë arsye Serbia ka hequr dorë nga blerja e dronëve nga Turqia, mirëpo që një numër i madh i dronëve kamikazë do të arrijnë shpejt në Serbi nga shtetet tjera, përfshirë Kinën.

I pyetur për qasjen e Shteteve të Bashkuara kundrejt Serbisë, Vuçiçi ka thënë se “amerikanët nuk e kanë qasjen e njëjtë ndaj Serbisë, sikurse në vitet 90’”, por qasja është “shumë më e mirë”.

“Ata vetëm se e kanë qasjen e njëjtë ndaj Kosovës”, ka thënë Vuçiçi, dhe ka shtuar se duhet pasur shumë kujdes “çfarë do të thonë Perëndimi dhe Lindja”.

Vuçiç ka thënë të dielën se duhet të takohet me serbët nga veriu i Kosovës, ku tensionet janë rritur prej fundit të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut.

Denoncimi i armatosje së serbëve

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës kanë gjetur një sasi të madhe të armatimeve në Zveçan.

Sveçla ka theksuar se ato janë gjetur në “një veturë me targa të Beogradit” dhe “rreth 100 metra larg Komunës së Zveçanit”.

Ai ka theksuar se ne veturë janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve shpërthyese, municione të ndryshme, granatahedhës dore, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.

“Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla në Facebook.

Sipas tij, Policia e Kosovës bashkë me të gjitha organet tjera të sigurisë, vazhdojnë angazhimet e tyre në parandalimit e çdo akti të mundshëm që synon cenimin e sigurisë së Kosovës.

Siç ka theksuar ai, institucionet e sigurisë së Kosovës, kanë dhënë informacione se gjatë javëve të fundit, janë futur nga Serbia në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake.

Pas këtij njoftimi, erdhi dhe njoftimi nga faqja e Kurtit; sipas të cilit:

Mbrëmë, Policia e Kosovës (PK) në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) kanë parandaluar një sulm terrorist duke zbuluar në Zveçan, 100 metra afër objektit të Komunës, një veturë me shumë armë, municion e pajisje të ndryshme ushtarake.

Panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë: vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”. Sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara.

Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës. Përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë ndaj Republikës së Kosovës duke rrëmbyer 3 zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste.

Unë i jam falënderues PK-së dhe AKI-së për punën që po bëjnë gjithë këto kohë në ruajten e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë dhe në parandalimin e krimit e terrorizmit në atë pjesë të Republikës së Kosovës.

Prishtina akuzon presidentin serb se përmes grupeve kriminale po përpiqet të destabilizojë Kosovën

Autoritetet në Kosovë akuzuan të shtunën presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç se përmes grupeve kriminale po përpiqet të destabilizojë Kosovën.

Këto komente u bënë në Mitrovicën e Jugut, ku policia paraqiti një sasi të konsiderueshme armësh, përfshirë raketahedhëse krahu, mjete shpërthyese, armë automatike dhe uniforma ushtarake të cilat janë gjetur në një makinë me targa të Beogradit, në qytetin e Zveçanit të banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelel Sveçla, tha se policia ka shmangur një sulm terrorist ndaj institucioneve të Kosovës.

“Pajisjet janë të formacionit kriminal e terrorist “Mbrojtja civile” të cilat shërbejnë për shkaktimin e trazirave e sulmeve. Këto mjete kishin për qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. E gjithë kjo është edhe një dëshmi e radhës që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë”, tha ai.

Ministri Sveçla u bëri thirrje autoriteteve në Beograd t’u japin fund përpjekjeve për përkeqësim të situatës në Kosovë.

“Pra në këto prova e gjeni veturën e institucioneve të shtetit Serbisë, radiolidhje të zyrtarëve serbë në Kosovë, simbole të Rusisë dhe organizimit terrorist “Severna Brigada”. Panorama është më e qartë se kurrë. Granatat e dorës janë prodhim serb i vitit 2021, që do të thotë se nuk janë armë që kanë mbetur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, por janë të furnizuara drejtpërdrejt nga ushtria e Serbisë”, tha zoti Sveçla.

Por autoritetet në Serbi hodhën poshtë pohimet e institucioneve në Kosovë ndërsa akuzuan policinë e Kosovës se i kanë vendosur vetë armët në mënyrë që të përdoren si pretekst për arrestime të reja dhe dëbimin e serbëve.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha në një konferencë për shtyp në Beograd se veprimet e Prishtinës synojnë të “shkaktojnë incidente të reja dhe të krijojnë hapësirë që (Albin) Kurti të bëjë arrestime të pabaza në veri, të krijojë kriza të reja dhe të çojë në konflikte”.

Policia e Kosovës arrestoi të premten një qytetar serb në veri të Mitrovicës, nën dyshimet për përfshirje në sulmet ndaj forcave të KFOR-it më 29 maj, kur të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse mbetën të plagosur.

Të premten Serbia përsëriti kërcënimin për ndërhyrje të armatosur në Kosovë, nëse paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO-ja nuk veprojnë për të mbrojtur pakicën serbe nga, siç u tha, “përndjekjet” nga autoritetet e Prishtinës.

Këto veprime nxitën reagimin e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, i cili u shpreh “i alarmuar” me situatën e tensionuar në veri të Kosovës për “arrestimet e jashtëligjshme të serbëve të Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës duke parakaluar në jug të Mitrovicës, shoqëruar me gjuhë të rëndë nga Serbia”.

Ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha sot se asnjë veprim i policisë së Kosovës nuk është duke u bërë jashtë ligjit.

“Unë ftoj (Josef) Borrellin që të adresojë drejt agresionin e Serbisë ndaj Kosovës, të luajë rolin e tij si ndërmjetës në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë dhe me deklarata të përgjegjshme të parandalojë çfarëdo eskalimi të situatës, çfarëdo trimërimi të këtyre grupeve kriminale e tash edhe terroriste”, tha ai.

Zoti Sveçla tha se do kërkojë nga qeveria e Kosovës që organizatat, “Mbrojtja Civile” dhe “Severna Brigada”, të shpallen organizata terroriste gjë që do ta bënte luftën ndaj tyre më të frytshme.

Boreli alarmohet me gjendjen në veri ndërsa Serbia kërcënon me ndërhyrje ushtarake

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, u shpreh “i alarmuar” të premten me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

“Arrestime të jashtëligjshme të serbëve të Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës duke parakaluar në jug të Mitrovicës, shoqëruar me gjuhë të rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të krizës dje, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë këtë”, shkroi zoti Borrell në rrjetin Twitter.

Deklarata e tij pasoi njoftimin e policisë së Kosovës për arrestimin e një qytetari serb në veri të Mitrovicës, nën dyshimet për përfshirje në sulmet ndaj forcave të KFOR-it me 29 maj, me ç’rast të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse mbetën të plagosur.

Të premten Serbia përsëriti kërcënimin për ndërhyrje të armatosur në Kosovë, nëse paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO-ja nuk veprojnë për të mbrojtur pakicën serbe nga siç u tha “përndjekjet” nga autoritetet e Prishtinës.

Shefi i Shtabit të ushtrisë serbe Milan Mojsiloviç, tha se e ka njoftuar komandantin e KFOR-it se “po i ndjekim ngjarjet me ankth të madh dhe se duhet të merren masa urgjente për të mbrojtur popullin serb”.

“Sot është e qartë se bashkësia ndërkombëtare nuk po i përmbush detyrimet e saj”, tha ai në një paraqitje të rrallë para gazetarëve, në të cilën nuk u lejuan pyetje.

"Forcat e armatosura serbe, në përputhje me kushtetutën dhe Kartën e OKB-së, nëse marrin një urdhër ... do të kryejnë plotësisht të gjitha detyrat e tyre në lidhje me krizën e përgjithshme të sigurisë", tha gjenerali serb të premten por pa dhënë hollësi.

Deklarata e tij u bë pak kohë pasi pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaluan në pjesën jugore të Mitrovicës, qytetit të ndarë në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se parakalimi ishte pjesë e stërvitjeve të rregullta që nuk kanë të bëjnë asgjë me situatën e sigurisë në veri të vendit.

“Përgjegjësinë për sigurinë e qytetarëve tanë e ka Policia e Kosovës e cila është në krye të detyrës dhe është duke kryer me shumë sukses punën e saj”, shkroi ministri Mehaj, duke bërë thirrje që veprimtarive të tilla të mos u jepen ngjyrime të tjera.

Palët u pajtuan për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha pas takimeve të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, se është arritur pajtimi për nevojën e mbajtjes ë zgjedhjeve të reaj në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ai tha se pas më shumë se katër orë diskutimesh të dy udhëheqësit e kanë të qartë seriozitetin e situatës në veri, por kanë qasje dhe interpretime të ndryshme për situatën. Zogti Borrell tha se bashkë me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak u paraqiti palëve pritjet e Bashkimit Evropian.

“Për Kosovën që menjëherë të pezullojë operacionet policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Serbia të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës”, tha zoti Borrell.

Të dyja palët tha ai, duhet të shpallin zgjedhjet e reja në të katër komunat, me pjesëmarrje të pakusht të serbëve në to.

“Kjo është rrënja e problemit dhe rrënja e zgjidhjes – zgjedhje të reja sa më parë me pjesëmarrje të plotë”, theksoi ai, duke nënvizuar se është arritur pajtimi për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Bisedimet pasuan arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe me 14 qershor, në një incident që shtoi tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet të dyja vendeve. Kosova akuzon Serbinë për siç thuhet “rrëmbim të policëve” brenda territorit të saj, ndërsa Beogradi thotë se ata u kapën brenda territorit serb.

Zoti Borrell tha se i ka kërkuar presidentit serb lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës, një kërkesë e shtruar me forcë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane që kërkojnë hedhjen e hapave për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, kur për gati një muaj grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Kryeministri Kurti është shprehur në favor të zgjedhjeve të reja por duke ngulur këmbë që kjo të ndodhë pas vendosjes së sundimit të ligjit. Beogradi kërkon largimin e forcave të policisë dhe kryetarëve shqiptarë si dhe lirimin e serbëve të arrestuar në lidhje me dhunën që përshkoi protestat në veri.

Zoti Borrell tha se misioni i BE-së për sundimin e ligjit do të vëzhgojë nga afër trajtimin e personave të arrestuar në lidhje me dhunën gjatë protestave në veri të Kosovës.

“Arrestimet arbitrare dhe keqtrajtimi i të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm”, tha ai.

Takimet e sotme, tha zoti Borrell, nuk u përqendruan shumë në atë se çfarë të bëhet por si dhe kur: “si të qetësohet situata në terren, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e dala prej tij, në veçanti nga marrëveshja e fundit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve”.

Vetëm disa muaj më parë, tha zoti Borrell, “ne arritëm një marrëveshje historike për rrugën drejt normalizimit dhe me të vërtetë dukej sikur ishim në një rrugë të mirë për të çuar përpara këtë normalizim të marrëdhënieve. Ne duhet të kthehemi në zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe kjo përfshin fillimin, pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm, të negociatave për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës”.

Ai tha se të hënën do t’u raportojë ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së të hënën për situatën dhe rrjedhën e bisedimeve.

Kurti: Zgjedhje po – por në pajtim më kuadrin ligjor të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu gatishmërinë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit “në përputhje me kuadrin ligjor të Kosovës”, ndërsa akuzoi presidentin serb për ikje “nga zgjidhja e mundshme” e krizës në veri.

“U pajtuam se edhe lirimi i pakusht dhe menjëherë i tre policëve dhe në anën tjetër de-eskalimi me normalizim të raporteve nuk ka alternativë”, tha kryeministri Kurti, duke u shprehur optimist që “në ditët dhe javët në vijim do të kemi mbase ditë më të qeta dhe më paqësore”.

Ai u shpreh në favor të zgjedhjeve të parakohshme, por nënvizoi se ato nuk mund të bëhen jashtë ligjit. “Nuk mund t’i shkaktojë asnjë grup kriminalë dhe asnjë instancë politike zgjedhjet e parakohshme”, tha ai.

Vuçiç: Nuk kemi ndonjë udhërrëfyes për tejkalimin e krizës

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha pas takimit me ndërmjetësuesit evropianë se nuk "ka ndonjë udhërrëfyes", për rrugëdaljen nga kriza në veri të Kosovës.

"Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe qëndrueshmëria janë thelbësore, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e (Albin) Kurtit ashtu siç janë detyruar ta durojnë deri tani”, tha presidenti serb.

Kurti rrëfen ‘premtimin’ e ndërkombëtarëve për zgjedhjet në veri 

Kurti njoftoi një deklaratë në gjuhën serbe rreth orës 5 pasdite të 21 qershorit. Ai pranoi se bashkësia ndërkombëtare i kishte premtuar se nëse qeveria e tij pranonte Aneksin e Ohrit, ata do të siguronin pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje. Por s`ndodhi ashtu. Kështu u zhvilluan zgjedhjet, siç pohon ai, “për asgjë”. Ndaj ai fton kandidatët e Listës Serbe të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme dhe qytetarët serbë në veri të përgatiten për zgjedhje të lira dhe të sigurta ndërsa tregon disa realizime të qeverisë së tij për të nxitur pjesëmarrjen:

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

E di që situata nuk është aspak e lehtë dhe të gjithë jemi të shqetësuar nga ngjarje të mundshme të paparashikueshme në të ardhmen e afërt. Po ashtu e di se, gjatë tre javëve të fundit, kemi mbërritur edhe te lajmet ndërkombëtare, duke u paraqitur në një dritë jo dhe aq të mirë.

Por le të fillojmë me radhë. Më vjen keq që na është dashur të mbajmë zgjedhje në katër komuna në veri me një pjesëmarrje aq të ulët. Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, ne e shtymë ditën e zgjedhjeve për katër muaj, duke shpresuar se Lista Serbe do të merr pjesë. Bashkësia ndërkombëtare na premtoi se nëse ne pranojmë Aneksin e Ohrit, ata do të sigurojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje. Më 17 mars të këtij viti e kemi zgjatur edhe për pesë ditë afatin e regjistrimit të partive. E gjithë kjo për asgjë. Kam menduar se të paktën Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai doli nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka fituar një milion euro dhe dy banesa në Beograd. Ndoshta nuk është e saktë, por gjithsesi duhet të jetë presion tepër i madh apo ofertë tepër luksoze, që e ka shtyrë Jabllanoviqin të thotë se ai nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, sikur edhe Jabllanoviqi, kanë thënë gjithfarë gjërash për Kosovën dhe për mua, por unë kam mbetur i gatshëm t'i pranoj si kryetarë të ardhshëm komunash. Fatkeqësisht, nuk kam as fuqi e as vullnet që t'i detyroj të kandidojnë në zgjedhje. Tani, kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një i ri. Për këtë na duhen zgjedhje të parakohshme dhe një fushatë parazgjedhore e hapur, e lirë, në 4 komunat në veri. Pa një fushatë të ndershme dhe demokratike, nuk ka zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Prandaj në radhë të parë nevojitet sundimi i ligjit, pra një mjedis ku nuk ka frikësim dhe kriminelë. Këtë duam dhe duhemi ta vendosim së bashku. Me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale.

Në anën tjetër, na janë të nevojshme takimet në Bruksel për zbatimin urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë nga Brukseli, pjesë përbërëse e së cilës është Aneksi i Ohrit. Tani e kam të qartë se presidenti i Serbisë i ka thënë PO marrëveshjes për të mos e nënshkruar, e tani ankohet dhe pendohet që ka thënë PO, që e ka pranuar atë marrëveshje, që do të thotë njohje de facto të Republikës së Kosovës.         

Siç duket, pushteti në Beograd është në kërkim të makinës së kohës. Ndonjëherë duan të kthehen në kohën para qershorit 1999 kur ne u çliruam, ndonjëherë para shkurtit 2008 kur shpallëm pavarësinë, ndonjëherë para shkurtit të këtij viti kur presidenti i Serbisë Vuçiq pranoi Marrëveshjen e Brukselit dhe, siç e keni dëgjuar edhe ju vetë, ndonjëherë duan të kthehen në makinën e kohës para dhjetorit 2001 kur unë kam dalë nga burgjet serbe.

Sulmi dhe kidnapimi i policëve, gjuajtja ndaj ushtarëve të KFOR-it, sulmet e dhunshme ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen. Një shoqëri demokratike dhe liberale nuk duron dot kulturën e të dhunshmëve. Aleksandar Vuçiq sot përfaqëson gatishmërinë e Serbisë për të humbur edhe një luftë. Në të njëjtën kohë, ai është garancia juaj që vitet '90 nuk do të bëhen të kaluara. Unë nuk jam për luftë. Unë jam kundër luftës. Unë jam socialdemokrat. Kam vuajtur gjatë luftës, kam qenë i burgosur lufte për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ai duket se ka vetëm kujtime të mira nga lufta dhe ndjenja të tilla, sepse edhe atëherë ishte në pushtet si ministër i Millosheviqit, dhe ndryshe nga sot, ai kishte pushtet madje pa detyrime, sepse të gjithë përgjegjësinë e mbante Millosheviqi.

Për më shumë se 10 vjet, këta të ashtuquajtur progresistë e kanë kriminalizuar politikën në Serbi, e tani në veri të Kosovës po tentojnë të politizojnë kriminelët. Nga ana tjetër, ne kemi mbyllur 16 rrugë ilegale në veri, kemi shkatërruar 83 grupe kriminale, kemi konfiskuar rreth 2 tonë narkotikë, kemi shkatërruar 14 laboratorë droge, 8 prej tyre në veri dhe 5 sosh për prodhimin e kriptovalutave.

Të dashur qytetarë,

Kosova është vendi me shkallën më të lartë të demokracisë në rajonin tonë. Sipas institucioneve dhe organizatave prestigjioze ndërkombëtare, si Transparency International, World Justice Project, World Press Freedom Index “Reporterët pa Kufij”, Freedom House dhe V-Dem, Kosova është në vendin e pare në Ballkanin Perëndimor për sa i përket luftës kundër korrupsionit, sundimit të  ligjit, lirisë së medias, lirive politike dhe të drejtave civile, si dhe zgjedhjeve demokratike. Progresi ynë demokratik shoqërohet me zhvillim ekonomik.

Gjatë këtyre viteve të fundit kemi pasur një rritje mesatare prej 7% të bruto prodhimit vendor, eksportet dhe investimet e huaja janë dyfishuar, buxheti vjetor këtë vit është 17% më i lartë se në vitin 2022, e të hyrat tatimore janë rritur për dy të tretat pa ndryshuar politikën fiskale, sepse njerëzit paguajnë më shumë tatim kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri dhe po ashtu kur janë optimistë shpenzojnë më shumë se sa kursejnë dhe nga kjo përfitojnë jo vetëm ata por edhe gjithë ekonomia jonë. Rritjen më të madhe të buxhetit e kemi siguruar për shëndetësinë, bujqësinë, mbrojtjen dhe arsimin. Rritjen ekonomike nuk e mbajtëm për shtetin, por ia shpërndamë popullit: dy pako masash, për ringjallje ekonomike dhe për përballje me inflacionin, në një total prej gati një miliard eurosh.

Përfundimisht, Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën nga tetori i vitit të kaluar është më i miri në 15 vitet e fundit. Prandaj nga 1 janari i vitit 2024 hiqet edhe regjimi i vizave për pasaportat e qytetarëve të Kosovës.

Kemi bërë shumë për komunitetin serb. Kemi përfunduar restaurimin e trashëgimisë ortodokse në Kosovë: Manastirin “Qeli” dhe kishën e Shën Mërisë në Kamenicë, si dhe Manastirin e Dragancës në Novobërdë. Ka filluar restaurimi i katër shtëpive tradicionale në Prizren, pronarët e së cilave janë serb. Në bazë të thirrjes së fundit për ndihmë direkte, mbështetje financiare kanë fituar disa organizata dhe individë për botim librash, aktivitete sportive, kulturore dhe artistike. Në proces hartimi është plani i konservimit të fshatit Hoçë e Madhe.

Sërish është themeluar puna e komisionit përgjegjës për verifikimin e diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut. Ky komision deri më tani ka pranuar 44 aplikime nga të diplomuarit. E në të ardhmen, për të lehtësuar procesin e aplikimit, po implementojmë një platformë online. Të gjitha me synimin e një niveli më të lartë të efikasitetit. Kemi krijuar edhe programin e ndihmës “Qeveria për Familjen”, në bazë të të cilit ne ofrojmë subvencione për pagat e të punësuarit të vetëm brenda familjes. Me këtë program kemi ndihmuar 115 familje serbe. Po ashtu, Ministria jonë për Komunitete dhe Kthim ka ndihmuar në themelimin e 123 ndërmarrjeve të vogla, ndër të cilat 48 ishin për mirëqenien e komunitetit serb. E Agjencia jonë për punësim ka ndërmjetësuar punësimin e 371 personave nga komuniteti serb – dyfish më shumë se vitin e kaluar.

Kemi dyfishuar buxhetin e zyrës së Komisionerit për Gjuhët për sa i përket bashkëpunimit në projekte me organizatat joqeveritare, kemi mbështetur programin e studimeve të Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës dhe kemi shpërndarë 19 grante për organizatat joqeveritare dhe mediat që mbështesin komunitetin serb, dhe kemi filluar ndërtimin e 8 shtëpive për familjet serbe.

Platforma jonë e re “Superpuna u mundëson të rinjve të moshës 18 deri në 25 vjeç të marrin pagën minimale si bonus: deri tani kemi 11 mijë të rinj aktivë, gjashtë mijë e gjysmë biznese të regjistruara, me më shumë se 8 mijë mundësi të hapura për vende pune. Kemi ndarë 3 milionë euro për organizata joqeveritare, fermerë dhe start-up. Afati i aplikimit përfundon këtë të premte, andaj nxitoni pak.

Të dashur qytetarë,

E kam theksuar shumë herë se ky shtet është i yni i përbashkët – ai që na përqafon dhe na mbron dhe për të mirën e të cilit jemi të detyruar të luftojmë. Le të ecim drejt një të ardhmeje më të mirë së bashku, duke ndërtuar ura të forta, për shkak të asaj që duam për veten dhe familjet tona.

Vendi ku jetojmë është shtëpia jonë, e shteti ynë është shtëpia e të gjithë neve.

Faleminderit shumë dhe ju uroj gjithë të mirat.

Jam i gatshëm të shkoj në Bruksel për bisedime me Serbinë - Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se është i gatshëm të marrë pjesë në një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç gjatë kësaj jave në Bruksel, me ftesë të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë gjatë së cilës foli për gjendjen në të cilën ndodhen pjesëtarë të policisë së Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi që nga 14 qershori.

“Po unë jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel në mënyrë që të paraqes hollësisht të gjitha këto të dhëna të cilat i morrëm dhe ta kuptojnë që depërshkallëizmi i situatës që po e kërkojnë të gjithë nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pa kusht të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë, ndërkaq normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm, pa kushte dhe të plotë të marrëveshjes bazike”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti tha se shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ka vizituar policët e Kosovës që po mbahen në një burg në qytetin e Kralevës, ndërsa theksoi se rrëfimet e tyre dëshmojnë se arrestimi është kryer brenda territorit të Kosovës.

“Janë tre rrëfime ndarazi identike të tre njerëzve të cilët thonë se në momentin e rrëmbimit me 14 qershor kanë qenë te tryeza e improvizuar, pra kanë qenë duke ngrënë drekë së bashku kur pesëmbëdhjetë persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë dhe që të tre e thonë rrëfimin e njëjtë kur pyeten ndarazi nga ambasadori ynë Jetish Jashari. Kjo heq çfarëdo dileme edhe për ata që dëshirojnë të jenë skeptik për të drejtën e Kosovës se Serbia ka zhvilluar agresion”, tha ai.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla – Shwarz, tha se policët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Sipas tyre trajtimi nga ana e personelit të burgut pra gardianët dhe stafi tjetër është korrekt, atyre u jepet ushqim në baza të rregullta ditore edhepse cilësia sipas njërit prej tyre është jo e mirë”, tha ajo.

Arrestimi i pjesëtarëve të policisë nga forcat serbe shtoi tensionet në Kosovë por edhe thirrjet e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë për lirimin e menjëhershëm të tyre.

Thirrjeve iu bashkua të martën edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban.

“Me respekt, ju lus i dashur Aleksandër që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë dhe mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha kryeministri Orban në një konferencë me gazetarë në qytetin e Suboticës në Serbinë veriore, pas një takimi ndërmjet qeverive të të dyja vendeve.

Por, presidenti serb nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm të dëgjojë thirrjet perëndimore, duke theksuar se “çështja u takon organeve të drejtësisë”.

Ai tha të martën se “nuk do të bisedojë me zotin Kurti derisa të lirohet çdo serb i arrestuar në veri të Kosovës dhe deri sa të mos tërhiqen kryetarët shqiptarë të komunave veriore”.

Që nga mbrëmë në vendkalimet që lidhin Kosovën me Serbinë, Merdar dhe Jarinjë, autobusët dhe kamionët nga Kosova nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Serbisë, nga grupe qytetarësh serbë. Ata janë hedhur në protestë në shenjë revolte ndaj vendimit të javës së kaluar të Prishtinës për të mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në Kosovë, pas arrestimit të tre policëve.

NATO-ja vendosi trupa shtesë në Kosovë pas tensioneve që shpërthyen që nga 26 maji në veri të vendit ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Diplomatët perëndimorë po bëjnë thirrje që palët të ulin tensionet, të organizojnë zgjedhje të reja në veri të Kosovës dhe të punojnë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të shkruaj projekt statutin për Asociacionin por jo pa u pajtuar fillimisht për parimet e tij.

“Unë kam ofruar që ta bëj draftin për këtë gjë por duhet të pajtohemi për parimet. Nuk mund të shkruajmë tekste të zhanreve e kuptimeve ekstremisht të kundërta sepse nuk zgjidhim asnjë gjë. Duhet të pajtohemi për frymën, karakterin e tekstit dhe unë lirisht e shkruaj atë draft statut sepse dhe na përket si Kosovë që e kemi pranuar marrëveshjen bazike”, tha kryeministri Kurti duke përsëritur qëndrimin se një detyrim i marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, nuk mund të ketë përparësi ndaj tjetrit.

“Në zbatimin e marrëveshjes nuk mund ta vendosim qerren para kuajve, marrëveshja e ka në qendër njohjen reciproke de facto, është neni shtatë edhe neni dhjetë, por këto nene nuk janë preambulë, andaj unë dua që të kemi takim të nivelit të lartë ku sekuencimin e balancuar edhe fer e trajtojmë me sinqeritet dhe seriozitet maksimal. Procesi në vazhdim duhet të jetë zbatim i marrëveshjes bazike, nuk mund të jetë proces për Asociacionin”, tha zoti Kurti.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të martën se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”. Duke komentuar këtë deklaratë, kryeministri Kurti tha se është Beogradi që ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës.

“Kah mund të shkojë kriza e veriut, nëse nuk shtensionohet, unë nuk mund ta di sot, por unë e di që eskalimi është pasojë e drejtpërdrejtë e përzierjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës. Herë me politikanë që rrinë afër me krimin e organizuar, herë me krimin që synon të politizohet, por qartazi faktorin dhe burimin e eskalimit do ta gjeni atje. Prandaj, nëse ka të drejtë emisari Escobar, atëherë adresa ku do të duhej të merremi, që të mos kemi konflikt rajonal, është Beogradi”, tha kryeministri Kurti.

Diplomatët perëndimorë paralajmërojnë konflikt rajonal 

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të martën se situata në veri të Kosovës ka potencial të shndërrohet në konflikt rajonal, ndërsa u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për shtensionimin e gjendjes dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ai i bëri këto komente në një debat me Ilva Taren në Këshillin Atlantik së bashku me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, në të cilin shprehën shqetësimin me zhvillimet në veri të Kosovës.

“Jam shumë i shqetësuar, kjo situatë ka potencialin të shndërrohet në një konflikt rajonal dhe konfrontim rajonal dhe kjo është arsyeja përse ne po i mbështesim kaq fort përpjekjet evropiane”. Kjo duhet të jetë përpjekje evropiane sepse të dy vendet janë në Evropë, aspirata më e lartë e tyre është integrimi në Bashkimin Evropian. Gjithashtu si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, do të donim ta shihnim atë pjesë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, kështu që ne duam një proces që ulë shqetësimet e pesë vendeve mosnjohëse dhe ky duhet të jetë proces evropian, por kjo nuk do të thotë se ne qëndrojmë pasiv”, tha zoti Escobar.

“Mendoj se momenti është shumë i rëndësishëm dhe shumë kritik në kuptimin që ne duhet të diskutojmë hapat e mëtejshëm. Situata është shumë e vështirë, jam shumë i shqetësuar. Që nga 26 maji ka njerëz që po qëndrojnë në rrugë, ka policë të Kosovës, ka forca të KFOR-it ndërsa tashmë kemi parë një seri incidentesh, prandaj vlerësoj se përparësi është shtensionimi i situatës. Të largohen njerëzit nga rruga, palët t’i kthehen dialogut dhe padyshim pjesë e këtij procesi është organizimi i zgjedhjeve të reja me pjesëmarrje të komunitetit serb, pa parakushte. Nëse nuk arrijmë të bëjmë këtë atëherë mund të ketë viktima dhe nuk mund ta përballojmë këtë”, tha zoti Lajcak.

Zoti Escobar kërkoi sërish lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që po mbahen në Serbi, një qëndrim që u mbështet edhe nga zoti Lajcak.

Rasti i policëve shtoi tensionet edhe ashtu të larta dhe Bashkimi Evropian paralajmëroi një takim të nivelit të lartë ndërmjet të dyja vendeve. Më gjithë mëdyshjet në Prishtinë dhe Beograd, zoti Lajçak u shpreh i bindur së takimi do të ndodhë.

“Shikoni, nuk ka pasur asnjë rast që udhëheqësit të refuzojnë ftesën për në Bruksel. Prandaj, nuk jam shumë i shqetësuar për retorikën. Ata do të vijnë. T’i thuash jo ftesës nga Bashkimi Evropian do të ishte vërtet një akt shumë serioz dhe shumë negativ”, tha zoti Lajçak.

Ai theksoi se çështja kryesore është shtensionimi i situatës dhe pastaj pajtimi për datën e zgjedhjeve në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kuadrin ligjor. Kjo, tha ai, mund të ndodhë ose me dorëheqjet e kryetarëve të komunave ose me referendume lokale. Duhet pajtim i palëve për zgjedhjet tha zoti Lajçak.

“Por, deri më tani nuk kemi parë vullnet politik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, theksoi zoti Lajçak.

Mbajtja e zgjedhjeve është pjesë e kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri, ku përfshihet edhe largimi i njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat e komunave dhe kthimi në tryezën e bisedimeve.

“Më duhet të them se komuniteti transatlantik është shumë i bashkuar. Ideja që një apo dy udhëheqës mund të vendosin kushte për një plan që është zhvilluar me kujdes nga Bashkimi Evropian në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara, është e pamatur”, tha zoti Escobar.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kërkon largimin e policisë nga veriu i Kosovës, kryetarëve shqiptarë të komunave dhe lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar në lidhje me incidentet atje. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka theksuar se shtensionimi duhet të ndodhë krahas vendosjes së sundimit të ligjit.

Rikthimi në tryezën e bisedimeve sipas diplomatëve perëndimorë nënkupton edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Zoti Escobar dhe zoti Lajçak e cilësuan si “propozim serioz” projekt statutin për këtë asociacion të cilin kryeministri shqiptar Edi Rama tha me 8 qershor se ua ka dërguar presidentit francez Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Zoti Escobar sërish hodhi poshtë pretendimet se Uashingtoni së fundmi po ndihmon më shumë Serbinë se sa Kosovën, ndërsa zoti Lajcak tha se të dyja palët do të përballen me pasoja nëse nuk punojnë për shtensionimin e gjendjes.

“Kemi shqetësime për Serbinë dhe marrëdhëniet e saj me Rusinë, por ndërsa punojmë me Serbinë për të trajtuar këto shqetësime, nuk do të sakrifikojmë qëndrueshmërinë rajonale”, tha zoti Escobar.

Të dy diplomatët thanë se Kosova dhe Serbia nuk e kanë luksin të presin ndërsa viti që vjen është periudhë e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian. Voa

Vuçiçi fton serbët në Kosovë të krijojnë Bashkësinë - Blic

Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të krijohet pa një dekret të Qeverisë së Kosovës, vlerësojnë Enver Hasani, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës dhe Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 18 qershor, ka deklaruar se serbët në Kosovë do të marrin “vendime aktive” në periudhën e ardhshme, pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.

Ai ka theksuar se në kremten ortodokse Shën Vidi (Vidovdan) që shënohet më 28 qershor, serbët “në mënyrë paqësore, do të ndërmarrin hapat e tyre në rrugën drejt lirisë”.

Çka është Shën Vidi?

Festa e Shën Vidit shënohet nga serbët në përkujtim të datës 28 qershor të vitit 1389 kur kishte ndodhur Beteja e Kosovës. Historia serbe e njeh rezultatin e kësaj beteje mesjetare si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike nga forcat e Perandorisë Osmane.

Më 17 qershor, e përditshmja serbe “Blic”, duke cituar burime, ka raportuar se serbët në Kosovë do të nisin në mënyrë të pavarur të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas saj, planifikohet që në të ardhmen të mbahet një kuvend i popullit serb në Kosovë, në të cilin do të shpallet Asociacioni dhe do të krijohen organet e tij.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës që të japë një koment lidhur me deklaratat e Vuçiçit, si dhe për pretendimet në mediat serbe se më 28 qershor mund të shpallet njëanshëm formimi i Asociacionit. Por deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka kthyer përgjigje.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron mbikëqyrjen e plotë në fushën e arsimit; ushtron mbikëqyrjen e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron mbikëqyrjen e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, bashkërendon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; nxit, shpërndan, dhe mbron çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Hasani: Asnjë marrëveshje nuk lejon formimin e njëanshëm të Asociacionit

Përderisa presidenti serb, Vuçiç, nuk i ka specifikuar hapat që do të ndërmarrin serbët në Ditën e Shën Vidit, mbetet e paqartë se cili veprim eventual i tyre mund të pasojë, thotë Enver Hasani, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.

Por, sipas tij, e sigurt është se pa një dekret nga ana e Qeverisë së Kosovës, Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të formohet, madje as në mënyrë të njëanshme.

“Statuti, i cili është akti themeltar i Asociacionit ose struktura normative më e lartë brenda tij, merr jetë ose frymë me një vendim të Qeverisë. Pastaj, shkon në Gjykatë Kushtetuese për t’u konfirmuar nëse është në pajtim me Kushtetutën. Kjo procedurë figuron në të gjitha marrëveshjet – edhe në atë të fundit në Ohër, në atë të Brukselit të vitit 2013 dhe atë 2015 – dhe nuk ka alternativë tjetër”, thotë Hasani.

Ai shton se strukturat që e përbëjnë Asociacionin, nuk mund të formohen pa marrë fuqi juridike statuti.

Fuqia juridike e statutit të Asociacionit, siç thotë Hasani, mund të sigurohet vetëm me një akt të Qeverisë dhe me “lejen” nga Gjykata Kushtetuese, “e cila do të nënkuptonte se statuti dhe akti, me të cilin ai hyn në fuqi, nuk janë kundër-kushtetuese”.

Në të kundërtën, siç thotë profesor Hasani, në rast se serbët e shpallin njëanshëm formimin e Asociacionit, kriza do të thellohej edhe më tej.

“Pastaj nuk bëhet më fjalë për strukturë normative vetë-organizuese, por bëhet fjalë për prodhim të një krize, e cila e ka një dimension tjetër prej kësaj që e shohim sot dhe me të cilën duhet të merret Brukseli (BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi) dhe palët”, thekson Hasani, duke shtuar se megjithatë, nuk beson që pala serbë do të hyjë, siç e quan ai, në “një aventurë të tillë”.

Janjiq: Shpallja e Asociacionit do të ishte farsë

Edhe Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, vlerëson se serbët nuk mund ta formojnë njëanshëm Asociacionin, pa një dekret të Qeverisë së Kosovës dhe se të gjitha marrëveshjet e arritura, qoftë në Bruksel, qoftë në Ohër, nuk e parashohin ndryshe.

Sipas tij, deklarata e presidentit Vuçiç se serbët “do të ndërmarrin hapat e tyre në rrugën drejt lirisë” në ditën kur shënohet festa e Shën Vidit, më 28 qershor, është vetëm shfrytëzim politik i mitologjisë për retorikë nacionaliste.

Janjiq thotë se shfrytëzimin politik të kësaj mitologjie e kishte bërë edhe ish-lideri serb i dy dekadave të fundit të shekullit të kaluar, Sllobodan Millosheviç, më 28 qershor të vitit 1989, në Gazimestan, për homogjenizimin e serbëve në ish-Jugosllavi.

Më pas, nisën luftërat e përgjakshme në ish-hapësirën e atij shteti, të cilat brenda një dekade rezultuan me shpërbërjen e tij. Janjiq thekson se deklarata e Vuçiqit është vazhdimësi e asaj politike, e cila, siç thotë ai, ka për interes territorin dhe jo njerëzit që jetojnë aty.

Ai thotë se nuk ka informacion, nëse serbët në veri të Kosovës do të shpallin njëanshëm formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, siç thotë ai, nëse e bëjnë këtë, “do të ishte gabim i madh”.

“Në qoftë se do të ndodhte vetë-shpallja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe – unë nuk kam informacionet që i ka gazeta Blic - për mua do të ishte një farsë. Kjo nuk është përgjigja e duhur në situatën që është krijuar në veri të Kosovës. Situatën në veri të Kosovës e shoh - së paku, unë e shoh ashtu - si ‘përgjigje vëllazërore’ të (kryeministrit të Kosovës, Albin) Kurtit, të cilit gjithashtu, në veri i intereson vetëm territori”, thotë Janjiq.

Ai shton se Vuçiçi e ka humbur hapin për kthimin e serbëve të veriut në institucionet e Kosovës, të cilat ata i braktisën në nëntorin e vitit të kaluar. Serbët i braktisën të gjitha institucionet në veri të vendit, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa jolegale të Serbisë, në targa RKS-Republika e Kosovës.

“Serbët do t’i riaktivizojnë komunat paralele”

Kthimi i serbëve të veriut në institucionet e Kosovës, siç thotë Janiq, tashmë nuk është i thjeshtë sepse Qeveria e Kosovës nuk lejon një gjë të tillë me automatizëm, pa u zbatuar procedurat ligjore, e të cilat marrin kohë.

Në këtë pikë, siç thotë Janjiq, Vuçiçi mund të ndërmarrë hapa të tjerë në veri të Kosovës.

“Unë mendoj se ata do të kenë një deklaratë, me të cilën do të shpallet diçka, por të cilën Blic e ka interpretuar si vetorganizim të Asociacionit. Mendoj se kjo nuk do të ndodhë. Një pjesë e komunitetit serb do të shpallë se nuk ka vdekur Këshilli Kombëtar Serb. Ndërkaq, pjesa tjetër (e serbëve) në veri, do të bëjnë një koordinim të ri të komunave (paralele, sipas sistemit serb), të cila tashmë i kanë, por vetëm do t’i aktivizojnë. Ato tashmë i kanë, që nga viti 2015”, thekson Janjiq.

Këshilli Kombëtar Serb ka nisur të funksionojë qysh nga periudha pas luftës në Kosovë dhe qëllimi i saj ka qenë mbrojtja e interesave të serbëve. Ky këshill përbëhej nga politikanë dhe aktivistë të ndryshëm nga komuniteti serb në Kosovë.

Që nga viti 2013, kur u formua Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, puna e këtij këshilli ishte pasivizuar.

Po atë vit, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ishte arritur edhe marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkaq parimet për të u dakorduan në vitin 2015.

Po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, por marrëveshja mund të harmonizohet përmes akteve ligjore.

Që atëherë, qeveritë e Kosovës, përfshirë edhe aktualen, në vazhdimësi janë përballur me kërkesën e palës serbe dhe me presionin e faktorëve ndërkombëtarë për formimin e Asociacionit.

Zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, përfshirë edhe formimin e Asociacionit, e parasheh edhe marrëveshja e fundit drejt normalizimit të marrëdhënieve mes palëve, e arritur më 27 shkurt në Bruksel, si dhe pajtimi për aneksin e zbatimit të saj, që u arrit më 18 mars në Ohër.

Bashkimi Evropian ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave, në mes të tensioneve të rritura mes dy shteteve.

Presidenti i Serbisë tashmë ka deklaruar se refuzon të takohet me Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit. REL

Serbia paraburgosi policët dhe s`i “plasi” fare për “ultimatumin” e Uashingtonit

Në këtë raport të përditësuar ka kontribuar REL-i, Voa etj

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA