...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kurti ‘mashtroi’ edhe një herë me “vetëmenaxhimin” e bashkësisë serbe

Kurti tha se formulimi ‘vetmenaxhim’ i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës.

Voa

22/03/2023 - 13:40

Për pretendimin e tij se termi “vetëmenaxhim” i përket Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe më konkretisht “Konvetës Kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare”, Kurti ose gënjen, nëse është në dijeni të Konventës përkatëse, që unë nuk besoj se është në dijeni, sepse është një fushë juridike që ai s`e ka idenë, ose e kanë gënjyer këshilltarët e tij: sepse nuk ka në Konventë asnjë fjalë të ngjashme as edhe ndonjë përcaktim. Kërkesat serbe tejkalojnë Konventën Evropiane për pakicat kombëtare disafish dhe për këtë fakt duhet të fliste Kurti dhe jo të gënjente edhe një herë për termin apo ngjizjen përkatëse!

Kurti u përpoq në kuvend (të enjten) për të sqaruar ngjizjen e “vetëmenaxhimit”, dy ditë pasi tha se koncepti përfshihet në Konventën Evropiane për Pakicat Kombëtare, duke e bërë tërkuzë edhe një herë ndërsa opozita nuk u përqendrua në pretendimin e tij të parë ―se ngjizja përfshihet në Konventë― por i dha kuptimin e ‘autonomisë’ por pa e sqaruar atë! Edhe argumenti tjetër, se “Kosova ka marrë garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në themelimin e tij do të përfshihen kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, ka karakter mashtrues: së pari, BE-ja dha të njëjtën “garanci” me marrëveshjen e 2013 (se lëshimet e Kosovës do të ndihmonin në normalizimin e marrëdhënieve) por dështoi; së dyti, marrëveshjet (nga 2013 deri në vitin 2023) e bëjnë të qartë: se komuniteti serb gëzon autonomi dhe jo pavarësi politike përsa kohë që ka të drejtë të ketë pushtetin e tij policor dhe ligjor dhe me marrëveshjen e re, ai rrit pavarësinë ekonomike nga Prishtina. Kështuqë atë e mban vetëm një “fije” e hollë të lidhur me Prishtinën, të cilën mund ta këpusë kur të dojë meqënse pushteti gjyqësor dhe policor nuk do të varet nga Prishtina dhe pushteti ekonomik do të ndahet mes Beogradit dhe Prishtinës por nëse e shohin të arsyeshme, serbët e Kosovës mund të mos e pranojnë buxhetin e Prishtinës dhe kështu të shkëputen tërësisht nga Prishtina dhe pavarësohen nga ajo!   

-Ylli Përmeti

Raportet:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën mbrëma se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka refuzuar një ofertë që ai e quajti “zemërgjerë” për vetmenaxhim të serbëve të Kosovës, në një asociacion që kryeministri Kurti tha se do ta hartonte dhe propozonte.

“Pas refuzimit për të nënshkruar marrëveshjen e 27 shkurtit dhe para se të refuzonte sërish të nënshkruante aneksin e zbatimit me 18 mars, presidenti serb refuzoi ofertën time zemërgjerë për vetmenaxhim të serbëve, në një asociacion që unë do ta hartoja dhe propozoja”, shkroi kryeministri Kurti në rrjetin social Twitter.

Më herët gjatë ditës zoti Kurti tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë sjelljen e Serbisë, e cila siç tha ai po refuzon të nënshkruaj pajtimin e arritur në Ohër për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi.

Ai i bëri këto komente pak ditë pas pajtimit që u arrit në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

“Edhe marrëveshjen bazë edhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara, për neve kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë nuk nënshkruaj, e ndërmjet takimeve thotë nuk zbatoj gjë. Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara, nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën meqenëse marrëveshja bazë është njohje de facto”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të martën se qëndrimi i tij sa i përket marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nuk ka ndryshuar aspak, ndërsa theksoi se nuk do të zbatojë pjesët e saj që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Nuk ka bisedime për anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të marrëdhënieve, pa tensione e pa konflikte, Serbia do ta zbatojë”, tha ai në Beograd pas takimit me ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani.

Bashkimi Evropian nuk i është përgjigjur kërkesës së Zërit të Amerikës për të sqaruar qëndrimin e bllokut lidhur me këtë çështje deri në përgatitjen e këtij materjali.

Sipas marrëveshjes së Ohrit, Kosova është zotuar t’i jap një shkallë më të gjerë të “vetë-menaxhimit” komunitetit serb në Kosovë dhe të zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit.

Kryeministri Kurti tha se formulimi ‘vetmenaxhim’ i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës.

“Me ndërmjetësit evropian do të jemi në kontakt të vazhdueshëm, me partnerët tanë amerikanë që i falenderojmë për kontributin e vazhdueshëm, gjithashtu jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe do të duhej që në atë formulimin për vetmenaxhimin e komunitetit serb, të adresojmë çështjet që na paskan ngelur pa u përmbushur”, tha ai.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën pasi njoftoi ministrat e Jashtëm të bllokut mbi marrëveshjen e Ohrit, se nënshkrim nuk ka pasur për arsye ligjore, por se palët janë pajtuar për të përmbushur plotësisht detyrimet që dalin nga marrëveshja.

Zoti Borrell e cilësoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si urgjente.

“Nuk niset ndërtimi i shtëpisë nga kulmi, niset nga disa gjëra që janë më urgjente dhe janë disa gjëra shumë, shumë urgjente. Aneksi thekson qartë se Kosova ka marrë obligim që menjëherë të nisë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne do të ndjekim nga afër se si palët i zbatojnë këto detyrime që janë pjesë integrale e integrimit të tyre evropian”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha të martën se tani çështja thelbësore është mosnënshkrimi i marrëveshjes nga Serbia dhe jo themelimi i Asociacionit.

“Topi është në anën e Serbisë, përse nuk po nënshkruan ajo? Pra në vend se të diskutohet përse nuk po nënshkruan Serbia, më thuhet kur do ta themelosh Asociacionin. Prandaj është e rëndësishme t’i qëndrojmë besnik interesave të Kosovës, shtetëore, të popullit tonë sepse ne kemi qenë konstruktiv e kreativ, të gjitha pyetjet duhet të jenë në Beograd tani”, tha ai.

Plani evropian për të cilin palët u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel ndërsa me 18 mars në Ohër për zbatimin e tij, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Mosnënshkrimi i dokumentit në takimin e Ohrit ka nxitur mëdyshje nëse marrëveshja mund të trajtohet si ligjërisht e detyrueshme.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thonë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, ajo është detyrim ligjor i tyre.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të hënën se diskutimi rreth nënshkrimit është “përqendrim ndaj diçkaje që nuk ka ndikim në faktin se ka një marrëveshje, që palët duhet të fillojnë vënien në jetë të saj”.   

Kurti: Vetëmenaxhimi nuk ka të bëjë me vetadministrim apo vetëqeverisje

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të enjten se asnjëherë nuk do të shqyrtojë modele të autonomisë territoriale për komunitetin serb Kosovë dhe se koncepti “vetëmenaxhim” që është përfshirë në marrëveshjen e arritur në Ohër nuk ka të bëjë me vetëqeverisjen.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati që u përshkua më tone të ashpra në parlamentin e Kosovës mbi marrëveshjen me Serbinë për zbatimin e një plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që u arrit në fundjavën e kaluar në Ohër.

“Unë kurrë, e përsërisë kurrë, që do të thotë asnjëherë, askund nuk do ta konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale megjithëse ato marrëveshjet e mëhershme të Brukselit janë mbështetur shumë në territorialitetin si element qenësor. Komunat nuk janë vetëm njësi administrative por edhe territoriale prandaj territorialiteti ka qenë thelbi i gabuar të cilën nuk guxojmë as ta lejojmë dhe as ta përsërisim”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti tha se Kosova ka marrë garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në themelimin e tij do të përfshihen kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Por partitë opozitare e akuzuan kryeministrin Albin Kurti se përmes marrëveshjes ka hequr dorë nga njohja e ndërsjellë me Serbinë dhe pranuar një autonomi shtesë për serbët e Kosovës.

“Pra nuk ka sjellë (marrëveshje) ligjërisht të obligueshme për përmbyllje të ballafaqimit me Serbinë, nuk ka sjellur ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër me të por ka sjellur ligjërisht të obligueshme të drejtat vetmenaxhuese për komunitet, autonomi pra Asociacion plus e status politik të Kishës serbe”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Neni 7 para së gjithash është problemi kryesor sepse kushdo le të mundohet të arsyetojë, si të dojë, por në dy paragrafe të atij neni nënteksti është i qartë autonomi politike për komunitetin serb dhe eksterritorialitet për Kishën Ortodokse serbe. Doli këtu tha jo autonomi territoriale po normal që jo sepse nuk mund të lidhet Shtërpca me Leposaviçin, nuk ka autonomi territoriale ama autonomi politike me kompetenca ekzekutive po”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Mëtutje u tha autonomi territoriale, autonomi politike, u tha eksterritorialitet fetar në këtë marrëveshje, as Serbia nuk po thotë kështu, pse po e çoni terminologjinë, nocionin, konceptet në kuptim edhe më të skajshëm se vet Serbia, pra as Serbia e as Bashkimi Evropian nuk thotë që vetëvendosja është brenda kësaj marrëveshje për komunitetit por vetëm vetmenaxhimi, as vetëqeverisja e as vetadministrimi. Nuk thonë autonomi politike, nuk thonë autonomi territoriale dhe nuk thonë eksterritorialitet fetar”, tha kryeministri Albin Kurti.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë.

Sekretari Blinken i bëri komentet në përgjigje të një pyetjeje të Senatores demokrate Jeanne Shaheen lidhur me përpjekjet e tij për t’i bindur pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën.

“Sigurisht është një çështje që vazhdojmë ta ngremë, por unë mendoj gjithashtu se kjo marrëveshje, nëse ecën përpara në fakt na vendos në një rrugë drejt njohjes nga këto vende”, tha Sekretari Blinken.

Mosnënshkrimi i dokumentit në takimin e Ohrit ka nxitur mëdyshje nëse marrëveshja mund të trajtohet si ligjërisht e detyrueshme.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thonë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, ajo është detyrim ligjor i tyre.

Autoritetet në Kosovë i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë sjelljen e Serbisë, e cila siç thonë po refuzon të nënshkruajë pajtimin e arritur në Ohër ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, thotë se nuk do të zbatojë pjesët e saj që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha sot para fillimit të takimit dy ditësh të udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian se çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje marrëveshjen, është e kotë.

“Marrëveshja është arritur dhe duhet të zbatohet. Nuk ka vend për zgjedhje, duhet të zbatohet në tërësi nga të gjitha palët dhe ne do të vëzhgojmë me kujdes se kush e zbaton dhe kush nuk e zbaton. Dhe i këshilloj që të mos e drejtojnë gishtin ndaj askujt por të kryejnë punën e vet”, tha zoti Borrell.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se marrëveshja e Ohrit, duhet të zbatohet duke përgëzuar të dyja palët për pajtimin rreth saj

Zoti Chollet gjatë ditës ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për ta uruar atë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Kosova tani më afër se kurrë me të ardhmen e saj në BE”, shkroi në rrjetin Twitter zoti Chollet, i cili ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për angazhimin në Ohër.

“Është e rëndësishme të merren hapa të menjëhershëm për të zbatuar dhe vendosur një rrugë të qëndrueshme drejt normalizimit dhe integrimit në BE”, shkroi ai.

Zoti Borrell ka paralajmëruar se zbatimi i marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet të përfshihet si kriter për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Perditesuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA