...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rubio nuk ia hoqi “non-gratën” Berishës ndërsa vitin tjetër pritet e Ramës

Rubio vërtetoi “non-gratën” e Sali Berishës, asnjë shpresë për kreun e PD për t’u rehabilituar nga SHBA, mbetet në fuqi rrezikshmëria e tij për demokracinë

Sot

20/02/2025 - 07:37

Në 31 janar, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për pastrimin e parave, ku mes shumë shteteve është dhe Shqipëria. Dokumenti riktheu edhe njëherë në qendër të vëmendjes figurën e ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha, pasi u faktua se ai do të mbetet i sanksionuar për korrupsion dhe se rrezikshmëria e tij për demokracinë nuk ka ndryshuar. Ky raport doli në kohën kur në krye është sekretar Marco Rubio duke hedhur poshtë edhe shpresat e fundit të Berishës se Donald Trump do të vinte si shpëtimtari i tij nga sanksionet. Rubio, me një stil krejt republikan, ka konfirmuar se vendimi për “non-gratën” është i qartë dhe i pandryshueshëm.

Asnjë shpresë për Berishën

Berisha kritikonte Blinkenin, e quante “i Sorosit”, duke shpresuar se ndonjë republikan do ta kuptonte dhe do të ndreqte situatën. Por, ja ku kemi një republikan në krye të DASH-it dhe ai as nuk u lodh të ndryshonte një presje nga raporti që është përgatitur nga administrata “Biden”. Kjo i jep fund fantazive të Berishës dhe militantëve të tij se do të vinte dita kur “non-grata” do të fshihej sikur të ishte një shënim në rërën e Lalzit.

Raporti thotë qartë se: “Në tetor SPAK njoftoi një hetim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i sanksionuar nga SHBA për korrupsion sipas parashikimeve të nenit 7031(c) të Aktit të Ndarjeve të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Përafërta 2021, pasi dhëndri i tij përfitoi afro 5 milionë dollarë. SPAK arrestoi dhëndrin e Berishës për korrupsion dhe pastrim parash dhe sekuestroi pasuritë e tij.”

DASH-i e ka qartë se Berisha nuk është thjesht një figurë e sanksionuar, por një emër shembullor për pastrimin e parave, aq sa mund të jepet si rast studimi në leksionet e FBI-së. Kjo nënkupton se edhe pas ndryshimit të administratave, non-grata e Berishës mbetet po aq e fortë sa karrigia e tij në krye të PD. Prandaj, presim të shijojmë telenovelën e radhës, ku Berisha do të vazhdojë të mallkojë Sorosin, DASH-in dhe më vonë pas zgjedhjeve edhe Trumpin.

Trampi e futi Berishën në “listë të zezë”

Berisha nuk është goditur politikisht, sepse ka qenë administrata e Trampit që e ka futur në “listën e zezë”. Sinjalin e parë Berishës ia dha kryeministri Edi Rama, i cili nga foltorja e Parlamentit në 31 janar të vitit 2019, zbuloi se kreu i PD nuk mund të udhëtonte drejt tokës amerikane, ndërkohë që gazeta ka mësuar se në dijeni të këtij fakti të fortë ka qenë edhe vetë Berisha.

Mësohet se amerikanët dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kishin vënë në dijeni Berishën, se Uashingtoni zyrtar ia kishte hequr vizën, kjo nisur edhe nga sulmet dhe akuzat që ish-kryeministri kishte lëshuar në drejtim të zyrtarëve dhe diplomatëve të lartë të SHBA-ve në vite. Madje, mësohet se një vit pasi e kishin paralajmëruar se nuk lejohej të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasada e SHBA në Tiranë i refuzoi vizën amerikane vajzës së Berishës, Argita Malltezi, e cila kishte zbatuar për shkaqe shëndetësore, ekzaminim dhe vizita që duhet t’i kryente në Amerikë, por që më pas i bëri në Gjermani, për shkak të bllokadës amerikane.

Pra ndryshe nga sa pretendon Sali Berisha, se ai është shpallur “non-grata”, si rezultat i lobingjeve korruptive të dyshes Soros-Rama pranë Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Antony Blinken, e vërteta tregon krejt të kundërtën. Në vitin 2019 kur amerikanët e paralajmëruan Berishën se e kishin futur në “Listën e Zezë” dhe një vit më pas, ambasada amerikane i refuzoi vizën vajzës së tij, në pushtet ishte Donald Trump dhe tek ky i fundit multimiliarderi Xhorxh Soros ka pasur zero ndikim.

Kjo do të thotë se Sali Berisha mashtron kur thotë se nuk kishte dijeni për shpalljen “non grata” nga DASH dhe se atij “gropën” ia bënë sorosistët dhe Partia Demokratike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi amerikanët e kishin njoftuar atë që më 2019 që nuk do të kishte më bashkëpunim mes tyre dhe këtë gjë ia thanë ata që i përkisnin administratës së Trampit. Pra, dosjen e “non gratës” Berishës ia kishte bërë administrata “Trump” dhe ndërkohë administrata Biden thjesht sa bëri publike vendimin.

Raporti nxin edhe Ramën

Përveçse Rubio konfirmoi “non gratën” e Berishës, raporti i publikuar nga DASH “nxin” edhe kryeministrin Edi Rama. Amerikanët thonë se Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar dhe zbrazëtive në kuadrin ligjor. “Trafikimi i narkotikëve dhe aktivitetet e krimit të organizuar janë burime kryesore të fondeve që pastrohen”, thuhet më tej në raport.

“Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar dhe zbrazëtive në kuadrin e tij ligjor dhe rregullator për LPP/LFT dhe pengesat për komunikimet ndërinstitucionale. Ekonomia e Shqipërisë është shumë e varur nga paraja në dorë. Dërgesat dhe investimet nga jashtë, shpesh në para, mund të mjegullojnë burimet e financimit.

Trafikimi i narkotikëve dhe aktivitetet e krimit të organizuar janë burime kryesore të fondeve që pastrohen. Organizatat kriminale shqiptare janë drejtpërdrejt të lidhur me homologët në Evropë dhe Amerikën e Jugut”, thuhet ndër të tjera në raportin e DASH.

Dobësitë dhe Metodologjitë e Pastrimit të Parave

Shumica e pastrimit të parave në Shqipëri janë të lidhura me trafikun e drogës dhe qenieve njerëzore. Ekonomia e Shqipërisë kryesisht e bazuar në para në dorë dhe zbatimi i dobët doganor lehtësojnë një treg të zi për kontrabandat e mallrave. Kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, asetet virtuale dhe projekte të tjera të zhvillimit të biznesit. “Ligji i propozuar i Parlamentit në lidhje me lojërat në internet ngriti shqetësime se mbikëqyrja e dobët mund të lejojë krimin e organizuar të depërtojë në këtë aktivitet.

Autoritetet shqiptare janë efektive në sekuestrimin fillestar të aseteve, por përballen me sfida që plotësojnë kërkesat e provave për të finalizuar veprimin. Ligji shqiptar kërkon që zyrtarët publikë të deklarojnë pasuritë çdo vit dhe të deklarojnë trajtimin financiar preferencial dhe pronësinë përfituese të aseteve. Dispozitat i ndalojnë zyrtarët që të mbajnë para të konsiderueshme jashtë sistemit bankar. Ligji kërkon që kompanitë të regjistrojnë pronarët përfitues dhe llogaritë bankare. Ai kërkon që subjektet financiare të regjistrojnë në mënyrë elektronike llogaritë e klientëve dhe kasafortat dhe t’i raportojnë ato në kohë reale tek autoritetet tatimore.

Shumica e pastrimit të parave në Shqipëri lidhet me trafikun e drogës dhe qenieve njerëzore, mashtrimin e kontratave qeveritare, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Ekonomia shqiptare e bazuar kryesisht në para, kontrollet e dobëta kufitare dhe zbatimi i dobët doganor lehtësojnë një treg të zi për mallrat kontrabandë. Kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, aseteve virtuale dhe projekteve të tjera të zhvillimit të biznesit.

Mangësi ligjore, politike dhe rregullatore

“Reformat e vazhdueshme përfshijnë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjegueshme. Nga 702 gjyqtarë dhe prokurorë të shqyrtuar që nga viti 2016, 41 për qind janë miratuar për të vazhduar detyrën, me 59 për qind të larguar nga detyra përmes shkarkimit, dorëheqjes ose daljes në pension. Pavarësisht disa përparimeve në identifikimin e rreziqeve dhe forcimin e mbikëqyrjes, Shqipëria vazhdon të përballet me sfida në lidhje me sanksionet e përhapjes, monedhën virtuale, trustet dhe rregullimin e jobankave.

Gjykatat shpesh refuzojnë të dënojnë për pastrim parash në mungesë të një dënimi për një vepër penale kryesore. Shqipëria duhet të shtojë hetimet dhe paditë për pastrim parash për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e drogës; përmirësimi i bashkëpunimit ndërinstitucional; dhe të integrojë plotësisht SPAK-un në përpjekjet kundër pastrimit të parave.

Pavarësisht hetimeve të shumta për pastrim parash, ndjekjet penale mbeten të ulëta. Shqipëria duhet të zbatojë ligjet ekzistuese, të ndjekë udhëzimet rregullatore, të kryejë mbikëqyrje efektive, të përmirësojë bashkëpunimin në zbatimin e ligjit dhe të zgjerojë kapacitetin e policisë dhe prokurorëve për t’u fokusuar në korrupsionin, pastrimin e parave dhe krimet ekonomike”, thuhet në raport.  

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA