...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Serbia paraburgosi policët dhe s`i “plasi” fare për “ultimatumin” e Uashingtonit

Shtetet e Bashkuara kërkuan të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të ndaluar nga forcat serbe

SHJ

08/06/2023 - 20:09

KFOR: Nuk dihet se ku kanë qenë policët në kohën e arrestimit

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se nuk është e qartë se ku kanë qenë tre policët e Kosovës, në kohën e arrestimit nga forcat serbe.

"Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit", thuhet në komunikatën e KFOR-it, dërguar mediave.

Eskobari paralajmëron edhe një herë Kurtin me pasoja 

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të premten se, Kosova do të përballet me pasoja nëse vazhdon të injorojë këshillën e Shteteve të Bashkuara – që kryetarët e rinj shqiptarë të mos punojnë nga ndërtesat komunale në veri. Ai ka thënë në një konferencë online për media se, gjithçka që ka bërë SHBA-ja në 90 ditët e fundit, ka qenë në favor të Kosovës.

Lexo analizën e zhvillimeve të fundit: “Loja e pistë” e ndërkombëtarëve dhe Ramës me Kurtin dhe variantet e daljes nga kriza

“Serbia nuk ka dashur që të shkojë përpara aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ne e kemi mbështetur. Serbia ka dashur që Kosova t’i anulojë zgjedhjet, por ne i kemi mbështetur, Serbia ka dashur që zgjedhjet të shpallen të paligjshme për shkak të daljes së ulët, ne i kemi mbështetur ato, Serbia nuk ka dashur që të njihet legjitimiteti i kryetarëve të rinj, ne i kemi njohur ata. Dhe e sfidoj gjithsecilin që të gjejë diçka që ne kemi bërë, e që nuk ka shkuar në të mirë të Kosovës”.

Escobar ka thënë se ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi nuk e kanë përmendur kurrë fjalën sanksion, por pasoja.

"Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një shtet dhe një lider nuk mund të kenë në dorë drejtimin e gjithë rajonit dhe stabilitetin evropian. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin, do të kenë pasoja”.

Sipas tij, përshkallëzimi është duke krijuar kushte të vështira për rajonin, dhe jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, prandaj të dyja palët kanë rol në uljen e tensioneve.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri:

Shtensionimin e situatës atje

Mbajtjen e zgjedhjeve të reja

Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Përgjatë konferencës, Escobar ka thënë se, “ndonëse është e vërtetë që Serbia nuk ka përparuar në nivelin që e kemi dashur, sa i përket krijimit të raporteve paqësore me Kosovën, mund të them se shumë prej çka është duke ndodhur prej nëntorit, ka qenë për shkak të veprimeve të njëanshme të Kosovës, për të gjetur zgjidhje, për të cilat nuk është koordinuar me komunitetin ndërkombëtar”.

Por, ai ka shtuar se ka elementë në të dyja palët, që e ushqejnë krizën.

“Është shumë e qartë se ka elementë - dhe ne e kemi ditur gjithmonë këtë - në spektrin politik të Serbisë, që e çojnë përpara retorikën nacionaliste kur është fjala për Kosovën. Diçka e tillë është jashtëzakonisht e dëmshme, jo vetëm për serbët, por për gjithë rajonin”.

I pyetur nëse do të marrë pjesë në takimin që do të mund të mbahet në Bruksel javën e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë, nën organizim të kryediplomatit evropian, Josep Borell, Escobar ka thënë se ende është duke u punuar në takim.

“Varësisht prej përgatitjeve që do të kemi, do të vendosim nëse do të shkoj në Bruksel. Por, pa asnjë dyshim, këto përpjekje do ta kenë mbështetjen amerikane”.

Escobar ka thënë se beson që Qeveria e Kosovës duhet të heqë ndalesën ndaj mallrave serbe në kufi.

"BE beson se diçka e tillë, jo vetëm që është joevropiane, po as nuk ekziston bazë ligjore. Ne e mbështesin këtë qëndrim dhe besojmë se është përshkallëzim i panevojshëm i një situate veçse të tensionuar”

ër Asociacionin: Nuk po i kërkojmë Kosovës që të bëjë diçka që nuk duhet të bëjë

Escobar ka thënë se, çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe përbën detyrim ligjor për Kosovën.

“Duke e refuzuar këtë obligim, Kosova po refuzon rrugën evropiane, se ky obligim lidhet me Kosovën dhe Serbinë, por edhe me Kosovën dhe BE-në. Ne nuk po i kërkojmë Kosovës që të bëjë diçka që nuk duhet të bëjë. Ne po themi që do t’i ndihmojnë që [Asociacioni] të hartohet sipas kornizës së politikave evropiane".

Prandaj, Escobar, ka thënë se nuk e kupton refuzimin e Qeverisë së Kosovës në këtë temë.

“E kemi dëgjuar disa herë kryeministrin që ka thënë se vetëm po e zbaton ligjin, por sundimi i ligjit nënkupton dhe pranimin e obligimeve ndërkombëtare... nëse flasim për sundim të ligjit, Asociacioni është pjesë e tij”.

Britania me thirrje për lirim por pa parakushte

Mbretëria e Bashkuar ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të Kosovës.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”, thuhet në një njoftim të Qeverisë britanike.

Përmes kësaj deklarate u përsërit thirrja e këtij shteti ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Qeverisë së tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga ndërtesat komunale.

“Zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje”, thotë deklarata.

Qeveria britanike, gjithashtu, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë “të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Serbia paraburgosi tre policët dhe s`i “plasi” fare për “ultimatumin” e Uashingtonit 

Një gjykatë në Serbi urdhëroi të premten mbajtjen në paraburgim dhe hetimin e tre policëve të Kosovës që u arrestuan më 14 qershor në një incident që rriti tensionet midis dy vendeve.

"Sipas propozimit të prokurorit publik, gjyqtari i procedurës të Gjykatës së Lartë në Kralevë, urdhëroi ndalimin e të gjithë të dyshuarve", thuhet në një deklaratë të zyrës së Prokurorisë Publike në Kralevë, një qytet në jugperëndim të Serbisë.

Prokuroria akuzon tre policët për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre.

Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha sot gjatë një konference me gazetarë pas takimit me ministrin e jashtëm të Bosnje e Hercegovinës se situata është jashtëzakonisht e tensionuar në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës, që të bëjnë gjithçka që është e mundur pa vonesë për të zbutur këtë situatë të zymtë. Si Bashkim Evropian, ne e kemi bërë shumë të qartë këtë në deklaratën e 3 qershorit. Një nga hapat e parë të rëndësishëm përfshin lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të ndaluar së fundmi nga Serbia”, tha ajo.

Shefi i politikës se Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, paralajmëroi të enjten se do t’i thërras Kosovën dhe Serbinë në një takim javën e ardhshme në Bruksel, për menaxhimin e krizës, në dritën e tensioneve të larta të cilat u shtuan pas arrestimit të policëve të Kosovës.

Tensionet janë të larta që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Grupe qytetarësh serbë protestuan edhe sot para ndërtesës së komunës së Leposaviçit kundër vizitës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili vizitoi kryetarin e dalë nga zgjedhjet e 23 prillit e që nuk pranohet nga serbët.

“Ne me të vërtetë duam dhe kërkojmë që të gjithë këta njerëz që me përdorimin e forcës u sollën në këtë godinë, të largohen nga ndërtesa që ne t'i kthehemi jetës normale dhe që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen me dialog, duke respektuar këta njerëz”, tha ish kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiç.

Asociacioni i gazetarëve të Kosovës njoftoi se në këtë komune janë sulmuar ekipet e mediave, dhe janë lënduar disa gazetarë dhe kameramanë. Duke i dënuar ashpër sulmet, Asociacioni u bën thirrje policisë së Kosovës, dhe pranisë ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve.

SHBA kërkon lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës

Shtetet e Bashkuara kërkuan të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të ndaluar nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.

"Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të çtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi", tha ai.

Zoti Miller tha gjithashtu se "të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja" .

"Si pjesë e kësaj Kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat e policisë", tha zoti Miller.

Zëdhënësi Miller tha se SHBA dënon "dhunën e papranueshme ndaj forcave të KFOR-it, anëtarëve të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve dhe përsa i takon rrugës më tej ne vazhdojmë të angazhohemi si drejtpërdrejt me të dyja palët, dhe me partnerët në rajon."

Ai tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, këshilltari Derek Chollet dhe zyrtarë të tjerë të DASH-it janë të angazhuar me partnerët në rajon për këtë çështje. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit nuk pranoi të thoshte nëse SHBA po përgatit masa apo sanksione si kundërpërgjigje.

“Nuk dua të flas për masa të mundshme në këtë moment. Fokusi ynë është që t’u bëjmë të qarta palëve pritshmëritë tona, që të dyja palët të marrin masa për të lehtësuar tensionet dhe të ndjekin planin me tre pika të paraqitur nga BE-ja”.

Ndërkohë më herët shefi i politikës se Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se do t’i thërras Kosovën dhe Serbinë në një takim javën e ardhshme në Bruksel, për menaxhimin e krizës.

Zoti Borrell nuk e tha nëse në takimi do të jetë në nivelin më të lartë politik. Megjithatë, burimet ne Bruksel thanë se në takim do të ftohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Shefi i diplomacisë evropiane e bëri paralajmërimin në fillim të një takimi me ministrat e NATO-s, duke theksuar se bashkëpunimi mes bllokut dhe aleancës ushtarake shkon përtej Ukrainës.

“Për shembull, në Kosovë ditëve të fundit u pa se sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim dhe dëshiroj të falënderoj KFOR-in dhe komandantin e KFOR-it për punën që po bën në veri të Kosovës”, tha zoti Borrell.

Ai tha se Bashkimi Evropian po përpiqet të kuptojë se çfarë ka ndodhur saktë lidhur me arrestimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe një ditë më parë ndërsa ritheksoi thirrjet për qetësi në terren.

Një natë më parë ai tha në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se një raund i ri i bisedimeve nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.

Boreli nuk mbështet planin e Kurtit

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell tha të mërkurën se plani i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shtensionimin e situatës në veri të vendit, nuk trajton elementet thelbësore që kanë nxitur krizën aktuale në atë zonë.

Në një përgjigje dërguar kryeministrit Kurti, zoti Borrell tha se kërkesat e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara mbesin të vlefshme, duke theksuar se dështimi në shtensionimin e situatës do të rezultojë në pasoja negative.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkojnë nga Kosova tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu si dhe largimin e përkohshëm të kryetarëve të rinj shqiptarë nga zyrat komunale për në zyra alternative.

“Paralelisht me këtë ne po i kërkojmë Serbisë të mbështesë tërheqjen e elementeve radikale nga kjo zonë. Pas shtensionimit, mbesim të gatshëm për të diskutuar më hollësisht aranzhimet e sigurisë me KFOR-in dhe EULEX-in në katër komuna, që ju e sugjeroni në pikën tre”, tha zoti Borrell duke shtuar se kjo nënkupton që kryeministri Kurti duhet të marrë plotësisht në konsideratë opinionet e EULEX-it dhe KFOR-it duke përfshirë bashkërendimin paraprak me ta. “Theksojmë me keqardhje se ky nuk ishte rasti për operacionin e djeshëm në veri të Mitrovicës”, tha ai, duke iu referuar arrestimit të një pjesëtari të komunitetit serb nën dyshimet për përfshirje në sulmet ndaj forcave të NATO-s më 29 maj.

“Prandaj, çdo masë e ardhshme për sundimin e ligjit në veri të Kosovës do të duhej të diskutohej dhe të vlerësohej individualisht së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in. Ngjarjet e së kaluarës kanë treguar se jo çdo masë e ndërmarrë nga Kosova nën ombrellën e sundimit të ligjit mund të mbështetet nga partnerët tuaj ndërkombëtarë në kontekstin e mjedisit shumë të brishtë”, tha zoti Borrell.

Ai ritheksoi kërkesën për organizimin e zgjedhjeve sa më parë në komunat veriore, element që përfshihet në planin e kryeministrit Kurti por vetëm pas “vendosjes së sundimit të ligjit në veri të Kosovës”, që nënkupton vënien para drejtësisë së personave që kanë ushtruar dhunë gjatë protestave të qytetarëve serbë në veri.

“Nuk mund te ketë pandëshkueshmëri për dhunën e ushtuar me 29 maj dhe EULEX-i do të monitorojë të gjitha hetimet në linjë me mandatin e vet”, shkruan zoti Borrell.

Sa i përket kërkesës së kryeministrit Kurti për organizimin e një takimi të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, zoti Borrell tha se ka gatishmëri për një takim të tillë me kusht që kryeministri Kurti është i gatshëm të ndërmarrë hapa për shtensionim të situatës dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja.

“Nuk mund të shënojmë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, ndërkohë që merremi me menaxhimin e krizave. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam ta shohim atë duke ecur përpara. Kjo është arsyeja pse shtensionimi është i nevojshëm menjëherë”, thuhet në letrën e zotti Borrell, dërguar kryeministrit të Kosovës.

 

BE-ja kishte përgatitur sanksione

Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Tashmë është suspenduar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa i cili është dashur të mbahej me 8 qershor, por që nuk është zhvilluar. Takimi i radhës, i cili pritet të suspendohet, është ai i datave 21 dhe 22 qershor, i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri.

Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.

BE, si sanksion ndaj Kosovës, ka paraparë që të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar.

Burimet diplomatike thonë se angazhimi me autoritetet e Kosovës në të gjitha këto fusha do të kthehej në nivel normal sapo që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa që BE-ja i pret në kuadër të dialogut, e të cilat janë shprehur në disa prononcime publike. Para se gjithash, janë kërkesat për tërheqjen e njësive speciale të policisë nga ndërtesat e komunave në veri dhe shpallja e zgjedhjeve të reja lokale.

Rama anulon mbledhjen e qeverive në Gjakovë dhe miraton sanksionet e BE-së ndaj Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se i ka kërkuar homologut të tij kosovar, Albin Kurti, që të ndryshohet formati i mbledhjes së dy qeverive, që është paraparë të mbahet në Gjakovë më 14 qershor, por ai nuk ka pranuar.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar", tha Rama gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media.

"Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë”, shtoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë tha se ndjen keqardhje që nuk gjeti dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Rama tha se homologu i tij kosovar kishte kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutonin për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Rama tha se kjo nuk mund të ndodhte sepse, sipas tij, nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot.

Rama tha se ka bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë ndërkombëtarëve dhe se ka marrë edhe pak kohë, por paralajmëroi se nëse kjo kohe nuk shfrytëzohet, atëherë “kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”.

“Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit [të Kosovës, Albin Kurti], unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur, e përsëris, jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit”, theksoi Rama.

Për më shumë, këtu.

BE-ja e pakënaqur me planin e Kurtit për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës

Bashkimi Evropian u shpreh i pakënaqur me planin e publikuar të martën nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja në veri, pakësimin e forcave të sigurisë, dhe rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve me Serbinë në Bruksel.

Por një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha se shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell ka marrë një letër nga kryeministri Kurti, por nënvizoi se “deri më tani nuk kemi parë ndonjë hap të vendosur dhe të menjëhershëm nga kryeministri Kurti, të nevojshëm për shtensionimin e situatës”.

Zëdhënësi Peter Stano në një përgjigje me shkrim dërguar Zërit të Amerikës tha se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm sa dëshmojnë se përshkallëzimi ende vazhdon, dhe kjo është në kundërshtim me interesin e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.

“Ne i kemi diskutuar me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian një përmbledhje të masave që duhen marrë, nëse kryeministri Kurti nuk hedh hapat e duhur dhe të menjëhershëm për të ulur tensionet”, tha ai.

Tensione në veri të Mitrovicës – arrestohet një i dyshuar për sulmet ndaj KFOR-it

Policia e Kosovës tha të martën se arrestoi një pjesëtar të komunitetit serb nën dyshimet për organizimin e sulmeve ndaj forcave paqeruajtëse muajin e kaluar, gjatë protestave të grupeve të qytetarëve serbë kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë në zyrat komunale ne veri.

Tre pjesëtarë policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë operacionit, shkroi ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, sipas të cilit i arrestuari Milun Milenkoviç- Llune, është “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal 'Mbrojtja Civile' dhe prijës i bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës".

Kurti i paraqet QUINT-it planin për ulje të tensioneve ndërsa përplaset me Ramën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se në mëngjes është takuar me ambasadorët e QUINT-it për të prezantuar propozimin e tij për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Ai ka thënë se këtë propozim e ka ndarë paraprakisht me kryediplomatin evropian, Josep Borell.

“Me Borrelin dje, dhe vendet partnere të QUINT-it sot, e kam shprehur përkushtimin dhe angazhimin e plotë të Qeverisë, për uljen e tensioneve në veri dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Vendet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia. Ai ka thënë se situata në veri nuk është normale për një kohë të gjatë.

“Eskalimi më 29 maj e bën urgjente sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të NATO-s dhe juve gazetarëve”, ka thënë Kurti.

Ai u është referuar përleshjeve të 29 majit në Zveçan mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Plani i tij parasheh pesë pika që, sipas tij, ndihmojnë në ulje të tensioneve:

- Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët.

- Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës.

- Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.

- Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri.

- Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave.

- Serbët lokalë janë duke protestuar vazhdimisht prej asaj dite, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Komuniteti ndërkombëtar ka tri kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri:

- Shtensionimin e situatës atje

- Mbajtjen e zgjedhjeve të reja

- Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kurti ka thënë se është i interesuar për mbajtje të zgjedhje të reja, por, sipas tij, nuk nevojitet nxitim “për të një dështim të ri”.

Ai ka thënë se nuk dëshiron ta caktojë datën e zgjedhjeve, por dëshiron që të analizohen të gjithë skenarët.

“Jam i interesuar që të ketë zgjedhje të reja në veri. E kuptoj që dalja ka qenë e ulët. Legjitimiteti është larg prej të qenët tamam në ato komuna. Mirëpo, ata të tjerët nuk kanë fare legjitimitet. Duhet një proces i ri zgjedhor”.

Rreth propozimit të Ramës për Asociacionin

Në konferencë për media, Kurti është pyetur edhe rreth propozimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti ka thënë se Rama, në vend që të propozojë Asociacion për serbët në Kosovë, le t’ia propozojë një të tillë Beogradit, për shqiptarët në Serbi.

“Nuk kam dyshim që kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, beson që propozimi i tij i draft-statutit është i mirë, dhe duke qenë kështu, krejt çfarë unë propozoj është që kryeministri Rama, këtë draft-statut për pakicat kombëtare t’ia prezantojë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më së largu, në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur, për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc…aq më tepër që neni 8 pika 1 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thotë që Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijëve të saj”, është shprehur Kurti.

Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon mbështetje të vendosur nga SHBA për Kosovën

Përfaqësuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Uashingtonit që të mbështesë pa rezerva Kosovën, duke thënë se ajo po zbaton rregullat e shtetit ligjor kundër ndërhyrjes së Serbisë në çështjet e brendshme të saj. Letra dërguar Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, vjen në një kohë kur qeveria amerikane dhe ajo e Kosovës kanë shprehur publikisht mosmarrëveshjet mes tyre lidhur me tensionet e fundit në veri, diçka e pazakontë gjatë marrëdhënieve mes dy vendeve.

Njëri nga hartuesit e letrës, veprimtari Drilon Gashi i tha në një intervistë Zërit të Amerikës se shtysa për letrën ishte shqetësimi se së fundmi trysnia amerikane ka qenë e njëanshme kundër Kosovës.

“Letra bën thirrje që të ketë një ndryshim në qasjen aktuale të politikës së Shteteve të Bashkuara për Ballkanin dhe të ketë më shumë mbështetje për shtete si Kosova dhe shtete të tjera që janë më demokratike, më përkrahëse të politikave të jashtme dhe të mos bëhet që tentimi për ta përafruar Serbinë të ketë pasoja për miqtë e tjerë të SHBA-së në rajon e në veçanti për Kosovën”, thotë zoti Gashi.

Zoti Gashi thotë se në letrën e hartuar prej tij dhe Besnik Pulës dhe nënshkruar nga 70 persona kërkohet “një mbështetje më të madhe për Kosovën në shtrirjen e sovranitetit dhe në jetësimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale atje, pavarësisht personave të zgjedhur, pavarësisht legjitimitetit të cunguar.”

“Ne kemi parë që më herët kishte mbështetje për rezultatin e zgjedhjeve por pastaj nuk kishte mbështetje për këtë zbatim”, tha ai.

Zoti Gashi e pranon se qeveria e Kosovës duhet të ishte bashkërenduar më mirë me SHBA-në dhe se “insistimi në të drejtën është me rëndësi por jetësimi bëhet me atë lloj bashkërendimi”.

“Nëse ndjekim hap pas hapi zhvillimet ishin grupet që kanë lidhje me Presidentin Vuçiç, me regjimin e tij që bënë hapin e dhunës. Po qe se kalojnë këto raste pa u kritikuar me tonin që duhen kritikuar, Serbia vetëm se do të trimërohet kundrejt Kosovës, kundrejt vendeve të tjera (në rajon)”, thotë ai.

Zoti Gashi shton se letra kishte në qendër reagimin amerikan dhe perceptimin e njëanshmërisë prej saj dhe është një përpjekje e shqiptaro-amerikanëve për të ndikuar tek ekzekutivi dhe Kongresi në SHBA.

“Pas Marrëveshjes së Ohrit dhe planit të zbatimit, një marrëveshje që për mendimin tim ishte pozitive, çonte më tutje marrëdhëniet e dy vendeve, lejonte që Kosova me të vërtetë të gëzojë një njohje de facto nga Serbia, pra prejmarrëveshjes e këtej shohim që ka shumë kundërshtime që bën Serbia ndaj asaj marrëveshjeje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në pika të tjera”, thotë zoti Gashi.

Ai shton se këmbëngulja e SHBA-së dhe BE-së për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është e drejtë.

“Mirëpo ne duam të ketë insistim si tek Kosova, si tek Serbia për zbatimin e asaj marrëveshjeje dhe në rastin e fundit, si tek Kosova dhe tek Serbia për gjendjen e sigurisë”.

Zoti Gashi thotë se Serbia ka një krizë të demokracisë “dhe nga SHBA presim që të flasin për demokracinë dhe ajo besoj do ta ribalanconte qasjen edhe kundrejt Kosovës dhe Serbisë”.

Eskobari sinjalizon tërheqje nga kërkesa e tij ndaj Kurtit

Kurti nuk ndryshoi qendrim lidhur me lëvizjet politike në veri as kur Eskobari ishte në Beograd: ai tha nga Këshilli i Përgjithshëm i VV se “rruga për qetësimin e situatës...duhet të nisë me largimin e bandave kriminale”. Pasdite të po njëjtës ditë u njoftua dhe qendrimi i Eskobarit: ai tha në një intervistë për “Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore” në Beograd, se “Kurti është partner, megjithëse në disa raste partner i vështirë” ndërsa nuk përmendi kërkesën e tërheqjes së policisë: 

“Për Serbinë kjo do të thotë të fillojë procesin e ndaljes së bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës. Për Kosovën do të thotë fillimi i menjëhershëm i procesit të zbatimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Ne duhet të punojmë për të dyja këto menjëherë”, tha ai.

Kurti po e ndihmon vazhdimisht Vuçiçin - Nju Jork Tajms

Situata Kosovë-Serbi ka acaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, të cilët prej kohësh janë përpjekur të ulin tensionet dhe të ndërmjetësojnë një zgjidhje për Kosovën, thuhet në një shkrim të New York Times.

Ata dënuan me terma jashtëzakonisht të ashpra dislokimin e forcave të sigurisë në veri të Kosovës nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Tensionet në Kosovë vetëm e ndihmojnë Vuçiçin duke ndezur pasionet për territorin që shumica e serbëve e shohin si pjesë të vendit të tyre”, tha Milomir Mandic, menaxheri i përgjithshëm i Demostat.

“Kurti po e ndihmon vazhdimisht Vuçiçin”, përsëriti të njëjtën tezë Pavle Grbovic, një deputet i opozitës në parlamentin serb nga Lëvizja Qytetarët e Lirë, e cila ka ndihmuar në organizimin e protestave në rrugë, në Beograd.

“Askush në skenën politike serbe nuk ka bërë më shumë për pozitën e Serbisë në Kosovë dhe për zotin Vuçiç se z. Kurti”, shtoi ai.

Ndërkohë që diplomatët e lartë amerikanë dhe evropianë janë zemëruar për atë që ata e shohin si provokim nga Kosova, ndërkohë që Serbia është kënaqur që po trajtohet si një partner i rëndësishëm.

Gjenerali Daniel R. Hokanson, një anëtar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, vizitoi Beogradin këtë javë dhe përshëndeti atë, që ai e përshkroi si një “partneritet vërtet fantastik” me Serbinë.

Lavdërimi i tij është pjesë e përpjekjeve amerikane për ta larguar Serbinë nga Rusia dhe për ta drejtuar nga Bashkimi Evropian.

Ka pak shenja se blloku evropian është i interesuar të ringjallë kërkesën e ngrirë prej kohësh të Serbisë për t’u bashkuar, ndërsa kjo e fundit  ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, shkruan ndër të tjera New York Times.

Katër draft-statute dhe draft-vizione për serbët e Kosovës; cili është më i drejti?

Për jetësimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilën Prishtina dhe Beogradi e arritën dhjetë vjet më parë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione.

Bashkësia ndërkombëtare insiston që Kosova të themelojë Asociacionin – që do të mblidhte rreth vetes komunat në Kosovë të banuara me shumicë serbe – dhe themelimi i tij, nga faktori ndërkombëtar është parë si “kusht mbi kushtet” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Qeveria e Kosovës deri më tani ka refuzuar që ta themelojë Asociacionin, me arsyetimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do ta kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur një draft-vizion për “vetëmenaxhimin e komunitetit serb”.

Themelimi i Asociacionit është kërkesë e vazhdueshme e Serbisë, por edhe e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Më poshtë mund të mësoni më shumë lidhur me draft-statutet ekzistuese për themelimin e Asociacionit:

Draft-statuti i Ekipit Menaxhues

Më 2 maj, në rundin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Ekipi Menaxhues – i përbërë nga katër përfaqësues serbë – paraqiti draft-statutin për themelimin e Asociacionit, që menjëherë u refuzua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se dokumenti nuk është në përputhje me kushtetutshmërinë e Kosovës. Ky dokument, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, ka 67 nene dhe nëntë kapituj.

Asociacioni, sipas këtij draft-statuti, do të jetë një “formë e veçantë organizimi, e themeluar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave” të të gjithë banorëve dhe komuniteteve që jetojnë në komunat që janë pjesë e Asociacionit.

Ekipi menaxhues ka paraparë që qendra administrative e Asociacionit të jetë në Mitrovicë të Veriut dhe çdo komunë jothemeluese e tij mund të anëtarësohet në Asociacion, nëse Kuvendi i këtij organi e miraton një gjë të tillë.

Sa i përket strukturës organizative, Asociacioni parashihet të ketë Kuvend – që zgjidhet nga komunat anëtare – që është organi suprem i Asociacionit. Në të, çdo komunë do të kishte nga pesë përfaqësues. Po sipas këtij drafti, Asociacioni parashihet të ketë bord prej shtatë anëtarësh, dhe ky bord është organ ekzekutiv, i zgjedhur nga Kuvendi, institucion të cilit i raporton.

Kuvendi, po ashtu, zgjedh kryetarin e Asociacionit, ndërkaq është paraparë të ketë edhe Këshill të Asociacionit, si organ këshillues. Gjithashtu, është paraparë që Asociacioni ta ketë administratën e vet, e cila i raporton Bordit.

Draft-statusi i hartuar nga Ekipi Menaxhues, parasheh që Asociacioni t’i ketë simbolet, himnin, flamurin dhe stemën e vet.

Sa i përket kompetencave, në këtë dokument thuhet se Asociacioni mund të miratojë vendime e rregullore të Kuvendit, të mbikëqyrë zbatimin e ligjeve, të rregullojë zgjedhjet, të riorganizojë dhe bëjë funksionimin e organeve, të agjencive, ndërmarrjeve publike, si dhe të bëjë mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave statistikore. Asociacioni, po ashtu, mund të propozojë mbajtjen e referendumeve dhe t'i shpallë ato me kërkesën e 10 për qind të votuesve që banojnë në komunat që janë pjesë e këtij organi.

Gjithashtu, ai mund të vendosë për të marrë hua, të miratojë buxhetin vjetor, të themelojë agjenci, organizata, ndërmarrje dhe institucione publike financiare dhe fonde dhe të mbikëqyrë punën e tyre. Në kuadër të kompetencave është paraparë që Asociacioni të mund të regjistrojë votuesit, të mbajë të dhëna për regjistrat e lindjeve, martesave dhe vdekjeve.

Sipas dokumentit të siguruar nga REL-i, Asociacioni parashihet të emërojë komandantin rajonal policorë për katër komunat në veri [Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok].

Ekipi Menaxhues ka paraparë në draft-statut që Asociacioni të ketë status të entiteti juridik, që nënkupton se ka të drejtë të padisë dhe të paditet dhe të ketë në pronësi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.

Në draft-statut është paraparë edhe raporti që do të ketë Asociacioni me autoritetet qendrore. Marrëdhëniet do të jenë “të bazuara në parimet e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit të informacionit”, “duke promovuar interesat e komunitetit serb”. Asociacioni parashihet të ketë drejtë të propozojë ndryshime në ligje, si dhe të propozojë përfaqësues në organet dhe institucionet e organeve qendrore.

Ky organ, gjithashtu, duhet të ketë buxhetin e vet dhe mund të gjenerojë të ardhura bazuar në pjesëmarrjen e komunave anëtare, nga shërbimet e ofruara, taksat dhe nga fondet e ndara nga buxheti i Serbisë.

Drafti parasheh që burimet natyrore që gjenden në territorin e komunave anëtare të Asociacionit, të menaxhohen nga Asociacioni, ashtu si edhe asetet me interes, si: tokat bujqësore, pyjet dhe ujërat tokësore.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 2 maj se anëtarët e Ekipit Menaxhues, që e kanë shkruar këtë statut, “qartazi” kanë dëshirë të krijojnë “një Republikë Sërpska” në Kosovë – referencë për entitetin me shumicë serbe në Bosnje e Hercegovinë që ka kompetenca që sfidojnë pushtetin qendror.

Draft-vizioni i Kurtit

Pas refuzimit që i bëri draft-statutit të Ekipit Menaxhues – ekip të cilin më pas tha se e shkarkoi – kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel më 2 maj paraqiti atë që e quajti draft-vizion për çështjen e rregullimit të komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë.

Në draft-vizionin e Kurtit nuk përmendet specifikisht Asociacioni, por ai thirret në nenin 7 të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Palët, më 27 shkurt në Bruksel arritën këtë marrëveshje, dhe më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

Ky nen i marrëveshjes kërkon që palët të sigurojnë “një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”. Vetëmenaxhimi, sipas BE-së – që ndërmjetëson dialogun – është referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në këtë marrëveshje, po ashtu në nenin 10 thuhet se palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe atë për krijimin e Asocaicionit.

Kurti ka thënë se një draft-statut për Asociacionin duhet të plotësojë disa kushte. Ai në këtë kuadër ka theksuar se një organ i tillë duhet “ t’ua ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi”.

Në draft-vizionin e paraqitur nga kryeministri kosovar, parashihet – sikurse edhe në dokumentin e Ekipit Menaxhues – mundësia e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës, si dhe të “njihen plotësisht karakteristikat kushtetuese” të Kosovës, duke respektuar pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.

Kurti në draft-vizionin e tij ka parë që komuniteti serb të ketë kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me ekzekutivin në Prishtinë dhe të ketë mundësi që të financohet nga Kosova dhe shtetet e tjera, përfshirë edhe Serbinë. Megjithatë, të gjitha financimet, sipas dokumentit të Kurtit, duhet të kalojnë përmes procedurave dhe rregullave të Ministrisë së Financave të Kosovës.

Në draft-vizion thuhet se do të mund të themelohen asociacione në fushën e kulturës, artit, shkencës dhe arsimit, si dhe asociacione të natyrave të ndryshme për “shprehjen, ushqyerjen dhe zhvillimin e identitetit serb”, bazuar në ligjet aktuale për ushtrimin e shërbimeve jofitimprurëse.

Kurti ka deklaruar se është i gatshëm që ta thellojë këtë draft-vizion, por ai ka thënë se palët duhet të pajtohen për parimet e Asociacionit.

Kurti insiston që një asociacion të mos e cenojë funksionalitetin e Kosovës dhe të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015, e cila gjeti që Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit – që Prishtina dhe Beogradi e arritën më 2015 – nuk ishte plotësisht në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit, por që këto mospërputhje, sipas Kushtetueses, mund të harmonizohen me akte ligjore.

Draft-statuti i Ramës

Më 8 qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi opinionin se një ditë më herët i kishte dërguar presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, një draft-statut për Asociacionin.

Rama tha se për këtë dokument e ka vënë “në dijeni edhe palën amerikane”. Kryeministri i Shqipërisë tha se dokumenti është konfidencial.

Megjithatë, ai tha se është i bindur se ky draft-statut është "një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën".

Ky draft-statut, sipas Ramës, është hartuar nga ekspertë të pavarur dhe se ai vetë ka dhënë kontribut në të. Megjithatë, kryeministri shqiptar e pranoi se për këtë dokument nuk është konsultuar me homologun e tij kosovar.

Rama, po ashtu, tha se është i shqetësuar për situatën, në të cilën ndodhet Kosova dhe ai nuk dëshiron që situata të përkeqësohet edhe më tej apo të vendosen sanksione ndaj Prishtinës.

"Për mua është i pakuptimtë pozicioni i Kosovës, se Serbia bën atë që ka bërë herë tjera. Palët nuk po merren vesh kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më se si duhet hartuar", shtoi Rama.

Draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga FES

Në fund të janarit të këtij viti, organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), publikoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës, ashtu siç insiston edhe Qeveria e kryeministrit Kurti.

I përbërë nga shtatë kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut i hartuar nga FES, parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të Asociacionit, përfshirë simbolet.

Sipas FES, Asociacioni mund të ushtrojë edhe kompetenca shtesë, të cilat mund të delegohen nga autoritetet qendrore të Kosovës.

Sa i përket strukturës, ky draft-statut ka paraparë që Asociacioni të ketë: Kuvendin, kryetarin, nënkryetarin, Këshillin dhe Bordin e Asociacionit.

FES ka paraparë disa objektiva të këtij organi, sikurse forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimin e interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.

Sikurse edhe draft-statuti i hartuar nga Ekipi Menaxhues, edhe dokumenti i FES-it parasheh që Asociacioni të ketë statusin e subjektit juridik, të cilin thuhet se duhet t’ia japë Qeveria e Kosovës përmes një akti juridik.

Sipas dokumentit në organizatës gjermane, Asociacioni do të financohet nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë.

Ndërkaq, sa i përket buxhetit, në këtë draft-statut është paraparë që Asociacioni të financohet nga kontributet e komunave pjesëmarrëse, nga të ardhurat e shërbimeve që ofron ky organ, pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e organizata vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Serbinë.

Gjatë rishikimit të buxhetit, sipas dokumentit, Qeveria e Kosovës dhe Auditori i Përgjithshëm mund të kenë qasje. Auditori po ashtu është paraparë të bëjë kontrollet për shpenzimet e këtij organi.

Sipas draft-statutit të FES-it, Asociacioni do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat në arritjen e objektivave të tij, në të njëjtën mënyrë sikurse komunat pjesëmarrëse.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kërkojnë nga Qeveria e kryeministrit Kurti që të themelojë Asociacionin. Blloku evropian ka thënë se i ka ofruar Kosovës disa modele ekzistuese evropiane për të drejtat e pakicave kombëtare. Ndërkaq, SHBA-ja ka përsëritur disa herë se nuk përkrah një asociacion që do të krijonte “shtet brenda shtetit”.

Së fundi, Qeveria e Kosovës ka thënë se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.

Rama propozon draft për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se i ka dorëzuar presidentit frncez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një draft për krijimin e asociacionit të komunave serbe, i hartuar siç tha, nga ekspertë të nivelit më të lartë europian dhe amerikan. Kryeministri Rama deklaroi se bëhet fjalë për një dokument konfidencial, i cili merr në merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman një draft të asociacionit, për të cilën kam vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane”, deklaroi kryeministri Rama, duke bërë të ditur se dokumenti është hartuar "nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe europian prej kohësh", pa shpjeguar se kur ka ndodhur, por duke theksuar se: “është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, kjo ditë kur palët dhe në këtë rast, për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë që e përsëris, bën atë që ka bërë dhe herë të tjera, palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më të merret vesh se çfarë duhet të ketë teksti”.

Mbetet po ashtu e paqartë nëse ka qenë qeveria shqiptare e cila ka kërkuar hartimin e këtij dokumenti, apo ai i është ofruar asaj. Zoti Rama tha se ekspertët kanë dhënë një kontribut dhe se ai thjesht ka bërë që ky kontribut të kthehet në një mundësi për dialog duke theksuar se nuk ka dalë vullnetar për të bërë asnjë marrëveshje, “unë thjesht kam marrë përsipër të kontribuoj për tryezën e dialogut nëpërmjet kumbarëve të procesit, që janë presidenti i Francës dhe kancelari i Gjermanisë. I takon atyre të bëjnë atë që dëshirojnë me këtë kontribut sepse tani ishte gati për tu bërë dhe tani janë kushtet për tu bërë, duke parë që në vend se të ulen në tryezë njëri çon policinë në godina bosh, tjetri çon ushtrinë për të kënduar këngë në kufij me Kosovën”.

Javën e shkuar kryeministri Rama pati një takim të veçantë me presidenti francez Macron, gjatë Konferencës së sigurisë në Bratislavë, ku zoti Macron foli me tone të ashpra ndaj autoriteteve të Kosovës duke i konsideruar ato përgjegjëse për situatën e krijuar në veri.

Një situatë që sipas kryeministri Rama “po merr përmasat e një tragjedie politike për Republikën e Kosovës” e cila shtoi ai, “si kurrë më pare, po fajësohet botërisht nga të gjithë aleatët strategjikë të kombit shqiptar”, të cilët i cilësoi si “zotët e shtëpisë në Kosovë”.

Ndërsa e cilësoi dokumentin e ofruar prej tij si konfidencial e për të cilin nuk është konsultuar me kryeministrin Albin Kurti, zoti Rama u mjaftua të shpjegojë se “unë mendoj që një asociacion që është brenda kornizës kushtetuese të Kosovës , që është në sinkron me të gjithë pritshmëritë e komunitetit demokratik, që i jep vetë administrim, vetë menaxhim, quheni si te doni, atyre që e përbëjnë, pa e venë në pikëpyetje asnjëherë autoritetin e insitucioneve të Republikës së Kosovës; që i jep mundësi t’i bëjnë ato që duhet të bëjnë për arsimin dhe për shëndetësinë dhe që patjetër gjen miratimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është gjëja që i duhet sot Kosovës”, nënvizoi ai.

Nisma e kryeministrit Rama për Asociacionin pritet me qëndrime të ndara në Kosovë

Qeveria e Kosovës ende nuk e ka komentuar nismën e kryeministrit shqiptar Edi Rama, për hartimin e një projekt-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila u prit me qëndrime të ndara të partive opozitare në vend.

Një pjesë e opozitës e vlerësoi nismën e zotit e Rama, ndërsa pjesa tjetër tha se hartimi i projektit i takon vetëm qeverisë së Kosovës.

Ndonëse qeveria ende nuk ka bërë ndonjë koment, shefja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvëndosje në pushtet, Mimoza Kusari – Lila, tha se çfarëdo veprimi në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të kalojë së pari në Kosovë para se të shkojë në duart e komunitetit ndërkombëtar.

“Ai dokument është për Kosovën dhe para se të shkojë atje duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën, për qytetarët e Kosovës. Prandaj nuk kam tjetër çfarë të shtoj, nëse dikush e merr ose ndjehet që e ka patronatin mbi një proces që nuk e ka dhe shtyn përpara diçka të tillë”, tha ajo.

Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se propozimi i kryeministrit Rama, është hap i drejtë dhe i duhur që i shërben qëllimit të Kosovës për ta shtrirë sovranitetin në tërë territorin e saj.

“Mendoj se kryeministri Rama ka të drejtë dhe ka mundësi që ta bëjë një propozim të tillë se si të tejkalohet gjendja në veri të vendit dhe nëse ka të drejtë një fondacion gjerman si Friedricj Ebert Stiftung apo institucione të tjera që të dalin me propozime siç kanë bërë gjatë viteve të fundit, atëherë është shumë legjitime edhe qasja e kryeministrit Rama që të jep një ide”, tha zoti Hoxhaj.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në një reagim në rrjete sociale tha se vetëm qeveria e Kosovës është përgjegjëse për të hartuar projektin e statutit të asociacionit.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shefi i grupit paralamentar, Besnik Tahiri tha se një nismë e tillë tregon për shkallë shumë të ultë të bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë.

“Ne si Aleancë nuk dimë çfarë dokumenti është, rrjedhimisht ky është një dokument konfidencial, një komunikim i kryeministrit Rama me medie rreth një çështjeje që lidhet dretëpërdrejtë me organizimin e brendshëm të Kosovës. Por nuk dimë cili është komunikimi ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë”, tha ai.

Kryeministri Rama tha se ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian për këtë projekt statut, por ky institucion nuk ju përgjigj interesimit të Zërit të Amerikës për të konfirmuar nëse ka pranuar këtë dokument dhe për të dhënë vlerësimet e para rreth nismës, deri në përgatitjen e këtij materiali.

Hill: Kemi probleme me kryeministrin Kurti

Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, tha sot se vendet perëndimore e kanë bërë të qartë se Kosova do të përballet me pasoja për shkak të zhvillimeve në veri të vendit, duke theksuar se problemet janë me kryeministrin Albin Kurti. Në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës ai tha se zoti Kurti nuk është pajtuar me kërkesat perëndimore për uljen e tensioneve duke tërhequr njësitë e posaçme të policisë dhe kryetarët e komunave nga veriu.

Rastet kur qeveritë e Kosovës ‘injoruan’ këshillat e SHBA-së

2023 – Kryetarët e veriut, një mospajtim i madh me Amerikën

Më 30 maj, 2023, SHBA-ja i ka vendosur sanksionin më serioz Kosovës, duke e pezulluar pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga “Defender Europe ‘23” - një stërvitje e madhe ushtarake e aleatëve të NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja.

Deri këtu ka ardhur pasi Qeveria e Kosovës, me gjithë thirrjet e SHBA-së, nuk ka pranuar t’i tërheqë kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Instalimi i tyre, me ndihmën e policisë, ka shkaktuar protesta të banorëve lokalë, të cilat janë përshkallëzuar edhe në dhunë. Tridhjetë ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, dhe dhjetëra protestues janë plagosur gjatë përleshjeve në qytetin e Zveçanit, më 29 maj.

Me ton tejet kritik në raport me Kosovën është shprehur edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili ka thënë se tensionet janë përshkallëzuar “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”. Kurti i ka cilësuar deklaratat e Blinkenit, mes tjerash, si “naive”.

Kriza në veri ka sjellë në Prishtinë të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se SHBA-ja ka “sfida në raportet dypalëshe” me Kurtin.

Ai ka theksuar se moskoordinimi me SHBA-në për çështjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri, “do të ketë pasoja për Kosovën”.    

2022 - Targat, zyrtarëve kosovarë u është anuluar vizita në SHBA

Zyrtarët amerikanë, gjatë vitit 2022, janë munduar vazhdimisht që ta qetësonin situatën në veri të Kosovës, pasi Qeveria e Kurtit ka vendosur ta ndalonte qarkullimin e veturave me targa të lëshuara nga Serbia, të cilat i konsideron ilegale. 

Vendimi ka rritur tensionet aq shumë, saqë grupe të serbëve lokalë kanë ngritur barrikada në rrugët kryesore në veri. 

Qeveria e Kosovës, përkundër sugjerimeve të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nuk ka pranuar ta shtyjë zbatimin e vendimit për targat për tre muaj të tjerë. 

Lëkundja e raporteve SHBA-Kosovë ka kulmuar kur është bërë e ditur se SHBA-ja ua ka anuluar vizitat disa zyrtarëve të lartë kosovarë, përfshirë ministren e Drejtësisë.

2020 – Taksa që Haradinaj ia la në dorë kryeministrit Kurti 

Taksa 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, që e la në fuqi Qeveria paraprake e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ishte sfida e parë që e ballafaqoi Albin Kurtin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyrtarët amerikanë insistuan në heqjen e taksës, por Qeveria “Kurti I” refuzoi ta bënte një gjë të tillë dhe kjo çoi në sanksione ekonomike ndaj Kosovës. 

Korporata e Sfidave të Mileniumit pezulloi disa projekte në vlerë prej rreth 200 milionë dollarësh amerikanë. Taksa u hoq më vonë dhe programet rifilluan.  

2020 – Taksa, kërcënimi i ashpër i administratës Trump

Mosreflektimi i Qeverisë së Kosovës për heqje të taksës çoi në shpeshtimin e kritikave dhe kërcënimeve për Kosovën. Senatori amerikan, David Perdue, bëri thirrje për tërheqje të trupave amerikane nga Kosova, nëse ajo nuk e heq taksën për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. 

Deklaratën e tij e mbështeti edhe djali i presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, Donald Trump Junior, duke theksuar se "është koha që t'i kthejmë trupat [amerikane] në shtëpi". 

Ky paralajmërim, megjithatë, nuk u materializua. 

2019 – Taksa la Kosovën jashtë programeve të “George Marshall”

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti nuk është e vetmja që nuk i ka dëgjuar këshillat amerikane dhe që është përballur me pasoja.

Në vitin 2019, ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka konfirmuar anulimin e ftesave për 14 pjesëmarrës nga Kosova në tetë programe të Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë “George Marshall”, me seli në Gjermani.  

Deri te ky vendim ka ardhur pasi Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, nuk i ka dëgjuar rekomandimet e SHBA-së për të hequr taksën 100 për qind mbi produktet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. 

2019 – Taksa, gjenerali amerikan, Timothy Orr, ka anuluar vizitën në Kosovë

“Zemra ime do t’i takojë çdoherë Kosovës. Kjo është shtëpia ime e dytë”, ka deklaruar gjenerali amerikan i Gardës Nacionale të Ajovës, Timothy Orr, gjatë një vizite në Kosovë, më 2018.

Por, ky mendim për Kosovën mund t’i jetë lëkundur kur në shkurt të vitit 2019, Qeveria amerikane ka anuluar vizitën e gjeneralit Orr në Kosovë, si rezultat i vendimit të Qeverisë së Kosovës për mosheqjen e taksës 100 për qind mbi produktet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Në njoftimin për anulim të vizitës është paralajmëruar, po ashtu, se SHBA-ja mund t’i anulojë programet trajnuese, edukative dhe vizitat ushtarake në Kosovë, në rast se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, nuk reflekton ndaj kërkesës amerikane për heqjen e taksës.  

2018 – Taksa, kryeministri Haradinaj mbeti në shtëpi

Vizita që atëbotë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka planifikuar për në SHBA, është anuluar, për shkak se nuk i është dhënë në kohë viza nga Ambasada amerikane në Prishtinë. 

Njëherë, mosdhënia e vizës është mohuar nga vetë Haradinaj, por më vonë vetë Haradinaj e ka konfirmuar se arsye e mosudhëtimit ka qenë pikërisht viza.

Edhe deri këtu ka ardhur për shkak të taksës mbi produktet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës.  

2018 – Demarkacioni me Malin e Zi dhe injorimi i sugjerimeve amerikane

Për disa vite rresht, çështja e demarkimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi ka nxitur tensione në Prishtinë. Protestat e dhunshme në rrugë, gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe kritikat amerikane për Qeverinë e Kosovës kanë qenë pothuajse përditshmëri nga viti 2015 deri në muajin mars të vitit 2018. 

Në këtë periudhë, kryeministra të Kosovës kanë qenë Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.   

Më 2016, atëbotë zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës në Prishtinë, ka kërkuar ratifikimin e demarkacionit. Këshilla e tij nuk është dëgjuar, pasi ratifikimi është bërë dy vjet më pas. 

2017 – Përpjekja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale

Në pjesën e dytë të vitit 2017, mbi 40 deputetë të Kuvendit të Kosovës u bënë bashkë për të nisur një iniciativë për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, që ishin themeluar me votim në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2015. 

Mundësia e shfuqizimit të asaj që njihet si Gjykatë Speciale shkonte krejtësisht në kundërshtim më mbështetjen që SHBA-ja i kishte dhënë themelimit të saj.  

Atëbotë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar Gjykatën Speciale - e cila heton krimet e dyshuara të luftës të kryera nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - si “të padrejtë për Kosovën”.  

Ambasadori i atëhershëm amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ka thënë se shfuqizimi i Speciales do të ishte “thikë pas shpine” për SHBA-në dhe ka paralajmëruar sanksione për deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj. 

Pasoja ka paralajmëruar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit përmes disa reagimeve. Në fund, shfuqizimi i Speciales nuk ka ndodhur. 

Kurti mund të shkarkohet me mocion mosbesimi në kuvend

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA