...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ylli Përmeti njoftoi dy ditë më parë rrezikun e një sulmi nga Irani; sot njofton ambasada amerikane

Gjasat janë se lufta mes Iranin dhe Shqipërisë sapo ka filluar dhe pasojat do të jenë të dhimbshme për popullin tonë

SHJ

20/07/2022 - 19:11

Sistemet elektronike të Shqipërisë u sulmuan në datën 17 korrik. Qeveria e quajti sulm armik ndërsa Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) bëri të ditur se si pasojë “është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare për shkak se po përballemi me një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë". AKSHI saktësoi se “për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedenta dhe të rrezikshme, jemi detyruar të mbyllim sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike”.

Agjencia, deklaroi më tej se është “në gatishmëri të plotë dhe po punon gjatë të gjithë kohë me ekipin e Microsoft, ekipin e Jones Group International, dhe ekipet e kompanive shqiptare në fushën Teknologjisë së Informacionit, për të mos lejuar që ky sulm kinerbetik të dëmtojë apo cënojë sistemet shqiptare të informacionit”. Shërbimi i “e-Albania”, për shembull, u paralizua tërësisht dhe ai vazhdon të jetë i tillë edhe pse kanë kaluar 4 ditë.

Dy ditë pas sulmit qarkulloi dyshimi se Shqipëria ishte sulmuar nga Irani si ndëshkim për strehimin e muxhahedinëve dhe në ditën e katërt Top Channel njoftoi se “agresorët” kanë lënë të kuptohet se ata janë iranianë. Madje kanë kërkuar 30 milionë euro në bitcoin nga autoritetet shqiptare. Gjasat janë se pas sulmit mund të qendrojnë shërbimet iraniane jo vetëm sepse Shqipëria strehon muxhahedinët por sepse vetë Irani është viktimë e sulmeve kibernetike dhe së fundmi një sulm ka shkaktuar dëme fizike në një ndërmarrje çeliku.

Autoritetet iraniane dyshojnë se muxhahedinët e strehuar në Shqipëri kanë sulmuar shërbimet elektronike atje. Në mars, për shembull, u sulmua faqja elektronike e qeverisë së Iranit. Ata dyshuan anëtarët e muxhahedinëve në Shqipëri. Sipas tyre, ata veprojnë kundër Iranit me një media të mirëfinancuar nga amerikanët dhe bëjnë propagandë në median sociale.

Gjasat janë se lufta mes Iranin dhe Shqipërisë sapo ka filluar dhe pasojat do të jenë të dhimbshme për popullin tonë. 

Pas publikimit të kësaj “shqyrtese” të vogël dy ditë më parë Ylli Përmeti njoftoi në faqen e tij në “Facebook” se kishte njoftime se Irani mund të sulmojë muxhahedinët në Durrës me dron dhe se Shqipëria në dijeninë e tij nuk ka sistem anti-dronë për t`i mbrojtur! Sot në orët e para të mëngjesit ambasada amerikane njoftoi se muxhahedinët mund të kërcënohen gjatë takimit të tyre në datat 23 dhe 24 korrik. Raporti sipas Voa-a:

Samiti botëror i Iranit të lirë që parashikohet të mbahet në zonën e Manzës në Durrës, në kampin “Ashraf 3”, ku gjendet i strehuar një numër i lartë pjesëtarësh të lëvizjes opozitare iraniane, Mojahedin-e-Khalq (MEK), mund të jetë objekt kërcënimesh. Kjo u bë e ditur nga ambasada amerikane në Tiranë e cila pak para mesnatës, lëshoi një njoftim sigurie në të cilin shkruhet se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm i cili ka në shënjestër takimit botëror të nivelit të lartë të Iranit të lirë, që do të mbahet pranë Durrësit nga 23 deri më 24 korrik”, vë në dukje njoftimi përmes së cilit udhëzohen qytetarët amerikanë që ndër të tjera të shmangin këtë ngjarje dhe të monitorojnë mediat lokale.

Sipas njoftimeve të shtypit shqiptar, ditët e fundit Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, ka ushtruar kontrolle në banesat e disa prej ish anëtarë të MEK-ut duke sekuestruar materiale të ndryshme të gjetura në to. Kontrollet mendohet se janë kryer në kuadër të hetimeve ndaj një rrjeti të mundshëm spiunazhi të kamufluar nën aktivitetin e një shoqate që propagandonte se synonte bashkimin e iranianëve dhe shkëmbimin kulturor mes dy vendeve. Deri më tani nuk është njoftuar zyrtarisht ndalimi i asnjë personi.

Dy vjet më parë një iranian me nënshtetësi italiane, Dabiel Kassrae, u dëbua nga Shqipëria drejt Italisë, pas një urdhëri të firmosur nga ministri i Brendshëm i kohës, Sandër Lleshaj, përmes të cilit ai deklarohej “person i padëshiruar”, për një periudhë 15 vjeçare. Kassrae, i cili jetonte në Shqipëri, prej afro katër vitesh, dyshohej të kishte punuar për llogari të rregjimit të Iranit, duke tentuar të rekrutojë anëtarë të lëvizjes opozitare iraniane Mojahedin-e-Khalq , që jetonin në kampin Ashraf.

Në janar të vitit 2020, autoritetet shqiptare urdhëruan dëbimin e dy diplomatëve iranianë, të cilët u shpallën persona të padëshiruar, pasi dyshoheshin se në të vërtetë ishin, njëri anëtar i Gardës Revolucionare të Iranit, ndërsa tjetri pjesë e njësisë operacionale të shërbimeve sekrete iraniane.

Në tetor të vitit 2019, policia shqiptare bëri të ditur se kishte mundur të identifikonte anëtarët e një celule terroriste iraniane e cila kishte patur si synim kryerjen e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane në Shqipëri. Celula konsiderohej përgjegjëse dhe për tentativën e dështuar të një akti terrorist në mars të vitit 2018.

Në dhjetor të vitit 2018, ambasadori i Iranit në Shqipëri, dhe një tjetër diplomat i ambasadës u dëbuan nga vendi pasi dyshoheshin të ishin përfshirë “në aktivitete që cënojnë sigurinë në vend”. Në atë kohë, mnistria e Jashtme shqiptare saktësoi se vendimi ishte marrë në konsultim me vendet aleatë, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik.

Kampi Ashraf në Manzë u vizitua 1 muaj më parë nga ish zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence, ndërsa më herët, në muajin maj, edhe nga ish Sekretari amerikan i Shtetit gjatë presidencës Trump, Mike Pompeo.

Katër pyetje lindin në këtë dinamikë: pse qeveria “Rama” nuk kërkoi të paktën sisteme anti-ajrore nga aleatja e saj, amerikanët, kur pranoi muxhahedinët? Po aleatja jonë pse nuk e pajisë Shqipërinë me sisteme mbrojtëse por i çoi reaksionarët dhe e la të pambrojtur? Po ambasada amerikane pse mjaftohet vetëm me njoftimet? Pse s`kërkon nga Uashingtoni të pajisë Shqipërinë me pajisje mbrojtëse?   

Lexo për më shumë:   

Implikimet me kampin e muxhahedinëve & refugjatëve sirianë: Shqipëria sulmohet nga Irani

Përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA