...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Sanksionet ndaj Rusisë shkaktojnë katastrofë ekonomike në Evropë dhe fuqizojnë partitë “fashiste”

Nëse Amerika këmbngul në sanksionimin e gazit rus në BE ajo dëmton për mos të thënë shkatërron ekonominë evropiane dhe siguron vetë fitime të sigurta me shitjen e gazit të saj

Ylli Përmeti

10/02/2022 - 09:39

Uashingtoni ishte duke u përgatitur për kufizime të mundshme tregtare ndaj Rusisë dhe kishte shqyrtuar mundësinë e një serie kontrollesh të eksporteve me aleatët dhe partnerët në Evropë dhe Azi. Sipas “The Times”, Uashingtoni filloi të përgatiste menjëherë sanksione në rast se Rusia pushtonte Ukrainën, duke i zgjeruar ato, në financiare, teknologjike dhe ushtarake, me qëllim që të pengojë aftësinë e Moskës të vazhdojë të veprojë normalisht në arenën ndërkombëtare. “Pas këshillimeve me aleatët e NATO-s, masat nën vlerësim përfshijnë një plan për bllokimin e bankave ruse nga Swift-i, një sistem bankar që lehtëson pagesat ndërkombëtare në shumicën e vendeve rreth botës.

Kjo lëvizje do të kufizonte rëndë aftësinë e Moskës për të tregtuar [...]. Por Gagerin Tosunyan, kreu i shoqërisë ruse të bankave, tha se masa do të dëmtonte vendet perëndimore po aq sa Rusia duke e përshkruar atë se një veprim “vetë-tredhje”. Vërtet, disa qeveri perëndimore shqetësohen lidhur me ndalimin e Rusisë nga “Swift-i”, sepse mund të shkaktojë dëme serioze për ekonomitë e Gjermanisë dhe anëtarët e tjerë të BE-së që tregëtojnë me Rusinë. Ata shqetësohen, gjithashtu, lidhur me efektin e saj: sepse mund të inkurajojë Rusinë dhe Kinën të zhvillojnë rrjetin e tyre të pagesave. Sanksionet e Uashingtonit përfshijnë bankat, ekonominë dhe borxhin sovran të Rusisë. Këto sanksione quhen si “nëna e gjithë sanksioneve” dhe do të përdoren vetëm nëse Rusia pushton Ukrainën.  

Por ndalimi i rrjedhës së gazit në Evropë është atuja e Moskës nëse perëndimi përdor sanksione më të rënda në rast se Rusia pushton Ukrainën. Por cënueshmëria e BE-së për kundërmasa shtrihet përtej energjisë. Politikanët kanë frikë se blloku është më pak i gatshëm se Moska. Nga furnitorët e teknologjisë dhe huadhënësit e mallrave të eksportit dhe manifakturuesit varen nga lënda e papërpunuar, dhe nëse linjat e tregut prishen, ato do të rrisin trysninë dhe ulin veprimtarinë për një përqindje të madhe të bizneseve evropiane.

Ndërsa SHBA-ja dhe eksportuesit e energjisë neto po diskutojnë mundësinë e sigurimit të furnitorëve të tjerë rezervat e gazit në BE janë poshtë niveleve historike. BE-së, siç analizon FT,  do t`i duhen “vendime të vështirë dhe të kushtueshme” lidhur me uljen e kërkesës industriale dhe konsumatorëve për t`i mbijetuar një prishjeje të shkallës së madhe të furnitorëve të gazit deri në verë...[dhe] vendet si Gjermania kanë fushë veprimi të kufizuar të shkojnë në burime të tjera energjie në afat-shkurtër”.

Grupet evropiane të naftës si BP, Total de Shell, që veprojnë në Rusi, mund të dëmtohen shumë. Furnizimet e lëndës së papërpunuar kërcënohen gjithashtu meqënse Rusia është eksportuesi kryesor dhe spikatet në listën e Komisionit Evropian si furnitore e lëndëve kritike. Rusia furnizon rreth 40 për qind të paladiumit botëror i cili nevojitet për konvertuesit e katalitit të automjeteve për të kufizuar çlirimet e dëmshme në atmosferë dhe rreth 30 për qind të titanit, i cili është vendimtar për industrinë e aviacionit. Airbus-i evropian furnizohet me rreth gjysmën e titanit nga Rusia dhe rivali amerikan Boeing përdor sasi të mëdha të metalit për prodhimin e avionëve. 

Zyrtarët e BE-së, raporton FT, kanë shqyrtuar kontrolle të rënda eksportuese mbi teknologjinë perëndimore. Warren Patterson, drejtues i strategjisë së mallrave në ING, tha se sanksionet e vendosura ndaj bankave ruse ose industrive do të kishin me shumë gjasa një ndikim tejet të madh për komplekset e mallrave që mund të përhapet përgjatë tregjeve ku Rusia është eksportuesi kryesor, duke përfshirë aluminin, nikelin, bakrin dhe platiniumin. Bankat, investitorët dhe tregjet e aksioneve perëndimore janë në ankth, sepse tensioni ka shkaktuar pasiguri dhe rrënim të aksioneve në bursa. Entitetet ruse zotërojnë rreth 60 miliardë dollarë të bankave të BE-së, gati katër herë më shumë se sasia që ato u detyrohen bankave amerikane ndërsa sasi të mëdha valute të depozituara nga entitete ruse mund të ngrijnë. Italianët shqetësohen gjithashtu për sanksionet ndaj Rusisë; madje ambasadori Italian në BE ka paralajmëruar për ndikimin ekonomik mbi bizneset italiane.

Ukraina u detyrohet 23 miliardë dollarë blerësve të bondeve të saj dhe këta janë tejet nervozë për shkak të mundësisë së falimentimit të saj ndërsa kostua e sigurimit ndaj falimentimit është dyfishuar pesë muajt e fundit. Investitorët parashikojnë se pushtimi i plotë i Ukrainës do të shkrepte fluturimin në tregjet botërore, larg aksioneve dhe drejt bondeve qeveritare ose drejt strehave të tjera tradicionale si franga zviceriane, jeni apo ari. ”Nga kimikatet polake deri tek pijet latviane, lidhjet tregëtare mes Rusisë dhe shteteve lindore të BE-së janë veçanërisht të forta në disa sektorë. Rusia është eksportuesi më i madh tregëtar për mallrat e Latvias dhe e dyta më e madhe për mallrat e Lituanisë. Në tërësi, Rusia është tregu i pestë më i madh i bllokut, duke u përllogaritur për 4 për qind të eksporteve të saj të mallrave në 2020” dhe BE-ja mbetet investitori më i madh në Rusi, duke u udhëhequr nga Gjermania, pavarësisht se disa investime kanë rënë vitet e fundit.  

Në fakt, Putini nxiti krijimin e një rrjeti paralel bankar, pasi pa —pas grushtit të shtetit në Ukrainë— se perëndimi mund ta dëmtonte. Si pasojë, rreth 400 banka ruse dhe 20 për qind e pagesave të brendshme ruse po përdorin sistemin e Moskës, SPFS. Kjo është arsyeja se pse perëndimi braktisi kërcënimin me Swift-in. Masat financiare do të shoqërohen me bllokimin e qasjes ruse në pajisje ushtarake dhe ajrore dhe nën mendimet më radikale, departamenti amerikan i tregëtisë ka hartuar plane për të ndaluar eksportin e mallrave ushqimore, duke përfshirë telefonat celularë dhe qoftë edhe makinat larëse ose lavatriçet. Bajdeni shtoi dhe bllokimin e Rusisë në përdorimin e dollarit amerikan! Mirëpo Rusia, madje dhe Kina dhe BE-ja, vitet e fundit kanë marrë masa për mospërdorimin e dollarit amerikan. Por si duket Bajdeni dhe këshilltarët e tij flenë gjumë.

Sidoqoftë, Shtëpia e Bardhë shtoi dhe mundësinë e vendosjes së kontrolleve ndaj eksporteve ruse duke ia hequr qasjen asaj në teknologji dhe programet e stërholluara që e ndihmojnë atë në trafikun e avionëve, pasagjerëve, tabletave, video-lojrat dhe televizorët e sofistikuar. Kjo masë mund ta përfshinte Rusinë në grupin e vendeve me kufizime të mëdha si Kuba, Koreja e Veriut dhe Siria. Ato mund të vënë në shënjestër dhe industrinë kritike ruse, duke përfshirë sektorët e mbrojtjes dhe aviacionit civil dhe mund të godiste ambiciet e Rusisë në teknologjinë e lartë si inteligjenca artificiale dhe informatika kuantike. 

Nga sanksionet e mundshme Shtëpia e Bardhë po përdor kryesisht linjën e gazit Nord Stream 2. Sipas saj sanksionimi i linjës “nuk do ta zgjidhte menjëherë problemin e Evropës” për energji. Ndaj Uashingtoni po nxit furnitorë të tjerë për të “ndihmuar” Evropën. Japonia, për shembull, vendosi të dërgojë disa nga rezervat e saj të gazit në Evropë. Por është e qartë se as gazi amerikan e as gazi japonez nuk mund ta zëvendësojë gazin rus jo vetëm për shkak të kostos por kryesisht për shkak të sasive dhe rezerva. Aktualisht SHBA-ja është prodhuesja më e madhe e gazit (një nga arsyet kryesore se pse kërkon të largojë gazin rus nga BE-ja, është sepse ajo kërkon të shesë gazin e saj në një bllok ekonomik pa konkurrentë seriozë!) e ndjekur nga Rusia por kjo e fundit ka rezervat më të mëdha botërore! 

Paralel me përpjekjet e Bajdenit dhe Putinit për të shpërshkallëzuar tensionin e krijuar, me biseda telefonike, Komisioni Evropian sinjalizoi përgatitje të plotë për sanksione të ashpra ndaj Rusisë nëse ajo sulmonte, duke iu përgjigjur kërkesave të Uashingtonit ndaj Brukselin dhe Berlinin ndërsa përgatiti një mekanizëm të ri tregëtar sanksionesh ndaj Kinës që synon të përfrikësojë çdo fuqi të huaj që armatos fuqishëm qeveritë evropiane për qëllime politike. Ursula von der Leyen paralajmëroi se do të zgjeronte masat ndëshkimore kundër Rusisë mes një qasje të përgjithshme pështjelluese në BE.

Më herët, gjatë korrikut, krerët e BE-së kishin ngarkuar komisionin dhe krahun e tij diplomatik të sillnin “variante për masa shtrënguese të shtuara, duke përfshirë sanksione ekonomike” kundër Moskës. Por drafti nuk u miratua nga institucionet e BE-së për shkak të grindjeve të brendshme. Uashingtoni kërkon nga BE-ja të bllokojë linjën e gazit “Nord Stream 2” mes masave financiare dhe ekonomike që mund të kufizojnë aftësinë e këmbimit të rublës në dollarë, duke e bërë të vështirë blerjen e energjisë ruse. Por të dyja këto masa janë të vështira për t`u zbatuar sidomos për Berlinin. Veç tij, janë shumë vende në BE që furnizohen me gazin rus —me më shumë se 40% të gazit— dhe për të njëjtën arsye ngurrojnë të nënshkruajnë sanksionet kundër Moskës. Për këtë varësi Mario Dragi, për shembull, ka thënë se “Evropa nuk mund të braktisë gazin rus”.

Por se çfarë nuk përmendin analizat e gazetave kryesore perëndimore është fakti se Rusia ka realizuar dy marrëveshje të mëdha me Kinën―njërën pikërisht gjatë tensioneve―pjesë e të cilave është dhe furnizimi i Kinës me gaz rus në një popullatë që është sa dyfishi i popullatës evropiane. Nga marrëveshja e re Rusia siguroi shitjen e 10 miliardë metër kub gaz në vit. Madje të dy krerët nënshkruan një qendrim të përbashkët ku bëhet thirrje ndaj perëndimit që të “braktisë qasjen ideologjike të luftës së ftohtë”. Ata i bënë thirrje Nato-s që të përjashtojë ekspansionin në Evropën lindore, denoncuan formimin e blloqeve të sigurisë në rajonin e paqësorit aziatik dhe kritikuan paktin trepalësh Aukus mes SHBA-së, Britanisë dhe Australisë. Ata u zotuan gjithashtu që të përshpejtojnë bashkëpunimin dhe të pengojnë “revolucionet me ngjyrë” dhe ndërhyrjet e jashtme dhe paralajmëruan thellimin e bashkërendimit strategjik. 

Kështuqë nëse Amerika këmbngul në sanksionimin e gazit rus në BE ajo dëmton për mos të thënë shkatërron ekonominë evropiane dhe siguron vetë fitime të sigurta me shitjen e gazit të saj. Mirëpo kjo e vërtetë do të kuptohësh ―për mos të thënë që gjermanët e kanë kuptuar por nuk e përmendin, të paktën në publik― dhe herët a vonë do të shkrepte protesta të fuqishme në vendet qendrore evropiane dhe do të fuqizonte edhe më shumë partitë e djathta atje. Në këtë mënyrë Amerika do të kontribonte edhe një herë në ngritjen e “fashistëve” (të cilët kanë disa ndryshime me fashistët e shekullit të kaluar me më kryesorin se ata luftojnë për sovranitet kombëtar dhe kundër globalizmit neoliberal) evropianë në pushtet! 

Ky efekt, kur dihet se partitë e djathta në Evropë mbështeten nga Rusia! Ndaj efekti i mëtejshëm do të ishte katastrofik si për Evropën ashtu dhe për SHBA-në: sepse partitë e djathta në Evropë luftojnë për sovranitet kombëtar dhe kundër globalizmit neoliberal―ose kundër vetë SHBA-së meqënse globalizmi në fjalë është nxitur nga Uashingtoni dhe drejtohet nga ai!

Sqaroj edhe një herë se partitë e djathta në Evropë (përjashto Ukrainën) nuk janë “fashiste” siç i quajnë neoliberalët të cilët kanë çdo arsye për të shtrembëruar të vërtetën por neonacionaliste, pikërisht sepse luftojnë për sovranitet kombëtar dhe kundër globalizmit neoliberal. Ndryshe nga këto parti, partitë e djathta në Ukrainë kërkojnë të jenë pjesë e globalizmit neoliberal; të parat refuzojnë diktatin e Uashingtonit, të dytat e duan atë. Lufta e të parave përputhet me përpjekjen e Moskës: sepse edhe ajo po përpiqet të çintegrohet nga globalizmi neoliberal.    

Pjese nga

Strategjia e madhe e Putinit kundrejt perëndimit (The grand strategy of Putin towards the west)

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA