...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

“Shfarrosje ose Rebelim”: mobilizon mijëra njerëz dhe shkakton një revolucion të vërtetë në Britani

Protestuesit kërkojnë nga qeveria të reduktojnë çlirimet e gazrave në zero deri në vitin 2025 dhe të themelojë një asamble qytetare e cila do të hartojë një plan të jashtëzakonshëm për veprim për të luftuar ndryshimet klimatike dhe humbjen e biodiversitetit

Ylli Përmeti

15/04/2019 - 19:16

Grupet kundër ndryshimeve klimatike kanë filluar (15 prill, 2019) betejën e gjatë duke bllokuar rrugët e qarkullimit në katër zona kryesore të Londrës duke shkaktuar prishje të gjerë ndërsa bëjnë thirrje për veprime të paqta dhe mosbindje qytetare. Protestuesit kërkojnë nga qeveria të reduktojë çlirimet e gazrave në zero deri në vitin 2025 dhe të themelojë një asamble qytetare e cila do të hartojë një plan të jashtëzakonshëm për veprim për të luftuar ndryshimet klimatike dhe humbjen e biodiversitetit. Demonstratat janë pjesë e një fushate botërore e organizuar nga grupi “Zhdukje Rebeluese” me protesta të planifikuara në 80 qytete përgjatë 33 vendesh në ditët në vijim.

“Provuam peticione, marshime, letra, raporte, studime, takime, qoftë edhe veprimtari të drejtëpërdrejta, dhe çlirimet globale vazhdojnë të rriten. Qeveritë vendosin përparësi interesa afat-shkurtër të elitave ekonomike, kështuqë për të tërhequr vëmendjen e tyre, ne duhet të prishim ekonominë. Ata nuk na kanë lënë variant tjetër”, citon një i rebeluar.

Si pasojë e veprimtarisë u arrestuan më shumë se 100 vetë gjatë mbrëmjes dhe natës së ditës së parë të protestave. Por që nga tetori i vitit të kaluar, kur organizata përkatëse filloi veprimtarinë, janë arrestuar më shumë se 200 vetë. Katër zonat e kryeqytetit britanik mbeten nën kontrollin e veprimtarëve. Oraganizata është rezultat i përpjekjeve vijuese dhe intesive të shumë studiuesve, të cilët kanë kuptuar përmasën e katastrofës ekologjike, efektin e ndryshimeve klimatike dhe kanë krijuar dinamikën sociale, kryesisht mes të rinjsh, për të nxitur protesta masive.

Qëllimi është bllokimi e qendrës së Londrës (Sheshi i parlamentit, cirku i Oksfordit, Harku i Marblit dhe Ura e Uotërlusë) ndërsa paralel me ta zhvillohen protesta të ngjashme në Evropë dhe Amerikë. Tashmë frika se nëse nuk fillojnë zvogëlimet e çlirimeve të gazrave katastrofa ekologjike do të jetë e pakthyeshme (do të rrënohen shtresat e akujve, do të ngrihet niveli i detit, do të digjen më shumë pyje, do të acidifikohen oqeanet, do të shpërbëhet struktura e tokës së ngrirë edhe më shumë etj.) mbizotëron studiuesit përkatës.

Për të njëjtën arsye, ata kanë braktisur punën e tyre si pedagogë në Universitete, të fituar me shumë mund, dhe janë duke organizuar jo vetëm protesta por edhe konferenca shkencore që lidhen me krizën ekologjike me qëllim që të ndryshojnë mendësinë e krijuar nga elitat kapitaliste të dy shekujve të fundit duke punuar me qindra akademikë dhe shkencëtarë për të mbështetur parimet e tyre.

Një nga themelueset e “Zhdukjes Rebeluese” është Gail Bradbrook: ajo braktisi jo vetëm punën e saj por edhe familjen (jo fëmijët) me qëllim që të përqendrohet më shumë në lëvizje e cila është konceptuar si vetë-organizuese—jo-hierarkike “holakraci”.

E frymëzuar nga luftëtaret (sufragjetet e shekullit të kaluar), Mahatma Gandhi dhe Martin Luther King, Bradbrook dhe skuadra e saj synojnë të krijojnë prishje të mjaftueshme për të detyruar Britaninë të deklarojë një gjendje të jashtëzakonshme klimatike, të zotohet në një ekonomi karbon-neutrale deri në vitin 2025 dhe të themelojë asambletë ‘qytetare’—të zgjedhur me short si një gjykatë— për të mbikqyrur një kalim të tillë monumental. Një nga sloganet e tyre —“Thuaj të vërtetën, dhe vepro si të jetë e vërtetë”, po kumbon. Ata e dinë se mosbindja qytetare është art delikat— veçanërisht në klimën toksike politike të shkaktuar nga Brexit.

Vetëm rebelimi do të parandalojë apokalipsin ekologjik

Nigel Farage, kryetari i partisë “Pavarësi” dhe kryembrojtësi i “Brexit”—daljes së Britanisë nga BE-ja, për shembull, e quajti fushatën “terrorizëm ekonomik”! Hamendësisht, sepse s`e ka kuptuar ende realitetin në të cilin gjendet jeta e planetit — pa përmendur realitetin tjetër me të cilit do të përballet në të ardhmen. Bradbrook do të jepte dhe jetën për objektivin e organizatës. Mijëra janë ndikuar nga punët e studiuesve përkatës dhe për pasojë ata i bashkohen objektivit pavarësisht se përballen me dhunën e shtetit. Mijëra janë adoleshentë. Tashmë gjendjen e kanë kuptuar dhe gazetarët e shtypit ndërkombëtar (Financial Times, The Guardian, The Times etj.) dhe e mbështesin lëvizjen.       

Të premten ministri i brendshëm urdhëroi policinë të përdorte “gjithë fuqinë e ligjit” kundër protestuesve që shkaktonin krime. Po të njëjtën ditë, veprimtarët dështuan në bllokimin e aeroportit të Hithrout. Numri i të arrestuarve arriti në 682 që nga dita e henë. Policia i përshkroi protestat si “prishje serioze” të rendit dhe të “papranueshme” ndërsa arrestimet mirëpriten nga veprimtarët sepse i konsiderojnë pjesë të betejës.     

Mënyra se si protestojnë veprimtarët ka çoroditur autoritetet, politike dhe policore: ato nuk dijnë se si të veprojnë sepse arrestimet çojnë në mobilizim më të madh të njerëzve, përmbytje me njerëz, meqënse protestat janë paqësore dhe njerëzit dhe veçanërisht prindërit janë të ndjeshëm kur shikojnë arrestime të padrejta të fëmijëve të tyre—domethënë, kur protestat janë jo të dhunshme. Portestat do të zgjasin për dy javë nëse qeveria pajtohet të bisedojë. 

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA