Amerika kërcënon Turqinë me pasoja për një pastor amerikan
Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar se do të ndëshkojnë me sanksione Turqinë, nëse nuk liron një pastor amerikan.
Voa
27/07/2018 - 07:14
“Nëse Turqia nuk merr masa të menjëhershme për të liruar këtë njeri të pafajshëm të Zotit dhe ta kthejë në atdhe, Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin Turqisë sanksione të konsiderueshme, deri sa të lirohet pastori Andrew Brunson,” tha Nënpresidenti Mike Pence të enjten në Ministerialin e Departamentit të Shtetit për Lirinë e Besimit.
Andrew Brunson, një pastor evangjelist nga qyteti Black Mountain në Karolinën e Veriut, është burgosur nga Turqia nën akuzat për terrorizëm dhe spiunazh. Rasti i tij ka acaruar marrëdhëniet mes dy aleatëve në NATO, SHBA dhe Turqisë.
Edhe Presidenti Trump bëri komente të enjten duke postuar në Twitter: “Shtetet e Bashkuara do t’i vënë sanksione Turqisë për ndalimin e Pastorit Andrew Brunson, një i krishterë i nderuar, një burrë familjar dhe njeri i shkëlqyer. Ai po vuan. Ky njeri i Zotit duhet liruar menjëherë!”
Postimi i presidentit në Twitter dhe komentet e Nënpresidentit Pence pasojnë lirimin një ditë më parë të Pastorit Brunson nga një burg turk dhe vënien e tij nën arrest shtëpie.
“Është një hap i mirëpritur, por nuk mjafton,” tha Nënpresidenti Pence.
Të mërkurën, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo e cilësoi lirimin nga burgu të pastorit “një tregues i përparimit diplomatik” duke shtuar se “puna nuk ka mbaruar.
Zoti Pompeo tha se Uashingtoni po vazhdon komunikimin me Ankaranë për ta kthyer në atdhe pastorin amerikan.
Brunson u akuzua se po ndihmonte një rrjet të udhëhequr nga kleriku mysliman Fehtullah Gulen, i cili banon në Shtetet e Bashkuara dhe fajësohet nga autoritetet turke si organizator i grushtit të dështuar të shtetit kundër Presidentit turk Erdogan në 2016.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 16 reads



