...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerika kërkon ndihmën e Gjermanisë për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit

SHBA i kërkoi zyrtarisht Gjermanisë të ndihmojë për të siguruar ngushticën strategjike të Hormuzit pranë brigjeve të Iranit

Voa

31/07/2019 - 19:13

SHBA i kërkoi zyrtarisht Gjermanisë të ndihmojë për të siguruar ngushticën strategjike të Hormuzit pranë brigjeve të Iranit, në klimën e tensioneve të rritura në rajonin e Gjirit Persik.

Ambasada e SHBA në Berlin i kërkoi të martën "Gjermanisë t’i bashkohet Francës dhe Britanisë për të ndihmuar në sigurimin e ngushticës së Hormuzit dhe për të luftuar agresionin iranian."

Ambasada tha se Gjermania e pranon që kjo rrugë ujore duhet të mbrohet. Ambasada shtronte pyetjen se "kush duhet ta mbrojë”.

Kërkesa vjen një ditë pasi sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo tha se SHBA do të ndihmonin në hartimin e një plani të sigurisë detare për transportin tregtar në rajon. Por ai tha se krijimi i planit "do të kërkojë më shumë kohë se sa do të dëshironim ne".

Tensionet në ngushticën e Hormuzit janë rritur që kur Presidenti Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore për Iranin e vitit 2015 me fuqitë botërore dhe vendosi sanksione ndaj eksporteve iraniane të naftës dhe sektorëve të tjerë të rëndësishëm industrialë.

Zoti Pompeo parashikoi se plani do të ishte i suksesshëm, por ai shtoi se SHBA kanë nevojë për vende nga e gjithë bota që të ndihmojnë në mbrojtjen e transportit tregtar.   

Gjermania refuzon thirrjen e SHBA për Hormuzin

Gjermania refuzuoi thirrjen e Shteteve të Bashkuara që t’i bashkohet misionit ndërkombëtar për të mbrojtur trafikun detar në ngushticën e Hormuzit. Ministri i jashtëm gjerman, deklaroi se çështja kërkon një zgjidhje diplomatike, në mënyrë që të ulen tensionet.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Gjermania t’i bashkohen Francës dhe Britanisë në misionin për të siguruar trafikun në ngushticë, zonë kjo ku çisterna të mëdha ndërkombëtare transportojnë të paktën një të pestën e furnizimeve me naftë të papërpunuar të botës.

“Do të mbajmë lidhjet e hapura në çdo anë dhe do të gjejmë mënyra të krijojmë besim dhe të ulim tensionet. Kërkohet një zgjidhje diplomatike. Nuk duhet një zgjidhje ushtarake dhe unë nuk njoh dikë që beson se kjo është zgjidhja”, tha ministri i jashtëm gjerman Heiko Mass.

Tensionet në Lindje të Mesme janë shtuar, pas akuzave që Shtetet e Bashkuara dhe Irani i bënë njëri-tjetrit për rrëzimin e avionëve pa pilot, në afërsi të ngushticës.

Veç kësaj, Britania konfiskoi një çisternë iraniane afër Gjibraltarit që Londra beson se ishte duke transportuar naftë për në Siri. Rojet revolucionare të Iranit u kundërpërgjigjën duke marrë kontrollin e një çisterne nafte britanike në ngushticë. Javën e kaluar, Britania kërkoi veprim nga nisma detare e Evropës, por Uashingtoni insistoi të drejtojë misionin.

Udhëheqësit evropianë janë ngurrues të mbështesin misionin e udhëhequr nga SHBA-të, i cili mund të tensionojë edhe më shumë rajonin. Mospajtimet midis Tehranit dhe Uashingtonit nisën kur Presidenti Donald Trump anuloi marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe vuri sanksione ndaj qeverisë islamike.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA