Amerika vendos sanksione ndaj tre ndërmarrjeve iraniane ndërsa dërgon armë dhe trupa në A. Saudite
Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ka urdhëruar sekretarin e Thesarit Stiven Mnuchin që të "rrisë ndjeshëm sanksionet" e vendosura ndaj Iranit
SHJ
18/09/2019 - 17:43
Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ka urdhëruar sekretarin e Thesarit Stiven Mnuchin që të "rrisë ndjeshëm sanksionet" e vendosura ndaj Iranit, mes tensioneve të përshkallëzuara mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Ai nuk dha detaje shtesë lidhur me këtë vendim, që pason sulmet në fundjavë në objektet e naftës në Arabinë Saudite.
Ndërkohë sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo është nisur të mërkurën drejt Riadit për të diskutuar me zyrtarët sauditë rreth sulmit ndaj objekteve të naftës të Arabisë Saudite që zyrtarët e amerikanë besojnë se e kishte origjinën nga Irani.
Nënpresidenti Mike Pence tha se diplomati i lartë amerikan do të diskutojë mbi "përgjigjen e Uashingtonit” ndaj sulmit.
Rebelët Houthi në Jemen, që mbështeten nga Irani, kanë marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e së shtunës, i cili shkatërroi gjysmën e prodhimit të naftës të Arabisë Saudite. Por sipas zyrtarëve amerikanë provat në dispozicion tregojnë se kjo nuk është e mundur.
"Supozimi ynë është se sulmi nuk erdhi nga Jemeni apo Iraku", i tha të martën një zyrtar amerikan i mbrojtjes Zërit të Amerikës. Ai shtoi se një ekip ekspertësh amerikanë ndodhen në terren duke punuar me autoritetet saudite, për të ekzaminuar mbetjet e raketave.
"Ne mendojmë se provat do të jenë bindëse", shtoi zyrtari.
Të tjerë zyrtarë amerikanë thonë se provat që tashmë janë mbledhur janë përfundimtare dhe dëshmojnë se Irani ishte autor i sulmit. Zyrtarë të paidentifikuar i thanë rrjetit televiziv NBC të martën se më shumë se 20 dronë e raketa të përdorura gjatë sulmit ndaj objekteve të naftës saudite, ishin lëshuar nga Irani.
Zyrtarë të tjerë i thanë rrjetit televiziv CBS se të paktën një nga raketat kaloi nëpër hapësirën ajrore të Kuvajtit ndërsa udhëtonte në jug, drejt Arabisë Saudite. Agjencia e lajme Reuters citonte disa zyrtarë që thonë se sulmet e kishin origjinën në jugperëndim të Iranit. Voa
Hollësitë e sanksioneve do të njoftohen brenda 48 orësh ndërsa veprimet ushtarake nuk përjashtohen. Majk Pompeo sulmin ndaj Arabisë Saudite e quajti një akt lufte nisur nga efekti që pati mbi çmimin e naftës. Sanksionet tashmë përfshijnë sektorë nga nafta dhe metalet e vyer deri tek automjetet. Sanksionet mund të zgjerohen mbi komponentët e manifakturës të cilët janë kursyer deri tani. FT
Pas dy ditësh...
Por sekretari amerikan i Shtetit Michael Pompeo dha detaje rreth sanksioneve të reja ndaj Iranit lidhur me sulmin ndaj rafinerive të naftës saudite. Me urdhër të Presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur sanksione Bankën Qendrore të Iranit, Fondin Kombëtar të saj të Zhvillimit si dhe kompanisë me bazë në Iran "Etemad Tejarat Pars" e cila sipas gjetjeve qëndron pas fshehjes së transfertave financiare që lidhen me blerje armatimesh.
"Në një përpjekje të dështuar për të krijuar probleme në ekonominë globale, Republika Islamike e Iranit sulmoi Mbretërinë e Arabisë Saudite. Ky akt agresioni ishte i sofistikuar në mënyrën se si u planifikua dhe i pacipë në mënyrën se si u ekzekutua. Provat tregojnë Iranin dhe vetëm Iranin si autor të sulmit. Si rezultat Presidenti Trump udhëzoi administratën e tij të rrisë ndjeshëm sanksionet tashmë historike ndaj sponsorit kryesor të terrorizmit në botë", thuhej në deklaratën e sekretarit Pompeo.
Sipas zotit Pompeo fushata e presionit maksimal do të vazhdojë të rrisë kostot ndaj Republikës Islamike të Iranit derisa ai të ndryshojë ato që zoti Pompeo i quajti "politika destabilizuese në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën".
Vendimin për sanksione të reja ndaj Iranit e njoftoi vetë Presidenti Trump. I pyetur nga gazetarët rreth alternativave ushtarake për Iranin, ai tha se Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë të përgatitura.
Të premten Pentagoni do t’i paraqesë udhëheqësit amerikan një gamë të gjerë opsionesh ushtarake, ndërkohë që ai shqyrton mundësitë për t’iu kundërpërgjigjur atij që zyrtarët e administratës e quajnë një sulm të pa precedent të Iranit ndaj industrisë saudite të naftës.
Presidentit do t’i paraqitet një listë objektesh për sulme ajrore brenda Iranit, midis alternativave të tjera të mundshme. Gjeneralët pritet ta paralajmërojnë atë se një veprim i mundshëm ushtarak kundër Republikës Islamike mund të përshkallëzohet në luftë, sipas disa zyrtarëve amerikanë që folën në kushte anonimiteti.
Irani ka mohuar se ka qenë i përfshirë në goditjen e rafinerive saudite dhe paralajmëroi SHBA se çdo sulm do të shkaktonte një "luftë në të gjitha frontet", me një kundërpërgjigje të menjëhershme nga Teherani.
Pas një dite...
Pentagoni tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë trupa shtesë dhe pajisje kundërajrore në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Njoftimi pasoi sulmet e fundjavës së kaluar mbi rafineritë e naftës në Arabinë Saudite, për të cilët zyrtarët amerikanë thanë se janë kryer nga Irani, pretendime të cilat Teherani i ka mohuar. Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, tha se presidenti Donald Trump “ka miratuar vendosjen e forcave amerikane që do të jenë të natyrës mbrojtëse”.
Sekretari Esper tha se Shtetet e Bashkuara iu përgjigjen kërkesës së sauditëve dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për përmirësimin e mbrojtjes së tyre kundërajrore dhe kundër raketave. Gjenerali Joseph Dunford, shef i shtatmadhorisë, tha se hollësitë rreth vendosjes së trupave amerikane do të diskutohen gjatë fundjavës dhe do të bëhen publike javën e ardhshme.
"Sekretari (Mike) Pompeo sapo u kthye këtë mëngjes, dhe sauditët kërkuan shtimin e mundësive mbrojtëse”, tha gjenerali Dunford. "Ne nuk kemi vendosur për ndonjë njësi të veçantë”, por ato që do të zgjidhen do të ndihmojnë në mbrojtjen kundërajrore të këtyre vendeve.
Të premten vonë, Kombet e Bashkuara thanë se kanë dërguar një ekip prej katër ekspertësh ndërkombëtar në Arabinë Saudite për të hetuar sulmet në rafineritë e naftës. Më herët, presidenti Trump shpalli sanksione të reja kundër Bankës Kombëtare të Iranit, duke përshkallëzuar më tej trysninë ekonomike mbi Republikën Islamike, por duke u përmbajtur nga çdo veprim i drejtpërdrejtë ushtarak.
"Mendoj se sanksionet e bëjnë punën e tyre”, tha presidenti Trump gjatë një konference të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin e Australisë, Scott Morrison
Presidenti Trump shpalli sanksionet e reja derisa administrata e tij po peshon mundësitë rreth Iranit, përfshirë veprimet për të dobësuar më tej ekonominë e tij, vendosjen e më shumë trupave amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme dhe sulmet e mundshme ushtarake. Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, tha të enjten se se sulmet ushtarake amerikane apo të Arabisë Saudite ndaj vendit të tij do të çonin “në luftë të përgjithshme”.
Shtetet e Bashkuara më parë vendosën sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Iranit për shkak të programit të tij të pretenduar bërthamor. Por, Departamenti amerikan i Thesarit tha te premten se sanksionet e fundit u vendosën pasi që Banka Qendrore e Iranit është përfshirë në "terrorizëm" duke siguruar "miliarda dollarë" Rojat revolucionare islamike dhe Hezbollahun. Presidenti iranian, Hassan Rouhani, ka theksuar shpesh se çfarëdo negociatash ndërmjet tij dhe presidentit Trump, mund të ndodhin vetëm pas heqjes së sanksioneve amerikane.
Përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 20 reads