...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Brazili refuzoi ndihmën e elitës mbikombëtare (G7) për ripyllëzimin e zonave të djegura

Jair Bolsonaro tha për median G1 se Brazili e vlerësonte ofertën, por shtoi se ndoshta ato burime janë më të rëndësishme për të ripyjëzuar Evropën

Voa

27/08/2019 - 18:27

Brazili hodhi poshtë të hënën ndihmën nga vendet e Grupit G-7 për të luftuar zjarret në Amazonë, përmes një zyrtari të lartë i cili i tha Presidentit Francez Emmanuel Macron të kujdeset për "vendin e tij dhe kolonitë e tij". Grupi G-7 të hënën premtoi dhjetëra miliona dollarë për të ndihmuar në luftën ndaj zjarreve në Amazon dhe mbrojtjen e pyjeve të saj. Pas takimit Presidenti Macron iu drejtua presidentit Brazilian Jair Bolsonaro se “nuk mund të të lejojmë të shkatërrosh gjithçka”

Onyx Lorenzoni, shefi i personelit të Presidentit Jair Bolsonaro tha për median G1 se Brazili e vlerësonte ofertën, por shtoi se ndoshta ato burime janë më të rëndësishme për të ripyjëzuar Evropën.

Zoti Lorenzoni po i referohej premtimeve ndërkombëtare në takimin e G7-ës në Francë, që përfshinin 20 milion dollarë nga grupi, si dhe 12 milion dollarë nga Britania dhe 11 milion dollarë nga Kanada. Otava kishte ofruar gjithashtu dërgimin e aeroplanëve të zjarrfikësve në Brazil.

"Macron nuk arriti as të shmangte një zjarr të parashikueshëm në një kishë që është një objekt i trashëgimisë botërore. Çfarë do ai t’i mësojë vendit tonë?" tha ai duke iu referuar zjarrit në prill që shkatërroi katedralen Notre-Dame.

Ministri Brazilian i Mjedisit, Ricardo Salles u kishte thënë më herët gazetarëve se fondet e G7 për të luftuar zjarret ishin mirëpritur.

Por pas një takimi të presidentit Bolsonaro me ministrat e tij, qeveria braziliane ndryshoi kursin.

"Brazili është një komb demokratik, i lirë që kurrë nuk ka pasur praktika kolonialiste dhe imperialiste, ndryshe nga ç’është ndoshta objektivi i francezit Macron", tha Lorenzoni.

Tensionet janë rritur midis Francës dhe Brazilit, pasi Macron bëri të ditur se zjarret në Amazonë janë bërë një krizë ndërkombëtare dhe duhej të diskutoheshin si një përparësi kryesore në samitin e G7.

Bolsonaro reagoi duke thënë se zoti Macron kishte një "mentalitet kolonialist".

Ndërkohë zjarrfikësit në shtetin brazilian të Rondonias, vazhdojnë të hasnin vështirësi për të frenuar një zjarr që po përhapej me shpejtësi pranë një rezervati kombëtar pyjor të hënën.

Zjarri është një nga mijëra flakët që kanë përfshirë Amazonën, pyllin më të madh tropikal në botë, në katastrofën mjedisore që ka ngjallur shqetësim global.

Duke kaluar me shpejtësi në rrugët e pashtruara me një zjarrfikëse të vogël, zjarrfikësit ndoqën shtëllungat e tymit që ngriheshin mbi pyllin kombëtar Jacunda.

Grupi luftoi me flakët, duke hedhur ujë me tuba të lidhur me çanta shpine prej gome me ujë.

Kur mbaroi uji, ata përdorën sharra dhe satra për të spastruar pranë zjarrit.

Tymi nga zjarri e bënte të vështirë frymëmarrjen.

Në muzg, dielli përvëlues në këtë pjesë të Amazonës, nuk shihej i mbuluar nga tymi i dendur që mbulonte horizontin si mjegull.

Menaxheri lokal i fermave Willian Sabara dos Santos tha se pylli duhet të ruhet dhe qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar fermerët e vegjël.

“Mendoj se shpyllëzimi ka kohë që ndodh por vetëm tani është shtuar trysnia për ta ndalur. Nuk besoj se është intensifikuar aq shumë sa po thuhet. Po vihet në qendër të vëmendjes nga ato që po thotë Presidenti, por kështu është çdo vit: tym, zjarre të paligjshme”.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA