...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Erdogani kërcënon BE-në me refugjatët sirianë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan kërkon më shumë ndihma nga BE për refugjatët sirianë në vendin e tij. Në rast të kundërt ai mund t'i lejojë ata të kalojnë kufijtë drejt Europës.

DW

06/09/2019 - 13:59

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan sërish e ka kërcënuar Europën me hapjen e portave në kufi për refugjatët, në rast, se vendi i tij nuk merr më ndihma. Gjatë një fjalimi në Ankara para drejtuesve të provincave ai tha, se Turqinë po e "detyrojnë" që të hapë "portat e saj". "Sa ka të bëjë me ndarjen e barrës së refugjatëve, ne nuk kemi marrë nga bota dhe as nga BE-ja ndihmën e nevojshme. Për ta marrë atë, mund të ndodhë që ne të detyrohemi ta ndërmarrim një hap të tillë."

Në kuadrin e paketës për refugjatët të vendosur mes Turqisë dhe BE-së, shtetet e BE-së financojnë ndihmat për refugjatët, që jetojnë në Turqi dhe marrin që andej njerëzit nga Siria, të cilët kanë nevojë për mbrojtje. Njëkohësisht BE-ja lejohet të kthejë të gjithë emigrantët, që udhëtojnë ilegalisht në BE përmes Turqisë për në ishujt grekë. Numri i refugjatëve që vijnë nga Turqia kohët e fundit është shtuar ndjeshëm.

Zëdhënësja e BE-së, Natasha Bertaud tha, se BE-ja ka besim se do ta vazhdojë bashkëpunimin me Turqinë. BE jep "ndihmë të qenësishme" për refugjatët në Turqi. Deri tani janë lëvruar 5,6 nga 6 miliardë Eurot dhe pjesa tjetër do të pasojë së shpejti, tha Bertaud.BE-ja i premtoi Turqisë në kuadër të të ashtuquajturit "deal për refugjatët" në vitin 2016 gjashtë miliardë Euro. Erdogani e akuzon BE-në rregullisht, se nuk po i përmbahet premtimit dhe kërcënon me prishjen e marrëveshjes. Tani ai tha, se Turqia ka shpenzuar 40 miliardë Dollarë për refugjatët, e deri tani ka marrë vetëm tre miliardë Euro prej BE-së. Nëse Europa nuk jep ndihmat, Turqia nuk mund ta përballojë gjatë këtë barrë, paralajmëroi Erdogani.

3,6 milionë sirianë të pranuar

Që nga fillimi i luftës civile në Siri më 2011, Turqia ka pranuar rreth 3,6 milionë refugjatë, më shumë se çdo vend tjetër i botës. Fryma e karakterizuar prej kulturës së mirëseardhjes së fundi ka nisur të ndryshojë, kryesisht për shkak të gjendjes së keqe ekonomike.

Shumë refugjatë nga Turqia vijnë në ishujt grekë të Egjeut si p.sh. në Lesbos, ku në strehimoren Moria janë strehuar mbi 10.000 vetë. Erdogani u shpreh për një plan lidhur me një të ashtuquajtur zonë sigurie në veri të Sirisë dhe tha, se atje "do të vendosë të paktën një milionë refugjatë". Qeveria është "e vendosur deri javën e  fundit të shtatorit të nisë me ndërtimin e kësaj zone në lindje të Eufratit. Turqia kontrollon pjesë të Sirisë në veri, ku sipas të dhënave turke janë strehuar ndërkohë  350.000 refugjatë sirianë.

Griechenland Flüchtlingslager Moria auf der Insel Lesbos (Reuters/G. Moutafis)

Pamje e kampit të Morias, në ishullin Lesbos, Greqi

Shtëpi në zonën e sigurisë

Turqia mund të ndërtojë shtëpi në këtë zonë në vend të çadrave për refugjatë, tha presidenti turk. "Na jepni ne mbështetjen logjistike, dhe ne mund t'i ndërtojmë shtëpitë deri në 30 km në brendësi të veriut të Sirisë", tha ai. Në këtë mënyrë refugjatët mund të kenë kushte më dinjitoze jetese.

SHBA dhe Turqia në fillim të gushtit ranë dakord për ndërtimin e një "zone sigurie" në veri të Sirisë. Deri tani janë bërë publike fare pak detaje. Turqia dëshiron që përgjatë kufirit, prej kohësh një territor, që të ndodhet nën kontrollin e vetëm të saj dhe prej nga të tërhiqen trupat kurde. Deri tani ky territor kontrollohet prej milicëve kurdë YPG, që Ankaraja i konsideron si organizatë terroriste. Për SHBA-në në të kundërt këta janë një partner i rëndësishëm në luftën kundër milicëve të terrorit IS (Shteti Islamik). Erdogani paralajmëroi, se nëse nuk ka përparime, Turqia "do ta ndërtojë sipas mënyrës së vet zonën e sigurisë" deri në javën e fundit të shtatorit. Turqia dhe Siria ndajnë së bashku nga Mesdheu deri në lumin Tigër një kufi rreth 900 km të gjatë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA