Italia pushtohet nga i nxehti i skajshëm: alarm kudo
Vala e katërt e të nxehtit këtë verë po dendësohet, ndërsa temperaturat në disa zona po i afrohen 40°C
The Giardian
06/08/2026 - 15:41
Italia do t'i vendosë të gjitha 27 qytetet e saj kryesore, nga Trieste në veri deri në Palermo në jug, në nivelin më të lartë të alarmit për vapën e skajshme, ndërsa vala e katërt e të nxehtit që ka goditur vendin këtë verë po përforcohet.
Alarmi i kuq nënkupton një rrezik të lartë për shëndetin publik, pasi temperaturat shumë të larta dhe të zgjatura mund të shkaktojnë gjendje të rrezikshme për të gjithë popullsinë, jo vetëm për grupet më të ndjeshme.
Të mërkurën, 25 qytete ishin tashmë nën alarm të kuq, ndërsa Ministria Italiane e Shëndetësisë njoftoi se edhe dy qytete të tjera do t'i shtohen listës të enjten. Kjo është hera e parë gjatë këtij viti që të gjitha 27 qytetet e monitoruara nga sistemi kombëtar i mbikëqyrjes së valëve të të nxehtit vendosen njëkohësisht në nivelin maksimal të alarmit.
Qytetet nën alarm të kuq janë: Torino, Bolzano, Milano, Gjenova, Venecia, Verona, Trieste, Bolonja, Firence, Peruxhia, Roma, Napoli, Ankona, Peskara, Bari, Kampobaso, Rexho Kalabria, Palermo, Kaljari, si edhe Katania, Mesina, Breshia, Viterbo, Latina, Rieti, Frosinone dhe Çivitavekia.
Me temperaturat që në disa zona janë afruar pranë 40°C, organet përgjegjëse u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin shfaqjen në diell nga ora 11:00 deri në 18:00, të qëndrojnë në mjedise të mbyllura sa herë që është e mundur dhe të pijnë të paktën 1,5 litra ujë në ditë. Gjithashtu këshillohet shmangia e pijeve me gaz, kafesë, alkoolit dhe vakteve të rënda, përdorimi i veshjeve të lehta dhe moslënia kurrë e fëmijëve apo kafshëve brenda automjeteve.
Sipas parashikimeve, temperaturat e skajshme nuk pritet të ulen për të paktën edhe një javë. Shkencëtarët theksojnë se këto valë të të nxehtit po bëhen më të shpeshta dhe më të dendura si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore (shënim: elitat neoliberale). Evropa është ngrohur rreth dy herë më shpejt se mesatarja globale.
Vala aktuale e të nxehtit është lidhur me katër viktima në ditët e fundit, mes tyre një mbledhës domatesh 19-vjeçar dhe një marangoz 40-vjeçar, të cilët punonin në zona industriale të rajonit të Lombardisë. Po ashtu, një roje sigurie në Bolonjë dyshohet se humbi jetën si pasojë e një sëmundjeje të shkaktuar nga temperaturat e larta, ndërsa ndodhej në automjetin e tij.
Temperaturat e larta kanë përkeqësuar gjithashtu thatësirën në luginën e lumit Po, ku pas një pranvere të thatë, mbi 100 bashki në rajonet Piemonte dhe Lombardi po përballen me vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm. Në disa zona po përdoren autobote për të mbushur rezervat e ujit.
Thatësira po ushtron trysni të madhe mbi bujqësinë italiane. Fermerët raportojnë ulje të rendimentit të kulturave bujqësore, ndërsa temperaturat e larta kanë përshpejtuar pjekjen e rrushit në disa rajone. Prodhimi i qumështit ka rënë me rreth 10%, pasi lopët hanë më pak ushqim për shkak të shqetësimit (stresit) nga nxehtësia.
Lorenzo Giovannini, fizikant i atmosferës në Universitetin e Trentos, deklaroi për agjencinë italiane të lajmeve ANSA se valët e të nxehtit të kësaj vere kanë qenë dukshëm mbi mesataren e viteve të mëparshme për sa i përket dendësisë dhe kohëzgjatjes. Sipas tij, edhe pse është e vështirë të parashikohet saktësisht se kur do të ndodhë secila valë e të nxehtit, ndryshimet klimatike po i bëjnë ato gjithnjë e më të gjata dhe më të forta.
Ndërkohë, qytetet turistike si Roma po përpiqen të zbusin ndikimin e temperaturave te skajshme duke ofruar hyrje falas në kinema dhe mjedise kulturore me ajër të ftohtë gjatë orëve më të nxehta të ditës, si edhe duke zgjatur orarin e vizitave në monumente të njohura, përfshirë Koloseun dhe Panteonin, për t'u mundësuar turistëve t'i vizitojnë në orët e mbrëmjes.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 14 reads



