Kriza mes Uashingtonit dhe Moskës: shkurtohet personeli i ambasadës amerikane ndërsa Blinkeni shkon në Ukrainë
Të premten Kremlini akuzoi Uashingtonin për nxitje të tensioneve me "veprime jomiqësore" pasi ambasada amerikane në Moskë tha se do të shkurtonte personelin dhe po ndalonte përpunimin e dokumentave për viza për një pjesë të madhe të shtetasve rusë.
Voa-SHJ
30/04/2021 - 19:18
SHBA ndal shërbimin e vizave për shumë rusë, kritika nga Moska
Të premten Kremlini akuzoi Uashingtonin për nxitje të tensioneve me "veprime jomiqësore" pasi ambasada amerikane në Moskë tha se do të shkurtonte personelin dhe po ndalonte përpunimin e dokumentave për viza për një pjesë të madhe të shtetasve rusë.
Ambasada tha se po shkurtonte personelin konsullor me 75% dhe se duke filluar nga 12 maji, do të ndalonte përpunimin e vizave, që nuk kishin qëllim emigrimi, për udhëtime jodiplomatike, pas miratimit të një ligji të ri në Rusi, i cili vendos kufizime mbi numrin e personelit vendas që mund të punojë në misionet e huaja diplomatike.
Kjo do të thotë që rusët, të cilët nuk janë diplomatë, apo që nuk po aplikojnë për t’u pajisur me Kartën e Gjelbër (Green Card), nuk do të mund të aplikojnë brenda vendit të tyre për viza për të vizituar Shtetet e Bashkuara për turizëm e qëllime të tjera. Por në qoftë se kanë nevojë, ata mund të aplikojnë për këto lloje vizash në një vend të tretë.
Ministria e Jashtme ruse vuri në dukje se konsullatat ruse në Shtetet e Bashkuara po lëshonin viza pavarësisht nga shkurtimet në personelin e tyre diplomatik dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara mund ta plotësojnë personelin e tyre në ambasadë duke sjellë diplomatë amerikanë.
Zyrtarët rusë thonë se kuota e stafit diplomatik amerikan në Rusi është 455 persona dhe se vetëm 280 janë punonjës të akredituar, duke i dhënë Uashingtonit hapësirë të mjaftueshme për të shtuar numrin e tyre. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se vendimi i ambasadës amerikane do të kishte pak ndikim praktik sepse, siç tha ai, rusët kanë patur shumë probleme në vazhdimësi për të marrë viza amerikane.
"Këtu duhet parë shkaku kryesor i situatës së tensionuar në marrëdhëniet tona dypalëshe", u tha zoti Peskov gazetarëve.
"Nëse sheh veprimet jomiqësore, atëherë bëhet e qartë se pararojë e gjithë kësaj janë veprimet e Shteteve të Bashkuara", tha ai. Zoti Peskov shtoi se Rusia "priste zhvillimeve më pozitive" në 100 ditët e para në Shtëpinë e Bardhë të Joe Biden-it. Ai tha se Moska i mirëpriti masat për të zgjatur traktatin e ri të armëve bërthamore të quajtur “START”.
"Por ky zhvillim pozitiv është shumë i vogël në krahasim me ngarkesën negativive që kemi grumbulluar gjatë këtyre 100 ditëve. Kjo ngarkesë fatkeqësisht mbizotëron", tha ai. Moska dhe Uashingtoni kanë mbajtur prej kohësh qëndrime të ndryshme për një sërë çështjesh, por lidhjet u përkeqsuan më tej kur zoti Biden tha se ai besonte se Presidenti Vladimir Putin ishte "një vrasës".
Sanksionet
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Rusisë këtë muaj për veprimtari të dyshuar keqdashëse, përfshirë ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar, sulmet kibernetike si dhe "presionin" ndaj vendit fqinj, Ukrainës.
Moska u hakmor me sanksione kundër Shteteve të Bashkuara dhe i ka hedhur poshtë kritikat e SHBA-së për trajtimin që i është bërë kritikut të burgosur të Kremlinit, Aleksei Navalni.
Gjithashtu javët e fundit lidhjet e Rusisë me disa vende në Evropën Qendrore e Lindore janë përkeqësuar, duke çuar në një seri dëbimesh diplomatike. Javën e kaluar, kur Presidenti Putin nënshkroi ligjin që kufizon stafin lokal të punësuar në misionet diplomatike, ai i kërkoi gjithashtu qeverisë të hartonte një listë të shteteve "jomiqësore" që do t'u nënshtroheshin kufizimeve.
Televizioni shtetëror rus publikoi një projektlistë në të cilën përfshiheshin ndër të tjera edhe Shtetet e Bashkuara.
"Na vjen keq që veprimet e qeverisë ruse na kanë detyruar të zvogëlojmë personelin konsullor me 75%", thuhej në një deklaratë të ambasadës amerikane. "Duke filluar nga 12 maji, ambasada amerikane në Moskë do të zvogëlojë shërbimet konsullore, duke ofruar shërbime vetëm për rastet urgjente për qytetarët amerikanë dhe një numër shumë të kufizuar të vizave të emigracionit të konsideruara urgjente", thuhej gjithashtu në deklaratë.
"Kam patur gjithmonë frikë nga “Perdja e Hekurt ", por aktualisht ajo nuk po imponohet nga ana jonë, por nga pala tjetër", tha Ksenia Sobchak, një ish-kandidate për presidente të Rusisë.
Sekretari Blinken drejt Ukrainës
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të shkojë në Ukrainë javën e ardhshme, ndërsa Uashingtoni po koordinon nga afër me Kievin për situatën pas shtimit të fundit të pranisë ushtarake të Rusisë përgjatë kufirit me Ukrainën. Sekretari Blinken do të jetë në Ukrainë më 5-6 maj, "kur ai do të takohet me Presidentin Zelensky, Ministrin e Jashtëm Kuleba, zyrtarë të tjerë dhe përfaqësues të shoqërisë civile të Ukrainës për të riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresionit që po zhvillon Rusia”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price në një deklaratë të premten.
Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë nga afër lëvizjet e Rusisë pasi Moska njoftoi të enjten e kaluar se do të fillonte tërheqjen e trupave të saj nga kufiri i Ukrainës. Sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby tha këtë javë se është shumë herët për të folur dhe se po marrin për të mirëqena pretendimet e Rusisë se po tërheqin të gjithë forcat, ndërsa pranoi "një lloj largimi të disa forcave [të Rusisë] nga Ukraina".
Zyrtarë të lartë amerikanë dhe të Bashkimit Evropian kishin thënë se afërsisht 150 000 forca ruse u dislokuan përgjatë kufirit të Ukrainës dhe në Krime, numër më i madh ky nga forcat në këtë zonë shtatë vjet më parë kur Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë në vitin 2014. Shtetet e Bashkuara kanë riafirmuar mbështetjen e tyre për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke i kërkuar qeverisë ruse të ndërpresë menjëherë çdo veprimtari agresive në Ukrainë dhe përreth saj.
Udhëtimi i Sekretarit Blinken në Ukrainë do të ishte udhëtimi i tij i parë si sekretari amerikan i shtetit. Në Kiev, ai "do të inkurajojë gjithashtu përparimin e vazhdueshëm në axhendën e reformave institucionale të Ukrainës, veçanërisht veprimin anti-korrupsion, i cili është thelbësor për sigurimin e institucioneve demokratike të Ukrainës, prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen Euro-Atlantike", tha zoti Price në deklaratën e së premtes.
Para udhëtimit në Ukrainë, kryediplomati amerikan do të marrë pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të G-7ës në Londër nga 3-5 maj, i cili është takimi i parë i tillë në person që prej dy vitesh kur filloi pandemia e koronavirusit.
"Shtetet e Bashkuara do të diskutojnë se si mund të punojnë me vendet e tjera për të trajtuar çështjet kyçe gjeopolitike me të cilat përballemi ndërsa rimëkëmbemi më tej nga kjo pandemi", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. "Trajtimi i COVID-19 dhe kriza e klimës do të vihen në rend të parë në axhendë, ashtu si edhe avancimi i rritjes ekonomike, të drejtat e njeriut, siguria ushqimore, barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave".
Në Britani, Sekretari Blinken do të takohet gjithashtu me Kryeministrin Boris Johnson dhe Sekretarin e Jashtëm Raab "për të diskutuar përparësitë e përbashkëta SHBA-Britani të Madhe".
Përveç vendeve të G-7ës, zyrtarë nga Australia, India, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut dhe Brunei, në cilësinë e Kryesisë së ASEAN-it, do të bashkohen në takimin e Ministrave të Jashtëm dhe të Zhvillimit të G-7 si të ftuar. Zoti Price tha se, "këto takime do të hedhin bazat për Samitin e 46-të të Udhëheqësve, në Cornwall në qershor."
Rusia u ndalon hyrjen tetë qytetarëve të BE-së, si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve
Rusia ndaloi të premten tetë zyrtarë nga vendet e Bashkimit Evropian të hynin në vend si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të vendosura ndaj shtetasve rusë nga BE-ja.
Ministria e Jashtme ruse tha se të ndaluarit përfshijnë Vera Jourovën, zv/presidente për vlerat dhe transparencën në Komisionin Evropian, David Sassolin, president i Parlamentit Evropian dhe Jacques Maire, një anëtar i delegacionit francez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
"Bashkimi Evropian vazhdon të ndjekë politikën e vet të masave kufizuese të paligjshme, të njëanshme kundër qytetarëve dhe organizatave ruse," tha ministria në një deklaratë. Ajo akuzoi BE-në për minimin "haptas dhe qëllimisht" të pavarësisë së politikës së brendshme dhe të jashtme të Rusisë.
Zoti Sassoli, presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen dhe shefi i Këshillit Evropian Charles Michel thanë në një deklaratë të përbashkët se ata dënuan veprimin "e papranueshëm" të Rusisë në "termat më të fortë të mundshëm" dhe se kjo tregonte se Moska kishte zgjedhur rrugën e konfrontimit me bllokun.
"BE rezervon të drejtën të marrë masat e duhura në përgjigje të vendimit të autoriteteve ruse," thanë ata.
Sassoli tha në Twitter se asnjë sanksion ose kërcënim nuk do ta ndalte parlamentin ose atë vetë të mbronte të drejtat e njeriut, lirinë dhe demokracinë.
"Kërcënimet nuk do të na e mbyllin gojën. Siç ka shkruajtur Tolstoy, pa të vërtetë, nuk ka madhështi," shkruante ai.
Rusia ndaloi tre zyrtarë nga shtetet baltike: Ivars Abolins, kryetar i Këshillit Kombëtar të Mediave Elektronike të Letonisë, Maris Baltins, drejtor i Qendrës Shtetërore të Gjuhës në Letoni dhe Ilmar Tomusk, kreu i Inspektoriatit të Gjuhës në Estoni.
Po ashtu u ndalua Jorg Raupach, prokurori publik i Berlinit dhe Asa Scott i Agjencisë suedeze për Kërkime të Mbrojtjes.
Zoti Scott ishte midis zyrtarëve që thanë se kritiku i Kremlinit Alexei Navalny ishte helmuar në Rusi me një agjent nervor të periudhës sovjetike.
Zoti Navalny u shërua nga helmimi në Gjermani dhe u arrestua pas kthimit të tij në Rusi në janar, dhe u dënua në shkurt me 2-1 / 2 vjet burg për një shkelje të një dënimi me kusht të mëparshëm për përvetësim që ai ka thënë se ishte i motivuar politikisht.
BE-ja vendosi sanksione në mars ndaj dy rusëve të akuzuar për persekutimin e anëtarëve të komunitetit LGBT në rajonin jugor rus të Çeçenisë. BE-ja vendosi gjithashtu sanksione në mars ndaj katër zyrtarëve të lartë rusë të afërt me Presidentin Vladimir Putin.
Lexo dhe këtë
Kronologjia e krizës Ukrainë-Rusi-Perëndim: largimi i ambasadorëve sinjalizon Luftën e Ftohtë
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 14 reads



