...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kurdët e Idlib-it mes mosmarrëveshjeve të superfuqive

Muajin e kaluar, gjeneralët turq dhe amerikanë arritën një marrëveshje për të krijuar një zonë të përbashkët kontrolli në Siri për të mbrojtur kufirin e Turqisë nga YPG-ja

Voa

18/09/2019 - 14:53

Presidentët e Turqisë, Iranit dhe Rusisë u takuan në Ankara të hënën në takimin e fundit të nivelit të lartë për të zgjidhur luftën civile siriane.

Nisur në vitin 2017 në kryeqytetin e Kazakistanit, kjo përpjekje njihet si Procesi i Astanas për paqe. Këtë radhë udhëheqësit Recep Tajip Erdogan, Hassan Rouhani dhe Vladimir Putin u përqëndruan në bashkëpunimin mes tyre, pavarësisht dallimeve të thella për të ardhmen e Idlibit, enklavës së fundit të kontrolluar nga rebelët sirian.

"Ne jemi në marrëveshje të plotë për të synuar një zgjidhje të qëndrueshme politike që do të ruante unitetin politik dhe integritetin territorial të Sirisë," tha zoti Erdogan, duke vendosur tonin për mbledhjen një-ditore.

Zoti Erdogan riafirmoi angazhimin e tij për të vënë në shënjestër kryengritësit kurdë të YPG-së në Siri.

"Ne do ta thajmë kënetën terroriste në lindje të Eufratit (në Siri) dhe do t'i intensifikojmë përpjekjet tona në luftën kundër terrorizmit", tha ai.

Ankaraja e ka shpallur grupin YPG si organizatë terroriste të lidhur me një kryengritje kurde brenda Turqisë. YPG është një aleat i rëndësishëm i Uashingtonit në luftën kundër Shtetit Islamik.

Muajin e kaluar, gjeneralët turq dhe amerikanë arritën një marrëveshje për të krijuar një zonë të përbashkët kontrolli në Siri për të mbrojtur kufirin e Turqisë nga YPG-ja. Analistët thonë se shumë detaje mbeten të pazgjidhura midis dy aleatëve të NATO-s.

Zoti Erdogan, duke qendruar përkrah presidentëve Rouhani dhe Putin, përsëriti kërcënimin e tij për të vepruar në mënyrë të njëanshme kundër kryengritësve të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara brenda këtij muaji, nëse nuk krijohet një zonë e përbashkët kontrolli.

Presidenti Rouhani sulmoi praninë e Amerikës në Siri.

"(Presidenti Donald) Trump tha vitin e kaluar se trupat amerikane do të tërhiqen nga Siria, por rezultati i këtij premtimi ka qenë si premtimi tjetër i tij - një gënjeshtër", tha Rouhani. "Është thelbësore që trupat e amerikane të largohen nga rajoni menjëherë dhe qeveria siriane të vendosë sovranitetin në lindje të vendit, në veri të lumit Eufrat".

Presidenti rus Putin mbështeti idenë e një ndërhyrjeje turke, duke thënë se çdo vend ka të drejtë të mbrojë kufirin e tij. Por me kushtin që çdo operacion duhet të marrë fund pasi të eliminohet kërcënimi, tha ai, duke përsëritur rëndësinë e mbrojtjes së sovranitetit të Sirisë.

Analistët thonë se udhëheqësit Rouhani, Erdogan dhe Putin dyshojnë se Uashingtoni fshehurazi ka në plan të krijojë një shtet të pavarur kurd, ose të paktën një zonë autonome të kurdëve.

"Me rëndësi është identifikimi nga Turqia, Irani dhe Rusia i qëllimeve të përbashkëta", thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Mesut Casin nga Universiteti Yeditepe i Stambollit. "Ata synojnë të vendosin dhe mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Sirisë".

Analistët thonë se tensionet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara mbi kryengritësit kurdë të YPG-së i shërbejnë një qëllimi tjetër të Putinit.

"Qëllimi përfundimtar i Rusisë është të dobësojë marrëdhëniet NATO-SHBA-Turqi", thotë profesor Casin.

Kushtetuta siriane dhe e ardhmja e Idlibit

Të tre udhëheqësit gjithashtu njoftuan se ishte arritur një marrëveshje për krijimin e një komisioni për të hartuar një kushtetutë të re siriane. Procesi ishte bllokuar për muaj me radhë për shkak të mosmarrëveshjeve për anëtarët e komisionit. Zoti Putin nuk pranoi të jepte një datë për mbledhjen e parë të komisionit.

Ende ka mospajtime mbi të ardhmen e Idlibit. Presidenti turk Erdogan po lobon me ngulm për t'i dhënë fund sulmeve të vazhdueshme të forcave të Damaskut kundër rebelëve të opozitës.

Ankaraja frikësohet se sulmet mund të shkaktojnë një eksod tjetër të refugjatëve në Turqi. Javën e kaluar, Gjysmëhëna e Kuqe Turke tha se rreth gjysmë milioni sirianë në Idlib kishin ikur në drejtim të kufirit të Sirisë me Turqinë.

Presidenti rus Putin mbrojti me forcë sulmet e qeverisë siriane.

"Një zonë e krijuar për zbutjen e tensioneve nuk duhet të shërbejë si terren për provokime të armatosura," tha ai në fillim të samitit. "Ne duhet të marrim masa shtesë për të shkatërruar kërcënimin terrorist që vjen nga zona e Idlibit".

Vitin e kaluar, presidentët Erdogan dhe Putin arritën një marrëveshje që parandaloi një sulm të ushtrisë siriane në Idlib. Pjesë e marrëveshjes ishte vendosja e forcave turke në 12 pika vëzhgimi për të krijuar një vijë ndarëse midis forcave siriane dhe rebelëve.

Grupet terroriste nuk ishin pjesë e marrëveshjes së armëpushimit. Ankaraja dhe Moska vazhdojnë të kenë dallime mbi identifikimin e disa grupeve si terroriste. Presidenti iranian Rouhani shprehu gjithashtu nevojën që forcat qeveritare siriane të rimarrin kontrollin e Idlibit.

Kontrolli i Idlibit

"Në fund bëhet fjalë për faktin nëse është dëshira e Ankarasë që këto 12 poste vëzhguese (të ushtrisë turke) të rrethohen dhe të mbrohen nga policia ushtarake ruse dhe pastaj ushtria siriane të marrë përsipër kontrollin e plotë të Idlibit, me një rrip toke 5-kilometërshe të mbetur përgjatë kufirit turk dhe murit të ngritur nga Turqia për të mos lejuar kalimin e refugjatëve në pjesën turke të kufirit", thotë ish-diplomatik turk Aydin Selcen.

Disa analistë shprehen se Presidentit turk Erdogan mund të kërkojë të bëjë një marrëveshje, sipas së cilës Ankaraja do të tërhiqte mbështetjen për rebelët në Idlib në këmbim të mbështetjes ruse dhe iraniane për të krijuar një zonë kontrolli kundër kryengritësve kurdë të YPG-së në verilindje të Sirisë, një zonë ku zoti Erdogan u shpreh të hënën se mund të strehoheshin deri në 3 milionë sirianë që aktualisht jetojnë në Turqi.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA