...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Makroni: Mungesa e udhëheqjes amerikane po shkakton “vdekjen klinike” të NATO-s ndërsa Evropa është në buzë të greminës

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se mungesa e udhëheqjes amerikane po shkakton "vdekjen klinike" të NATO-s dhe se Bashkimi Evropian duhet të fillojë të veprojë si një fuqi strategjike botërore

Voa

07/11/2019 - 18:36

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se mungesa e udhëheqjes amerikane po shkakton "vdekjen klinike" të NATO-s dhe se Bashkimi Evropian duhet të fillojë të veprojë si një fuqi strategjike botërore.

Zoti Macron i tha revistës The Economist se Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Donald Trump duket se po 'na kthejnë shpinën’, sidomos me tërheqjen e trupave nga Siria verilindore pa paralajmërim.

Presidenti Macron tha se anëtarët evropianë të aleancës 29 vendëshe, ‘duhet të rivlerësojnë realitetin e ri të NATO nën dritën e angazhimit të Shteteve të Bashkuara’.

Në intervistë, zoti Macron tha se Presidenti Trump ‘nuk ndan idenë tonë për projektin evropian’. Ai shtoi se Evropa ndodhet në ‘buzë të një gremine’ dhe duhet të fillojë të mendojë si një fuqi gjeopolitike, përndryshe ‘ne nuk do të jemi më në kontroll të fatit tonë’.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të enjten se kjo nuk ishte pikëpamja e saj. "NATO-ja mbetet një gur themeli i sigurisë sonë," tha ajo për gazetarët.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e kundërshtoi këtë karakterizim të aleancës gjatë një konference të përbashkët shtypi në Berlin.   

BE të reformohet para se të hapë negociatat me Tiranën dhe Shkupin

Presidenti Macron tha se Bashkimi Evropian ka nevojë për të reformuar procedurat e anëtarësimit para se të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Nëse duam një Evropë të fuqishme, ajo duhet të lëvizë më shpejt dhe të jetë më e integruar. Kjo nuk përputhet me hapjen e një procesi zgjerimi tani, tha zoti Macron.

Të paktën, nëse themi se ‘do të përpiqemi, do të investojmë, do t’i nxisim bizneset të lëvizin me shpejtësi përpara, do të investojmë për zhvillimin, kulturën dhe edukimin’, kjo do të kishte kuptim. Por është absurde të hapësh një proces thjesht burokratik, u shpreh zoti Macron.

“Pyetini ata (vendet e BE-së) nesër nëse duan të hapin derën për Shqipërinë. Gjysma e tyre do të thonë jo. Ata duan të hapen me Maqedoninë e Veriut, e cila është vend i vogël dhe ka ndryshuar emrin, gjë që është një arritje e vërtetë historike. Nuk frikëson askënd. E vërteta është që nëse nuk i hapemi Shqipërisë, do të shkaktojmë një traumë të tmerrshme në rajon. Kudo ka komunitete shqipfolëse. Nëse poshtëron Shqipërinë, atëherë rajoni destabilizohet në mënyrë të pakthyeshme.

Pra, bindja ime është se, së pari, ne duhet të reformojmë procedurat tona të anëtarësimit, të cilat nuk janë më të përshtatshme për qëllimin e tyre, nuk janë strategjike. Ato nuk janë politike, janë tepër burokratike dhe jo të kthyeshme, ndërkohë që duhet të jemi në gjendje në një moment të caktuar të marrim në konsideratë çështjen e kthyeshmërisë,” tha Presidenti Macron.

Ai tha se “nëse shqetësohemi për këtë rajon, pyetja e parë nuk është as Maqedonia e Veriut, as Shqipëria, por Bosnje-Hercegovina,” të cilën ai e quajti një bombë me sahat, pasi po përballet me problemin e kthimit të xhihadistëve.

Presidenti Macron tha se Bashkimi Evropian ka nevojë për të reformuar procedurat e anëtarësimit para se të hapë negociatat.

“Nëse e arrijmë këtë reformë në muajt e ardhshëm, unë do të jem i gatshëm të hap negociatat, nëse ata bëjnë edhe disa përpjekje shtesë që kanë mbetur. Por unë nuk dua asnjë anëtar tjetër të ri pa u reformuar vetë Bashkimi Evropian. Për mua, ky është një parakusht i sinqertë dhe i domosdoshëm.”

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA