...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mélenchon paralajmëron përplasje me Brukselin mbi ‘manifestin’ e tij

Parashtrimet, të cilat i bëjnë jehonë qëndrimeve të mëparshme të Mélonshoit, ka të ngjarë të përballen me kundërshtim të fortë nga bashkëpunëtorët e Francës në Këshillin Evropian

Politico

08/11/2026 - 17:08

PARIS — Kandidati presidencial francez i të majtës, Jean-Luc Mélenchon, dëshiron një rishikim rrënjësor të rregullave të BE-së, i cili do ta vendoste atë në një kurs përplasjeje me Brukselin.

Udhëheqësi i të majtës së skajshme, i cili ka shënuar një rritje të kohëve të fundit në sondazhe përpara zgjedhjeve të vitit 2027, paraqiti një sërë masash për të rishqyrtuar në themel programin e BE-së në platformën e tij presidenciale, të botuar të premten. Mélenchon tha gjithashtu se nuk do t`u bindej rregullave aktuale të BE-së që do ta pengonin zbatimin e platformës së tij, nëse zgjidhej.

Duke parashtruar një “marrëveshje të re” për Evropën, Mélenchon dëshiron të rishkruajë traktatet, të heqë pjesë thelbësore të rregullave të BE-së — përfshirë kufijtë e borxhit dhe deficitit — të pezullojë rregullat e konkurrencës për shërbimet publike, si energjia, transporti dhe telekomunikacionet, si dhe të zbusë ligjet për ndihmën shtetërore.

“Ne do ta zbatojmë menjëherë programin tonë në nivel kombëtar. Kjo do të kërkojë, pra, një përballje me institucionet evropiane”, thuhet në manifestin e partisë së Mélenchonit, Franca e Pabindur. “Kjo do të thotë gjithashtu të mos u bindemi rregullave që na pengojnë, sa herë që është e nevojshme.”

“Logjika jonë është e thjeshtë. Për sa kohë që nuk arrihet një marrëveshje për ndryshimin e traktateve, ne bisedojmë me bashkëpunëtorët tanë dhe, paralelisht, nuk u bindemi [...] rregullave penguese. Nëse arrijmë një marrëveshje, ajo do t’i nënshtrohet një referendumi”, shtonte manifesti.

Parashtrimet, të cilat i bëjnë jehonë qëndrimeve të mëparshme të Mélonshoit, ka të ngjarë të përballen me kundërshtim të fortë nga bashkëpunëtorët e Francës në Këshillin Evropian, i cili tani mbizotërohet nga udhëheqës më konservatorë.

Manifesti thoshte gjithashtu se Banka Qendrore Evropiane duhet të “vihet nën mbikëqyrje demokratike dhe të mobilizohet për të financuar kalimin ekologjik dhe shoqëror”. Mélonshoi shkaktoi një valë kritikash në fillim të këtij viti, kur tha se do t’i “vinte zjarrin” një pjese të madhe të huasë publike të Francës, të mbajtur nga BQE-ja, duke nxitur një rragatë mbarëkombëtar mbi këtë çështje.

Franca është ndër vendet më të goditura nga rritja globale e kostove të huamarrjes, ndërsa gjendja e saj fiskale kufizon gjithashtu aftësinë e qeverisë për të zbutur ndikimin e çmimeve më të larta të karburanteve dhe ushqimeve, si pjesë e një krize më të gjerë të kostos së jetesës në kontinent.

Me detyrimin shtetëror ose huanë publike që arrin në 117,5% të PBB-së dhe deficitin publik mbi 5%, çështjet fiskale janë bërë një shqetësim qendror për votuesit. Kandidatët presidencialë po paraqesin zgjidhje rrënjësisht të ndryshme për këtë problem.

Le Pen është përpjekur ta rivendosë veten si një drejtuese e përgjegjshme e ekonomisë, e cila nuk i druhet shkurtimeve — pavarësisht se kritikët thonë se plani i saj është “tepër optimist” dhe se premtimet e saj kryesore ende nuk janë financuar. Kandidatët e qendrës, si ish-kryeministri Édouard Philippe, po e paraqesin veten si zëri i arsyes për çështjet ekonomike dhe fiskale, por po hasin vështirësi për të fituar mbështetje.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA