...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pompeo: Amerika ka ndryshuar taktikë në Siri por jo qëllim

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, iu drejtua të mërkurën në Uashington koalicionit global prej 79 anëtarësh për të mposhtur ISIS-in, duke thënë se megjithëse "natyra e luftës po ndryshon", qëllimet e SHBA mbeten të njëjta.

Voa

07/02/2019 - 13:12

Shtetet e Bashkuara po përpiqen t'i sigurojnë aleatët nuk do t’i braktisin ata ose përpjekjet e tyre për të shkatërruar grupin terrorist Shteti Islamik pavarësisht nga një tërheqje e afërt e trupave amerikane nga Siria.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, iu drejtua të mërkurën në Uashington koalicionit global prej 79 anëtarësh për të mposhtur ISIS-in, duke thënë se megjithëse "natyra e luftës po ndryshon", qëllimet e SHBA mbeten të njëjta.

"Kjo thjesht paraqet një fazë të re në një luftë të vjetër", tha zoti Pompeo në komentet e tij në hapje të konferencës.

"Heqja e trupave është në thelb një ndryshim taktik. Nuk është një ndryshim në mision," shtoi ai. "Këtë luftë ne do të vazhdojmë së bashku me ju".

Presidenti i SHBA Donald Trump habiti shumë nga aleatët dhe partnerët e Uashingtonit dhe madje disa nga komandantët e tij ushtarakë, kur deklaroi fitoren kundër ISIS-it në dhjetor dhe njoftoi se rreth 2,000 trupa amerikane në Siri do të kthehen në shtëpi.

Që atëherë, Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të SHBA janë përpjekur të sqarojnë se ndërsa i vetëdeklaruari kalifat i grupit terrorist është në prag të rrënimit të plotë si territor, SHBA e kuptojnë se lufta kundër vetë grupit nuk ka marrë fund.

Në fjalimin e tij për gjendjen e vendit të martën vonë, Presidenti Trump vlerësoi përparimin në luftën kundër ISIS-it, por përsëriti thirrjen për të tërhequr trupat e SHBA nga Siria.

"Ne kemi çliruar pothuajse të gjithë territorin nga kthetrat e këtyre monstrave të etura për gjak," tha zoti Trump në një sesion të përbashkët të Kongresit. "Tani, ndërsa ne bashkëpunojmë me aleatët tanë për të shkatërruar mbetjet e ISIS-it, është koha t'u shprehim luftëtarëve tanë të guximshëm në Siri një mirëpritje të ngrohtë në shtëpi".

Por pikërisht se kur do të largohen trupat e SHBA nga Siria kjo është e paqartë.

Zyrtarët e mbrojtjes konfirmojnë se ndërsa disa pajisje tashmë janë larguar nga Siria, planet për tërheqjen e forcave amerikane ende janë duke u formuluar me ndihmën e aleatëve dhe partnerëve në terren, si Forcat Demokratike të Sirisë.

Komandanti i forcave SHBA në Lindjen e Mesme, gjenerali Joseph Votel i Komandës Qendrore, u tha ligjvënësve gjatë një seance dëgjimi të martën se tërheqja do të jetë "e menduar mirë".

"Unë nuk jam nën presion për largimin në një datë të caktuar dhe nuk më është vënë ndonjë kusht specifik", tha gjenerali Votel, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre duhet ta vazhdojnë presionin mbi celulat e ISIS-it në Siri dhe më gjerë.

"Ata kanë aftësinë të rikthehen nëse ne nuk marrim masa," tha ai.

Zyrtarët amerikanë të ushtrisë dhe të inteligjencës vlerësojnë se ende ka 1,000 deri 1,500 luftëtarë që mbajnë një pjesë territori në Luginën e Lumit Eufrat të Sirisë. Dhe ndërkohë që luftimet pritet të përfundojnë brenda disa javësh, rreth 30.000 luftëtarë dhe mbështetës të ISIS-it janë të përhapur nëpër Siri dhe Irak. Disa janë pjesë e kryengritjeve aktive, të tjerë pjesë e celulave të fjetura, që presin kohën e duhur për t'u aktivizuar.

Muajin e kaluar, ISIS-i mori përgjegjësinë për një sulm vetëvrasës të dështuar ndaj një autokolone amerikane në Sirinë veriore dhe një tjetër sulm në qytetin sirian Manbij, ku u vranë katër amerikanë dhe 15 njerëz të tjerë.

Zyrtarët irakianë kanë shprehur shqetësim në lidhje me një seri sulmesh atje, të kryera nga grupe të vogla luftëtarësh të ISIS-it, disa prej tyre të rinj deri në 16 vjeç.

Megjithëse Iraku shpalli fitoren mbi ISIS-in, më shumë se një vit më parë, forcat e sigurisë vazhdojnë të luftojnë xhepat e rezistencës në të gjithë vendin, ndonjëherë me ndihmën e sulmeve ajrore të koalicionit.

Zyrtarët e koalicionit thonë se në fondet për rindërtimin e Irakut ka një mungesë prej 350 milion dollarësh. Të mërkurën, zoti Pompeo u bëri thirrje anëtarëve të Koalicionit "të kontribuojnë me para, jo thjesht me fjalë”.

Ai u tha vendeve anëtare se duhet të jenë të gatshme për më shumë kërkesa për ndihmë.

"Ne kërkojmë që partnerët tanë të koalicionit të shqyrtojnë seriozisht dhe shpejt kërkesat që do të mundësojnë përpjekjet tona për të vazhduar," tha ai. "Këto kërkesa ka gjasa të vijnë shumë shpejt."

Por, ndërkohë që ministri i jashtëm i Irakut kërkoi më shumë ndihmë, ai gjithashtu paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera duhet të kenë kujdes "parimet themelore mbi të cilat koalicioni global ka qenë atje, duke përfshirë më së shumti respektin e plotë të integritetit territorial të Irakut dhe që të gjitha operacionet të zhvillohen me mirëkuptimin e qeverisë".

Komentet e zyrtarëve irakianë vijnë pas një interviste të dhënë nga Presidenti Trump për CBS News të dielën e kaluar, ku ai tha se donte që trupat amerikane të stacionuara në Irak të "vëzhgonin Iranin".

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për aktivitetet destabilizuese të Iranit në Siri dhe në të gjithë Lindjen e Mesme, por zyrtarët e Bagdadit thonë se prania ushtarake amerikane në Irak është rezultat i një marrëveshjeje për të luftuar terrorizmin dhe se mbajtja nën vëzhgim e Iranit nuk është pjesë e marreveshjes.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA