Pompeo siguroi aleatët në Bruksel: Irani nuk do ta bllokojë dot ngushticën e Hormuzit
Departamenti amerikan i Shtetit tha se diplomatët amerikanë kanë zhvilluar bisedime kohët e fundit në Arabinë Saudite, me qëllimin për të "ruajtur një treg nafte të furnizuar mirë, për ta mbrojtur nga paqëndrueshmëria"
Voa
12/07/2018 - 09:35
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, i cili ndodhet në Bruksel, ka planifikuar të zhvillojë takime në periferi të samitit të NATO-s për të siguruar aleatët se Irani, nuk do të ndalë dot furnizimet me naftë që kalojnë përmes ngushticës së Hormuzit.
Më parë gjatë ditës, zoti Pompeo ishte në Emiratet e Bashkuara Arabe ku siguroi autoritetet atje se SHBA-ja është e vendosur të bindë udhëheqjen iraniane se sjellja e keqe e saj nuk do të shpërblehet.
Javën e kaluar, presidenti iranian Hassan Rouhani kërcënoi të ndërpresë rrjedhën ndërkombëtare të naftës nëpërmjet ngushticës së Hormuzit, nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë përpjekjet që vendet e ndryshme të mos blejnë më naftë iraniane.
Zoti Pompeo ka theksuar gjithashtu angazhimin amerikan për të siguruar që korridoret e lëvizjes së anijeve të mbeten të hapura.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se diplomatët amerikanë kanë zhvilluar bisedime kohët e fundit në Arabinë Saudite, me qëllimin për të "ruajtur një treg nafte të furnizuar mirë, për ta mbrojtur nga paqëndrueshmëria".
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 10 reads



