...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Putini kërkoi ndihmën e Merkelit për të ndikuar tek Ukraina

Grindja mes Rusisë dhe Ukrainës zien sërish, bashkësia ndërkombëtare në kërkim të një përgjigjeje. Të hënën Merkeli telefonoi me presidentin Putinin, ku diskutohet analizimi i incidentit nga ekspertët.

DW

27/11/2018 - 10:48

Ukraina ndjehet e kërcënuar nga Rusia dhe ka shpallur të hënën (26.11) ligjin e luftës. Ndërkohë të hënën vonë në mbrëmje, kancelarja Merkel ka telefonuar me presidentin Putin mbi gjendjen në Ukrainë, pas bisedës me presidentin ukrainas, Poroshenko. "Kancelarja gjermane ka theksuar nevojën e çtensionimit të situatës dhe dialogut", ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert pas telefonatës së kancelares Merkeli me presidentin rus, Vladimir Putin.

Në telefonatën me Merkelin, presidenti Putin ia ka hedhur fajin Ukrainës për përplasjen në Detin Azov. Ai i drejtoi lutje kancelares Merkel që të ndikojë tek qeveria e Kievit të "mos ndërmarrë hapa të tjerë të pamatur." Putini e ka vlerësuar situatën si "aksione provokative" të palës ukrainase. Sipas të dhënave të zyrës së shtypit të kancelares, Merkeli dhe Putini kanë diskutuar për variantin e analizimit të incidentit nga ekspertë të mbrojtjes kufitare nga të dyja palët.

Ndërkohë në Këshillin e Sigurimit, ambasadorja e SHBA-së, Nikki Haley akuzoi Rusinë për "shkelje skandaloze" të sovranitetit ukrainas. Edhe sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo e kritikoi Rusinë. Ndërsa presidenti Trump u shpreh vetëm, se situata "nuk është e mirë" dhe se ai "nuk është i lumtur" për këtë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA