...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rusia sulmoi me raketa hipersonike depon ushtarake të Ukrainës dhe “lëshoi” dy sinjale për perëndimin

Putini nuk do të ngurrojë të përdor avantazhet e tij ushtarake nëse perëndimi vazhdon të mbështesë Ukrainën me armatime dhe ushqime

SHJ

20/03/2022 - 08:55

Zëvendës ministri rus i politikës së jashtme paraljamëroi SHBA-në në javën e dytë të luftës se armatimet perëndimore për Ukrainën mund të përbënin objekt sulmi për ushtrinë ruse. “Ne paralajmëruam SHBA-në se pompimi i orkestruar me armë nga një numër vendesh nuk është thjesht i rrezikshëm, por është një lëvizje që i kthen ato autokolona në objektiva të ligjshme”, i tha ai një televizioni rus. Rreth një javë më pas u njoftua se ushtria ruse kishte goditur një bazë (ose depo) të madhe armatimesh në Ukrainën perëndimore me raketa hipersonike (Kinzhal ose Dagger).

Raketa përkatëse u zbulua katër vite më parë nga Putini bashkë me dy raketa të tjera, Zirkonin dhe Avangardën. Ato kanë ndryshime në aftësi dhe përbëjnë një nga avantazhet kryesore të ushtrisë ruse ndaj ushtrisë amerikane. Kjo është arsyeja se pse Putini sinjalizoi (dhe deri diku paralajmëroi) në atë kohë perëndimin që mos të “luante” më me shqetësimet ruse në rajonin e Ukrainës. Por perëndimi s`e mori seriozisht “paralajmërimin” e tij. Sulmin e bazave dhe autokolonave ushtarake e ka përdorur prej vitesh Izraeli kundër armatimeve iraniane në rajon (Siri etj.).

Lexo për më shumë për raketet në fjalë:

Strategjia e madhe e Putinit kundrejt perëndimit (The grand strategy of Putin towards the west)

Sulmi i ushtrisë ruse me raketa hipersonike, në fjalë të tjera, sinjalizon faktin se furnizimet me armatime për ushtrinë ukrainase, do të shkatërrohen ose gjatë rrugës për të shkuar në depot ushtarake ose në depo. Ky shkatërrim do ta bënte ushtrinë ukrainase edhe më të dobët dhe do të krijonte kushtet për një luftë më të shkurtër në kohë dhe me më pak gjakderdhje. Ai sinjalizon dhe faktin tjetër se Putini nuk do të ngurrojë të përdor avantazhet e tij ushtarake nëse perëndimi vazhdon të mbështesë Ukrainën me armatime dhe ushqime.          

Raporti i Voa-s:

Rusia tha të shtunën se kishte përdorur raketat hipersonike Kinzhal për të shkatërruar një depo të madhe armësh në rajonin Ivano-Frankivsk, në pjesën perëndimore të Ukrainës.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax tha se ishte hera e parë që Rusia vuri në përdorim sistemin hipersonik Kinzhal, që kur dërgoi trupat e saj në Ukrainë më 24 shkurt.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha në një konferencë për shtyp se depoja nëntokësore e goditur nga raketat Kinzhal të premten kishte të magazinuara raketa dhe municione të avionëve ukrainas, thuhet në një regjistrim të konferencës të shpërndarë nga agjencitë ruse të lajmeve.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti të verifikojë në mënyrë të pavarur deklaratat e zotit Konashenkov. Një zëdhënës i komandës së forcave ajrore të Ukrainës konfirmoi një sulm me raketa ruse në Delyatyn në rajonin Ivano-Frankivsk të premten, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Rusia krenohet me armatimin e saj të avancuar dhe presidenti Vladimir Putin tha në dhjetor se Rusia kryeson në botë për raketat hipersonike. Shpejtësia, manovrimi dhe lartësia e këtyre raketave e bëjnë të vështirë gjurmimin dhe interceptimin e tyre.

Raketat Kinzhal janë pjesë e një serie armësh të bëra publike në vitin 2018. Zoti Konashenkov shtoi të shtunën se forcat ruse kishin shkatërruar gjithashtu qendra ushtarake të ndërlidhjes dhe zbulimit pranë qytetit port ukrainas Odessa, duke përdorur sistemin bregdetar të raketave Bastion.

Moska i referohet veprimeve të saj në Ukrainë si një "operacion special" për të dobësuar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj jugor dhe për të goditur ata që i quan nacionalistë të rrezikshëm. Forcat ukrainase kanë bërë një rezistencë të ashpër dhe vendet perëndimore kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë në një përpjekje për ta detyruar të tërheqë forcat e saj.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA