...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

SHBA ka përdorur ‘thuajse të gjitha’ raketat gjatë luftës me Iranin

SHBA-ja ka përdorur ‘thuajse të gjitha’ raketat PrSM dhe ATACMS ndërsa ka shpenzuar gjithashtu pak më pak se gjysmën e rezervave të saj të raketave Tomahawk

Reuters

05/08/2026 - 13:26

NJU JORK/UASHINGTON, 4 gusht (Reuters) – Ushtria amerikane ka përdorur pjesën më të madhe të rezervave të saj të raketave të përpikta me rreze të gjatë gjatë luftës pesëmujore me Iranin, sipas tre vetëve të njohur me të dhënat, duke ngritur shqetësime për gatishmërinë e saj ushtarake për konflikte të ardhshme.

Bëhet fjalë kryesisht për raketat tokë–tokë të Ushtrisë Amerikane, të njohura si ATACMS (Army Tactical Missile System) dhe PrSM (Precision Strike Missile). Sipas dy burimeve, SHBA-ja ka përdorur "pothuajse të gjitha" këto armë. Deri më tani nuk ishte raportuar se rezervat e raketave ATACMS dhe PrSM ishin pakësuar në këtë masë.

Këto municione me rreze të gjatë, të cilat kushtojnë mbi 1 milion dollarë secila, janë pjesë thelbësore e arsenalit amerikan, pasi mundësojnë goditje të sakta nga largësi të sigurta. Raketat ATACMS të furnizuara nga SHBA-ja kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në luftën në Ukrainë, duke u mundësuar forcave ukrainase të godasin objektiva brenda territorit rus. Ndërsa PrSM është një brez më i ri dhe më i avancuar raketash, i cili pritet të zëvendësojë ATACMS, që ka rreze më të kufizuar.

Pakësimi i ndjeshëm i rezervave të raketave të përpikta me rreze të gjatë nënkupton se presidenti amerikan Donald Trump mund të detyrohet të mbështetet më shumë në misione bombardimi me avionë të drejtuar nga pilotë, nëse vendos të nisë përsëri sulme të gjera kundër Iranit. Burimet nuk pranuan të tregojnë se sa raketa të secilit lloj kanë mbetur ende në rezervë.

Trampi e nisi luftën kundër Iranit në bashkëpunim me Izraelin në muajin shkurt, duke parashikuar se konflikti do të zgjaste pak. Por, ndërsa lufta vazhdon, tre vetët e njohur me gjendjen shprehën shqetësimin se pakësimi i rezervave të raketave mund të kufizojë aftësinë e SHBA-së për të penguar kundërshtarët e saj, përfshirë Rusinë dhe Kinën.

Një i katërt, gjithashtu i njohur me çështjen, tha se megjithëse përdorimi i armëve të përpikta ka qenë shumë i lartë, SHBA-ja është në gjendje të rimbushë rezervat. Sipas tij, Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM), e cila mbikëqyr forcat amerikane në Lindjen e Mesme, ka mundur të furnizohet me armë nga rezervat ushtarake amerikane të shpërndara në mbarë botën.

Burimet e intervistuara për këtë raport folën në kushte anonimiteti.

I pyetur për rezervat e armëve, Shtëpia e Bardhë publikoi një deklaratë të presidentit Tramp, i cili tha se SHBA-ja ka "shumë më tepër municione se çdo vend tjetër në botë" dhe "shumë më tepër nga sa na nevojiten."

"Kompanitë tona të mbrojtjes, pikërisht në këtë çast, po prodhojnë më shumë municione se në çdo periudhë tjetër të historisë së tyre, ndërsa po zgjerojnë fabrikat dhe pajisjet me ritme rekord," tha Trampi.

Analistët pajtohen se prodhimi i disa llojeve të municioneve, përfshirë predhat e artilerisë dhe disa raketa, ka arritur nivele rekord, por paralajmërojnë se rezervat mund të mos jenë të mjaftueshme për një luftë të zgjatur.

Lockheed Martin, prodhuesi i raketave ATACMS, PrSM dhe sistemit kundër raketave balistike THAAD, nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve lidhur me deklaratat e Trampit ose me nivelin e rezervave. Edhe Raytheon, prodhuesi i raketave Tomahawk dhe raketave interceptuese Patriot, nuk dha menjëherë sqarim.

Duke iu përgjigjur kërkesës për sqarim, zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi: "Ushtria amerikane është më e fuqishmja në botë dhe ka gjithçka i nevojitet për të vepruar në kohën dhe vendin që zgjedh Presidenti. Ne kemi zhvilluar me mbarësi operacione në disa komanda luftarake, duke garantuar njëkohësisht që ushtria amerikane të ruajë një arsenal të thellë aftësish për të mbrojtur popullin dhe dobitë tona."

Sipas burimeve, të dhënat mbi rezervat kanë qarkulluar gjatë javës së fundit brenda administratës federale, gjatë diskutimeve të tensionuara mbi kohëzgjatjen e mundshme të vazhdimit të sulmeve kundër Iranit pa i ulur rezervat në nivele që do ta kufizonin aftësinë e ushtrisë për t'iu përgjigjur krizave në rajone të tjera.

Paralajmërime për rezervat e armëve

Një nga burimet tha se pakësimi i rezervave të raketave ATACMS dhe PrSM pasqyron vendimin e qeverisë së Trampit për të shmangur mënyra më të rrezikshme të goditjes së objektivave iraniane, siç janë bombardimet me avionë të drejtuar nga pilotë.

Për shkak se këto raketa mundësojnë goditje nga largësi të mëdha, analistët vlerësojnë se ato do të ishin shumë të vlefshme në një luftë kundër një kundërshtari me mbrojtje të fuqishme ajrore, si Kina. Sipas një raporti të muajit mars nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), ato janë përdorur për të goditur objektiva brenda Iranit.

Sipas tij, rezervat e raketave PrSM ishin të kufizuara që në fillim, pasi bëhet fjalë për një armë të re, megjithëse ushtria amerikane ka porositur një numër të madh të tyre për vitin 2027. Ushtria ka njoftuar gjithashtu se raketat ATACMS po hiqen gradualisht nga përdorimi dhe prodhimi po përqendrohet te PrSM.

Dy burime thanë se drejtuesit ushtarakë e kanë paralajmëruar prej javësh Presidentin se rezervat e armëve mbrojtëse, përfshirë raketat interceptuese Patriot, të cilat janë shumë efektive kundër raketave balistike, po pakësohen.

Javën e kaluar, disa media raportuan se Trampi kishte vendosur të mos ndërmerrte një tjetër sulm të madh kundër Iranit, pjesërisht sepse këshilltarët ushtarakë e kishin paralajmëruar për nivelin e rezervave. Një zyrtar amerikan i kundërshtoi këto raportime, duke thënë se Trampi hoqi dorë nga një sulm tjetër për shkak të presionit të ushtruar nga shtetet e Gjirit.

Konflikti në Lindjen e Mesme ka nxitur debat të ashpër mbi autoritetin e Trampit për të zhvilluar luftë kundër Iranit pa miratimin e Kongresit. Deri tani nuk është paraqitur në Kongres as kërkesë për shpallje lufte dhe as autorizim për përdorimin e forcës ushtarake.

Edhe rezervat e armëve mbrojtëse janë pakësuar

Javën e kaluar, CSIS publikoi një raport ku vlerësohet se ndërmjet shkurtit dhe korrikut është përdorur rreth 65% e rezervave të raketave interceptuese Patriot, ndërsa rezervat e raketave THAAD ishin të paktën 38% më të ulëta krahasuar me fillimin e luftës.

Patriot dhe THAAD janë sisteme që zbulojnë dhe shkatërrojnë raketat në fluturim dhe konsiderohen ndër armët më efektive të arsenalit amerikan. Megjithëse Reuters nuk ka pasur qasje në të dhënat zyrtare mbi rezervat, dy nga burimet thanë se këto shifra përputhen me të dhënat e brendshme të qeverisë amerikane.

Një nga burimet shtoi se, që nga fillimi i luftës, SHBA-ja ka shpenzuar gjithashtu pak më pak se gjysmën e rezervave të saj të raketave lundruese Tomahawk, të cilat zakonisht lëshohen nga anijet luftarake. Reuters nuk arriti ta vërtetojë në mënyrë të pavarur këtë shifër.

Tomahawk është arma kryesore e Marinës amerikane për goditjen e shënjestrave të mbrojtura fort pa rrezikuar pilotët, pasi lëshohet nga shkatërrues, kryqëzorë dhe nëndetëse.

Ndërkohë, Raytheon, pjesë e kompanisë RTX, ka arritur një marrëveshje paraprake shumëvjeçare me Pentagonin për rritjen e prodhimit të raketave Tomahawk, së bashku me shtimin e prodhimit të municioneve të tjera, ndërsa Uashingtoni përpiqet të rindërtojë rezervat e tij ushtarake.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA