...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shtetet amerikane ndërmarrin masa më të forta kundër çlirimeve ndërsa administrata “Tramp” pështjellohet

Kritikët thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të ulin më tej çlirimin e gazeve e jo ta shtojnë atë, dhe disa shtete amerikane po bëjnë pikërisht këtë

Voa

22/06/2019 - 08:56

Këtë javë Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit shfuqizoi rregulloret ambicioze të administratës së ish Presidentit Obama që kishin për qëllim pakësimin e çlirimit të gazeve që shkaktojnë ngrohjen e planetit. Administrata Trump thotë se ky vendim do të rezultojë në ajër më të pastër dhe energji me kosto më të ulët. Por kritikët thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të ulin më tej çlirimin e gazeve e jo ta shtojnë atë, dhe disa shtete amerikane po bëjnë pikërisht këtë. 

Protesta si kjo në Britani pasqyrojnë një shumicë në rritje të njerëzve që e shohin ndryshimin e klimës si një kërcënim të menjëhershëm dhe ekzistencial.

Por në Uashington këtë javë, kreu i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit nënshkroi një rregullore të re që shfuqizon masat e vendosura nga administrata e presidentit Obama për të ulur çlirimin e gazeve të efektit serrë në Shtetet e Bashkuara.

Ajo quhet Rregullorja për Energji të Lirë dhe të Pastër ose ACE.

"Kur rregullorja e re të zbatohet plotësisht, ne presim që sektori i energjisë amerikane të pakësojë çlirimin e dioksidit të karbonit deri në 35 për qind nën nivelin e vitit 2005. Gjithashtu ne presim që rregullorja e re do të reduktojë çlirimin e dioksidit të squfurit, oksidet e azotit dhe ato të grimcave", thotë Andrew Wheeler, Administrator Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të ulin nivelet e çlirimit të gazeve deri me 74 për qind për të shmangur efektet potencialisht katastrofike të ndryshimeve klimatike që do të ndodhte nëse temperatura mesatare e Tokës rritet me mbi 2 gradë Celsius.

"Po shohim stuhi më të shpeshta dhe më të rënda, përmbytje dhe më shumë zjarre. Sezoni i zjarreve, që dikur ishte shumë më i shkurtër, tani është duke u bërë gjithnjë e më i gjatë", thotë Josh Sawislak nga Qendra për Zgjidhje të çështjeve të Klimës dhe Energjisë.

Ky mot ekstrem i ka kushtuar Shteteve të Bashkuara mbi 350 miliardë dollarë gjatë 10 viteve të fundit, sipas zyrës amerikane të menaxhimit dhe buxhetit.

Eksperti i klimës Josh Sawislak thotë se problemi do të rëndohet.

"Nuk mendoj se qeveria amerikane është e përgatitur për përballimin e katastrofave që kemi tani. Sigurisht që nuk jemi të përgatitur për stuhitë e të ardhmes, sepse ne jemi shumë mbrapa në këtë aspekt".

Shtetet amerikane si Kalifornia dhe Nju Jorku po miratojnë ligje shumë më të forta për mbrojtjen e mjedisit.

Në shtator, guvernatori i Kalifornisë Jerry Brown nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ka për qëllim ta neutralizojë çlirimin e karbonit në këtë shtet deri në vitin 2045.

Nju Jorku ka disa sfida klimatike mjaft të veçanta.

"Në qytetin e Nju Jorkut, rreth 70 për qind e çlirimit të gazeve vjen nga ndërtesat, që është një nivel shumë më i lartë se në qytetet e tjera dhe se mesatarja në Shtetet e Bashkuara. Në qytetet e tjere ka një nivel pothuaj të barabartë të çlirimit të gazeve mes ndërtesave dhe transportit”, thotë Nilda Mesa nga Universiteti i Kolumbias.

Megjithatë, administrata e Presidentit Trump, është tërhequr nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe e ka quajtur ndryshimin e klimës një mashtrim. Shumica e ambientalistëve thonë se ndryshimi i klimës është një fakt shkencor.

"Ndryshimi i klimës nuk është një çështje që duhet ta debatojmë. Kjo mund të matet. Ne e dimë se klima po ndryshon".

Për shkak të mosmarrëveshjeve me Shtëpinë e Bardhë, gjithnjë e më shumë shtete dhe biznese po ndërmarrin hapa për të luftuar vetë ndryshimet klimatike.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA