...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Turqia fillon ofensivën ushtarake në Siri ndërsa kurdët zhgënjehen nga Amerika

Ky largim amerikan do t’i lërë të ekspozuara forcat kurde ndaj një sulmi të Forcave të Armatosura të Turqisë që i klasifikon ata si terroristë, për shkak të lidhjeve me militantët kurdë që kanë organizuar një rebelim të hershëm nga brenda Turqisë

Voa

09/10/2019 - 07:45

Turqia godet kufirin Siri-Irak 

Zyrtarët turq i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se ushtria turke ka goditur sot kufirin Siri – Irak për t’i paraprirë përforcimit të forcave kurde në Sirinë verilindore. Ankaraja pati filluar përgatitjet ushtarake pas një tërheqjeje të papritur të forcave amerikane.

Turqia tha se ajo është e gatshme të avancojë drejt Sirisë verilindore tani që janë tërhequr njësitë amerikane nga kufiri Turqi – Siri, pas një ndryshimi të beftë të politikës nga Presidenti Donald Trump, një lëvizje kjo e kritikuar gjerësisht në Uashington si një tradhtim të aleatëve të Amerikës – kurdëve.

Ky largim amerikan do t’i lërë të ekspozuara forcat kurde ndaj një sulmi të Forcave të Armatosura të Turqisë që i klasifikon ata si terroristë, për shkak të lidhjeve me militantët kurdë që kanë organizuar një rebelim të hershëm nga brenda Turqisë.

Një zyrtar turk i sigurisë i tha agjencisë së lajmeve Reuters se qëllimi kryesor i sulmit të kryer gjatë orëve të natës ishte ndërprerja e një vije tranziti mes Irakut dhe Sirisë që është përdorur shpesh nga grupet e armatosura kurde në të kaluarën.

Ndërkohë, Presidenti Trump mohoi se braktisi forcat kurde, partnerët më efektivë të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik në Siri. Presidenti Trump madje lavdëroi Turqinë si një partnere në tregëti, duke zbutur kështu tonet vetëm pak orë pasi kërcënoi “shkatërrimin e plotë” të ekonomisë së Turqisë në rast se do të dilte “jashtë limiteve” me veprimet në Siri.

Çfarë ndodh pas tërheqjes amerikane nga Siria veriore?

Shtëpia e Bardhë njoftoi të dielën se do të tërheqë trupat amerikane nga Siria verilindore, ndërsa Turqia përgatitet për ofensivë ushtarake. Vendimi u përcoll me kritika të forta nga Kongresi, me sqarime nga Pentagoni dhe me shqetësime nga aleatët e Amerikës në atë zonë.

“Jemi në Siri prej vitesh. Supozohej se angazhimi në Siri do të ishte një operacion i shkurtër. Supozohej se do të shkonim e do të dilnim që andej pa vonesë,” tha Presidenti Trump.

Aleatët kurdë, të cilët kishin marrë premtime se Shtetet e Bashkuara do të qëndronin si garanci kundër sulmeve turke, ndjehen të braktisur:

“Shtetet e Bashkuara, si gjithmonë na gënjyen dhe na shitën përsëri,” thotë një banor kurd i zonës.

Të martën në qytetin Ras al-Ain në Sirinë veriore banorët, kryesisht kurdë të zonës, protestuan kundër vendimit për tërheqjen e trupave amerikane nga pozicionet e tyre në kufi me Turqinë, në përgatitje për operacionin turk.

Forcat kurde kanë hequr që më parë instalimet ushtarake nga pjesa veriore pasi kishin marrë garanci të forta për mbrojtje nga Amerika. Tani banorët lokalë shqetësohen se do të kenë të njëjtin fat si sirianët e tjerë gjatë ofensivave të mëparshme turke.

“U vranë njerëz. U rrëmbyen gra. Plot njerëz braktisën shtëpitë. Turqia u soll në mënyrë çnjerëzore dhe shqetësohemi se do të ndodhë e njëjta gjë,” thotë një banore.

Masa është kritikuar nga demokratë e republikanë. Senatori Lindsay Graham shkruante në Twitter: “Duke braktisur kurdët, kemi përcjellë sinjalin më të rrezikshëm që mund të dërgonim: Amerika nuk është aleate që mund t’i zësh besë”.

“Me sa shohim, zoti Trump humbet nganjëherë durimin apo përqëndrimin lidhur me mbrojtjen e fitores. Shpesh kemi pasur suksese në Lindjen e Mesme, të cilat jemi përpjekur fort për t’i arritur, por jo aq sa duhet për t’i mbrojtur,” thotë analisti Michael O’Hanlon.

Duket se Pentagoni e gjen veten në mes të këtij debati dhe sot nxori një deklaratë ku thotë se Departamenti i Mbrojtjes “nuk mbështet operacione turke në Sirinë e veriut”.

Analistët po ngrenë shqetësimin e një dinamike të re që mund të krijohet në rajon pas tërheqjes së trupave amerikane. Bulent Aliriza, Drejtor për Projektin e Turqisë, Qendra për Studime Strategjike e Ndërkombëtare

“Nëse Amerika tërhiqet vërtetë, ashtu siç tha presidenti, pozicioni i Rusisë në Siri do të forcohej shumë. Po ashtu edhe pozicioni i Iranit, për të cilin Presidenti Trump ka thënë se do t’i kundërvihet në të gjitha ambicjet e Teheranit në Lindjen e Mesme. Aleatët e Amerikës, të cilët mbështeten tek Shtetet e Bashkuara, jo vetëm kurdët e Sirisë, por edhe të tjerë, veçanërisht në Gjirin Persik, do ta shohin këtë tërheqje si sinjal i mungesës së vullnetit nga ana e Shteteve të Bashkuara për të ruajtur aleancat në rajon,” thotë Bulent Aliriza, Drejtor për Projektin e Turqisë, Qendra për Studime Strategjike e Ndërkombëtare.

U duk se presidenti u tërhoq pak nga deklarata fillestare, duke kërcënuar Turqinë me sanksione që do t’ia shkatërronin ekonominë nëse forcat e saj bënin ndonjë akt të papranueshëm.

“Nuk mendoj se jemi të pozicionuar si duhet për të shkëmbyer kërcënime me Turqinë lidhur me akte hakmarrëse ndaj njëri-tjetrit. Ka shumë më tepër rëndësi që të përpiqemi të bashkëpunojmë në terren për të ngushtuar hendekun mes nesh,” thotë analisti O’Hanlon.

Zyrtarët në Pentagon shqetësohen se Shteti Islamik, armiku i përbashkët i turqve, kurdëve dhe amerikanëve, mund ta shfrytëzojë këtë përplasje mes aleatëve për t’u rikthyer në këtë zonë.   

Bazat e tensionit mes kurdëve dhe Turqisë në Siri 

Kurdët ishin që në fillim të përfshirë në konfliktin sirian. Njësitë YPG luftuan për kontrollin e zonave kurde ndërsa vendi u zhyt në kaos. Deri në dhjetor të 2012-tës, forcat kurde kishin marrë territore të rëndësishme dhe arritën një marrëveshje armëpushimi me Ushtrinë e Lirë Siriane për qytetin Ras al Ayn. Vetëm dy vite më vonë, luftëtarët kurdë ishin në krye të mbrojtjes së qytetit Kobani nga terroristët e Shtetit Islamik. Shumë kurdë të Turqisë kërkuan të hynin në Siri për të mundur ISIS-in në qytetin Kobani, por forcat turke nuk i lejuan.

Forcat kurde fituan rrjedhimisht betejën ndaj ISIS-it, me mbështetjen e sulmeve ajrore amerikane.

Njësitë YPG dhe Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, u shndërruan në aleatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara.

Por, luftimet në Siri janë një shqetësim serioz për Turqinë, jo vetëm për shkak të ISIS-it, por edhe për shkak të këtyre dy organizatave kurde. Turqia i shikon si kërcënim kurdët, pas dekadash të tëra konflikti për autonominë kurde në Turqi. Turqia i konsideron njësitë YPG grup terrorist me lidhje me rebelët kurdë brenda Turqisë. Ushtria turke ndërtoi një mur kufitar për të ndalur operacionet e grupeve paraushtarake kurde. Presidenti turk Erdogan ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se do të fillojë sulme ushtarake ndaj njësive YPG në Siri.

“Do ta pastrojmë të gjithë kufirin tonë nga terroristët. Nuk do të lejojmë ngritjen e celulave terroriste pranë kufijve tanë”, deklaroi zoti Erdogan gjatë një tubimi në dhjetor 2017.

Betejat mes forcave kurde dhe turke vazhduan. Në janar 2018, YPG-ja publikoi pamje të municioneve të kapura nga forcat turke në zonën Afrin të Sirisë. Forcat turke dhe luftëtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane filluan një ofensivë ndaj zonave të kontrolluara nga kurdët.

Njësitë YPG mbajnë qindra ekstremistë të ISIS-it të kapur rob dhe kanë paralajmëruar për rrezikun e arratisjes së tyre. Ndër ta gjenden edhe luftëtarë të huaj të ardhur nga Evropa, të cilët nuk pranohen të riatdhesohen në vendet e tyre.

Në dhjetor 2018, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të fillonte tërheqjen e forcave amerikane nga Siria, duke sjellë menjëherë shqetësimin e shprehur nga njësitë YPG. Tashmë Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se njësitë ushtarake amerikane në Sirinë verilindore do të lëvizin, për të lejuar një sulm të pritshëm të ushtrisë turke. Turqia pati kërcënuar prej muajsh se do të godiste ushtarakisht për të larguar luftëtarët kurdë të Sirisë nga zonat kufitare. Parlamenti turk pritet gjithashtu të zgjasë me një vit mandatin që i lejon ushtrisë turke të ndërhyjë në Irak dhe Siri.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA