...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ukraina i kërkon ndihmë ushtarake Gjermanisë dhe NATO-s

Në konfliktin me Rusinë para gadishullit të Krimesë, presidenti ukrainas, Petro Poroshenko vazhdon kursin e konfrontimit e jo të çtensionimit. Ai i ka kërkuar drejtpërdrejt Gjermanisë e NATO-s ndihmë ushtarake.

DW

29/11/2018 - 11:48

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko i ka kërkuar Gjermanisë dhe NATO-s ndihmë ushtarake në konfliktin me Rusinë. "Gjermania bën pjesë tek aleatët tanë më të ngushtë dhe ne shpresojmë, që në NATO të ketë shtete të gatshme, që të vendosin anijet ushtarake në Detin Azov, për t'i dalë në krah Ukrainës dhe të kujdesen për sigurinë", tha Poroshenko për gazetën gjermane "Bild".

Në konfliktin me Rusinë ai i ka varur shpresat tek kancelarja Merkel. "Kancelarja Merkel është një mike e madhe e Ukrainës. Në vitin 2015 përmes negocitatave në Minsk ajo e ka shpëtuar njëherë vendin tonë dhe ne shpresojmë që bashkë me ne dhe aleatët e tjerë të na mbështesë po kaq shumë", ka thënë Poroshenko.

BE e shqetësuar

Merkel ndërkohë është angazhuar e ka telefonuar të hënën me presidentin rus, Vladimir Putin. Lidhur me ndihmën ushtarake, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka bërë disa herë të qartë, se marrëveshja e bashkëpunimit me Kievin aktualisht nuk parasheh mbështetje ushtarake. Bashkimi Europian paraqitet i shqetësuar për zhvillimet e fundit në Rusi dhe Ukrainë. Ka një "rritje të rrezikshme" të tensioneve, deklaroi e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini. Dhuna e Rusisë dhe militarizimi i rajonit në ngushticën e Kertshit është i papranueshëm, u shpreh Mogherini. Rusia duhet të lejojë pa asnjë pengesë anijet të kalojnë nëpër ngushticën në afërsi të Krimesë, si edhe të lirojë anijet e konfiskuara dhe ekuipazhin, kërkohet nga BE

Poroshenko kërkon sanksione të tjera

Për gazetën gjermane "Bild", presidenti ukrainas është shprehur, se presidenti rus, kërkon "kthimin e perandorisë së dikurshme ruse" dhe prandaj" ka zgjatur dorën "ndaj të gjithë Ukrainës". Ai bëri fjalë për një "sulm të paimagjinueshëm ushtarak" dhë kërkoi sanksione të tjera të perëndimit kundër Moskës. Gjermania nuk do të vendosë për momentin për masa të tjera ndëshkuese. "Putini duhet të lirojë menjëherë ushtarët tanë dhe në të njëjtën kohë të lirojë detin për transportin ndërkombëtar të anijeve", kërkoi presidenti ukrainas.

Ndërsa presidenti rus, Putin akuzoi Kievin për provokim të qëllimshëm. Poroshenko e ka inskenuar këtë, me qëllim që të rrisë vlerat e popullaritetit në marsin e ardhshëm, kur zhvillohen zgjedhjet parlamentare.

la/se/ww(afp, rtr, dpa)   

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko u kërkoi aleatëve të NATO-s të dërgojnë anije detare në Detin Azov për të ndihmuar vendin e tij si dhe "të ofrojnë siguri" në mesin e tensioneve të krijuara me Rusinë.

Komentet e zotit Poroshenko u botuan të enjten në gazetën gjermane Bild. Po të enjten, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se ai mund të luante një rol ndërmjetës mes Ukrainës dhe Rusisë. Zoti Erdogan ka zhvilluar biseda telefonike me udhëheqësit e të dy vendeve dhe tha se do të vazhdojë të diskutojë çështjen me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Presidentin amerikan Donald Trump gjatë takimit të G-20 që mbahet në Argjentinë. Voa

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA