...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

USA zgjeron politikën e ndërsjelltë në media me Kinën

Kina po kërcënon të hakmerret ndaj Shteteve të Bashkuara për vendimin e saj për të kufizuar numrin e personelit të medias shtetërore që lejohen të punojnë në Shtetet e Bashkuara.

Voa

04/03/2020 - 13:45

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo njoftoi të hënën një kufizim në numrin e shtetasve kinezë që mund të punojnë në pesë media që janë në pronësi të shtetit kinez dhe operojnë në Shtetet e Bashkuara, Agjensia e Lajmeve Xinhua, Rrjeti Global i Televizionit të Kinës (CGTV), Radio Ndërkombëtare e Kinës, China Daily Distribution Corp, dhe Hai Tian Development USA, Inc. Kufizimet, të cilat hyjnë në fuqi më 13 mars, do të ulin numrin e shtetasve kinezë që punojnë në këto agjenci mediatike nga 160 në 100.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian u tha gazetarëve të martën në Pekin se qeveria kundërshton me forcë vendimin e administratës Trump. Zhao thotë se masa i dëbon në mënyrë efektive gazetarët dhe paralajmëroi se Kina "rezervon të drejtën" të përgjigjet dhe të marrë masa të mëtejshme.

Hua Chunying, një zëdhënëse e ministrisë së jashtme, lëshoi një paralajmërim shumë më ogurzi në Twitter, duke thënë se "Shtetet e Bashkuara e nisën lojën, tani do të luajmë ne."

Qytetarët kinezë që punojnë për organizata të tjera mediatike në Shtetet e Bashkaura nuk preken nga ky kufizim.

Pesë entitetet përcaktohen nga Shtetet e Bashkuara si "organe të qarta propagandistike të Partisë Komuniste Kineze (CCP)" dhe ishin caktuar më parë nga Departamenti i Shtetit si misione të huaja të qeverisë kineze.

"Qëllimi ynë është reciprociteti," tha Sekretari Pompeo në një deklaratë. "Siç kemi bërë në fusha të tjera të marrëdhënieve SHBA-Kinë, ne kërkojmë të krijojmë një fushë të barabartë loje, që mendojmë se është një veprim shumë i vonuar. Shpresojmë që ky veprim ta inkurajojë Pekinin për të ndjekur një qasje më të ndershme dhe të ndërsjellë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe shtypit të huaj në Kinë. "

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se edhe pasi të zbatohet ky kufizim, pesë grupet e mediave shtetërore kineze do të vazhdojnë të lejohen të punësojnë personel kinez në Shtetet e Bashkuara më shumë sesa numri i përgjithshëm i gazetarëve nga të gjitha mediat amerikane të punësuara së bashku në Kinë.

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar 3,000 viza I-1 për shtetasit kinezë që punojnë në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2015, tha një zyrtar tjetër i lartë i administratës Trump. "Në anën tjetër, agjencitë amerikane të lajmeve kanë vetëm rreth 75 shtetas amerikanë ose shtetas të tjerë jo-kinezë që punojnë për ta brenda territorit të Kinës."

Vizat I-1 lëshohen nga qeveria amerikane për përfaqësuesit e mediave të huaja që të punojnë në Shtetet e Bashkuara.

Vizat që Shtetet e Bashkuara u lëshojnë gazetarëve kinezë nuk kanë kufizim në kohëzgjatjen e qëndrimit në vend. Në anën tjetër, Pekini aktualisht vendos kufizime në kohëzgjatjen e qëndrimit në vend për të gjithë gazetarët të huaj në Kinë, disa prej tyre marrin viza me afat 30 ditor. Pas 30 ditësh, disa gazetarë të huaj në Kinë duhet të riaplikojnë për zgjatjen e vizës.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara vjen pasi Klubi i Korrespondentëve të Huaj të Kinës (FCCC) publikoi raportin e tij vjetor të lirive të mediave, "Kontrolli, Ndalimi, Fshirja: Raportimi në Kinë nën kërcënimin e dëbimit", një analizë e thellë e lirive të mediave në Kinë në vitin 2019.

"Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin këtë veprim për të komunikuar në mënyrë të qartë shqetësimet tona në lidhje me trajtimin abuziv, të padrejtë dhe jo të ndërsjellë të shtypit ndërkombëtar në Kinë," tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të hënën.

Raporti i FCCC-së zbulon se autoritetet kineze po përdorin vizat si armë kundër shtypit të huaj, duke lëshuar letrat kredenciale të shtypit vetëm për një numër të vogël gazetarësh në vitin 2019, dhe duke dëbuar katër korrespondentë nga Kina që nga gushti i vitit 2019.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës tha se raporti i FCCC-së ishte "i pavend" dhe se Kina nuk e njeh organizatën.

Njoftimi amerikan i të hënës gjithashtu vjen pasi Kina dëboi tre gazetarë të gazetës Wall Street Journal, një veprim që shihet si ndëshkim për një artikull të fundit kritik të botuar nga gazeta amerikane.

Në javët e kaluara, gazetarët me shtetësi kineze që kanë raportuar mbi shpërthimin e koronavirusit dhe që janë parë si kundërshtarë të qeverisë së Pekinit, thuhet se "janë zhdukur".

Më 28 shkurt, botuesi i hapur i Hong Kong-ut, Jimmy Lai dhe dy politikanë të shquar të opozitës u akuzuan për pjesëmarrje të paligjshme në një tubim pro-demokracisë në vitin 2019. Lai, i cili ka dhënë kontribute financiare për demonstruesit pro-demokracisë në Hong Kong, më vonë u lirua me kusht.

Më 24 shkurt, Kina dënoi botuesin e librit të Gui Minhai, një shtetas suedez që u zhduk në vitin 2015 dhe besohej se ishte rrëmbyer nga agjentët kinezë në Tajlandë, dhe më vonë u dënua me 10 vjet burg nën akuzën e "dhënies së informacioneve për shërbimet e huaja të inteligjencës".

"Ne jemi dëshmitarë të një sulmi ndaj fjalës së lirë brenda Kinës që shkon madje përtej asaj që ndodhte një dekadë më parë," tha një zyrtar i lartë i administratës Trump të hënën.

Pesë entitetet shtetërore kineze që operojnë në Shtetet e Bashkuara do të duhet të zbulojnë listat e personelit të tyre, si dhe vendimet për punësimin dhe pushimin nga puna, sipas Departamentit të Shtetit. Përveç kësaj, atyre u kërkohet të regjistrojnë pronat që ata marrin me qira ose zotërojnë në Shtetet e Bashkuara.

China Daily është një gazetë në gjuhën angleze e botuar nga Partia Komuniste e Kinës. Hai Tian Development USA shpërndan People’s Daily, gazetën zyrtare të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se ka "një rizgjim" të asaj që ata e quajnë media kineze të propagandës që operon në territorin e Shteteve të Bashkuara. Për shembull, CGTV, e njohur dikur si China Central Television America (CCTV America), në të kaluarën ishte mirëpritur ngrohtësisht në Departamentin e Shtetit në një ngjarje në vitin 2013, por tani përballet me një kontroll si një agjent i huaj kinez.

Në podiumin e Departamentit të Shtetit, Ma Jing, drejtori i përgjithshëm i CCTV America, e quajti kanalin CCTV si një urë lidhëse midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për të promovuar njohuri dhe mirëkuptim për dy popujt.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA