...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zyrtarët amerikanë: Irani po përpiqet të destabilizojë Lindjen e Mesme

Në mënyrë të veçantë, zyrtarët thonë se Teherani është duke armatosur grupe që punojnë për llogari të tij, me një numër në rritje armatimesh të avancuara

Voa

01/12/2018 - 07:30

Shtetet e Bashkuara po zbulojnë prova të reja të asaj që zyrtarët i përshkruajnë si përpjekje të vazhdueshme të Iranit për të destabilizuar Lindjen e Mesme. Në mënyrë të veçantë, këta zyrtarë thonë se Teherani është duke armatosur grupe që punojnë për llogari të tij, me një numër në rritje armatimesh të avancuara. Edhe pse shumë më pak shkatërrimtare sesa armët bërthamore, këto armatime janë megjithatë një kërcënim serioz për stabilitetin. 

Nga kallashnikovët, raketa-hedhëset, tek snajperat dhe artileritë e rënda, janë prova të reja, që Shtetet e Bashkuara thonë se tregojnë përpjekjet e Iranit për të përhapur “ndikim keqdashës.”

“Kërcënimi iranian po rritet dhe ne po akumulojmë rrezikun e përshkallëzimit në rajon nëse nuk veprojmë."

Sipas përfaqësuesit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Iranin Brian Hook, kërcënimi nuk ka qenë askund më alarmues se sa në Jemen. Mbështetja e Iranit ndaj rebelëve Houthi, u ka mundësuar atyre që në mënyrë të përsëritur të hedhin raketa me rreze të shkurtër në Arabinë Saudite.

Duke vënë në dukje dëshmitë e paraqitura tani, zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se ky është vetëm fillimi.

“Nuk është vetëm Arabia Saudite dhe Jemeni. Irani po i përhap këto sisteme të ndryshme të armëve në të gjithë rajonin dhe po e destabilizon atë”, thotë Rebecca Rebarich, zëdhënëse e Departamentit të Mbrojtjes.

Këtu përfshihet milicia shiite në Bahrein - Afganistani dhe Pakistani - ku armët dhe raketat e vogla iraniane kanë shkuar në duart e talebanëve.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se ka një numër treguesish që lidhin armë si kjo, drejtpërdrejt dhe përfundimisht me Iranin, që nga numri i serisë e deri tek materiali sintetik i kuqërremtë që përdoret për identifikimin e tyre.

“Vula që tregojnë se arma i përket industrisë iraniane të mbrojtjes, mund të ketë shënime në persisht”, thotë zëdhënësja e Departamentit të Mbrojtjes Rebecca Rebarich.

Kjo nuk është hera e parë që udhëheqësit e Iranit janë përballur me akuza të tilla, duke hedhur kundër-akuza se janë Shtetet e Bashkuara ato që po mashtrojnë për të mbuluar një luftë shkatërrimtare në Jemen. Zoti Hook e mohon këtë.

"Nuk kam dëgjuar askënd të thotë se kjo është një lojë politike. Thjesht po hidhet dritë mbi raketat e Iranit, armët e vogla dhe avionët pa pilot".

Ende në pikëpyetje është nëse kjo shtysë e fundit e Shteteve të Bashkuara për të nxjerrë në pah përhapjen e pajisjeve ushtarake iraniane do të ndryshojë mendjen e dikujt për rivalin rajonal të Iranit, Arabinë Saudite që po kritikohet në Uashington dhe në mbarë botën për vdekjen e gazetarit amerikan Jamal Khashoggi.

"E kuptoj situatën në Jemen. E kuptoj marrëdhënien strategjike mes nesh dhe Arabisë Saudite por nuk do të ndryshoj mendim pas kësaj”, tha senatori republikan Lindsey Graham.

Tani për tani, Shtetet e Bashkuara shpresojnë se bota të paktën do të drejtojë sytë nga ajo që Uashingtoni e sheh si rrezik që vjen nga Irani.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA