Si ta kuptojmë (mos)marrëveshjen e Bashës me Ramën?

Ylli Përmeti
29/04/2017 - 11:28
Dihet se reforma në drejtësi është minuar nga establishmenti politik (PS, LSI, PD) në përqindjen e saj më të madhe. Që do të thotë se Berisha e të tjerë nuk kërcënohen me hetim, gjykim dhe dënim. Fakti që ai siguroi mosdënimin e tij – arsyetimi i drejtë do të na çonte te pohimi se PD-ja vërtet ka luftuar për ‘cilësinë’ e zgjedhjeve. Por s’është aspak kështu: sepse Berisha e të tjerët si ai kërkojnë të jenë pjesë e çdo komisioni dhe gjykate –me anëtarë-besnikë—që të sigurojë mosdënimin e tij: sepse ai e di që kodi i procedurës penale mund të ndryshojë sërish, siç ndryshoi në dobi të tij dhe gjithë kriminelëve të tjerë të establishmentit politik...
Vërtetohet “marrëveshja e heshtur” e tre partive kryesore për të cilën fola pak ditë më parë: se ato krijuan krizë politike artificiale që të largonin presionin e ndërkombëtarëve. Sepse PD-ja, megjithëse ende thotë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje...po përgatit listën e deputetëve! Pak ditë më parë thash se nëse PD-ja merr pjesë në zgjedhje – do të tregojë se është pjesë e marrëveshjes së heshtur; nëse nuk do të merrte, do të tregonte se ishte viktimë e “komplotit” Rama-Meta dhe ndërkombëtarëve. Qoftë edhe argumenti se PD-ja po bashkëpunon me “ekspertë” ndërkombëtarë për të sabotuar zgjedhjet, është ose thjesht një tjetër shashkë ose blof i Bashës. Sigurisht, nuk duhet të përjashtohet mundësia e ofrimit të ndonjë “ekspertize” ndërkombëtare për të sabotuar zgjedhjet. Por edhe nëse ka patur, ajo do të ketë qenë në kuadër të ‘mashtrimit’ të Bashës nga ndërkombëtarët, sidomos tani që një lloj përçarje është krijuar me zgjedhjen e Trampit në Amerikë mes tyre:
Si u minua reforma në drejtësi nga klasa politike?
Qasja se “është më e mirë një “paqe” e brishtë me kriminelë se sa një gjendje lufte” mes kriminelësh, adoptohet shpesh nga njerëzit, qoftë edhe kur përballen dy njerëz të zakonshëm. Mirëpo, kur bëhet fjalë për disa palë ndërluftuese, si në rastin e partive politike në Shqipëri, në njërën anë, dhe Lu-së dhe europianëve, në anën tjetër, kërkohet pak më shumë kundrim nga ne. Luja, në të vërtetë, është bërë më i përmbajtur muajt e fundit, veçanërisht pas protestës së PD-së. Do të ishte me vend, rrjedhimisht, të shqyrtonim shkaqet se pse Luja u tërhoq nga përpjekja e tij intensive për të përparuar reformën në drejtësi. Kujtojmë se Luja është nxitësi i reformës përkatëse. Por pas tij qendron një njeri tjetër, shqiptar, në rradhët e inteligjencës amerikane, i cili, kërkon të ndihmojë popullin tonë duke ndëshkuar elitën politike. Luja, me rradhë, përdori mundësitë institucionale për ta përparuar këtë reformë.
Aktualisht, mund të themi se reforma në drejtësi është minuar thuajse në tërësinë e saj dhe Luja ka dështuar. Dhe kur dështon njëra palë, fiton tjetra. Por dimë, gjithashtu, se për më shumë dy vjet klasa politike bëri ç’mos për ta minuar reformën si fillim “nga jashtë”. Domethënë, duke “blerë” pezullimin e saj, sa në Uashington aq edhe në rradhët e shërbimeve inteligjente. Kur pa se dështoi, sepse nuk arriti të blinte njerëzit përkatës, filloi ta minonte reformën “nga brenda”. Domethënë, duke ndryshuar kodin e procedurës penale (neni 499) dhe duke integruar në sistem (komisione etj.) njerëzit e saj.
Paralel me këtë proces dhe në kulmin e tij, PD-ja u hodh në protestë dhe kërkoi qeveri teknike. Gjykuar nga veprimet e Lusë dhe partive tona, mund të themi se një marrëveshje e heshtur mes Berishës, Metës dhe Ramës, duhet të jetë bërë. Domethënë, krijimin e një krize politike artificiale përmes të cilës ata të zmbrapsnin pretendimet e ndërkombëtarëve dhe reformën në drejtësi. Nuk është e rastit që protestën e Bashës ndërkombëtarët nuk e mbështetën. Në kulmin e saj, dhe pak para se të zgjidhësh president Meta, Luja argumentoi se Rama-Meta mund të zhvillojnë zgjedhje edhe pa opozitën e madhe. Nënkuptoi, në fjalë të tjera, nxjerrjen e opozitës jashtë loje. Dhe vërtet, opozita, pavarësisht se ka fituar plotë nga tërheqja e Ramës, dhe çdokush do të pajtohësh me kushtet e reja institucionale, që janë krijuar, opozita vazhdon të kërkojë realizimin e kërkesës së saj: qeverinë teknike.
Këmbngulja e saj do ta skualifikojë nga zgjedhjet dhe PD-ja e di këtë përfundim. Ajo di, gjithashtu, se kaos social nuk mund të shkaktojë. Kështu, ose ajo kërkon, në djeni të plotë, të vetë-ekzekutohet, me vetë-përjashtim nga zgjedhjet, ose do të marrë pjesë në zgjedhje, tashmë me president Metën, përmes të cilit përforcon padënueshmërinë e saj. Nëse ajo merr pjesë në zgjedhje, do të tregojë se ka qenë pjesë e “minimit” të reformës sipas qasjes së mësipërme. Nëse ajo nuk merr pjesë, do të tregojë se qasjen e mësipërme e ka adoptuar vetëm Rama-Meta. Nëse varianti i fundit ekziston, ka shumë mundësi që reforma të përparojë deri diku dhe krerët e PD-së të hetohen dhe gjykohen.
Gjykuar nga këto lëvizje, dhe pamundësia për të vepruar më tej (megjithëse Luja kishte plotë taktika për të përdorur, për shembull, duke kanalizuar faktet që zotërojnë...), ndërkombëtarët u tërhoqën dhe u pajtuan me gjendjen e re ndërsa përshëndetën zgjedhjen e presidentit duke ditur se vetë ata, kërkuan të ndëshkonin veçanërisht krerët e PD-së dhe LSI-së, të paktën në fazën e parë të reformës. Mirëpo, ata dështuan dhimbshëm dhe bashkë me ta dhe iluzionistët e popullit tonë që besuan se klasa jonë politike do të mundësh lehtë nga ndërkombëtarët. Duhet theksuar edhe një herë se ‘dështimi’ është i karakterit afat-mesmë: sepse në afat-gjatë mund të realizohet objektivi i reformës. Por kriza do të thellohet dhe e vetmja alternativë që i ka mbetur popullit tonë, ose asaj shumice që kërkon drejtësi, është të adoptojë propozimin që kam bër në vend tjetër:
Minimi i reformës në drejtësi nga klasa politike: mitet dhe alternativat
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 2837 reads



