Çështjet e pazgjidhura me palën greke dhe plani` Athinës për shfarrosjen e çamëve
Rezistenca ndaj pushtimit italo-gjerman ndodhi më tepër si pjesë e politikës shtetërore, një politikë e ngulitur në ideologjinë mbizotëruese nacionaliste të periudhës mes dy luftrave
Ylli Përmeti
17/07/2024 - 13:24
Dy vitet e para në pushtet Rama përdori retorikën për çështjet kombëtare me Serbinë. Vitin e tretë e përdori me Greqinë dhe vazhdoi gjatë mandatit të dytë me intesitet më të madh veçanërisht me Greqinë meqënse përqindja e mbështetësve të PS-së ka rënë dhe gjendja e përgjithshme social-ekonomike dhe ekologjike do të përkeqësohet: sepse çështjet kombëtare përdoren për të mbuluar dështimin e përgjithshëm të saj.
Kështu, siç do të shqyrtoj këtu, Rama dhe qeveria e tij s’kishte asnjë mundësi për të zgjidhur çështjet kombëtare me fqinjët tanë, veçanërisht me Greqinë: sepse për të zgjidhur çështjen e ligjit të luftës me Greqinë, varrezat e ushtarëve grekë dhe pronat e popullit shqiptar të Çamërisë, Shqipërisë i mungon së pari pavarësia ekonomike dhe rrjedhimisht politike dhe së dyti, argumentet, qoftë lidhur me ligjin e luftës me Greqinë, qoftë lidhur me çështjen “çame” dhe qoftë lidhur me kërkesën e palës greke për krijimin e varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri.
Sa u përket pronave, ato do të shpronësohen në afatgjatë —edhe sikur t’u kthehen çamëve— nga oligarkët (mbi)kombëtar. Sa i përket çështjes “çame”, ajo mund të zgjidhet vetëm nëse qeveria jonë bashkërendon dy objektiva njëherësh: në njërën anë të zhvillojë demokracinë, prodhimin shkencor dhe shpërndarjen e drejtë të tij dhe gjykatën ndërkombëtare ku të kërkohet drejtësi për çështjen “çame”. Për realizimin e objektivit të parë kërkohet dije shkencore dhe sistemike; për realizimin e të dytit, dije juridike dhe historike. Domethënë, një komision i përbërë nga njohës të mirë të së drejtës ndërkombëtare dhe njohjen e mirë të anëtarëve të gjykatës ndërkombëtare dhe historisë. Por le të shqyrtojmë së fillim çështjen e ligjit të luftës.
Greqia shpalli gjëndjen e Luftës me Shqipërinë kur Musolini pushtoi Shqipërinë. Këtë veprim e bëri për të luftuar italianët. Historianët grekë e shpërnjohin faktin se Shqipëria falimentoi dhe u pushtua nga Italia fashiste. Arsyeja kryesore pse e shpërnjohin lidhet me krijimin e një “arme” të fortë diplomatike për ta përdorur kundër Shqipërisë në përpjekjet e tyre për të realizuar objektivin e tyre të kahershëm: të pengojnë kthimin e shqiptarëve në Çamëri dhe të shkëpusin jugun e Shqipërisë. Qëllimin e parë e kanë miratuar me ligj ndërsa i dyti kuptohet nga disa fakte që shqyrtoj në vijim. Ligji` luftës u rishqyrtua nga kuvendi grek i vitit 1966, por në vend të shfuqizohësh, ai “ndaloi, pa leje të veçantë, shpronësimin e grekëve nga shqiptarët e Shqipërisë”, domethënë, ndaloi përpjekjen e mundshme të shqiptarëve të Çamërisë për të rifituar pronat, të cilët ishin dëbuar në fund të luftës së dytë botërore.
Si pasojë, ai vazhdon të jetë në fuqi dhe sot pavarësisht se qeveria “Papandreu: 1987” e shfuqizoi: sepse ai duhet të shfuqizohet nga kuvendi grek ose të botohet dekret presidencial. Arsyetimi i parë që ka përdor pala greke është se qeveria kuislinge e Shqipërisë së vitit 1939 i shpalli luftë Greqisë ose në fjalët e qeverisë së kohës, sipas grekëve, Tirana “shpall luftë ndaj çdo vendi që ishte në luftë me Romën”. Me ardhjen në pushtet të qeverisë komuniste të Enver Hoxhës, ajo “shfuqizoi çdo vendim nga qeveritë pararendëse por pesëdhjetë vjet më pas, Sali Berisha”, sipas palës greke, “shfuqizoi dhe ai vendimet e regjimit komunist dhe risolli vendimet e qeverisë mbretërore të Zogut”.
Arsyetimi` parë krijon dy kontradikta kryesore: njëri lidhet me Shqipërinë dhe tjetri me Greqinë. Së pari, duhet të ndajmë mes qeverisë së “Zogut” dhe qeverisë kuislinge ndërsa në gjëndjen e krijuar kontriboi vendimtarisht mbreti Zog, i cili, ndërsa e la Shqipërinë në dinamikën e ‘politikave konçesionare’ dhe ‘huave’, për më shumë se 15 vjet, dhe ndihmoi në pushtimin ekonomik të Shqipërisë, e braktisi atë duke e lënë në mëshirën e qeverisë kuislinge dhe Musolinit.
Kështu, pasi Italia fashiste vuri në marsh ushtarët shqiptarë duke nderuar Perandorin e ri, pak ditë pas pushtimit, të vitit 1939-të, qeveria kuislinge dhe Musolini i hodhi në luftë shqiptarët e pushtuar kundër popullit grekë. Dhe meqënse këta të fundit luftuan heroikisht dhe kontribuan edhe në çlirimin e Shqipërisë, e quajnë Jugun e Shqipërisë, tokë greke!
Kjo është një “tezë” që e ka brujtur kryesisht kisha greke dhe e ka përparuar përmes pushtetit të saj dhe nuk është, siç e paraqet në padije një komentator i një të përditshme, “arrogancë” greke por është objektiv grek: nuk është politikë zyrtare e jashtme por është objektiv i politikës së jashtme – i kamufluar nën petkun e miqësisë së mirë. Ka qenë i tillë që në fillesat e krijimit të shtetit modern grek kur filloi mënjanimi i Kolokotronit nga skena politike dhe spastrimi i administratës publike nga arvanitët dhe çdo njeriu që quhësh si shqiptar nga...pushteti politik i Athinës. Edhe kur citon se:
Në historinë e marrëdhënieve midis dy popujve dhe shteteve, shqiptarët “i ranë në qafë” Greqisë vetëm një herë, në vitin 1940 kur vetë Shqipëria ishte e pushtuar dhe, rrjedhimisht, e sunduar nga fuqia pushtuese e kohës, Italia fashiste. Qeveria shqiptare e asaj kohe ishte një qeveri vegël e perandorisë pushtuese dhe, përpara se të ishte një qeveri armike e Greqisë ajo ishte e tillë ndaj popullit të vet dhe as ishte e zgjedhur nga shqiptarët dhe as përfaqësonte vullnetin e tyre. Ajo ishte thjesht një gjymtyrë e zgjatur e një oktapodi kundërevropian që quhej Italia musoliniane.
...ka gjysmë të drejtë, sepse nuk përmend se sa herë i ka “rënë në qafë” Greqia moderne – Shqipërisë!
Së dyti, argumenti se populli çam luftoi përkrah nazizmit dhe ai duhej të asgjësohej, me dëbim, është dy herë kontraktor ose i papërputhshëm me realitetin: sepse historia tregon se ishte një pakicë shqiptarësh (çamë) që bashkëpunoi me nazifashistët (sipas një raporti të nënkolonelit Palmer të misionit britanik në Shqipëri, ishin 2,000-3,000 ndërsa një raport i komisionit pan-epirotik EAM mëton se ishin 3.200 nga klani` Dinos), kur dihet (nga populli grek nuk dihet, në fakt, sepse kjo çështje është tabu në Greqi) më shumë se 20,000 grekë (sipas historianit Stratos Dordanas) bashkëpunuan me nazistët dhe, për të njëjtën arsye, luftës që i kishte shpallur Italia fashiste Greqisë – Greqia nuk mund t’i përgjigjej me gjenocid kundrejt popullit shqiptar përsa kohë që shqiptarët ishin viktima dhe të pushtuar.
Në fakt, siç tregon një studim (Lambros Baltiotis) “rezistenca ndaj pushtimit italo-gjerman ndodhi, ndryshe nga urtësia konvencionale, jo vetëm si rezultat i bashkëpunimit të çamëve me forcat pushtuese, por më tepër si pjesë e politikës shtetërore, një politikë e ngulitur në ideologjinë mbizotëruese nacionaliste të periudhës mes dy luftrave”.
Madje studimi tregon se “pas shkëmbimeve të mëparshme greko-turke dhe greko-bullgare të popullsisë, dëbimi i çamëve muslimanë ishte pjesë e një politike të shtetit grek për të ushtruar gjoja të drejtën e tij për të dëbuar “jogrekët” nga territori i tij. Brenda parametrave të këtij kuadri ideologjik, legjislativisht dhe praktikisht si dhe brenda dhe ndërkombëtarisht, duhej pakësuar dukshmëria e çamëve muslimanë. Synimi ishte pakësimi` pranisë së tyre fizike nëpërmjet pakësimit të numrit të tyre dhe zvogëlimit të dallueshmërisë së tyre si grup i veçantë fetar dhe gjuhësor”.
Studimi paraqet dhe “dëshmi të armiqësisë në rritje midis dy komuniteteve fetare (ortodokse dhe muslimane) të kësaj pjese të Epirit Perëndimor, e cila ndodhi pavarësisht nga afëritë e tyre gjuhësore. Kjo armiqësi në rritje u tolerua” ndërsa “qeveria dhe burokracia shtetërore përdorën një qasje nxitëse për të rritur urrejtjen mes komuniteteve për të realizuar qëllimet e lartpërmendura.
Pjesë nga studimi:
Gjeostrategjia greke për shkëputjen e jugut të Shqipërisë, shtypja e të drejtave të shqiptarëve në Greqi dhe mashtrimi` klasës sonë politike
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 84 reads