...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Çfarë fshihet pas bashkëhartimit të gjeopolitikave në Këshillin e Sigurimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë?

Çfarë fsheh qeveria “Rama” me bashkëhartimin e gjeopolitikave në Këshillin e Sigurimit në OKB dhe çfarë dëmi i shkaktohet Shqipërisë nga kjo fshehje?

Ylli Përmeti

05/02/2022 - 16:40

Kur Berisha thirri nga kuvendi për armatosjen e Ukrainës―hamendësisht për të mbështetur SHBA-në lidhur me qasjen e saj ndaj Rusisë dhe për të nxitur ndonjë qendrim amerikan më të butë ndaj tij―Rama shkoi në emisionin “Open” (kuptoje të ‘mbyllur’ ndaj kritikëve seriozë dhe të hapur ndaj idiotëve dhe agjentëve të pushteteve si gjithë emisionet e tjerë të quajtur ndryshe dhe burim keqdijësimi ose propagande për popullin) për të sqaruar kryesisht nësimën e tij për t`u “këshilluar me popullin” për 12 çështjet që lidhen me të drejta shoqërore dhe ndërkombëtare, të cilën e kam sqaruar në vend tjetër dhe kam treguar karakterin mashtrues të saj...tha se “për pak ditë do të mësoni një lajm që deri dje as nuk mund të mendohej për Shqipërinë në politikën e jashtme”―hemendësisht, këtë herë, politikë të jashtme të pavarur nga Uashingtoni! Por një javë më pas ai rrëfeu të kundërtën: se Shqipëria do të jetë “bashkëpenëmbajtëse me Amerikën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”! Në fjalët e tij:

“Krijimi i këtij çifti, në këshillin e sigurimit për të qenë bashkëpenëmbajtëse është ndërmarrë për të garantuar një angazhim aktiv e të vazhdueshëm, konfirmon një pozicion pa ekuivok të vendit tonë dhe duke qenë aktiv në një çështje kaq akute, si kjo e Ukrainës por edhe të gatshëm për punë konkrete në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ne përkufizohemi dhe me qartë në sytë e të gjithë, një forcë që kontribuon për më të mirën. Jemi të emocionuar nga ky zhvillim, se është kurorëzim i një përpjekje dhe jo fundi”, tha mes të tjerash Rama.

Qëndrimin e tij e sqaroi ministrja e punëve të jashtme Olta Xhaçka:

“SHBA kanë qenë të gatshme të ndajnë me Shqipërinë përgjegjësinë e bashkautorësisë apo bashkëpenëmbajtësit për çështje që kanë lidhje me sigurinë dhe paqen dhe veçanërisht me Ukrainën. Është vlerësim dhe privilegj i jashtëzakonshëm për të bashkëndarë me SHBA përgjegjësinë për të qenë bashkëhartues në çështjen e Ukrainës, nj kontribut që jemi të gatshëm për ta marrë përsipër...Vendi ynë merr një rol të dorës së parë në çështje të sigurisë përmes bashkëhartimit me SHBA për çështjen e Ukrainës. Vendet tona do bashkëpunojnë ngushtë, do ndajnë informacion në mënyrë prioritare dhe do jenë në origjinë të çdo nisje me këtë nismë. Projekti i parë do hartohet nga dy vendet tona dhe më pas do ndahet me të tjerë. Bashkëhartuesit janë të parët që flasin për çështjen në fjalë në takimet e Këshillit të Sigurimit. Është një shprehje e thellimit të partneritetit strategjik të dy vendeve”, tha ajo mes të tjerash.

Por si Rama ashtu dhe Xhaçka nuk përmendën rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit (KS) dhe zotimin e saj kur u bë anëtare këtë fillimviti: se ajo do të “punojë për stabilitetin dhe paqen në rajon për të konsoliduar arritjet e dekadës së fundit dhe mos ta lërë atë të rrëshqasë drejt destabilizimit dhe tensioneve” duke patur përparësi “përparimin e procesit të njohjeve të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”.

Shqipëria është anëtare jo e përhershme e KS nga janari 2022 deri në fund të vitit 2023, bashkë me Brazilin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gabunin dhe Ganën me të drejtë vote në vendimet që merr KS. Ky i fundit ka 15 anëtarë: pesë të përhershëm (Kina, Franca, Federata Ruse, Britania dhe SHBA-ja) me të drejtë vetoje dhe 10 jo të përhershëm me të drejtë vote.

KS-ja është një nga gjashtë organet e OKB-së me synimin dhe përgjegjësinë kryesore për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Për të realizuar qëllimin kryesor KS-ja duhet: 1) të zhvillojë marrëdhënie miqësore mes kombeve; 2) të bashkëpunojë në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare dhe të nxisë respektin për të drejtat njerëzore; dhe 3) të jetë një qendër për harmonizimin e veprimeve të kombeve. Këshilli ka pushtetin e detyrimit të gjithë anëtarëve të OKB-së me vendimet e tij duke e bërë atë të vetmin institucion botëror me një mandat të tillë lidhur me paqen dhe sigurinë botërore. Këshilli mblidhet sa herë kërcënohet paqja dhe shqyrton se si t`i qaset një çështjeje.  

KS-ja ka përgjegjësi të rëndësishme për sigurinë botërore dhe paraqet një mundësi të “artë” për anëtarët jo të përhershëm.

Këshilli ka pushtetin të imponojë masa ligjore mbi anëtarët e OKB-së duke përfshirë dhe masat që lidhen me përdorimin e pushtetit ushtarak. Ai është përgjegjës gjithashtu për të mbikqyrur punën e ndërlikuar dhe të rrezikshme të misioneve paqëruajtëse dhe politike të OKB-së. Ngaqë presidenca e Këshillit ndryshon çdo muaj, Shqipëria ka mundësi ta kryesojë atë dy herë gjatë mandatit të saj. Presidenti i KS-së luan një rol të rëndësishëm për drejtimin e punës së Këshillit me pushtet që të ndikojë mbi programin mujor dhe drejtimin e mbledhjeve, duke përfshirë mundësinë e organizimit të një ose më shumë mbledhjeve mbi një çështje me interes të veçantë. Presidenti është gjithashtu lehtësues i bisedimeve të Këshillit dhe vepron si përfaqësues në ndërveprime me anëtarë dhe entitete të tjera të OKB-së, jashtë aksionerëve dhe publikut.

Hamendësohet se një anëtar jo i përhershëm zgjidhet për të kontribuar në axhendën e Këshillit. Por anëtarët jo të përhershëm dhe sidomos kur drejtojnë Këshillin, një herë apo dy herë gjatë mandatit të tyre 2 vjeçar, mund të përparojnë përparësitë e tyre. Për shembull, Suedia gjatë vitit të parë kur ishte anëtare jo e përhershme (2017) përparoi barazinë dhe të drejtat e grave, përfaqësimin e tyre dhe burimet në çështje për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Një vendim i Këshillit që të marrë fuqi ligjore duhet të votohet nga nëntë anëtarë dhe të mos vetohet nga asnjë nga anëtarët e përhershëm

Por me përfshirjen e Shqipërisë në planet e Uashingtonit lidhur me Ukrainën ajo nuk do të ketë mundësi të përparojë çështjet për të cilat u zotua kur u bë anëtare ― sepse mbivendosen planet e Uashingtonit mbi çështjet tona! Kështu në vend të thoshte të vërtetën…tha të kundërtën: se “është privilegj i jashtëzakonshëm për…” e të tjera si këto.

Duhet thënë se zotimet e saj ishin tejet pak―sepse nuk përfshiu padrejtësitë që ushtrohen në mënyrë të përhershme ndaj shqiptarëve jashtë kufijëve të Shqipërisë dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës ndaj të cilëve po ushtrohet genocid “i heshtur”. Por për qeverinë “Rama” të drejtat e shqiptarëve ―për të cilat e detyron Kushtetuta (“Neni 8, 1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”) pak rëndësi kanë, për mos të thënë aspak, meqënse mbivendos çështjet e Uashingtonit mbi çështjet tona shumë prej të cilave zgjidhen vetëm përmes të drejtës ndërkombëtare dhe sidomos kur jemi anëtar në KS. Madje jo vetëm mbivendos çështjet e Uashingtonit mbi çështjet tona por e paraqet atë si një kontribut në paqen ndërkombëtare duke mos përmendur as zotimin e saj kur u bë anëtare as dhe hallet e tjera të popullit tonë!

Një qeveri e ndershme më të vërtetën, rrjedhimisht, do të kërkonte ndjesë për faktin se mbivendos përparësitë e një shteti tjetër mbi përparësitë e shtetit tonë dhe meqënse pranon gjithshka që dikton Uashingtoni, t`i kujtonte këtij të fundit jo vetëm zotimet e saj kur u bë anëtare e KS-së por edhe padrejtesitë që po ushtrohen ndaj shqiptarëve në vendet fqinje me qëllim që Uashingtoni të ndihësh i detyruar ndaj shtetit tonë dhe kur të mbaronte me çështjen e Ukrainës, të ndihmonte në çështjet tona. Por kështu është kur në pushtet kemi një qeveri “kokonë” dhe popull pa sedër.       

Ndërsa qeveria “Rama” e ka vërtetuar karakterin e saj hipokrit në mënyrë të përsëritur dhe si e tillë nuk ndien brejtje ndërgjegjje lidhur me zotimet e saj si anëtare jo e përhershme në KS dhe lidhur me çka e detyron Kushtetuta, nga përpjekja e Shqipërisë në KS, për herë të parë pas 66 vjetësh, që kur u anëtarësua, nuk do të ketë ndonjë vendim lidhur me Ukrainën, sepse siç sqarova më herët, nevojiten të gjitha votat e anëtarëve të përhershëm.

Duke ditur se në anëtarët e përhershëm është si Kina ashtu dhe Rusia, me të parën të mbështesë Rusinë, përpjekjet e Uashingtonit dhe Shqipërisë në KS do të jenë pa asnjë frut. Dhe duke ditur se vendimet për Ukrainën kalojnë kryesisht nga pesë anëtarët e përhershëm, dhe Rusia (dhe Kina) nuk do t`i miratojë ata, nëse nuk përputhen me kërkesat e Rusisë (lidhur me zgjerimin e Nato-s etj.), ne nuk kontribojmë as për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës as për zgjidhjen e problemeve tona si lidhur me Kosovën ashtu dhe me problemet serioze me të cilët përballen shqiptarët në vendet fqinje si në Serbi! 

Përditësuar dy ditë më pas për të sqaruar disa çështje

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA