Cilët “meshkuj-kurva” e kanë kapur Himarën dhe e paraqesin si pakicë greke?
Siç po rrudhet ajo ashtu po rrudhet dhe Shqipëria―çka nënkupton faktin se fshatrat e zbrazura nga shqiptarët mund të banohen nga grekët e rinj, sidomos në kushte kur dihet se fuqia blerëse e grekëve është më e lartë dhe pronat e shqiptarëve janë në shitje
Ylli Përmeti
25/12/2022 - 10:49
Sipas rëndësisë, meshkujt e kryeministrive në Tiranë; pas tyre qendrojnë militantët e partive; dhe pas tyre vijnë ata që nuk marrin pjesë në votime dhe ia kanë lënë qeverisjen e atdheut idiotëve siç do të thoshte Platoni. Por nuk janë vetëm këta fajtorë të shitjes së Himarës tek grekët ose tek “vëllezërit” e shqiptarëve nëse i shohim si pellazgë të asimiluar në “grekë”: sepse janë dhe “prijësat” e pakicës greke në Shqipëri, të cilët kanë mbi 30 vjet që u thonë shqiptarëve se Himara ka pakicë greke dhe se ata shekullin e kaluar u shtypën nga Enver Hoxha, ndaj nuk e tregonin zanafillën e tyre kombëtare! Në fund qendrojnë vetë banorët e Himarës: sepse nuk po luftojnë kundër poshtërimit kombëtar të tyre.
Zgjerimi historik i kufirit të pakicës “greke” në Shqipëri nga Miçotaqi dhe Rama
Prijësat e pakicës greke në Shqipëri gënjeshtrën e tyre të madhe e thonë në kuvend, televizione dhe tani po e kultivojnë në shkolla dhe kisha dhe asnjëri nuk i kundërshton përjashto ndonjë “historian” të tipit Xhufi dhe Kocaqi të cilët thonë gjysmë të vërteta. Përkundrazi, qeveria “Rama” e mbështet me veprime konkrete gënjeshtrën e tyre të madhe, kryesisht sepse kërkon mbështetjen e Greqisë për t`u integruar në BE.
Mbështetja për t`u integruar në BE, në fjalë të tjera, është shkaku kryesor se pse qeveria “Rama” po mbështet epshet e Athinës për ta paraqitur Himarën si greke. Njësoj ka vepruar dikur qeveria “Berisha” me detin por dhe me Himarën, ku ka lejuar ngritjen e shkollave greke; për të njëjtën arsye.
Me siguri idiotët si Rama mendojnë se ky poshtërim kombëtar do të jetë i përkohshëm deri sa të integrohet Shqipëria në BE. Por Greqia i ka hedhur rrënjët në Himarë me ngritjen e shkollës në gjuhën greke dhe kishën e saj. Kështu ajo po indoktrinon fëmijët e Himarës duke u thënë se ata nuk janë shqiptarë por grekë!
Si pasojë, në të ardhmen nuk do të kemi një Dule, Bollano, Belesh, Barka, Dhima e të tjerë pas tyre; por disa qindra: këta, bashkë me të tjerët ku Shqipëria ka njohur pakica greke shekullin e kaluar (në Livadhja etj.), do të jenë kasnecët e rinj të Athinës të cilët do të përparojnë greqizimin e rajonit, pse jo, deri në Vlorë e më tej.
Mendimi se pakica greke në Shqipëri është rrudhur dhe për pasojë ajo nuk paraqet ndonjë rrezik për Shqipërinë, është naiv, sepse siç po rrudhet ajo ashtu po rrudhet dhe Shqipëria―çka nënkupton faktin se fshatrat e zbrazura nga shqiptarët mund të banohen nga grekët e rinj, sidomos në kushte kur dihet se fuqia blerëse e grekëve është më e lartë dhe pronat e shqiptarëve janë në shitje.
Këtë efekt shkatërrimtar për popullin tonë qeveria “Rama” nuk e ka kuptuar; as opozita; as të “ndriturit” e partive si Tarifa dhe Fuga; as pasanikët ose oligarkia ekonomike; as, në fund, populli: sepse po ta kishin kuptuar do ta ngrinin zërin pavarësisht varësisë që kemi krijuar ndaj Athinës për t`u integruar në BE.
Përkundrazi, kanë 30 vjet që i bien fyellit në një vrimë: të integrohemi në BE pavarësisht se vendet fqinje përparojnë me synimet e tyre gjeopolitike si në rastin e Greqisë me ngritjen e shkollave, kapjen e drejtimit të kishës dhe pakëzimin e territoreve të reja si greke.
Për më shumë:
Shitja e Shqipërisë nga klasa politike dhe akademike, ofensiva neoliberale greke dhe pasojat ogurzeza të marrëveshjes “Rama” me Greqinë
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 239 reads