Kundërshtitë e studentëve shqiptarë dhe prapavija politike e qeverisë “maqedone”
Ministri po e “dredh” dhe e po e bën “tërkuzë” ligjin
Ylli Përmeti
19/05/2026 - 14:09
Acarimet e fundit në të ashtuquajturën “Maqedonia e Veriut”, lidhur me mospërdorimin e gjuhës shqipe në provime universitare kanë rikthyer frikën tek shqiptarët se të drejtat e fituara pas përplasjes së vitit 2001 mund të kufizohen ose të zbehen gradualisht. Shqiptarët, që përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së shtetit (24.3% banojnë ndërsa po të përfshihet mërgata, ata përbëjnë rreth 30% të popullit, sipas regjistrimit të vitit 2021), e shohin përdorimin zyrtar të shqipes jo thjesht si çështje shtetërore, por si një nga shtyllat kryesore të barazisë politike dhe kushtetuese. Këto të drejta u vendosën pas Marrëveshjes së Ohrit të 13 gushtit 2001, me ndërmjetësim ndërkombëtar pas përplasjes së armatosur mes forcave “maqedonase” dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Marrëveshja e Ohrit parashikoi përdorimin e “maqedonishtes” si gjuhë zyrtare, por dhe të gjuhës së një komuniteti që përbënte “të paktën 20 për qind të popullsisë” (pika 6.2)—çka nënkuptonte se shqiptarët që përbënin më shumë se ¼ e popullsisë do të përdornin gjuhën e tyre. Më pas, këto të drejta u zgjeruan më tej me ndryshime kushtetuese dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve të miratuar në vitin 2018, i cili praktikisht e bëri shqipen gjuhë të dytë zyrtare në shkallë shtetërore, e cila mund të përdorej dhe në kuvend.
Megjithatë, vitet e fundit janë shfaqur përplasje politike dhe qasje të ndryshme ligjore mbi shtrirjen reale të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, jo vetëm në klasën politike “maqedone” por dhe në Prishtinë e Tiranë: në të parën Kurti mbajti një qendrim minues ndaj fitores së të drejtës së gjuhës me kryengritjen e armatosur në vitin 2001, kur quajti marrëveshjen e Ohrit “ligj” dhe shtrembëroi karakterin e saj, se ajo, sipas tij, nuk i jepte komunitetit shqiptar atje të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe ndërsa nuk përmendi ndryshimet ligjore në vitin 2018, kur u vulos në ligj e drejta përkatëse, ndërsa në të dytën është vërejtur heshtje, duke kulmuar me kundërshtinë e studentëve shqiptarë të cilët u ankuan se po bëhej padrejtësi dhe kërkuan përdorimin e gjuhës shqipe në provime. Si pasojë, ata protestuan në fillim të prillit dhe më 18 maj dhe kërkuan zbatimin e ligjeve.
Ministria e Drejtësisë dhe organet përgjegjëse për provimin shtetëror thanë në prill se provimi i jurisprudencës zhvillohet përmes një sistemi të “standardizuar elektronik” që tani vepron vetëm në “maqedonisht” dhe se ndryshimi i sistemit kërkon ndërhyrje ligjore dhe teknike, si dhe harmonizim me procedurat shtetërore. Ministri i Drejtësisë Igor Filkov sqaroi se çështja “nuk është diskriminim”, por lidhet me mënyrën se si është ndërtuar sistemi i provimit dhe me dispozitat ligjore aktuale. Ai shtoi se ministria ishte e gatshme të shqyrtonte zgjidhje, por nuk premtoi ndryshim të menjëhershëm. Megjithatë, kaloi një muaj dhe gjendja nuk ndryshoi dhe si pasojë gjatë protestës së dytë të zhvilluar më 18 maj 2026, qëndrimi i ministrit u bë më i prerë. Ai tha se “nuk ka provim në gjuhën shqipe” dhe se “çështja është e mbyllur”, duke sqaruar se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo proces administrativ që hyn automatikisht në kuadrin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Këto veprime tregojnë ose paaftësi nga ministri përkatës ose prapavijë politike. Gjasat janë se veprimet e tij kanë prapavijë politike, jo vetëm sepse qendrimet e tij lidhur me kërkesën e studentëve kanë qenë të paqëndrueshme por dhe sepse ai përfaqëson linjën konservatore të qeverisë së drejtuar nga VMRO-DPMNE, bashkë me dy parti shqiptare (Vlen dhe ZNAM). Veprimtaria e tij politike është përqendruar kryesisht tek reformat në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i kontrollit institucional mbi gjyqësorin dhe administratën shtetërore. Ai është paraqitur si mbështetës i “zbatimit e rreptë të ligjit” dhe i reformave të ashpra në drejtësi, ndërsa ka mbështetur hetime ndaj figurave të larta politike dhe ka kërkuar rishikim të veprimtarisë së prokurorisë dhe burgjeve.
Por në këtë rast, ai po e “dredh” dhe e po e bën “tërkuzë” ligjin. Kështuqë, ai ose kërkon trazira ose lëshime nga shqiptarët e të ashtuquajturës “Maqedoni”. Cilido qoftë qëllimi, shqiptarët duhet të përgjigjen me “ngritjen e stekës”: të kërkojnë referendum për bashkim me Shqipërinë dhe mos të gënjejnë veten…
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 26 reads



