Mashtrimet e Kurtit pas marrëveshjes së Ohrit dhe poshtërimi historik i popullit shqiptar
Kosova humbet qëllimin e saj për t`u njohur nga Serbia në emër të parimit të ndërsjelltësisë; nuk anëtarësohet në OKB si shtet i pavarur; mbetet pjesë “integrale” e Serbisë për sa kohë që kjo e fundit nuk ndryshon Kushtetutën; dhe heq dorë nga lufta për të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
Ylli Përmeti
20/03/2023 - 18:38
Ndryshe nga pritshmëritë e amerikanëve (Eskobarit etj.), bisedimet prej rreth 12 orësh në Ohër, në ditën e 18 marsit, arritën të detyrojnë Kurtin të fillojë zbatimin e krijimit të bashkësisë serbe, jo një apo disa ditë pas saj, por siç tha Boreli, “menjëherë”! Gjatë ditës së bisedimeve Kurti ishte i hareshëm ndërsa Vuçiçi i zymtë në vend të ndodhte e kundërta meqënse Serbia dilte nga bisedimet me dobi të disafishta ndërsa Kosova me po aq jodobi.
Ndërsa gjendjen mendore dhe shpirtërore të përfaqësuesve në bisedime nuk mund ta gjykojmë, sepse ajo mund të shkaktohet dhe nga ndjesi të tjera që përjeton njeriu, çështja e parë që duhet të na shqetësojë në këto bisedime është gënjeshtra e madhe e Kurtit lidhur me pretendimin e tij se “nuk bëhet fjalë për vetëqeverisje” por për “vetë-menaxhim”!
Fjala e fundit ―“menaxhim”― është zgjedhur qëllimshëm për të çorientuar popullin shqiptar: sepse ajo në këtë rast ka kuptimin e “drejtimit”―domethënë, se ajo mund të zëvendësohet mjaft mirë me fjalën “vetë-drejtim”. Fjala “menaxhim” përdoret nga demagogët e anëve tona por dhe nga “profesorët” në vend të fjalës shqipe “drejtim”, ca si pasojë e padijes dhe ca si pasojë e qëllimit: mashtrimit të popullit.
Në këtë rast bëhet fjalë më shumë për mashtrim se sa për padije. Por sidoqoftë, thelbi nuk ndryshon: se bashkësia serbe fiton me marrëveshjen e re një përqindje të lartë vetë-qeverisëse―më shumë se 95% kur pakica jonë në Serbi gëzon më pak se 10 për qind krahasuar me të drejtat e popullit serb në Kosovë.
Më konkretisht, të drejtat e popullit shqiptar në Serbi janë të karakterit shoqëror (e drejta për t`u shkolluar në gjuhën amëtare etj.) dhe jo pushtetor: nuk kanë të drejtë të kenë policinë e tyre (e cila do t`i mbronte ata më mirë se policia serbe), gjykatat e tyre (të cilat do të ishin më të drejta se gjykatat serbe) dhe të drejtën për t`u ndihmuar ekonomikisht nga Prishtina dhe Tirana.
Me siguri që fjalën “menaxhim” e ka këshilluar Kurti gjatë bisedimeve në vend të fjalës “qeverisje” që ka këshilluar Boreli dhe Vuçiçi me qëllim që të zbuste karakterin e “asociacionit” dhe të mos shkaktonin zemëratë më të madhe në popullin shqiptar. Sikur të mos mjaftonin këto mashtrime, marrëveshjen e Ohrit e përshëndeti dhe Tirana: presidenti Begaj; kryeministri Rama; kryetarja e kuvendit Nikolla etj. Këta vërtetuan edhe një herë se sa të pacipë janë përpara padrejtësive ndaj shqiptarëve dhe marrëveshjes në fjalë, e cila nuk ka karakter të plotë juridik.
Faktin se ajo nuk ka karakter të plotë juridik (të jetë e plotëfuqishme dhe e zbatueshme) e vërtetoi qendrimi i ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovinier, i cili e quajti atë të “përkohshme” por e tregoi edhe një herë Vuçiçi pas mbledhjes së Ohrit kur sqaroi popullin e tij se ai nuk do ta nënshkruante marrëveshjen dhe se Serbia nuk do të lejonte anëtarësinë e Kosovës në OKB.
Sipas tij, anëtarësimi i saj në OKB dhe njohja e saj janë “vija të kuqe” për Serbinë. Qëllimi i tij, rrjedhimisht, është të përparojë “asociacionin” serb pa nënshkruar marrëveshjen. Por edhe nëse ai e nënshkruan atë, fakti që marrëveshja nuk ka karakter të plotë juridik, është e sigurtë se Serbia do ta pengojë anëtarësinë e Kosovës në OKB, sidomos kur dihet se ajo mund t`i sfidojë sanksionet perëndimore me zhvendosjen e saj gjeopolitike drejt lindjes.
Si pasojë, Kosova humbet qëllimin e saj për t`u njohur nga Serbia në emër të parimit të ndërsjelltësisë; nuk anëtarësohet në OKB si shtet i pavarur; mbetet pjesë “integrale” e Serbisë për sa kohë që kjo e fundit nuk ndryshon Kushtetutën; dhe heq dorë nga lufta për të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Sikur të mos mjaftonin këto katër padrejtësi, atyre u shtohen dhe mashtrimet e Kurtit lidhur me karakterin juridik të bashkësisë serbe në Kosovë.
Kurti ‘mashtroi’ edhe një herë me termin “vetëmenaxhim” një ditë pasi Vuçiçi tregoi edhe një herë “vijat e kuqe” për Kosovën. Sipas tij termi i përket Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe më konkretisht “Konvetës Kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare”! Por ai ose gënjen, nëse është në dijeni të Konventës përkatëse, që unë nuk besoj se është në dijeni, sepse është një fushë juridike që ai s`e ka idenë, ose e kanë gënjyer këshilltarët e tij: sepse nuk ka në Konventë asnjë fjalë të ngjashme as edhe ndonjë përcaktim. Kërkesat serbe tejkalojnë Konventën Evropiane disafish dhe për këtë fakt duhet të fliste Kurti dhe jo të gënjente edhe një here për termin apo ngjizjen përkatëse.
Kurti u përpoq në kuvend për të sqaruar ngjizjen e “vetëmenaxhimit”, dy ditë pasi tha se koncepti përfshihet në Konventën Evropiane për Pakicat Kombëtare, duke e bërë tërkuzë edhe një herë ndërsa opozita nuk u përqendrua në pretendimin e tij të parë ―se ngjizja përfshihet në Konventë― por i dha kuptimin e ‘autonomisë’ por pa e sqaruar atë!
Kurti ‘mashtroi’ edhe një herë me “vetëmenaxhimin” e bashkësisë serbe
Edhe argumenti tjetër, se “Kosova ka marrë garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në themelimin e tij do të përfshihen kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, ka karakter mashtrues: së pari, BE-ja dha të njëjtën “garanci” me marrëveshjen e 2013 (se lëshimet e Kosovës do të ndihmonin në normalizimin e marrëdhënieve) por dështoi; së dyti, marrëveshjet (nga 2013 deri në vitin 2023) e bëjnë të qartë: se komuniteti serb gëzon autonomi dhe jo pavarësi politike përsa kohë që ka të drejtë të ketë pushtetin e tij policor dhe ligjor dhe me marrëveshjen e re, ai rrit pavarësinë ekonomike nga Prishtina.
Kështuqë atë e mban vetëm një “fije” e hollë të lidhur me Prishtinën, të cilën mund ta këpusë kur të dojë meqënse pushteti gjyqësor dhe policor nuk do të varet nga Prishtina dhe pushteti ekonomik do të ndahet mes Beogradit dhe Prishtinës por nëse e shohin të arsyeshme, serbët e Kosovës mund të mos e pranojnë buxhetin e Prishtinës dhe kështu të shkëputen tërësisht nga Prishtina dhe pavarësohen nga ajo!
Kështu, vërtet themi se nga pajtimi deri tek nënshkrimi dhe ratifikimi i marrëveshjes 2023 mes Kosovës dhe Serbisë është një rrugë e gjatë; se në mënyrën se si është paraqitur dhe pranuar nga palët ajo s`ka vlerë të plotë juridike; dhe për të njëjtën arsye ajo mund të shkelet nga palët, nuk garanton siguri për popullin tonë dhe është tërësisht e padrejtë, por me pajtimin e Ohrit mund të themi se populli ynë është poshtëruar edhe një herë dhe përpjekja jonë për të përfshirë të drejtat e shqiptarëve në Serbi në këto “bisedime”, ka dështuar.
Se kush ka kontribuar më shumë për të drejtat e shqiptarëve, është e qartë: qendra jonë studimore dhe veprimtaria e Muharrem Salihut (me përpjekjen e tij për të ndërkombëtarizuar asgjësimin e adresave të shqiptarëve në Serbi dhe për të përparuar qëllimin e referendumit të vitit 1992), qendrojnë në krye; më pas vjen përpjekja Kurtit me disa përmendje të të drejtave të shqiptarëve atje dhe nevojën për t`i përfshirë ato gjatë bisedimeve (ajo ishte një përpjekje që në një thënie popullore mund të quhet “sa për të larë buzët”); më tej qendron përpjekja e zyrtarëve të shqiptarëve në Serbi (por ndaj tyre janë ngritur akuza serioze për shpërdorim të një fondi të qeverisë “Kurti” për zhvillimin e kulturës sonë, i cili i është shpërndarë vetëm militantëve të Partisë për Veprim Demokratik me kryetar Kamberin në Preshevë dhe Bujanoc dhe asnjë qindarkë s`ka shkuar për shqiptarët e Medvegjës!); dhe në fund, është heshtja e qeverisë “Rama” dhe opozitës se Shqipërisë juridike dhe përgjithësisht e popullit tonë, kudo ku ndodhet ai (kjo heshtje mund të quhet kriminale por me karakter kombëtar).
Por historia gjithnjë nderon njerëzit që luftojnë për të drejta shoqërore dhe kombëtare dhe damkos ata që shtiren dhe të tjerët që heshtin. Ndaj dhe ne nuk presim të nderohemi nga shtirakët dhe heshtorët e Prishtinës dhe Tiranës për punën tonë; dhe ndaj do të vazhdojmë t`i mobilizojmë shqiptarët për të luftuar për të drejta shoqërore dhe kombëtare: sepse pa drejtësi për shqiptarët nuk mund të ketë qendrueshmëri në rajon.
Ky editorial është përditësuar në datën 24 mars 2023
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 190 reads