...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mbështetësit dhe kundërshtarët ideologjikë (jo të drejtë) të dallaveres së Ramës me Sazanin dhe Zvërnecin

Investimin e Trampit ne mund ta mbështesnim vetëm kur ai të na sigurojë se nuk do të dëmtojë ekosistemin dhe do ta pasurojë atë me gjelbërim etj; do të jetë për të gjithë popullin ose gjithë klasat e tij dhe jo vetëm për pasanikët; dhe nuk do të humbasim “çelsat e Otrantos”.

Ylli Përmeti

20/03/2024 - 07:40

Që kur plasi dallaverja e radhës e Ramës, me “investimin” prej 1 miliardë dollarësh nga dhëndëri i Trampit, ish-presidentit dhe presidentit të ardhshëm amerikan, po shfaqen më qartë mbështetësit dhe “kundërshtarët” ideologjikë.

Kreshnik Spahiu, për shembull, ka dy ditë që u thotë ndjekësve të tij, televizioneve të censurës dhe turpit të gazetarisë shqiptare, se është më mirë ta shfrytëzojë “familja Tramp” Sazanin se sa “kunatat apo dhëndurët e deputetëve shqiptarë apo nipat dhe tezet e ministrave të qeverisë Rama”. Madje, sipas tij, duke ia dhënë Trampit ishullin, ne ia vëmë “kufirin tek thana Moskës”, e cila ka pushtuar mesdheun.

Një tjetër, që qendron përballë ish-udhëheqësit të lëvizjes “kuqezi” që e financuan amarikanët rreth 10 vjet më parë, është Arlind Qori. Ky i fundit kundërshton dallaveren e Ramës ndërsa e quan “allishverish”.

Ndryshimi kryesor mes të parit dhe të dytit është se i pari është mbështetur nga amerikanët politikisht dhe është pjesë e “konservatorizmit” shqiptar ndërsa i dyti nuk është mbështetur nga amerikanët (as financiarisht as politikisht) dhe thotë se përfaqëson “përparimtarët” e Shqipërisë. Por se ku “bashkohet” ideologjia e njërit dhe tjetrit, është se ata mbështesin investime amerikane me karakter ideologjik.

Spahiu mbështet Trampin (ose kryekonservatorin amerikan) pa kushte ndërsa Arlindi ka heshtur ndaj investimeve ose dallavereve të tjera që ka kryer Rama gjatë viteve të fundit me “investitorët” amerikanë të Bajdenit (ose kryepërparimtarit amerikanë) pavarësisht se unë këtej kam shkrojtur “volume” të tërë për to.

Këto dy raste përfaqësojnë dy prirjet kryesore të dy ditëve të fundit, sepse Berisha e ka pranuar dallaveren e Ramës, me shpresën se Trampi do të anojë nga ai pavarësisht se Rama po i dhuron një pasuri (të vetmen që kemi) kombëtare me të ardhme të paqendrushme si në nivel gjeopolitik ashtu dhe ekonomik. Arsyet se pse “turizmi elitar” i Ramës (por dhe i Kushnerit dhe të ngjashmëve) nuk ka të ardhme, i kam treguar në vend tjetër.

Megjithatë, dy janë çështjet kryesore lidhur me dallaveren e radhës së Ramës: së pari ai mashtron hapur kur bën sikur nuk ka qenë në dijeni për “planin” e Kushnerit; së dyti, plani i Kushnerit është pak a shumë si plani “arab” për Durrësin: me arkë të zbrazët por me shpresën se kur të shkojë Trampi në Shtëpinë e Bardhë arabët do të “derdhin” milionat e tyre për hir të “diplomacisë ndërkombëtare”; së treti, fakti që Rama mashtron kur thotë se s`ka qenë në dijeni për planin e Kushnerit (si parim, investitorët përpara se të thurin plane për investime këshillohen me kuadrin ligjor të një vendi, ndryshe do të quheshin “idiotë) ai ka bërë lëshimin e parë duke e njoftuar atë për ndryshimet ligjore që bëri ―pak ditë përpara shpelljes së planit “Kushner”, lidhur me vendet e mbrojtura ndërsa përgatitet të bëjë dhe lëshime të tjera.

Mjafton ky fakt, që “plani” Kushnerit, të kundërshtohet, pavarësisht se investimi`i tij përputhet dhe me politikën e përgjithshme të Ramës, “turizmin elitar”, domethënë, se ai s`ka të ardhme të qendrueshme (por kjo është çështje që duhet të shqetësojë më shumë Kushnerin dhe të ngjashmit e tij se sa Ramën meqënse investimi është “privat”, megjithëse Rama mund të përfshijë ndonjë “skemë” tjetër, duke përfshirë dhe kursimet e popullit (diçka të tillë tha dje).  

T`i kthehemi tani pasurisë sonë kombëtare, ishullit të Sazanit. Së pari, ne vetëm një ishull kemi. Nëse e privatizojmë atë në emër të “turizmit elitar” të Ramës, atë do ta shijojnë vetëm “elitarët” dhe jo populli ynë i varfër. Së dyti, ishulli` Sazanit shekullin e kaluar ishte blinduar ushtarakisht dhe mbante “çelësat e Otrantos” siç thoshte Enveri―domethënë, pa miratimin tonë, anijet tregtare dhe ushtarake nuk mund të kalonin në ngushticë.

Me privatizimin e tij ne e humbasim “çelësin” në fjalë “përjetësisht” (tridhjetë vitet e fundit ne e kemi humbur për shkak të elitës sonë të zvetënuar dhe popullit të dalldisur), dhe për pasojë, as vjelim ndonjë kursim nga anijet tragtare as mbrohemi dot nga ndonjë mësymje greke. Madje, nuk i shmangemi dot as “kunatave” dhe “dhëndurëve” të klasës politike, siç na këshillon Spahiu, sepse ajo do të vazhdojë të korruptohet dhe me shumë gjasa nuk do të vjelë as ndonjë taksë. 

Në këtë kuptim (se “turizmi elitar” është i paqendrueshëm dhe ne humbasim “çelsin e Otrantos”), pretendimi se privatizimi` tij do të krijojë mijëra vende pune, është qesharak, siç është qesharak dhe pretendimi tjetër se prania e shtuar amerikane në Shqipëri do të na rrisë sigurinë tonë kombëtare...

Investimin e Trampit ne mund ta mbështesnim vetëm kur ai të na sigurojë se nuk do të dëmtojë ekosistemin dhe do ta pasurojë atë me gjelbërim etj; do të jetë për të gjithë popullin ose gjithë klasat e tij dhe jo vetëm për pasanikët; dhe nuk do të humbasim “çelsat e Otrantos”. 

Qëllimi` Ramës me dhuratat ndaj Trampit: Sazanin dhe Zvërnecin

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA