Kallëzim pas kallëzimi: pse shklasifikimi` “urdhërit” të Berishës për të “më vrarë” dështoi?
Gjithë gjasat janë se Rama ka ndaluar shklasifikimin e urdhërit të Berishës për të më vrarë për një arsye të thjeshtë: të fshehë fytyrën e tij të vërtetë
Ylli Përmeti
04/05/2024 - 08:30
Në bazë të ligjit Nr. 662, datë 15.11.2017, ‘Për Miratimin e Rregullores për Deklasifikimin dhe Zhvlerësimin e Informacionit të Klasifikuar “Sekret Shtetëror”’, bëra kërkesën time në KDZH, institucioni përgjegjës për vendimet përkatëse, për të “shklasifikuar urdhërin e Berishës” kur ishte kryeministër (2012), “për të më vrarë”, në fillim të marsit, 2024, dhe si pasojë, në datën 5 mars, punonjësja e institucionit në fjalë më sqaroi për hollësitë e ligjit përkatës dhe unë i ktheva përgjigje se doja shklasifikim “të plotë” dhe jo “të pjesshëm”.
Që nga ajo ditë, punonjësja përkatëse s`më ka njoftuar ndonjë vendim të KDZH-së. Ligji parashikon një afat kohor vendimarrjeje prej “20 ditësh kalendarike” duke filluar “nga data e marrjes dijeni nga përfaqësuesi i institucionit” por ai lidhet me KDZH-në dhe institucionin prej nga ku ka shkuar “informacioni` klasifikuar, sekret shtetëror”. Në rastin tim, nga kryeministria e kohës së Berishës. Si i tillë, ligji nuk është dhe aq i qartë, meqënse ai nuk përfshin “çdo person apo individ të interesuar”.
Sidoqoftë, duke e marrë atë siç është, KDZH-ja duhet të ketë vënë në dijeni kryeministrinë e drejtuar nga Rama. Por deri tani ―gati dy muaj më pas― ajo nuk më ka njoftuar ndonjë vendim. Nuk është e vështirë për mua të mendoj se KDZH-ja mund të jetë ndaluar nga Rama për të shklasifikuar urdhërin e Berishës.
Lajmi, sidoqoftë, nga ndërveprimi im me punonjësen e KDZH-së është se urdhëri i Berishës është klasifikuar ― qenien e të cilit ma kumtuan në atë kohë shërbimet inteligjente por ngaqë ai ishte klasifikuar si “sekret shtetëror” dhe ligji nuk lejon shklasifikimin e tij pa kaluar dhjetë vjet (neni 7, ligji nr 8457), unë nuk kisha ndërmarrë ndonjë veprim ligjor.
Tani që kanë kaluar dhjetë vjet, unë kam të drejtë të kërkoj shklasifikimin e tij dhe institucioni përkatës të zbatojë ligjin (sipas nenit 30/8457) dhe t`i tregoj botës jo vetëm karakterin e ish-kryeministrit (edhe përmes rastit tim) por dhe të kërkoj të drejtën time si gazetar dhe qytetar: se unë, jo vetëm që u censurova në kohën kur denoncova tentativën e Berishës për të më vrarë nga shtypi dhe media e kohës por që nga ajo kohë vazhdoj të censurohem.
Tentativa e tij, lidhur me detyrën time, por dhe censurës që është ushtruar ndaj meje dhjetë vitet e fundit, vërtet nuk më ka “mposhtur” në luftën time për t`i shërbyer të vërtetës dhe popullit tim dhe përtej me krijimin e një qendre studimore të pavarur por më ka dëmtuar në përparimin e saj (të vërtetës) dhe sigurisht në jetën time familjare. Ndaj kallëzoj vonesën e KDZH-së dhe paralajmëroj se do të ndërmarr veprime ligjore kundër saj nëse ajo nuk më kumton vendimin e saj në ditët në vijim. Kallëzimi do t`i kumtohet dhe shtypit ndërkombëtar.
Urdhëri` Berishës u dha kur në opozitë ishte Rama. Në atë kohë kritika ime (si komentaror dhe veprimtar politik) nuk ishte përqendruar tek Rama, sepse “e keqja jonë e madhe” ishte Berisha dhe jo Rama, megjithësi edhe këtij të fundit nuk ia kurseja kritikën, sidomos lidhur me qendrimet e tij joshkencore. Por gradualisht qendrimi im ndryshoi, sepse Rama ishte kryeministër ndërsa Berisha kaloi në opozitë. Por ai dhe partia dhe media e tij nuk kallëzoi tentativën e Berishës dhe kallëzimin tim. Heshtja e opozitës dhe medias së tij shërbeu për mua si vërtetim se ajo nuk luftonte për të drejta qytetare (dhe shtypin e lirë) por për pushtet.
Berisha është ndaluar në banesë. Ai është akuzuar nga institucioni ynë i ri i drejtësisë, SPAK, për mbështetjen e dhëndërit në një rast prone. Ngaqë ai rast lidhet me raste të tjerë, ai rrezikon të akuzohet dhe për raste të tjerë, gjithashtu, veçanërisht lidhur me akuzat e administratës së Bajdenit, ndërsa shpreson se do të lirohet kur të ngjitet në pushtet Trampi dhe partitë e tjera politike evropiane të krahut të djathtë.
Rama, gjithashtu, akuzohet nga opozita për shumë raste dhe vendi ynë mund të detyrohet të drejtohet nga një qeveri teknike me qëllim që të organizojë zgjedhje të lira dhe të drejta dhe të ndihmojë drejtësinë. Duke lënë rastin tim të shklasifikohej ai do t`i hidhte “zjarr” opozitës së Berishës kundër tij. Si i tillë, ai ka çdo arsye të “mbrojë” Berishën (por dhe veten) nga një akuzë e re; këtë herë, shumë më flagrante se çdo rast tjetër.
Denunciation upon denunciation: why declassifying the “order” of Berisha to “kill me” failed?
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 91 reads