Mbledhja e Ballkanit të Hapur/2022: një tjetër fiasko me pasoja katastrofike
Gjykuar nga e ardhmja energjiike mund të parashikojmë dhe të ardhmen e drithit serb, i cili do të furnizojë Kosovën dhe Shqipërinë: ai do të jetë çdo vit dhe më keq meqë kushtet klimatike do të përkeqësohen!
Ylli Përmeti
04/09/2022 - 15:53
Mbledhja e Ballkanit të Hapur e vitit 2022 u zhvillua në Beograd gjatë dy ditëve të para të shtatorit. Ajo filloi me panairin e verës ose “Vizionin e Verës” siç e quajtën tre nismëtarët, dhe më pas me bisedimet, nënshkrimet e marrëveshjeve të reja dhe qendrimet publike. Në të morën pjesë tre krerët e shteteve “themeluese”: Shqipëria, Maqedonia e V. dhe Serbia me dy të ftuar, përfaqësuesit e Malitëzi dhe Bosnje Hercegovinës.
Gjatë panairit Rama “sfidoi” ligjëratën e shkruajtur nga ekipi i tij lidhur me përmendjen e faktit se vera e parë është prodhuar në epokën e bronxit në Shqipëri duke mbivendosur nevojën për të bashkëjetuar, për ta bërë jetën tonë më të gëzueshme dhe të jetueshme, më të paqtë dhe mos të hedhim gurë kundër njëri-tjetrit, duke mos harruar numrin e prodhuesve nga Shqipëria në panair, 22, ndërsa vreshtaritë, sipas tij, janë shtuar me 10% çdo vit dhe volumi i shkëmbimeve agrikulturore mes tre vendeve është rritur me mbi 100 milion euro nga 60 milionë një vit më parë. Eksportet bujqësore dhe plehrat shqiptare në Serbi u rritën me 30% vitin e kaluar ndërsa shënohet e njëjta shifër kundrejt Maqedonisë së V.
Mbledhja u zhvillua nën kujdesin e ambasadorit amerikan në Beograd, Chris Hill. Ishte i pranishëm dhe ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, dhe ministri i jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto. Rama rrëfeu se nismëtarët kishin ftuar dhe ministrat e jashtëm në Greqisë dhe Italisë. Por ata e patën të pamundur për të marrë pjesë dhe do të ftohen mbledhjen tjetër. Ai tha, gjithashtu, se një kryeministër pjesë e BE-së kishte kërkuar të merrte pjesë, të cilit i ishte përgjigjur se do ta bisedonte me kolegët e tij dhe se ma gjasa do të ftohësh herën tjetër ndërsa shtoi se do të ftoheshin të gjithë t`i bashkohen nismës duke theksuar besimin e tij se “Ballkani është po aq i rëndësishëm për Evropën sa ç`është Evropa për Ballkanin”.
Ai përshëndeti marrëveshjen e Serbisë dhe Kosovës për letërnjoftimet si pjesë e zgjidhjes së Ballkanit të Hapur dhe shprehu respektin e tij për presidentin serb i cili i dha përparësi paqes. Më tej ai sqaroi se “ata” nuk ishin në mbledhje vetëm për verërat dhe afrimin e popujve hap pas hapi por dhe lidhur me drithin dhe energjinë. Për të parin ai përmendi faktin se Serbia bllokoi eksportet e tij për shkak të luftës në Ukrainë por falë Ballkanit të Hapur ajo i zhbllokoi sërish.
Për krizën energjitike ata “themeluan” një ekip “supranacional” ad hoc dhe ngaqë sipas tij Serbia dhe Maqedonia e V. varen nga energjia termike (“thermo-power”) ata “mund të nënshkruajnë marrëveshje për të shfrytëzuar mundësitë për të siguruar më shumë elektricitet”. Lidhur me këtë synim ata janë pajtuar që të tërheqin “disa nga projektet më të mëdhenj në rajon” duke përdorur “përvojën e shkëlqyer të Serbisë në tërheqjen e investimeve të huaja. Kështu palët nënshkruan katër marrëveshje:
• Për sigurinë ushqimore mes tre republikave e nënshkruar nga ministrat e agrikulturës;
• Memorandum Mirëkuptimi në fushën e kinematografisë dhe veprimtarive pamore në Ballkanin Perëndimor nënshkruar nga ministrat e kulturës;
• Marrëveshje për energjinë dhe mineralet e nënshkruar nga ministrat e infrastrukturës dhe energjisë;
• Plan ndërveprues mbi gjendjet e jashtëzakonshme qytetare mes tre republikave nënshkruar nga përfaqësuesit e tre vendeve.
Serbia, në fakt, varet nga energjia e qymyrit (ligniti). Ky i fundit siguron më shumë se 70 për qind të energjisë elektrike. Burimi i dytë është energjia ujore ndërsa burimet e tjerë s`kanë ndonjë peshë të rëndësishme. Ndërsa po përpiqet të importojë energji elektrike nga Azerbajxhani lidhur me energjinë ujore Serbia është në procesin e shkatërrimit të ekosistemit me ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël. Këta të fundit kanë treguar se janë një tjetër fiasko e elitave neoliberale.
Përvoja e Bosnje Hercegovinës e tregon qartë: pronarët e hidrocentraleve të vegjël në Bosnje, gjatë dekadës së fundit përfituan miliona euro subvencione, ndërsa paguajnë tarifa të vogla koncesioni, zakonisht midis 1 deri 3 për qind të të ardhurave të tyre. Tranzicioni i premtuar drejt energjisë së ripërtëritshme nuk ndodhi kurrë. Më 2021, hidrocentralet e vegjël kontribuan vetëm pak mbi 2.5 për qind të prodhimit të energjisë elektrike atje.
Si pasojë e protestave të fuqishme të veprimtarëve, sidomos kur u zbulua se shumë kontrata për shfrytëzimin e lumenjve u ishin dhënë njerëzve të afërt të pushtetit politik, u miratua një ligj që ndalon ndërtimin e mëtejshëm të hidrocentraleve të vegjël në pjesën më të madhe të Bosnjes. Megjithatë, lufta atje vazhdon, meqënse qeveritë s`kanë hequr dorë plotësisht nga praktika.
Për t`u përballur me nevojat e saj në rritje dhe kërkesat e BE-së për zvogëlimin e çlirimeve Serbia ka planifikuar ndërtimin e impianteve të tjerë me bazë qymyrin ndërsa thotë se disa do t`i pezullojë. Por është e qartë se orientimi i Serbisë është katastrofik jo vetëm për të por për gjithë rajonin.
Nga ky orientim kërkon Rama dhe mbështetësit e tij të “shpëtojë” popullin. Ndryshe paraqitet gjendja për Serbinë: ajo me shumë gjasa do të ketë qasje në energjinë tonë hidrike, sidomos gjatë dimrit. Ajo do të ketë qasje, gjithashtu, në prodhimet minerale. Por këto qasje nuk e shpëtojnë Serbinë nga kriza energjitike (për prodhimin e energjisë elektrike, sepse për energjinë motorrike ajo e ka zgjidhur problemin me naftën dhe gazin rus).
Gjykuar nga e ardhmja energjiike mund të parashikojmë dhe të ardhmen e drithit serb, i cili do të furnizojë Kosovën dhe Shqipërinë: ai do të jetë çdo vit dhe më keq meqë kushtet klimatike do të përkeqësohen ndërsa ato nuk mund të ndihmohen as nga ndihma financiare që kërkoi Rama nga BE-ja!
Krijimi i “Jugosllavisë së re” nga treshja ballkanike dhe pasojat katastrofike për Shqipërinë (dhe Kosovën)
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 123 reads



