...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Blofi` Ramës me prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe varfërimi` popullit për epshet amerikane

Qeveria “Rama” prishi marrëdhëniet diplomatike me Iranin pa paraqitur prova bindëse ndërsa krijon një institucion shtetëror me kursimet e popullit i cili nuk garandton siguri kibernatike

Ylli Përmeti

09/09/2022 - 08:42

Pas deklarimit për ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike me Iranin për shkak të sulmeve kibernetike në korrik dhe “provave të pakundërshtueshme” të Ramës, të cilat nuk i tregoi në publik, erdhi dhe ‘mbështetja e fortë’ nga Uashingtoni, sipas të cilës, vendet do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të forcuar masat e sigurisë kibernetike, ndërsa Nato-ja u solidarizua me Shqipërinë për të njëjtin qëllim: për të forcuar aftësitë mbrojtëse.

Një ditë më pas erdhi dhe ‘mbështetja’ nga korporata amerikane e “Microsoft-it”. Në përpjekjen e saj për të mbështetur vendimin e qeverisë, ajo nxjerr blof Ramën: sipas saj, bazuar në provat e mbledhura gjatë hetimit, sulmi është kryer jashtë Iranit dhe hakerat përdorën të njëjtat “mjete” që kanë përdorur hakerë të tjerë të njohur iranianë. Siç sqaron më tej Voa:

“Sulmuesit përgjegjës për ndërhyrjen dhe nxjerrjen e të dhënave synuan sektorë dhe vende të tjera që janë në përputhje me interesat iraniane. Një kod për fshirjen e informacioneve është përdorur më parë nga një “actor” i njohur Iranian. Po ashtu kanë përdorur edhe programe me qëllim për të bllokuar aksesin në një sistem kompjuterik derisa të paguhet një shumë parash”.

Më tej raporti tregon se sipas “Microsoft-it” është vepruar në katër faza: “ndërhyrja fillestare; vjedhja apo lëvizja e të dhënave; Kriptimi dhe shkatërrimi i të dhënave si dhe faza e fundit publikimi i një pjesë të këtyre të dhënave”.

Për këto arsye “Microsofti” ka “besim të lartë” se pas sulmit qendron Irani! Domethënë, korporata amerikane që ka shpikur dhe përhapur botën kibernetike anë e mbanë globit nuk është ‘e sigurtë’ se pas sulmit qendron Irani por ka “besim të lartë”! Madje, ajo tregon dhe një të vërtetë tjetër: se hakerat kanë vepruar njësoj më parë! Këtë fakt e njohin shërbimet inteligjente, p.sh., izraelite, armiku i Iranit në rajon.

Gjykuar nga fakti i fundit, shërbimet në fjalë mund të kenë vepruar njësoj si më parë për të bërë lidhjen më pas organet e “pavaruara” hetuese me qëllim që të fajësohet Irani. Ky i fundit tha pas shpalljes për ndalimin e marrëdhënieve diplomatike nga Rama, se ishte komplot izraelito-amerikano-shqiptar―pretendim që nënkupton se pas sulmeve nuk qendron Teherani por “komploti” mes qeverive të Izraelit, SHBA-së dhe Shqipërisë. Por pa treguar ndonjë fakt apo provë, sepse lidhja që bëri mes deklaratës së Ramës dhe reagimeve të shpejta nga Uashingtoni dhe Jeruzalemit, nuk përbën provë por thjesht një indikacion.  

Gjykuar nga aftësitë dhe qëllimi i Iranit―ai është i aftë të sulmojë kibernetikisht dhe kërkon asgjësimin e MEK-ut në Shqipëri jo vetëm sepse ky i fundit synon përmbysjen e regjimit atje por edhe sepse beson se ka kryer sulme kibernetike ndaj Iranit nga Shqipëria― ai mund të ketë sulmuar.

Por gjykuar nga verpimi i Ramës ―i cili prishi marrëdhëniet diplomatike me Iranin bazuar në prova të “pakundërshtueshme”― dhe “provave” të kundërshtueshme të “Microsoft-it”, sulmi mund të jetë planifikuar dhe kryer nga shërbimet inteligjente izraelite për të akuzuar Iranin. Dhe duke qenë se Rama nuk ka ngritur ndonjë grup pune me mjeshtrat tanë për botën kibernetike për të hetuar ngjarjen në mënyrë të pavarur, dhe vetë ai s`e ka idenë se ç`janë provat e “pakundërshtueshme”, sepse s`ka fituar arsyetim juridik, me shumë gjasa është mashtruar nga “ekspertët” e huaj.

Qendron dhe një çështje tjetër që e përjashton ―të paktën deri tani― se pas sulmit nuk mund të qendrojë Irani: se hakerat kanë siguruar të dhëna shtetërore të cilat mund të dëmtojnë qeverinë “Rama”. Përveç publikimit të të dhënave (të letërnjoftimeve dhe shpërblimeve, në dhjetor të vitit 2021) deri tani nuk kemi parë ndonjë ‘zbulim’ tjetër! Nëse do të kishte sulmuar qeveria e Iranit me siguri do t`i kishte përdorur të dhënat e vjedhura kundër qeverisë “Rama”.

Epshet amerikane bëhen shkak për rëndimin e popullit

Pas rreth pesë vitesh me muxhahedinët iranianë në vendin tonë, pas sulmeve kibernetike në seri me sulmin e fundit ndaj sistemit TIMS dhe pas prishjeve të marrëdhënieve diplomatike me Iranin, Blinkeni nuk guxoi t`i kërkonte ndjesë Shqipërisë për implikimet që i shkaktoi SHBA-ja vendit tonë por vazhdoi të na “shiste” besimin se Uashingtoni nuk do të “tolerojë kibersulme ndaj SHBA-së ose Aleatëve të NATO-s”!

Qoftë edhe njoftimi se Izraeli do të na “ndihmojë” për t`u përballur me sulmet kibernetike apo takimi “kokë-për-kokë” mes Kurtit dhe Ramës në Tiranë, me dyer të mbyllura, ku u bisedua kryesisht për sulmet kibernetike (kështu tha Kurti një ditë më pas), nuk e shpëton Shqipërinë nga kibersulmet. 

Duhet thënë se nga veprimtaria e muxhahedinëve në vendin tonë fiton më shumë Izraeli, sepse shpenzon Iranin në përpjekjet e tij për të asgjësuar “opozitën” e syrgjynosur iraniane në vendin tonë dhe e mban larg Izraelit. Kjo është logjika e diplomacisë së kohës sonë: “largoje rrezikun nga vendi yt dhe futja tjetrit dhe bëj sikur e ndihmon dhe solidarizohesh me të”.

Dëmi për popullit tonë, rrjedhimisht, është i disafishtë: së pari shtojmë në listën e armiqëve tanë një popull mjaft të fuqishëm në Lindjen e Mesme; së dyti, pikërisht sepse shtojmë armiqtë, duhet të rrisim sigurinë kombëtare. Për të rritur këtë të fundit na duhen më shumë kursime dhe armë si për luftën kibernetike ashtu dhe për luftën konvencionale.

Për të parën, ‘mbështetja e fortë’ e Uashingtonit dhe NATO-s nuk mjafton, sepse ata nuk mund të garantojnë siguri kibernetike për vendet e tyre e jo më për ne. Kujtoj sulmet e përmasave shumë më të mëdha në prag të luftë në Ukrainë, për të cilat Uashingtoni mori disa masa por kurrë nuk mund të ndalojë sulmet. Për të rritur sigurinë kombëtare në nivel zbulimi dhe kundërzbulimi ne na duhen më shumë kursime dhe më shumë njerëz të kualifikuar.

Pikërisht për dëmin e fundit Peleshi njoftoi një ditë më pas se qeveria “Rama” kishte miratuar një projekt për parandalimin e sulmeve. Ai tha se projekti lidhet me përmirësimin e trajtimit financiar të përfaqësuesve tanë, personel ushtarak apo civilë, në përfaqësi të jashtme (diplomatike, pranë Nato-s apo organizatave ndërkombëtare). Numri i tyre, sipas tij, është “rreth 85”. Ai përmendi, gjithashtu, rritjen me 30 për qind të shpërblimeve të forcave tona ushtarake. Por me shtesën e re, sipas tij, trajtimi i tyre bëhet “edhe më dinjitoz”. Qëllimi, sipas tij, është të rritet interesi për të rinjtë që t`i bashkohen forcave të armatosura.

Më tej ai zbuloi dhe çështjen e sulmeve kibernetike. Sipas tij, qeveria ka miratuar një shumë prej 24 milionë dollarë për të ngritur qendrën ushtarake të sigurisë kibernetike dhe aftësimin e personelit civil dhe ushtarak që do të punojë aty ndërsa hapet programi ose kursi i vitit të dytë për mjeshtërimin (“masterizimin” tha ministri!) e “mbi 15-16” vetëve për sigurinë kibernetike. Për ta është miratuar gjithashtu dhënia e një “bonusi” shtesë. Qëllimi është rritja e nivelit dhe shteti të jetë konkurrues me kushte më të mira se tregu privat.

Pelelshi u mundua të siguronte popullin se nisma e qeverisë mbështetet nga Uashingtoni dhe Brukseli për ta bërë Shqipërinë të sigurtë “fizikisht” dhe “kibernetikisht” por “harroi” të përmendte faktin se megjithëse shumica e sulmeve kibernetike mund të shmanget, ata nuk mund të parandalohen kur sistemet kombëtare janë të lidhur me sistemet ndërkombëtare.

Thënë në fjalë të tjera, sistemet elektronike kombëtare duhet të jenë të shkëputura nga sistemtet ndërkombëtare që të ndalohen sulmet kibernetike. Shtetet e integruar në globalizmin neoliberal e kanë të pamundur të krijojnë sisteme autonome, sepse tregu ndërkombëtar dhe ndërvarësia institucionale e tij imponon sisteme jo-autonome ose të hapur. Kjo është arsyeja se pse një studim në Britani sheh si rrugëzgjidhje përdorimin e një platforme (Titanium) e cila kontrollon pikat fundore të kompjuterave në mjedise të mbuluar (cloud) dhe hibride. Por nuk garanton siguri kibernetike!    

Përmblethtas, qeveria “Rama” prishi marrëdhëniet diplomatike me Iranin pa paraqitur prova bindëse (madje, në kohën kur gjithë rajoni ynë gjendësh nën sulm kibernetik përfshirë dhe Kosovën...vallë u ngatërrua Irani dhe u hakmorr ndaj gjithë rajonit?!) ndërsa krijon një institucion shtetëror me kursimet e popullit i cili nuk garanton siguri kibernetike!             

Përditësuar në datën 15 shtator

Operacionet e mbuluara të Iranit në Shqipëri dhe sulmi me dron

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA