Qendron akuza e SPAK-ut ndaj Berishës “përtej dyshimit të arsyeshëm”?
Prokurorëve të SPAK-ut do t`u duhet të vërtetojnë të kundërtën e çka pretendon Berisha, se ai nuk ka vepruar për dobinë e përgjithshme të shoqërisë por për interesa të veçanta
Ylli Përmeti
22/10/2023 - 13:27
Përpjekja e parë e Berishës dhe njërit prej televizioneve që mbështesin atë në kundërshti me ligjin e medias Syrinet për të hedhur poshtë masën e SPAK-ut, ishte lidhur me akuzën e tij se ai shkeli Kushtetutën; e dyta ishte me “zbërthimin” e dosjes së SPAK-ut ku tregohet se ky i fundit përpiqet të mbulojë implikimin e Ramës si kryebashkiak në kohën kur u privatizua Klubi Partizani; dhe një përpjekje e tretë po bëhet me “juristët” e Berishës (Manjani etj.) për të zhvlerësuar hetimin e SPAK-ut dhe për ta paraqitur këtë të fundit si të korruptuar.
Akuza e parë e padrejtë
Akuza e Berishës dhe mbështetësve të tij gjatë mbrëmjes së 21 tetorit kur u arrestua dhëndri i tij, Jamarbër Malletizi në hapësirat e aeroportit Nënë Tetreza, për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, se SPAK-u ka shkelur nenin 73 të Kushtetutës, pikën 2, se “deputeti nuk mund të arrestohet ose t`i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”, me masën e sigurisë për detyrim paraqitje pranë policisë gjyqësore si dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit”,
“nuk është e drejtë përsa kohë që atij nuk i hiqet liria dhe nuk i ndalohet veprimtaria politike brenda vendit dhe e parashikon si masë Kodi i Procedurës Penale”.
Akuzës së Berishës dhe mbështetësve të tij, në fakt, iu përgjigj vetë Spak-u ditën e nesërme: sipas tij, masa ndaj Berishës mbështetet në Kodin e Procedurës Penale, nenet 234 dhe 233. Dhe vërtet, kushdo që lexon nenet përkatëse, prokuroria ka të drejtë ta ndalojë të dyshuarin të dalë jashtë vendit.
Neni 259 i Kodit Penal e dënon “korrupsioni pasiv” e personave që ushtrojnë funksione publike, nga dy deri në tetë vjet. Berisha nuk i përket kësaj kategorie por “funsionarëve të lartë shtetërorë” të cilët dënohen sipas nenit 260 nga katër deri në dymbëdhjetë vjet burg.
Masa e Spaku-t qartësisht synon parandalimin e arratisjes së tij jashtë vendit (pas gabimit që bëri me “tigrin”) derisa të çojë kërkesën për autorizim nga kuvendi për arrestimin e tij. Besoj javën tjetër do ta çojë dhe kështu prangoset përfundimisht një nga të keqet e mëdha të vendit tonë dhe hap rrugën për të keqen tjetër (edhe më të madhe) që qendron në krye të qeverisë.
Akuza e dytë pjesërisht e drejtë
Gjatë ditës së 22 tetorit, një nga televizionet që mbështet Berishën më shumë, Syrinet, publikoi një pretendim sipas të cilit procedurën për tjetërsimin e Klubit Partizani e ka nënshkruar Rama kur ishte kryetar bashkie. Këtë pretendim ai e mbështet në çka thuhet nga prokurorja Millonaj në dosje.
Por ndërsa pretendimi përkatës nuk përmend akuzën konkrete të SPAK-ut, ku thuhet se Berisha si kryeministër ka “kryer veprime konkrete dhe aktive në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore”, të cilat hamendësisht i mbështet me prova, Syrinet tregon një të vërtetë tjetër të madhe: implikimin e Ramës në çështjen përkatëse dhe përpjekjen e SPAK-ut për ta mbuluar atë. Nëse është kështu, SPAK-u duhet të shpjegohet.
Me siguri, në përpjekjen e tyre për të marrë me vete Ramën, Syrinet dhe Berisha do ta theksojnë këtë fakt në ditët në vijim dhe do t`ia bëjnë të vështirë jetën politike atij ndërsa si televizion duhet të hetohet për anëmbajtje dhe për mos zbatim të ligjit të medias dhe deontologjisë gazetareske.
Bashkë me të, duhet të hetohet dhe pjesa tjetër e medias, për të njëjtat shkelje.
Shkelja e ligjit nga mediat dhe gazetarët dhe nevoja e mbështetjes së drejtësisë
Gjatë ditës së diel (22 tetor) Syrinet ndoqi rrëfenjën që parashtroi Berisha në një konferencë shtypi. Sipas këtij të fundit, akuza ndaj tij ishte “kosh me gënjeshtra, shpifje të ulëta, manipulime dhe trillime monstruoze” dhe se ai nuk e njihte masën e sigurisë. Gjatë të njëjtës konferencë por dhe gjatë shfaqjeve të tjera në televizione ai u mundua të përligjte veprimet e qeverisë së tij në raport me privatizimin e tokave ku ishte pronar dhe dhëndri i tij. Ai u mundua, gjithashtu, të tregonte si fajtorë nënshkruesit e ndërtuesve të pallateve në tokën përkatëse: Ramën, Bashën dhe Veliajn. Nuk harroi të ushqente iluzione se “lëvizja” e tij politike është në lëvizje dhe se ai do të fitonte pushtetin dhe do të ndëshkonte dhe shkelësit e ligjeve duke shënjestruar një nga prokurorët e hetimit të dosjes “Malltezi-Berisha”.
Strategjia e Berishës
T`i kthehemi edhe një herë akuzës së Berishës ndaj Prokurorisë së Posaçme, për të cilën ai kallëzoi gjyqtaren Irena Gjoka dhe kërkoi përjashtimin e saj, pikërisht ditën kur Gjykata e Posaçme nisi shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj tij, sipas të cilit ajo ka shkelur Kushtetutën ose pikën 2 të Nenit 73. Sipas nenit përkatës “deputeti nuk mund të arrestohet ose t`i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”.
Ai kërkon, në fjalë të tjera, autorizim nga kuvendi për masën që i vunë ndërsa prokuroria ka përdorur dy nenet e procedurës penale dhe e ka lënë të lirë të veprojë politikisht brenda vendit siç po vepron por i ka ndaluar atij lëvizjen jashtë vendit. Ky është një veprim i domosdoshëm, sepse dihet se çfarë bëjnë pushtetarët kur mësojnë se do të arrestohen.
Por le ta lëmë mënjanë për një çast faktin se atij liria nuk i është kufizuar brenda vendit dhe të përqendrohemi tek neni përkatës edhe një herë: sepse ai nuk e përcakton kufizimin e “lirisë” se nëse do të kufizohet për jashtë vendit apo brenda vendit. Në fakt ai nënkupton lirinë brenda vendit. Ndaj dhe pretendimi i Berishës dhe avokatëve të tij është i padrejtë dhe vendimi i Prokurorisë së Posaçme është i drejtë.
Gjykuar nga ky fakt dhe pretendimi im ―se nuk është shkelur Kushtetuta― pyetja që lind vetvetiu është se si ka mundësi një “profesor-doktor” si Sali Berisha me përvojë të gjatë në botën e ligjeve dhe avokatët e tij të gabojnë me një nen si ai. Gjasat janë se Berisha e përdor akuzën e tij në kuadër të strategjisë së tij se kur të “sulmojnë mbrojtja më e mirë është kundërsulmi”.
Një arsye tjetër lidhet me paaftësinë juridike të Berishës, sepse dihet se ai nuk e ka të zhvilluar arsyetimin juridik pavarësisht se gjysmën e jetës së tij është përfshirë në hartimin dhe miratimin e ligjeve ndërsa avoktatët e tij, të cilët ndjekin “epshet” e tij, thjesht tregojnë karakterin e tyre.
Në përpjekjen e tij për të “damkosur” Prokurorinë e Posaçme ai shton ―kur i thonë se prokuroria ka përdorur nenet e procedurës penale― dhe faktin se Kushtetuta mbizotëron ndaj çdo lloj ligji tjetër. Për këtë pretendim ai ka të drejtë por është e qartë se ai gabon me pretendimin e parë.
Sidoqoftë, tashmë jeta e tij politike ka marrë fund dhe sado të përpiqet që të mbrohet me kundërsulme ditët e tij jashtë burgut janë të numëruara.
Përtej dyshimit të arsyeshëm?
Ka mbetur pa u shqyrtuar çështja se sa është përputhur SPAK-u me parimin juridik ―se faktet apo provat e zotëruara nga ai qendrojnë “përtej dyshimit të arsyeshëm― për të arrestuar dhe burgosur Berishën. Për t`i dhënë përgjigje kësaj pyetje ne duhet të kemi parasysh se Berisha është ‘nën hetim’ dhe ato nuk kanë mbaruar―fakt që nënkupton se përfundimet e akuzës ndaj tij mund të ndryshojnë por jo akuza në vetvete, sepse faktet që qarkulloi SPAK-u tregojnë se Berisha ka vepruar vërtet siç pretendon ai ―me “veprime konkrete dhe aktive për miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore”― për të ndihmuar dhëndërin e tij. Këtë fakt e pranon dhe Berisha në konferencat e tij të përditshme por ai i jep kuptim tjetër atij, se ai veproi për “interesin e përgjithshëm” të shoqërisë.
Për të njëjtën arsye, prokurorëve të SPAK-ut do t`u duhet të vërtetojnë të kundërtën e çka pretendon Berisha, se ai nuk ka vepruar për dobinë e përgjithshme të shoqërisë por për interesa të veçanta. Ngasa argumentohet në Dosje (një pjesë të të cilës e kam lexuar) dhe ngasa argumenton Berisha, deri tani peshorja anon nga prokuroria. Por asaj do t`i duhet më shumë punë që të tregojë në gjykatë se veprimet e tij qendrojnë “përtej dyshimit të arsyeshëm” për t`u arrestuar dhe burgosur. Aktualisht gjykata ka “dyshime të arsyeshme” por ―siç thashë― prokuroria duhet të vazhdojë hetimet për të përligjur parimin përkatës.
Në fund, vlen të përmendet fakti se rastin “Malltezi-Berisha” e kanë hetuar dhe gazetarët e “Insidestory” të Top Channel. Ndërsa hetimi i tyre ka shumë të meta, kryesisht lidhur me shmangien e përmendjes së implikimit të mundshëm të Ramës kur ishte kryetar bashkie dhe vitet e fundit në krye të qeverisë, njësoj si SPAK-u, ata sidoqoftë tregojnë se Berisha dhe Malltezi kanë përvetësuar një pronë shtetërore të dëmshpërblyer në kohën e qeverisë kuislinge të pushtimit italian. Këtë fakt SPAK-u nuk e ka përfshirë në Dosjen tij! Ndoshta e përfshin në vijim.
Nëse e përfshin, atëherë bëhet fjalë për një nga mashtrimet më të mëdha të tridhjetë viteve të fundit, jo në kuptimin e dëmit ekonomik ndaj shtetit (sepse qeveria “Rama” ka kryer krime më të mëdha ekonomike vitet e fundit) por në kuptimin e natyrës së krimit, sepse ai paraqitet si pronë e trashëguar private por e shtetëzuar nga komunistët e shekullit të kaluar kur nuk është kështu dhe më pas është përdorur pushteti politik ―në kuadër të ideologjisë së tij për të privatizuar pasuritë shtetërore― për ta privatizuar edhe një herë dhe “dëmshpërblyer” edhe një herë “pronarët”!
Ky editorial është përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 205 reads



