...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Reforma e padrejtë dhe pa perspektivë e qeverisë “Rama” në sektorin e energjitikës

Vetëm pas dy vjet e gjysmë kuptoi qeveria “Rama” se familjet në nevojë duhet t’i lehtësonte duke u falur kamatë-vonesat!

06/11/2021 - 08:07

Energjia elektrike u zhvillua ngadalë përgjatë tre shekujve të fund-mesjetës. Por ajo filloi të merrte karakter të përgjithshëm vetëm shekullin e XX. Paralel me të u zhvillua dhe energjia e fosileve dhe teknologjia përkatëse dhe duke filluar nga shekulli i kaluar, energjia elektrike klasifikohet  si një e “mirë publike” — si “një e mirë” që duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve të një vendi. Në shkallë të ndryshme qeveritë e shekullit të kaluar, kryesisht në ish Bllokun Perëndimor dhe atë Lindor, garantonin energjinë për të gjithë popullatën. Por duke filluar nga fillimi i shekullit XXI, me shpërthimin e globalizmit neoliberal, energjia elektrike, si gjithë sektorët e tjerë të ekonomive, gjëndet në sulmin e kapitalit. Gjendja energjitike në Britani, për shembull, ishte aq e keqe tetë vjet më parë saqë disa akademikë sugjeruan se ‘vetëm kur të gjithë të jemi në terr, do të merren masa konkrete nga politikanët profesionistë’! 

Në Evropë shtatë monopole kontrollojnë më shumë se 2/3 e energjisë së prodhuar, me rezultat rritjen mesatare thuajse kudo të çmimit të energjisë. Në SHBA, e cila është vendi i vetëm i zhvilluar me rrjetin e prodhimit të energjisë plotësisht të privatizuar, ndërprerjet e energjisë janë më të përhapura se në Evropë. Shumë herë ndërmarrjet e prodhimit krijojnë mungesa artificiale për të rritur çmimet!  Në Greqi ndërmarrja publike e prodhimit të energjisë elektrike (ΔΕΗ), e cila prodhon energji duke përdorur lignit, shpesh përballet me privatizim të plotë (aktualisht kontrollohet nga qeveria me 51% të aksioneve)— ndërsa shërbimet e saj u “rekuizionuan” përkohësisht me qëllim që mobilizimet e punëtorëve të ndalohen!        

Në Shqipëri energjia teknologjike sigurohet kryesisht nga uji dhe nafta, sepse janë burime që sigurohen nga burimet vendore (shih për më shumë grafikun).

Përgjatë mungesës së rreshjeve energjia blihet në tregun botëror. Kjo është ndër arsyet se pse Banka Botërore dhe institucione të tjerë që përparojnë globalizmin neoliberal, nxisin vendet të integrohen në rendin përpakatës: që të imporotojnë por dhe eksportojnë energjinë sipas nevojave—çka nënkupton se të njëjtët institucione do të nxisin ndërtimin e më shumë hidrocentraleve në Shqipëri për të mbuluar nevojat e tyre! Por vendi ynë si shumë vende të tjerë gjendet, krahas krizave të tjera, në krizë energjitike gjithashtu. Të dy sektorët —naftës dhe energjisë ujore— gjënden në rrënim e sipër.

Gjendja bëhet dramatike kur shoqërohet me shkeljet ligjore të përfaqësuesve: kur ata nuk paguajnë detyrimet elektrike ndaj shtetit. Për shembull, qeveria “Berisha” (Topi, Fullani, Pollo, Ruli, Bode, Mediu, Topalli, etj.) nuk paguante energjinë që konsumonte pavarësisht se anëtarët e saj gëzonin rroga të majme dhe privilegje si asnjë tjetër!  Dhe jo vetëm qeveria “Berisha”: por thuajse gjithë administrata publike (ministri, bashki etj.) nuk paguanin për një kohë të gjatë energjinë e përdorur. Qoftë edhe ndërmarrjet prodhuese private ishin debitore ndaj “CEZ shpërndarjes” dhe shpesh nuk paguanin detyrimet.  Krahas këtyre, militantët e partive, kryesisht klasa e mesme, s’paguanin në shkallë të ndryshme gjithashtu energji elektrike.

Kriza lidhur me mospagimin e energjisë së konsumuar, rrjedhimisht, filloi të degradonte “nga lartë – poshtë”: nga qeveria “Berisha” dhe partitë në pushtet, me protagoniste PD/PS/LSI, drejtorët e ndërmarrjeve shtetërore, ndërmarrjet private, militantët e partive duke u shtrirë deri te qytetarët e paangazhuar partiatikisht. Kjo paturpësi lidhet ngushtë gjithashtu me korrupsionin dhe ekonominë informale. Në Greqi, për shembull, më shumë se 32% e ndërmarrjeve nuk paguante taksa në vitin 2019 ndërsa paralelisht mijëra të tjera falimentojnë.

Si pasojë, qeveria “Rama” duhet të përmbyste keq-qeverisjen që ishte krijuar prej të cilës kishte përfituar dhe partia “socialiste”. Por kur një qeveri nuk ka mësuar të studiojë dhe të zhvillojë arsyetim të drejtë në raport me drejtësinë sociale që vendoset përmes pushtetit politik dhe për më shumë qëllimi i saj në pushtet është të vjedhë shtetin nuk do të ishte e çuditshme që...për ta “përmbysur” rrënimin e sektorit e njëjta qeveri vendosi në fuqi ligjin e përgjithshëm se të gjithë “pa përjashtim” duhet të paguanin detyrimet por harroi në proces të detyronte shkaktarët kryesorë të krijimit të “kulturës” së mospagimit. Vetëm kur kaloi thuajse një vit në qeverisje Rama u mundua të tregonte realitetin duke cituar se:

91 për qind e kontratave të abonentëve familjarë dhe 88 për qind e kontratave të biznesit rezultojnë me borxhe ndaj sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Në tetor 2012 rezulton 36.60 për qind  e energjisë së blerë, dhe humbja në dhjetor 2012 ka kapur shifrën 55.46 për qind...Institucionet buxhetore kanë pasur 5.5 miliard borxhe ndaj kompanisë së shpërndarjes dhe ky borxh arrin 7.6 miliard lekë duke përfshirë edhe institucionet jobuxhetore...për vitin 2013, humbjet në sistemin e energjisë elektrike, kanë arritur 45% të sasisë së energjisë të futur në rrjetet e operatorit të shpërndarjes [ndërsa] 30% e energjisë në Shqipëri vidhet.

Sidoqoftë, sipas një raporti,  rezultoi se në të gjithë vendin ishin 708 mijë e 377 debitorë. Por Rama gënjeu kur tha se qeveria e nisi shlyerjen e borxhit ‘nga vetja’ dhe jo...siç shprehësh eufemisht...nga ‘hallka e fundit’, hamendësisht nga shtresa e varfër e shoqërisë, sepse qoftë edhe borxhi publik ndaj ‘CEZ’-it shlyhet nga parátë e buxhetit. Kështu amnistoi shkaktarët dhe penalizoi kryesisht qytetarët e varfër kur dihet se nuk e kishte të vështirë që ta zgjidhte problemin e mospagimit të detyrimeve energjitike duke vendosur drejtësi: duke hartuar, qoftë edhe duke kërkuar ndihmën e vartësve të tij, një kuadër veprimi për grupet e punës në terren që:

• të mos përfshinin në “listën e zezë” të gjithë qytetarët që tregonin në sistem debitorë por të shqyrtonin gjendjen e çdonjërit veçmas.  Sepse çdo debitor bart veçoritë e tij, sepse dihet se CEZ-shpërndarja tejfaturonte shumë prej tyre; të tjerë i vononte për t’i kaluar në sistem, për pasojë, shuma e konsumuar bëhësh e papërballushme për t’u paguar, meqënse çdo vonese i shtohet kamatë-vonesa në kohën kur psikologjia e përgjithshme ishte mospagimi — sepse kur s’paguajnë ata atje lartë, të cilët, për më shumë, gëzojnë dhe shijojnë nga kursimet publike rroga të majme, ne përse të paguajmë, pyet populli? dhe

• përpara se të ndërprisnin energjinë e debitorit që s`paguante të shqyrtonin gjëndjen e përgjithshme ekonomike të debitorit: gjendjen e punësimit, se nëse ishin të punësuar kryefamiljarët apo jo dhe, se në cilën gjëndje gjëndet banesa ku jetojnë. Nëse gjëndja ishte mjerane, siç edhe është në mijëra raste, energjia nuk duhet të ndërpritësh por të garantohësh me qëllim që një farë drejtësie të vendosësh dhe një farë morali të tregohësh. Por qeveria në vend të zbatonte këtë logjikë shkoi drejt rëndimit të familjeve në nevojë: sepse ajo planifikoi, duke ndjekur edhe një herë këshillat e FMN-së, jo vetëm heqjen e fashës prej 300 kv, por edhe njësimin e tarifave të familjeve me ato të ndërmarrjeve!

Vetëm pas dy vjet e gjysmë kuptoi qeveria “Rama” se familjet në nevojë duhet t’i lehtësonte duke u falur kamatë-vonesat! Gjendja ishte aq e keqe në sektorin e shpërndarjes saqë qeveria “Rama” krijoi një njësi të “pavarur” me 50 vetë për të hetuar personelin e OSHEE-së (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i cili zëvendësoi CEZ-in) për lidhje elektrike të paligjshme, rezultati i të cilit, në dijeninë time, nuk është publikuar! Reforma vazhdoi me rikonceptimin e linjës së shpërndarjes. Qëllimi ishte të luftoheshin humbjet në rrjet. Kjo politikë çoi, gjithashtu, në arrestimin dhe vetëvrasjen e disa qytetarëve (numri tërësor i të cilëve nuk është raportuar në dijeninë time nga policia e shtetit!) që s`kishin paguar detyrimet dhe disa të tjerë kishin kryer lidhje të paligjshme ndërsa në fillim të mandatit të tretë— plasi kriza e radhës.    

Pjesa e parë e studimit që vijon:

Padija dhe mashtrimet e klasës politike dhe akademike për krizën energjitike: drejt territ dhe katastrofës së mëtejshme ekologjike

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA