...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Sa i vërtetë është ‘opinioni’ i...se Enver Hoxha ishte ‘paranojak’?

Nëse kërkojmë ta gjykojmë drejtë Enverin, si gazetarë apo popull, ne duhet të gjykojmë dyshimet e tij në dritën e drejtësisë, se nëse dyshimet e tij ishin prova dhe qendronin përtej gjithë dyshimeve të arsyeshëm dhe Enveri kishte të drejtë apo jo

SHJ

03/05/2019 - 16:23

Emisioni në fjalë e ka bërë të udhës tashmë të merret me Enver Hoxhën. Në të vërtetë, gjithë masmedia merret me jetën politike (dhe jo vetëm) të Enver Hoxhës. Hamendësisht sepse Enveri ngjall kureshtje dhe rrit audiencën. Duhet thënë se mirë është të tregohen të vërtetat e çdonjërit që administron pushtetin politik të një vendi. Por jo të shtrembërohen ato. Veçanërisht nga një emision me audiencë të gjerë - kur dihet se përballet me një popull të keqedukuar: efekti do të ishte —siç dhe ‘është’— i dëmshëm, si për individin ashtu dhe për popullin: sepse të vërtetat e shtrembëruara zhvillojnë kryesisht urrejtjen dhe shkaktojnë dëm si për individin ashtu dhe për popullin.

Kështu emisioni në fjalë ose s`ka dije (të cilën zakonisht e kërkon nga njerëz me dije) për të shqyrtuar një çështje ose qëllimshëm kërkon ta paraqesë individin ‘ndryshe’. Në të dy rastet kjo lloj gazetarie është e padëshirueshme: sepse nuk tregon të vërtetën por e shtrembëron atë. Dhe ja si i shtrebëroi —edhe një herë— Fevzua të vërtetat lidhur me Enverin: duke e paraqitur atë si ‘paranojak’ — një ‘opinion’ që e ndanin dhe të ftuarit e tij përfshirë psikologun, pedagogun etj., në vend të tregonin të vërtetën!

Së pari, Enverin e paraqitën si ‘paranojak’ lidhur me qendrimet e tij në raport me shokët e komitetit dhe përgjithësisht në raport me popullin. Nuk është hera e parë që e paraqesin kështu! Por ështe keqparaqitje, sepse nuk morën në konsideratë tentativat e shpeshta për ta vrarë Enverin, si agjentët e brendshëm ashtu dhe të jashtmit. Vetë tentativat krijojnë një lloj psikoze tek njeriu se ai do të sulmohet nga çasti në çast: “psikozën e sulmit”. Enveri ishte njeri si gjithë të tjerët dhe nuk mund t`i shmangësh dot këtij efekti — aq më tepër kur ai ishte shtylla kryesore e regjimit përkatës. Besoj se psikoza në fjalë i ka shkaktuar dhe plotë ëndrra ankcioze: psikoza bëhet më rrezikshme kur njeriu u beson dhe ëndrrave...kështuqë, sjellja e tij e ‘padrejtë’ nuk ishte pasojë e ‘paranojës’ së tij por e realitetit në të cilin ai jetonte, një realitet që qendronte jashtë dhe brenda tij. Ai do të ishte ‘paranojak’ vetëm nëse do të mungonin tentativat përkatëse.

Kështu “ekspertët” lanë mënjanë tentativat për vrasje dhe nxorrën përfundime se Enveri ishte ‘paranojak’! Nuk mungojnë zëra të tjerë kur thonë se Enveri ishte paranojak edhe lidhur me “armiqt” e huaj dhe me orinetimin e vendit drejt përgatitjes ushtarake. Këta, njëlloj si “ekspertët” e Fevzos, e të tjerë si ata, madje dhe të huaj, siç janë francezët, prej të cilëve mësojnë “ekspertët” e brendshëm, shpërnjohin faktet historike dhe tregojnë kodra pas bregut.

Së dyti, dimë se anëtarët e komitetit nuk shquheshin në virtytin e drejtësisë në raport me njëri-tjetrin dhe për pasojë pështjelloheshin në indikacionet që shkaktonin. Nuk kërkonin, në fjalë të tjera, prova për të mbrojtur dyshimet e tyre. Disiplina juridike e kohës nuk kishte krijuar parime të drejtë juridikë (parime hetuese dhe gjykuese) dhe për pasojë akuzat dhe kundërakuzat nuk mungonin: mungesa e parimeve në drejtësi shkakton gjithnjë pështjellim. Kur një njeri si Enveri jetonte realitetin që përmenda dhe virtytin e drejtësisë nuk e kishte të zhvilluar mjaftueshëm, nuk do të ishte e çuditshme të sillësh me shokët ashtu siç u soll.

Nëse kërkojmë ta gjykojmë drejtë Enverin, rrjedhimisht, si gazetarë apo popull, ne duhet të gjykojmë dyshimet e tij në dritën e drejtësisë, se nëse dyshimet e tij ishin prova dhe qendronin përtej gjithë dyshimeve të arsyeshëm dhe Enveri kishte të drejtë apo jo. Fakti që gazetarët e tipit “Fevzo” nuk e shqyrtojnë çështjen nga perspektiva juridike tregon pikërisht ose padijen e tyre ose qëllimin e tyre: shtrembërimin e të vërtetave! Në të dy rastet, gazetarë të tillë janë të padëshirueshëm dhe të dënueshëm.

Duhet thënë se njeriu që krijon dyshime bart përgjegjësi: sepse do të ishte mirë që në raportet tona mos të ngjallim dyshime. Nëse në rastin e Enverit shokët e tij kanë ngjallur dyshime, ato duhet të ishin shqyrtuar si nga komiteti ashtu dhe nga Enveri. Nëse s`janë shqyrtuar nga ata, mbetet të shqyrtohen nga ata që pretendojnë se gjykojnë drejtë veprimet e Enverit: sepse çdo raport njerëzor nënkupton dy ose më shumë palë dhe nuk mund të gjykohet njëra palë dhe të lihet pala tjetër pa u gjykuar siç veprojnë gazetarët e reaksionit të brendshëm—sepse në raportet njerëzore ku përfshihen dy palë apo më shumë duhet të gjykohen të dyja ose të gjitha palët.

Nëse, për shembull, Enveri ka ngritur akuza bazuar në dyshimet e tij, tregon se pala tjetër ose vërtet ka shkaktuar dyshime ose Enveri ka patur dyshime të padrejta. Por edhe nëse Enveri kishte krijuar dyshime dhe rrjedhimisht akuza të padrejta, pala e dyshuar dhe e akuzuar duhet të luftonte të tregonte të kundërtën. Nëse nuk luftohet për të treguar të kundërtën, tregon ose paaftësi reflektive ose fajësi. Në rastin e paaftësisë reflektive, njeriu është i pafajshëm sepse një njeri që nuk ka mësuar të reflektojë shkakton gjithnjë dyshime për shkak të jetës jovirtuoze që ka zhvilluar; ndërsa në rastin e dytë…është i fajshëm.

Nëse gjykojmë nga mbledhjet e komitetit dyshimet e Enverit nuk janë shtruar për shqyrtim. Ai është përpjekur të nxjerrë blof palën e dyshuar. Por pa argumente bindës. Taktikën e blofit e përdorin shumë njerëz. Por është e qartë se është e gabuar si taktikë: sepse është më mirë që dyshimet tona të shpalosen mes shokësh. Një partner i mirë-edukuar kështu do të vepronte me gruan dhe anasjelltas: dyshimet e tij/saj për ndonjë tradhëti të mundshme do t`i shqyrtonte dhe nuk do të orvatësh të siguronte prova për ta kapur gafil tjetrin.  

Kujtoj, në fund, thënien e madhe të Aristotelit, kur i drejtohet Platonit kur ky i fundit mbështeste pushtetin pleqësisë dhe Aristoteli jo: “plaket trupi plaket mendja”!

   

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA