...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zhvillimi historik i naftënxjerrjes në Shqipëri dhe shkatërrimi i saj nga Nanua, Berisha dhe Rama

Populli humbet katër herë: një herë kur paguan taksa të larta për naftën; një herë kur qeveria e tij nuk siguron të ardhura nga nafta, përmes të cilave të investojë në sektorin publik prej të cilit ndihmohet populli në përgjithësi; një herë kur punëtorët e tij shfrytëzohen nga të huajt me rroga mjerane; dhe një herë, në fund, kur shkatërrohet ekosistemi si nga ndërmarrjet naftënxjerrëse ashtu dhe nga çlirimi i gazrave nga automjetet. Dhe kur populli humbet katër herë po aq herë fitojnë ndërmarrjet e huaja dhe anëtarët e qeverisë me përfituesin kryesor Ramën!

SHJ

18/03/2022 - 09:22

Në Shqipëri, duke ndjekur modelin zhvillimor të globalizmit neoliberal —konçesionimin e sektorëve të ekonomisë— tregu i gazit rrezikon të monopolizohet dhe të privatizohet krejtësisht: dy shoqëritë që operojnë në treg —njëra në Porto Romano, Durrës dhe tjetra në Petrolifera, Vlorë— nuk lejojnë dy shoqëri të tjera të hyjnë në treg!  Qeveria “Berisha” filloi procesin e privatizimit të “Albpetrol-it” që në vitin 2011-të.  Ajo donte të jepte me konçesion edhe kontrollin e cilësisë së saj! 

Procesin që nisi qeveria “Berisha” e përfundoi qeveria “Rama”: ajo nxori në shitje sektorin bazë të ekonomisë në kohën kur...çmimi i naftës në nivel botëror ishte më shumë se përgjysmuar! Ky veprim përputhet me kohën që kërkojnë investitorët e huaj dhe jo me kohën që kërkojnë qeveritë: sepse investitorët gjurmojnë çmime të ulëta ndërsa qeveritë çmime të larta - me qëllim që të rrisin të ardhurat, dhe rrjedhimisht, edhe investimet në sektorin publik. Por qeverisë aktuale jo vetëm drejtimi publik nuk i intereson por as ‘koha’ përmes së cilës do të rriste të ardhurat dhe do të investonte në sektorin publik! Hamendësisht, sepse përfiton nga aksionet e korporatave!

Aktualisht sektori i naftënxjerrjes ka marrëveshje me 7 ndërmarrje private naftënxjerrëse dhe disa ndërmarrje shpërndarëse. Evazioni nga ky sektor kalon 140 milionë dollarë në vit. Si rezultat, duke filluar nga viti 2004 - Albpetroli ka rritur sasinë e prodhimit të naftës në 1.4 milionë tonë, nga e cila, 60 mijë tonë përpunohet në rafinerinë vendase. Por ajo kurrë s’ka arritur nivelin e prodhimit të vitit 1975 prej 2.2 milionë tonë në vit. Në atë kohë sektori drejtohësh kryekëput nga specialistët tanë: sepse pas luftës sektori u zhvillua me ndihmën e specialistëve të Evropës Lindore (si fillim me Jugosllavinë dhe pastaj me Rusinë dhe më vonë me Kinën). Përgjatë kësaj periudhe specialistët tanë krijuan kushtet për autonomi drejtuese (shkolla e mesme teknike në Kuçovë për shpim, nxjerrje e përpunim dhe, më vonë, u ngrit Fakulteti i Gjeologjisë në Tiranë). Por pas vitit 1975 prodhimi ra gradualisht, duke kulmuar në vitin 1989-të. Por nuk ranë fitimet për shtetin.

Sipas “The Global Economy”, të ardhurat më të larta për shtetin tonë nga nafta kanë qenë gjatë vitit 1985, kur Shqipëria drejtohësh nga Enver Hoxha. Të ardhurat janë përllogaritur duke hequr koston e prodhimit për periudhën 1984-2019. Vlera mesatare përgjatë kësaj periudhe ka qenë 2,84 për qind me një minimum prej 0.18 për qind në vitin 1998 dhe një maksimum prej 13.14 për qind në vitin 1985. Vlera më e fundit nga viti 2019 ishte 1.35 për qind kur mesatarja botërore për 179 vende ishte 2.77 për qind. Shiko, për shumë grafiqet:

Nga viti 1985 deri në vitin 1990 të ardhurat e shtetit nga shitja e naftës u përgjysmuan duke pësuar luhatje thuajse çdo vit. Pas vitit 1990 ato filluan të binin më shumë duke ndjekur thuajse të njëjtën trajektore gjatë gjithë dekadës së parë. Të ardhurat filluan të rriteshin në fund të mandatit të parë të qeverisë “Berisha-2” dhe pësuan rritje përgjatë gjithë mandatit të dytë të saj. Qeveria “Rama” ruajti gati të njëjtat të ardhura gjatë vitit të parë në pushtet por më pas ato u përgjysmuan duke kulmuar me një rënie të frikshme në vitin 2017. Që nga ai vit të ardhurat janë rritur pak por s`janë as sa një e treta e të ardhurave të qeverisë “Berisha” dhe as që bëhet fjalë t`i krahasojmë ato me të ardhurat e qeverisë “Hoxha”.

Rënia e të ardhurave nga nafta nënkuptojnë faktin se qeveria ka lejuar ndërmarrjet private të fitojnë jo vetëm në kurriz të punëtorëve (duke i mbajtur rrogat e tyre të ulëta) por dhe në kurriz të të ardhurave të qeverisë. Kjo është arsyeja kryesore se pse e njëjta qeveria ka rritur taksat mbi naftën: sepse fakti që nuk gjeneron të ardhura nga shitja e saj ―përmes ndërmarrjeve private― ajo s`ka rrugë tjetër veç të rrisë taksat që të mbajë gjallë qeverinë dhe burokracinë e saj të stërmadhe.

Në këtë mënyrë populli humbet katër herë: një herë kur paguan taksa të larta për naftën; një herë kur qeveria e tij nuk siguron të ardhura nga nafta, përmes të cilave të investojë në sektorin publik prej të cilit ndihmohet populli në përgjithësi; një herë kur punëtorët e tij shfrytëzohen nga të huajt me rroga mjerane; dhe një herë, në fund, kur shkatërrohet ekosistemi si nga ndërmarrjet naftënxjerrëse ashtu dhe nga çlirimi i gazrave nga automjetet. Dhe kur populli humbet katër herë po aq herë fitojnë ndërmarrjet e huaja dhe anëtarët e qeverisë me përfituesin kryesor Ramën!     

Kështu qeveritë tona shkatërruan sektorin e naftënxjerrjes duke përfshirë dhe sektorin e përpunimit: nga katër rafineri mbeti vetëm një! Kujtoj se Shqipëria trashëgoi nga socializmi marksist katër rafineri: një në Kuçovë, e cila u ndërtua në prag të viteve `30 të shekullit 20-të, kur dhe zbulua vendburimi; një në Fier dhe një në Cërrik, të ndërtuar në vitet `50-`60; dhe një në Ballsh, e ndërtuar në vitin 1978, e cila ishte krenaria e përpunimit të naftës në Shqipëri, sepse kryente përpunim më të thellë të naftës që vinte nga tre rafineritë ose uzinat e tjera. Me ndërmarrjet naftënxjerrëse dhe rafineritë ajo mbulonte thuajse gjithë nevojat e vendit (sepse thuhet nga punonjësit e sektorit se vendi ynë importonte karburant për avionët) dhe tepëricat i eksportonte. Paralelisht klasa politike shkatërroi dhe institutet shkencore (Instituti Gjeologjik i Naftës dhe Instituti i Teknologjisë së Naftës) të sektorit.

Si pasojë e krizës në sektor dhe përgjithësisht në sektorin energjitik, disa specialistë të sektorit, në pension, kanë ngritur zërin vitet e fundit dhe akuzojnë qeveritë tona për shkatërrimin në fjalë ndërsa propozojnë ose rishtetëzimin e sektorit ose dhënien me konçesion por shteti të ketë përqindjen më të madhe të aksioneve të konçesioneve (51%). Argumentit të qeverive tona se gjykata e arbitrazhit do të na gjobisë me shuma të papërballueshme, specialistët i përgjigjen “le të punojnë edhe një vit vendburimet për të shlyer gjobat dhe pastaj të punojnë për vendin dhe për popullin”.

Por akuza e specialistëve nuk është plotësisht e drejtë: sepse nuk janë vetëm qeveritë tona përgjegjëse për shkatërrimin e sektorit por dhe populli―dhe veçanërisht populli i viteve `90. Ai kërkoi të ishte pjesë e BE-së, e cila, edhe një herë po e përsëris, kishte filluar të braktiste politikat social-demokrate duke përdorur politika neoliberale. Këto të fundit nuk e bazojnë zhvillimin ekonomik të vendit kryesisht në burimet e brendshme, por kryesisht në burimet e jashtme. Një ndryshim tjetër lidhet me karakterin e sektorëve ekonomikë: ata nuk do të ishin ‘shtetërorë’ por ‘privatë’―sepse ndërmarrjet shtetërore ishin “inefiçente” dhe ato duhet t`i nënshtroheshin doktrinës së kapitalizmit ―konkurrencës―kështuqë, duhet të privatizoheshin që të konkurronin në tregun e ri që po lindte: globalizmin neoliberal.

Ndaj dhe kur shqiptarët kërkuan “Shqipërinë si gjithë Evropa”, s`kishin kuptuar se ç`ndryshime strukturore po ndodhinin atja. Ata ishin të zhyrtur në iluzione. Dhe më dhimbshmja, ata vazhdojnë të mos kuptojnë dallimet ose ndryshimet mes politikave të social-demokracisë që u praktikuan shekullin e kaluar dhe politikave neoliberale pas 32 vitesh! Efekti që ka orientimi ynë për t`u integruar në politikat në fjalë, është dhe privatizimi i sektorit të energjitikës pavarësisht se kanë mbetur disa “grimca” pa u privatizuar. Nuk është, në fjalë të tjera, vetëm çështje gjykate arbitrazhi. Por kryesisht çështje orientimi për t`u...zhvilluar. Ky lloj “orientimi” shkakton dhe privatizimin dhe shkatërrimin e sektorit të energjitikës.

Nëse hamendësojmë, për shembull, se një qeveri merr përsipër të shtetëzojë sektorin e energjitikës duke paguar dhe gjobat e gjykatës së arbitrazhit: si do t`i përgjigjet kjo lloj qeverive presionit të BE-së dhe veçanërisht Amerikës kur këto qendra kanë më shumë se tre dekada që mbrojnë idenë e privatizimit të sektorëve të ekonomisë; kur paralelisht synon të integrohet në rendin që ato qendra gjeopolitike kanë krijuar; dhe kur pret të marrë fonde nga ata për të zhvilluar “demokracinë” parlamentare dhe sektorin privat të ekonomisë? Thjesht nuk mund t`i rezistojë asnjë çast trysnisë së tyre! Madje ata do të hidhen në kundërsulm duke nxitur protesta përmes agjentëve të shoqërisë civile dhe duke kërkuar një qeveri tjetër...neoliberale! Ka plotë raste që kanë vepruar kështu dhe nuk do të ngurrojnë të veprojnë njësoj! Kështuqë ata që na thonë se mjafton “vullneti” i një qeverie “patriote” për ta zhvilluar sektorin e energjitikës ndërsa i thonë të njëjtës qeveri të integrohet në globalizmin neoliberal, janë, të thuash të drejtën, mashtrues.   

Pjese studimore nga:

Shkaqet e shkatërrimit të sektorit të energjitikës dhe nevoja e krijimit të kushteve për një ‘revolucion energjitik’

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA