...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qendrimet kontradiktore të inxhinierëve të ndërtimit lidhur rrënimin e ndërtesave nga tërmeti

Mospajtimi i inxhinierëve të ndërtimit lidhur me cilësinë e ndërtesave për të cilat disa argumentojnë se janë të banueshme dhe disa jo, tregon pikërisht mungesën e parimeve të përgjithshme dhe të veçanta në sektor ose kaosin e sektorit

Ylli Përmeti

05/12/2019 - 14:09

Mospajtimi i inxhinierëve të ndërtimit lidhur me cilësinë e ndërtesave për të cilat disa argumentojnë se janë të banueshme dhe disa jo, tregon pikërisht mungesën e parimeve të përgjithshme dhe të veçanta në sektor ose kaosin e sektorit. Nuk është, në fjalë të tjera, vetëm çështje kurruptimi. Por është pikë së pari mungesë parimesh ose mungesë filozofie në ndërtim. Kur mungojnë parimet në ndërtim —të përgjithshmit dhe të veçantët— nuk do të ishte e çuditshme që inxhinierët të korruptohen si gjithë të tjerët. Këtë çështje nuk do ta dëgjojmë nga inxhinierët, sepse do të ekspozonin padijen e tyre; as nga gazetarët, të cilët nuk janë aftësuar ta sfidojnë sektorin me dije. Këtë sektor dhe jo vetëm këtë, mund ta sfidojnë vetëm dijetarët e filozofisë politike. Kujtoj edhe një herë se arkitektura në Athinën Klasike shkëlqeu sepse shkëlqeu filozofia. Por jo gjithshka nga filozofia zbatohet në arkitekturë. Për shembull, kur Aristoteli citon se një qytet duhet të ndërtohet në mënyrë të tillë që mos të lakmohet nga fqinjët, arkitektët dhe shtetëtarët e kohës nuk e morën në konsideratë dhe ndërtuan një qytet që lakmohësh nga fqinjët. Rezultati: qyteti u plaçkit! Por cilësia mbeti.

Filozofia e ndërtimit, parashikimi i tërmeteve dhe parandalimi i tragjedive sociale

Por le ta shqyrtojmë më shumë këtë çështje. 

Inxhinierët e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së territorit thonë se fajin për pallatet me mure të çarë e ka vetëm mungesa e brezit mural [...] ndërsa disa gjeologë, inxhinierë dhe urbanistë të tjerë thonë se dëmet u shumfishuan si rrjedhojë e ndërtimeve në zona të rrezikshme, pa kriter pa planifikim, me cilësi të dobët jashtë kushteve teknike, për të cilat prej vitesh i kanë tërhequr vëmendjen autoriteteve por pa rezultat (Voa). Më konkretisht, “mungesa e projektit dhe mungesa e zbatim-projektit, ndërtimi pa leje dhe korruptimi i supervizorit”, janë shkaqet se pse ndërtesat u rrënuan!  

Duhet thënë se këta shkaqe nuk citohen nga një inxhinier i vetëm por nga disa. Ky fakt tregon se dija e tyre është e pjesshme. Por edhe nëse i marrim së bashku shkaqet ata sërish janë të pjesshëm. Për shembull, kur thonë se është vetëm mungesa e “brezit mural” që ka dëmtuar muret e disa ndërtesave: sepse ky argument duhet të plotësohet me lartësinë e murit (sa më i lartë të jetë ai aq më i brishtë është kundrejt lëkundjeve); përmasën e tullave (sa më e hollë të jetë ajo aq më i brishtë është muri); lidhjen e murit me tarracën (kur muri nuk lidhet me tarracë por bëhet pasi është hedhur tarraca, ai është i brishtë); dhe cilësinë e llaçit (nëse i mungon sasia e nevojshme e gëlqeres dhe çimentos ai është i brishtë). Krahas këtyre aspekteve duhet parë muri në raport me kolonat: sepse goditja kalon nga kolonat drejt mureve dhe jo anasjelltas. Nëse kolonat janë të dobëta, në stafa, çimento dhe rërë (zakonisht rëra nuk lahet mirë dhe ka përqindje dheu), goditja do të jetë e madhe mbi muret. Janë, në fjalë të tjera, të gjitha këto çështje që sigurojnë një ndërtesë nga tërmetet. Por qoftë edhe këto, nuk mjaftojnë nëse nuk sigurohemi për natyrën e tokës: sa më pak përcjellëse të jetë ajo ndaj valëve të tërmetit aq më mirë.                 

Argumenti i inxhinierëve se “mungesa e projektit” ka qenë shkak i rrënimit të ndërtesave është gjithashtu problematik për sa kohë që nuk përputhet me realitetin —ndëtesat janë pasojë e projekteve për sa kohë që format e tyre të jashtme nuk mund të jenë pasojë e spontanitetit— dhe nuk shkon një hap para projektit: se nëse ai përputhet me nevojat për të parandaluar efektin e tërmeteve dhe filozofinë e ndërtimit. Njëlloj është argumenti se “mungesa e zbatim-projektit” është shkak për rrënimin e ndërtesave. Argumenti i “ndërtimit pa leje” është gjithashtu problematik për sa kohë që autoritetet vendore kanë gjithnjë mundësi të inspektojnë hapësirën gjeografike ku veprojnë. Kështu në vend të thonë se autoritetet s`kanë bërë punën e tyre, thonë se e kanë fajin ndërtimet pa leje! Dhe në fund, argumenti se “korruptimi i supervizorëve ose mbikëqyrësve nga investitorët” është shkak për gjendjen e ndërtesave, nuk është i drejtë për sa kohë që çdo mbikëqyrës kualifikohet për të qenë i drejtë në punën e tij, integrohet në sistem nga autoritetet dhe mbikëqyr një projekt që nuk ka filozofi ndërtimore të drejtë.         

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA