...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si mund të shpëtojmë Gjirokastrën (dhe jo vetëm) nga rrënimi?

Fakti që pema nuk shërben vetëm për të mbajtur dheun por edhe për të kanalizuar ujin thellë në tokë duke pakësuar sasinë e tij dhe duke ulur efektet gërryese në sipërfaqe, dhe fakti që njerëzit i kanë përdorur gjithnjë pemët për të mbajtur ledhet e tokave të thella, shpesh pa e kuptuar se ajo ndihmon dhe në mospërmbytjen e një toke, dhe fakti që pema pastron oksigjenin dhe ruan shpendët dhe, prodhimet e saj mund të shfrytëzohen nga njerëzit, pema është disafish e dobishme për mos të thënë e vyer për jetën tonë.

SHJ

25/02/2018 - 10:01

Një çështje madhore kanë ngritur gazetarët e oligarkisë së fundmi: rrënimin e Gjirokastrës dhe përgjithësisht të qyteteve tona. Në të vërtetë, më shumë në këtë drejtim ka kontribuar një gazetar i televizionit më të “mirë” në Shqipëri: “Top Channel”, me një gazetar të atashuar pranë këtij televizioni. Problemi është se gazetari në fjalë nuk ka krijuar mendësi shkencore dhe e paraqiti problematikën e Gjirokastrës si një student gazetarie sesa si një gazetar me mendësi shkencore. Ndoshta është ndikuar nga mendësia e gazetarit “pop-star” i cili paraqet më shumë bindjet dhe punët e të tjerëve sesa shqyrton dhe heton nga një këndvështrim shkencor. Kujtoj se gazetarët “pop-star” krijohen nga kanalet ku atashohen dhe anasjelltas: gazetarët krijojnë kanalin. Kur në një masmedia mungon shqyrtimi, për shembull, se pse jemi më të “mirët” dhe si u krijua kjo bindje mes nesh dhe popullit që na ndjek, detyrimisht që gazetarët do të lundrojnë në këtë mendësi të përgjithshme dhe do të mbeten thuajse të njëjtë në aftësitë e tyre gazetareske. Për rastin konkret gazetari në fjalë shkoi dhe realizoi një “dokumentar” në Gjirokastër dhe në vend ta paraqiste vërtet si një ‘dokumentar’ —karakteristika kryesore e një dokumentari është shkencore— e paraqiti si reportazh. Kështu në vend të vinte në dukje shkaqet e rrënimit të Gjirokastrës dhe në fund t’i përmblidhte sipas rëndësisë - u mjaftua duke i përmendur ato në pjesë të ndryshme të tij. Në të vërtetë, autori nuk u dha rëndësi të veçantë shkaqeve. Për shembull, kur një banor përmend ‘kurorën’ e pemëve të shkatërruar poshtë një kodre ku është ndërtuar, autori e paraqet shumë shkurt dhe sikur të ishte pa ndonjë rëndësi të veçantë. Ai u përqendrua kryesisht te gjeologët dhe këta të fundit, ngaqë u ka mbetur ora vetëm te struktura e tokës, këshillonin studime gjeologjike për të parandaluar rrënimin e Gjirokastrës. Për mos t’u zgjeruar shumë lidhur me ‘specialistët’ e përfshirë në reportazhin në fjalë, po citoj sipas rëndësisë shkaqet e rrënimit të Gjirokastrës dhe planin e punës për parandalimin e saj:

Së pari, atje nuk është ndërtuar thjesht pa studime gjeologjike dhe me cilësi të dobët. Por është ndërtuar mbi një tokë që dikur e mbanin pemët të palëvizshme. Dimë se populli shqiptar e ka humbur urtësinë praktike dhe ekologjike. Nëse gjykojmë nga ndërtimet fillestare të Gjirokastrës, ato kanë qenë të ndërtuara kryesisht mbi kodra shkëmbore. Fakti që banorët e kohës shkuan dhe ndërtuan mbi shkëmb dhe jo mbi toka të thella, tregon shumë: se urtësinë praktike dhe ekologjike e kishin të zhvilluar. Kjo lloj urtësie u shkatërrua në shkallë të ndryshme shekullin e kaluar si nga socializmi marksist ashtu dhe nga kapitalizmi keinsianist dhe aktualisht, nga kapitalizmi neoliberal. Shkatërrimin e urtësisë praktike dhe ekologjike e vërejmë së pari te të ashtuquajturit ‘specialistë’. Në reportazhin përkatës, për shembull, gjeologët e kanë të vështirë të bëjnë lidhjen mes strukturës së tokës, ndërtimit dhe pemës. Ata përqendrohen krysisht te dy të parat dhe nevojshmërinë e pemës në ndërtim nuk e përmendin fare! Nuk është kuptuar, në fjalë të tjera, as rëndësia e saj në raport me qendrueshmërinë e dheut as në raport me përcjellshmërinë e ujit të rreshjeve thellë në tokë. Kështu përqendrohen tek aspektet ndërtimore dhe gjeologjike dhe lënë pa përmendur aspektin pemë! Gjykuar nga mendësia e ‘specialistëve’, e anëtarëve të qeverisë aktuale, e gazetarëve dhe përgjithësisht nga mendësia e popullit, mund të nxjerrim lehtësisht përfundime se Gjirokastra do të rrënohet.

Së dyti, pikërisht për shkak të mungesës së urtësisë praktike dhe ekologjike mes specialistësh dhe qeveritarësh, ne mund ta parandalojmë rrënimin e Gjirokastrës vetëm nëse zhvillojmë kuptimin e problematikës. Argumenti se X kryebashkiak ka vepruar kështu apo ashtu, dhe si i tillë duhet të dënohet, apo qeveritë nuk kanë investuar për mirëmbajtjen e qytetit, nuk mjafton, meqënse urtësia praktike dhe ekologjike nuk është zhvilluar mes specialistësh e jo më mes militantësh dhe anëtarë partish. Edhe nëse hetohet kjo problematikë, dhe kërkohet nga hetuesit dijenia e njerëzve të përfshirë në ndërtime lidhur me efektet mjedisore në ndërtime dhe banesa, jam i bindur se do të konkuldojnë se dijenia e tyre ka qenë dhe është e pjesshme. Se çfarë nevojitet, rrjedhimisht, është e qartë: të zhvillohet urtësia praktike dhe ekologjike. Kjo e fundit nënkupton dijen me gjithçka që na rrethon dhe jo thjesht me strukturën e tokës apo me aspektet ndërtimore. Kështu fakti që pema nuk shërben vetëm për të mbajtur dheun por edhe për të kanalizuar ujin thellë në tokë duke pakësuar sasinë e tij dhe duke ulur efektet gërryese në sipërfaqe, dhe fakti që njerëzit i kanë përdorur gjithnjë pemët për të mbajtur ledhet e tokave të thella, shpesh pa e kuptuar se ajo ndihmon dhe në mospërmbytjen e një toke, dhe fakti që pema pastron oksigjenin dhe ruan shpendët dhe, prodhimet e saj mund të shfrytëzohen nga njerëzit, pema është disafish e dobishme për mos të thënë e vyer për jetën tonë.

Një pemë që është përdorur gjerësisht për të parandaluar të gjitha këto, është vidhi. Ai gjendet në lloje të ndryshme dhe njëri nga ata është më i miri. Ai i reziston kalbjes dhe zhvillon një sistem rrënjor si asnjë pemë tjetër. Ai e mbërthen tokën si kthetrat e shqiponjës gjahun. Gjethja dhe lendja e tij mund të përdoret për ushqim si nga njerëzit ashtu dhe nga kafshët. Riprodhimi i tij ka një kosto tejet të ulët. Karahasuar, për shembull, me koston e palmave që mbolli krye...ka një kosto tejet të vogël, qoftë për fidanët dhe qoftë për mirëmbajtje. Vidhi bart dhe vlera kurative. Shkurt, vidhi është krijuar nga natyra pikërisht për ta ruajtuar atë. Kjo pemë mund të mbillet kudo në Shqipëri dhe jo vetëm në ledhet e gatshëm për t’u shembur të Gjirokastrës. Kjo lloj kulture mund të zhvillohet nga vetë kryebashkiakët meqënse ka një kosto tejet të vogël. Thjesht duke punësuar dy-tre agronomë, të cilët të zgjedhin llojin më të mirë dhe zhvillojnë dijen –sepse edhe sëmuret si pemë- dhe këta, në bashkëpunim të ngushtë me punëtorët e bashkisë dhe nxënësit e shkollave, të mbiellin vidha në çdo ledh dhe hapësirë publike. Nëse fillohet sivjet nga puna, mot Gjirokrastra do të jetë e mbërthyer nga rrënjët e vidhit dhe do të fillojë të shqetësohet vetëm për ndërtesat dhe jo për shembjet e tokës. Sërish, bashkia duhet të realizojë një herë këtë objektiv, pastaj të vazhdojë me kujdesin e ndërtesave: sepse pa patur tokë të qendrueshme s’mund të keshë ndërtim të qendrueshëm. Vidhi, më tej, mund të përdoret për të thurur bregpërrenjt, breglumenjt dhe bregdetet. 

Rikonceptimi i sistemit kundër-përmbytës hollandez, shkaqet e përmbytjeve biblike në Shqipëri dhe masat e parandalimit*

                           

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA