...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Treshja ballkanike e “Jugosllavisë së re” përparon projektin e oligarkive të huaja dhe vendore

Presidenti serb, tha se do të formohet një këshill i zbatimit të marrëveshjeve, ndërsa paralajmëroi se takimi i radhës do të mbahet në Tiranë pas krishtlindjeve

SHJ

04/11/2021 - 14:48

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, thanë të enjten në Beograd se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhen në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por kjo nuk duhet të jetë pengesë për përfshirjen e Kosovës në nismën Ballkani i Hapur.

Ata i bënë këto komente në përfundim të takimit të nismës për Ballkanin e Hapur që është hedhur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia, duke bërë thirrje që asaj t’i bashkohen Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi. Në takimin ku mori pjesë zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, është rënë dakord që të përshpejtohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të kësaj nisme.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se janari i vitit të ardhshëm do të jetë muaji kur do të duken hapat konkretë të nismës së Ballkanit të Hapur.

“I gjithë fokusi ka qenë te njerëzit, te kompanitë, fermerët, punëtorët, akademikët, studentët që janë dhe përfituesit real të Ballkanit të Hapur. Produktet nuk mund të rrinë me ditë në kufi, kjo shton koston në mënyrë marramendëse, ndërkohë që ndikon negativisht te produktet. Nuk mund të shkosh në kufi të premten dhe të presësh deri të hënën për të kaluar qumështin, kur ai është bërë kos. Apo për të pritur tre javë konfirmimin nga agjencitë e vendeve të tjera që të marrin produktin. Rezultatet do të paraqiten në Tiranë, në takimin e radhës në dhjetor dhe do të jenë përfitime për gjashtë vendet e rajonit, jo tre. Nga janari, në kufi fillon një relaksim, do të jetë shumë i lehtë kalimi i mallrave dhe kjo do të ndikojë në rritje ekonomike”, tha Rama.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se sipërmarrësit kryesorë të tre shteteve që janë tashmë pjesë e nismës së Ballkanit të Hapur, janë mbështetësit kryesor të një nisme të tillë.

Sipas presidentit serb po synohet që qytetarët shqiptarë, maqedonas apo serbë për një vit e gjysmë të lëvizin pa asnjë lloj kufiri në të tre vendet. Ai tha se në dhjetor në Samitin e Tiranës do të nënshkruhet memorandumi me lejet e punës për tre vendet që janë pjesë e “Open Balkan”.

“Kemi pasur edhe mbështetje, duhet të fluturojmë se kemi mbetur pas vendeve të zhvilluara evropiane për të pasur një përmirësim të madh. Kemi vonesa të mëdha që do të përpiqemi t’i zgjidhim. Reciprociteti për blerjen e pasurive të paluajtshme është një ndër to dhe zoti e di se çfarë gjërash burokratike janë pjesë. Samiti i Tiranës do mbahet pas Krishtlindjeve, datat 25-26 apo dhe 28 dhjetor, por kjo i takon Ramës ta vendosi. Do të nënshkruajmë memorandumin me lejet e punës. Unë jam më i dëshpëruari nga të gjithë kur nuk realizohen ato”, theksoi ai.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, është shprehur nga Beogradi se në dhjetor në Tiranë do të shpalosen fitoret e deritanishme të nismës.

” Rëndësia që Maqedonia e Veriut i jep kësaj nisme është pikërisht në këtë drejtim. Kjo nismë synon që të ndërtojë solidaritet duke u zhvilluar, duke ndërtuar një treg të përbashkët rajonal. Gjithçka do të realizohet vetëm me vullnet politik që duhet të përkthehet në zgjidhje legjislative, çka do të thotë marrëveshje ndërkombëtare. Ne kemi hapur bisedime të sinqerta me bizneset. Ata humbasin shumë me procedura burokratike. Në Tiranë do të deklarojmë fitoret e deritanishme. Është shumë e rëndësishme që nisma të mbetet e hapur për të gjitha vendet e rajonit. Besoj se sa më të vendosur të jemi për të ecur përpara aq më të besueshme do të bëjmë nismën edhe për vendet e tjera”, tha Dimitrov.

*Në këtë raport ka kontribuar Voa dhe Topchannel

Lexo, për më shumë studimin:

Krijimi i “Jugosllavisë së re” nga treshja ballkanike dhe pasojat katastrofike për Shqipërinë (dhe Kosovën)

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA